Hillary: Si Bill më mashtroi për Levinskin dhe pse e fala pas tradhtisë


Duke marrë shkas nga vizita që do të bëjë në Shqipëri Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, gazeta “Tirana Observer” sjell nga librat e Bill dhe Hillary Clinton historinë e tyre më pikante: atë të tradhtisë së Bill me Monika Levinksin.


Në librin “Historia ime”, Hillary, gruaja e ish-presidentit amerikan Bill Klinton ka rrëfyer vitet e luftës së çiftit Klinton për të marrë pushtetin dhe për ta ruajtur atë nga të gjitha dufet e stuhitë. Më poshtë pjesa më pikante e tradhtisë së bashkëshortit të saj.


Nga Hillary Rodham Clinton
“Të mërkurën, më 21 janar (1998), Billi më zgjoi ende pa gdhirë dita. U ul në cep të krevatit dhe më tha:

- Në gazetat e sotme shkruhet diçka që ti duhet ta dish.

- Ç’është, pra?

Më shpjegoi se shtypi shkruante për një lidhje të tij me një ish-stazhiere të Shtëpisë së Bardhë dhe që u kishte kërkuar avokatëve të Paula Jones të gënjenin rreth kësaj. Starr kishte kërkuar dhe marrë autorizim nga Janet Reno për të hetuar nëse vihej në dyshim si president. Billi më tha se Monika Levinski ishte stazhiere të cilën ai e kishte nxjerrë nga balta dy vjet më parë, kur ajo punonte vullnetarisht në krahun perëndimor, ndërsa qeveria kishte vendosur të hiqte pagesat. Ai i kishte folur disa herë dhe ajo i kishte kërkuar ta ndihmonte për të gjetur punë. Ishte kryekëput sipas karakterit të Billit. Më shpjegoi se ajo ishte zhgënjyer nga qëndrimi i tij – gjë të cilën e kisha konstatuar në shumë e shumë raste të tjera. Flitej për një skenar kaq të njohur saqë besova lehtësisht se këto akuza ishin të pabaza (…)

Nuk rreshta së bëri pyetje Billit në lidhje me këtë histori. Ai vazhdonte të mohonte çdo ngasje por thoshte se mund t’i kishin keqkuptuar qëllimet e tij. Nuk e kuptova se ç’bluante në kokë im shoq atë ditë. E gjithë ç’di është se Billi u ka thënë bashkëpunëtorëve të vet dhe miqve tanë të njëjtën gjë që më tha mua: asnjë ngacmim nuk kishte ndodhur. Që na mashtroi, mua dhe të tjerëve, kjo i përket vetëm atij dhe i takon po atij të japë shpjegime për këtë. Nëse kjo botë do të ishte pak më e mirë, ky lloj bashkëbisedimi mes burrit e gruas do t’u përkiste vetëm të interesuarve të drejtpërdrejtë, askujt tjetër. Për shumë kohë isha përpjekur të ruaja jetën tonë private, por në atë kohë nuk mund të bëja më asgjë. (…)

Ngatërresa Levinski më dukej si një skandal i thjeshtë i shpikur nga kundërshtarë cmirëzinj. (…) Prisja që kjo histori të tkurrej, tek e fundit, në një shënim të shkurtër në fund të faqes për historinë e shtypit sensacional. I besova tim shoqi kur më pohoi se asgjë të vërtetë nuk kishte në akuzat që i bëheshin… E dija gjithashtu se rreziku politik ishte real. (…) Dukej se marrjet në pyetje kishin për qëllim vetëm përbetimin nga ana e presidentit- akuza që mund të përdoreshin për të justifikuar ose kërkuar dorëheqjen a shkatërrimin e tij.

Ishin shumë lajme të këqia për t’u marrë brenda një mëngjesi të vetëm. (…) Vendosa të vazhdoj përpara dhe të përgjigjesha flakë për flakë, por nuk ishte e këndshme të dëgjoje atë ç’ka thuhej për tim shoq. E dija që njerëzit thoshin me vete: “Si ia del ajo të zgjohet në mëngjes, pa folur pastaj për të dalë në publik? Edhe pse nuk i beson këto akuza, thjesht t’i dëgjojë për të duhet të jetë e tmerrshme”. Po, në fakt. Ndërsa kriza vazhdonte, bluaja me vete një thënie të Eleanor Roosevelt, sipas së cilës çdo grua që hyn në jetën politike duhej “të pajisej me një lëkurë si koraca e një rinoceronti”. Sigurisht me kalimin e viteve lëkura m’u bë shollë. Frikësohesha gjithashtu se mos armatura që kisha mbathur më largonte nga emocionet e mia të vërteta, megjithatë, në thelb, frikesha se mos shndërrohesha në atë karikaturën e pandjeshme që shihnin tek unë shkatërruesit e mi. E ke të vështirë t’i rrish besnike vetvetes nën vështrimin e publikut, por në atë kohë ishte dyfish më e vështirë për mua. (…) Pikasja tek vetja shenja të mbylljes së venave të mia afektive. Në stacionin “Baltimore” një ditë më prisnin një grumbull gazetarësh dhe ekipe televizive. Që prej vitesh nuk isha tronditur aq fort. Gazetarët vërshonin me pyetjet e tyre dhe njëri briti më fort se të tjerët:

“A besoni se akuzat janë të pavërteta”?

Ndalova dhe u ktheva drejt mikrofonave:

“Në fakt, po besoj se janë të pavërteta, madje jam e bindur, – thashë. Është gjithmonë e vështirë dhe e dhimshme të shohësh dikë të cilin e keni përzemër dhe e doni, e admironi, të bëhet pa pushim objekt i sulmeve dhe akuzave siç është rasti i tim shoqi”. [...]

Të nesërmen në mëngjes, [5 gusht 1998], Billi më zgjoi, siç kishte bërë disa muaj më parë, por këtë radhë nuk u ul në cep të shtratit por eci tutje tëhu, dhe më tha për herë të parë se gjendja ishte shumë më e rëndë nga ajo që kishte pohuar më parë.

Fundi i gushtit. Vatra jonë familjare nëse nuk ra në paqe, të paktën u shtendos. Edhe pse unë jam e tërbuar dhe e zhgënjyer nga Billi, orët e mia të gjata në vetmi më kishin bindur se e doja akoma. Ajo që nuk dija ende është në mund të vazhdonte më martesa jonë apo jo. (…) U kthyem në Uashington për një tjetër fazë të kësaj lufte politike të pambarimtë. Nuk e dija më nëse doja të luftoja për burrin tim dhe martesën tonë, por isha shumë e vendosur të luftoja për presidentin tim. [...] Kur u kthyem në Shtëpinë e Bardhë kisha në kokë disa sfida – po aq personale, sa edhe politike. Unë dhe Billi ramë dakord të takonim rregullisht një këshilltar martesor për të vendosur se si mund ta shpëtonim martesën tonë. (…) Vendi kishte nevojë që Billi të rrinte në detyrë. Sulmi ndaj Presidencës i zyrës së prokurorisë së pavarur ishte një luftë politike, dhe në këtë betejë unë isha në anën e Billit. Kongresitë demokratë më pyesnin se ç’kisha ndërmend të bëja. Njëri prej tyre më tha: “Hillari, po të ishit motra ime, do t’ia kisha thyer hundën Billit!”

Kur më pyesin si kam mundur të bëj përpara kur isha kaq e dërrmuar, unë përgjigjem se nuk ka asgjë të keqe të ngrihesh çdo mëngjes për të shkuar në punë edhe pse familjen e ke në krizë. Gjithsecilit prej nesh i është dashur të veprojë kështu në një moment të caktuar të jetës dhe dhuntitë që duhen shpalosur janë të njëjta si për një First Lady edhe për rrobalarësen. Ndryshimi i vetëm është se unë duhej të punoja nën vështrimin e publikut të gjerë. Isha ende e paqartë për të ardhmen time personale, por isha krejtësisht e bindur se bredhjet private të Billit, si edhe përpjekjet e tij nervoze për t’i fshehur, nuk përbënin, sipas Kushtetutës, një arsye të mjaftueshme, nga pikëpamja historike dhe juridike, që të niste një proces gjyqësor…”



Bill Klinton: Si Hillari më la të flija në divan

Bill Klinton, ish-president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në librin autobiografik, “Jeta ime”, ka treguar edhe vështirësitë që hasi për t’ia treguar së shoqes të vërtetën mbi historinë e ”dashurisë” me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë, pra në kohën që plasi skandali “Levinski”.  Ai ka treguar se e detyroi të flinte në divan.

Nga Bill Klinton

Vështirësia për t’i treguar Hilarit e Çelsit të vërtetën

Të dielën në mëngjes, më 15 gusht me dëshminë e jurisë së madhe që më vërtitej në kokë dhe pas një nate të pagjumë, unë zgjova Hilarin dhe i tregova të vërtetën mbi atë që kishte ndodhur midis meje e Monika Levinskit. Ajo po më shikonte sikur t’i kisha futur duart në fyt. Qe e inatosur me mua më shumë ngaqë e kisha gënjyer në janar, se sa për atë që po i bëja tani. Gjithçka që mund të bëja në ato momente ishte t’i tregoja asaj se më vinte keq për atë që kishte ndodhur, dhe se ndieja se nuk mund t’i tregoja askujt, madje as asaj vetë, se çfarë kishte ndodhur. I thashë se e doja dhe se nuk doja t’i bëja keq asaj apo Çelsit, se isha i turpëruar për atë që kisha bërë, dhe se e kisha mbajtur gjithçka të fshehtë për vete, në përpjekje për të evituar lëndimin e familjes sime e të fundosjes së presidencës. Dhe pas gjithë këtyre gënjeshtrave e abuzimeve që ne kishim ndeshur që nga fillimi i periudhës sime presidenciale, nuk doja të hidhesha jashtë nga zyra pas lumit të akuzave që kishin ndjekur deponimet e mia në janar. Unë akoma nuk e kuptoja plotësisht se pse e kisha bërë një budallallëk të tillë, sepse të kuptuarit e saj do të vinte ngadalë, në muajt kur duhej të punoja që marrëdhënia jonë të shkonte përpara. Unë duhet t’i tregoja gjithashtu edhe Çelsit. Në njëfarë mënyre, kjo ishte edhe më e vështirë. Herët a vonë, çdo fëmijë mëson se prindërit e tij nuk janë perfektë, por kjo gjë shkonte përtej normales. Unë kisha besuar gjithmonë se kisha qenë një baba i mirë. Vitet e shkollës së mesme të Çelsit, dhe viti i saj i parë i kolegjit, kishin qenë gjithmonë të mbuluara nga hija e sulmeve personale mbi prindërit e saj. Tashmë Çelsi do të mësonte se babai i saj, jo vetëm që kishte bërë diçka tmerrësisht të gabuar, por edhe që nuk ia kishte treguar të vërtetën asaj së ëmës. Unë kisha frikë se do të humbja jo vetëm martesën time, por edhe respektin e dashurinë e sime bije.

Këmbëngulja dashakeqe e Kenet Starrit

Të hënën, pasi kalova disa kohë duke menduar se kur do të bëhesha gati, zbrita poshtë në “Map Room” për të dëshmuar. Katër orë më parë, Starri kishte rënë dakord që të mos më dërgonte në gjykatë dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe për shkak se ai e vuri re reagimin që shkaktoi sjellja e Hilarit në gjykatë. Sidoqoftë, ai këmbënguli që ta regjistronte dëshminë time, sepse një nga 24 juristët e trupit gjykues nuk mundi të ishte i pranishëm në seancë. Pas procedurave formale të fillimit të seancës, unë kërkova të mbaja një fjalim të shkurtër. Unë pranova se “në raste të caktuara” të vitin 1996 dhe një herë në 1997, unë isha përfshirë në një sjellje të pahijshme, që përfshinte kontakte intime të papërshtatshme me Monika Levinskin. Sjellja, edhe pse ishte moralisht e gabuar, nuk konsistonte në “marrëdhënie seksuale”, teksa kuptova definicionin e termit, që gjykatësi Urajt e pranoi me kërkesë të avokatëve të Paula Xhonsit: që unë mora përgjegjësi të plotë për veprimet e mia dhe se unë do t’u përgjigjesha me përpikmëri të plotë të gjitha pyetjeve që kishin lidhje me ligjshmërinë e veprimeve të mia, por shtova se nuk do të thosha asgjë më shumë specifike, për atë që kishte ndodhur.

Isha në dijeni të faktit se kisha gënjyer të gjithë ata që më kishin pyetur rreth historisë, pasi ajo mori fund. Dhe e përsërita sërish, se unë nuk i kisha kërkuar kurrë asnjërit që të gënjente. Kur seanca dëgjimore prej katër orësh kishte mbaruar, unë jam detyruar t’u përgjigjem edhe gjashtë apo shtatë pyetjeve të tjera që më drejtuan gjykatësit, ndërkohë avokatët u përpoqën shumë që ta kthenin seancën e pyetjeve në një seancë pohimesh të turpshme e inkriminuese. Ja se si i gjithë hetimi katërvjeçar prej dyzet milionë dollarësh, përfundoi në një analizë leksikore të fjalës “sex”.

E mbarova dëshminë rreth orës gashtë e gjysmë, tri orë e gjysmë më parë unë kisha planifikuar t’i drejtohesha me një fjalim kombit. U çudita shumë kur shkova lart në “solarium” dhe pashë miqtë dhe stafin, të cilët ishin mbledhur për të diskutuar atë që sapo kishte ndodhur. Edhe Çelsi ishte aty, dhe, me sa mbaj mend, rreth orës tetë me ne u bashkua edhe Hilari. Ne diskutuam rreth asaj çka duhet të thosha. Të gjithë e dinin se unë duhet të pranoja se kisha kryer një gabim të madh, dhe se isha përpjekur ta fshihja atë. Pyetja ishte nëse unë duhet të kisha sulmuar hetimin e Starrit dhe të thosha se kishte ardhur koha për t’i dhënë fund atij hetimi.

Periudha e reflektimit: Hilari flinte në krevat, ndërsa unë në divan

Ditën tjetër ne u nisëm drejt “Vreshtave të Martës”, me rastin e pushimeve tona vjetore. Zakonisht i numëroja ditët derisa ne të mund të largoheshim për të kaluar disa kohë me familjen, edhe pse unë e dija se këtë vit ne kishim nevojë për pushim. Unë kisha një dëshirë për të punuar pa pushim. Ndërsa po ecnim në “South Lawn” për të hipur në helikopter me Çelsin mes meje dhe Hilarit dhe Badin që ecte krah nesh, fotografët shkrepën disa foto, të cilat shprehnin dhimbjen që unë kisha shkaktuar. Kur nuk kishte kamera përreth nesh, ime shoqe dhe ime bijë flisnin haptazi me mua.

Kalova ditët e para duke u vërtitur në mendimet rreth të kërkuarit ndjesë dhe planifikimit të sulmeve të Al-Kaedës. Gjatë natës, Hilari shkonte lart dhe flinte në krevat, ndërsa unë flija në divan. Pas fjalimit që mbajta për publikun, vajta sërish në fermë, në Marta, dhe ndenja dhjetë ditë me radhë. Bëra paraqitjen time të parë publike, që pas dëshmisë në “Jurinë e Madhe”, duke udhëtuar për në Uorçester (Masaçusets), pasi më kishte ftuar një kongresmen për të promovuar “Police Corps”, një program i ri që i mundësonte bursa njerëzve, të cilët donin të bëheshin një ditë oficerë policie.


Te dhena

Si u njoh me Bill Clinton

Mbasi u diplomua ne Wellesley College ne 1969, filloi studimet ne Yale Law School, ku ajo u njoh edhe me Bill Clintonin.  Një intelekt i mirinformuar si i saj, tërhoqi një njeri si Bill Clinton, i cili vendosi menjëherë t‘ia prezantonte familjes së tij: “Nuk dëshiroj që pranë vetes të kem një bukuri bosh”, pati deklaruar ai.


Hyrja në politikë

Në 1974 në të bujshmin skandal qeveritar amerikan, të quajtur “Scandal of Watergate”, Hillary punoi si asistente në stafin e kongresit “House Judiciary Committee “, i cili merrej në atë kohe më hetimin e administratës së Nixonit. Më pas ajo së bashku me Bill Clintonin, në Arkansas iu përvesh politikës duke u kthyer në një yll.


Martesa

Hillary dhe Bill u martuan më 1975. Ajo dhe Bill, u bënë prindër në vitin 1990, kur lindi vajza e tyre që e pagëzuam me emrin Chelsea. Rruga e saj në karrierën politike ka qenë tepër e suksesshme pa lënë mënjanë këtu edhe punën e saj për përmirësimin e legjislacionit në ndihmë të fëmijëve dhe grave. Në fillimet e Bill Klintonit në presidencën e Amerikës, shpesh është përdorur edhe shprehja Billari, një drejtim i përbashkët i saj me Bill.


Truprojat femra

Për sigurinë e saj Hillary Clinton ka zgjedhur vetëm femra. Plot 13. Sipas mediave ajo ka zgjedhur të bashkojë, si në një vëllazëri të përbetuar për besnikëri të përjetshme, seksin e dobët. Ndoshta sepse është ndër të paktat që nuk e mendon kështu. Për të ato janë kupola e mbrojtjes absolute ndaj çdo sulmi që mund t’i rrezikonte jetën. Për botën mbarë dhe tabloidët rozë, ato quhen “Hillary’s Angels” (Engjëjt e Hillary-t).  Të jesh një femër në skuadrën që ruan sigurinë dhe mbron figurën e Sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, duhet të jesh e shpejtë, e zgjuar dhe e ashpër. E gatshme të marrësh një plumb, edhe kur je mbi taka.









Google+ Followers