Drejt zbardhjes së shkrimit më të vjetër të padeshifruar në botë


Shkrimet proto-elamite datojnë 3200-2900 vjet para Krishtit dhe mendohet se i përkasin popullisisë që ka jetuar në Iranin Jug-perëndimor



Një grup arkeologësh britanikë janë në fazat e fundit të deshifrimit të shkrimit më të vjetër në botë. Lajmi jepet nga Jacob Dahl, i cili është drejtues i projektit dhe i ‘Ancient World Research Cluster’. Shkrimet e gjuhës proto-elamite konsiderohen një sfidë e vërtetë nga arkeologët dhe përbëjnë dëshminë më të vjetër në kohë të një gjuhe të shkruar që daton në vitet 3200-2900 para Krishtit.
Proto-elamishtja, e cila mendohet se është një gjuhë e folur 5 mijë vjet më parë në Jug-perëndim të Iranit, ka ekzistuar për një periudhë të shkurtër kohore, 150 deri në 200 vjet, nga vitet 3100 deri në 2900 para Krishtit dhe më pas është zhdukur, duke lënë pas shumë enigma të pazgjidhura, lidhur edhe me popullin që e ka përdorur dhe karakteristikat e tyre. Sot janë ruajtur disa mijëra shenja nga shkrimi antik, të cilat janë arkivuar në muzeun e Oksfordit dhe atë të Luvrit.
Por misteri i tyre duket se më në fund është duke u qartësuar, falë sistemit të sofistikuar RTI (Reflectance Transformation Imaging), i cili nënkupton një fotografim të detajuar (me anë të 76 aparateve fotografikë) të secilës shenjë, në mënyrë që të arrihet deshifrimi i tyre. Janë dashur 10 vjet për të studiuar 1200 shenjat e trashëguara nga qytetërimi proto-elamit dhe tani më në fund studiuesit janë pranë mbledhje së fryteve të punës së tyre.
Pavarësisht se ende nuk ekziston një deshifrim i plotë i sistemit të shenjave, studiuesit britanikë pohojnë se nga këqyrja 10-vjeçare e tyre kanë dalë në përfundimin se nuk bëhet fjalë për shkrime poetike, por për një lloj arkive shtetërore të popullsisë që ka banuar në këtë pjesë të Iranit në lashtësi, që përmban regjistrimin e pronës, sasinë e të mbjellave dhe numrin e popullsisë.
Sipas studiuesve, shoqëria e lashtë e Lindjes së Mesme sundohej nga një familje, poshtë të cilëve në hierarki vinte një shtresë e mesme, që ishte më e shumtë në numër, dhe më pas vinte shtresa e të varfërve, punëtorëve që trajtoheshin si kafshë.
Megjithatë, mbeten ende gjëra për t’u deshifruar nga shkrimi antik i cili për shumë kohë ka qenë i mbuluar nga misteri, karakteristikë e të cilit, çka e bën edhe më të vështirë deshifrimin, është mungesa e figurave njerëzore, ose pikturave të ndryshme shoqëruese, që është tipike për gjuhët e lashta.

Google+ Followers