Baumgartner tejkalon shpejtësinë e zërit pas hedhjes nga 39 mijë metra (Video)

Felix Baumgartner ia doli mbanë dhe hyri në histori si njeriu i parë që arriti të tejkalojë shpejtësinë  e zërit përmes një hedhjeje të lirë nga një lartësi prej 39 mijë metrash.
Pas një udhëtimi prej 2 orësh dhe 37 minutash brenda kapsulës që e ngjiti në lartësinë 39.060 metra (2500 metra më lart nga sa ishte parashikuar), austriaku hapi derën e vogël të kapsulës dhe u hodh nga stratosfera.
Në pak sekonda ai arriti të tejkalonte shpejtësinë e zërit (1110 km/h) për të hapur më pas parashutën pas 4 minuta dhe 15 sekonda në rënie të lirë.
Pas 4 minutave të tjera Felix preku tokën mes entuziazmit të stafit të vet, që e ndoqi në çdo moment përmes kullës së kontrollit në Roswell, New Mexico.
Provës së pazakontë, në fakt nuk i munguan momentet e frikës dhe tensionit nga ata që e monitoronin. Fillimisht, pak sekonda pas hedhjes, kur Feliks nisi të rrotullohej me shpejtësi rreth vetes duke e penguar për disa moment që të rimerrte  kontrollin si dhe një sekondë pasi arriti të tejkalonte shpejtësinë e zërit, kur papritur pushoi së foluri, me siguri si rezultat i lodhjes nga sforcimi i madh prej hedhjes së lirë në atmosferë.
Me këtë hedhje sensacionale mendohet se Felix ka thyer njëherësh disa rekorde:
Hedhja e tij ishte nga lartësia më e madhe e provuar ndonjëherë
Ishte njeriu i parë që arriti të thyente murin e shpejtësisë së zërit
Hedhja e tij e lirë ishte më e gjata në histori.




Google+ Followers