Xhon F. Kenedi dhe vizioni i tij për Amerikën

“Në më pak se 3 vjet si president, Xhon Kenedi i dha botës portretin e një Amerike të re, të një kombi me një vizion të gjerë, të gatshëm për të ndihmuar për zgjidhjen e problemeve edhe ruajtjen e paqes kudo”.  Lindon Xhonson, Gusht 1964

Xhon F. Kenedi (John F. Kennedy) lindi në një familje që do të dominonte shekullin e XX në jetën e Amerikës. Ai ishte i biri Xhozef Kenedit, një nga 16 njerëzit më të pasur të Amerikës të asaj kohe, përkrahës i fuqishëm i presidentit Frenklin Ruzvelt gjatë programit ekonomik të viteve 30-të. Xhon F. Kenedi lindi në një familje strikte ku prej secilit pritej të ishte i suksesshëm, ku që në fëmijëri mësoi të mos tërhiqej para vështirësive, ku të humburit që nuk kishin bërë maksimumin për të fituar nuk gëzonin simpati.

Familja Kenedi kishte nëntë fëmijë. Më i madhi i fëmijëve ishte Xho Kenedi, tek i cili i ati mbështeti shpresat fillimisht. Xhozef Kenedi nxiste garën midis fëmijëve dhe Xho ishte fitimtari. Të gjithë fëmijët shikonin nga Xho si nga një lider. Xhon Kenedi ishte fëmija i dytë dhe u rrit duke adhuruar vëllanë e tij më të madh. Ai përpiqej ta imitonte atë, të ecte në gjurmët e tij. Kudo ku shkonte Xho aty ishte edhe Xhoni. Atij i pëlqente të vraponte, të notonte, të luante bejsboll, futboll, të voziste e çdo gjë tjetër që bënte i vëllai i tij më i madh. Herë pas here prindërit inkurajonin diskutime për ngjarjet e kohës. Fëmijët e familjes Kenedi u rritën me pasionin për sportin dhe politikën.

Në 1937, presidenti Ruzvelt e emëroi Xhozef Kenedin ambasador të Shteteve të Bashkuara në Londër. Xhozef Kenedi ishte mik me kryeministrin anglez Çemberlein dhe me shumë të tjerë në kabinetin anglez. Ai i hapi djemve të tij derën e karrieres politike. Dy më të mëdhenjtë Xho dhe Xhonin i dërgoi nëpër Evropë për t’u njohur e për t’i raportuar atij në lidhje me situatën në prag të luftës. Xhon Kenedi shkoi me shërbim në Francë, Rusi, Gjermani, shtetet e Ballkanit, Palestinë dhe Itali. Ai pati rast të shihte nga afër artin e qeverisjes. Mësoi shumë nga ato që pa e që më pas influencuan në formimin e tij të ardhshëm. Xhon Kenedi i ri iu dha përfundimisht politikës.

Lufta e dytë botërore plasi në 1 Shtator 1939. Një ditë më pas ambasador Kenedi dërgoi djalin e tij 22 vjeçar në Glasgow, Skotland, të interesohej për amerikanët që kishin shpëtuar nga mbytja e anijes Athenia. Gjermanët kishin torpiduar pa asnjë lajmërim anijen angleze në të cilën ndodheshin mbi 1400 pasagjerë.
Kur Xhon Kenedi u kthye në Harvard shokët e tij studentë e shihnin me admirim. Ai kishte marrë pjesë në prologun e luftës botërore dhe qe ndodhur në qëndrën e ekplozionit botëror. Fokusi i Xhon Kenedit tani ishin shkencat politike. Ai vendosi të mbronte temën e disertacionit me fokus mbi gabimet në politiken e jashtme të Anglisë dhe të Shteteve të Evropës në prag të luftës botërore. Tema u konsiderua nga më të mirat e dorëzuara në universitetin e Harvardit. I ati krenar për punën e të birit, gjatë kësaj kohë mbante kontakte të vazhdueshme me të.
Ai i dha atij idenë që ta botonte disertacionin në formën e një libri. Xhoni pas një punë kërkimore shkencore doli me një botim në New York Times: “Pse fjeti Anglia?.” Xhon Kenedi në studimin e tij shtronte pyetjen nëse do të ishte e mundur për demokracitë të fitonin luftën pa u shëndruar në shtete totalitare. Libri i tij i vogël u bë shumë shpejt libri më i shitur në shkallë kombëtare.

Lufta në Evropë vazhdonte. Ushtria gjermane po përparonte në mënyrë të pandalshme. Franca ra. Anglia mezi mundi të shpëtojë mbeturinat e ushtrisë së saj në Dunkirk dhe ndodhej nën bombardimin ajror gjerman. Lufta në Evropë vazhdonte e hidhur dhe dukej se Amerika do të tërhiqej në konflikt nga momenti në moment. Ndërkohë, i vëllai, Xho Kenedi, la universitetin e Harvardit dhe u regjistrua në aviacionin naval.

Xhon Kenedi që kishte qenë shëndetlig gjithë kohën, nuk mundi ta kalonte dot ekzaminimin fizik dhe nuk u pranua në ushtri. Ai nuk u tërhoq por provoi përsëri duke shpresuar ta merrnin në marinën detare. Përsëri u refuzua për shkaqe shëndetësore. Refuzimi i dytë e bëri Xhon Kenedin edhe më të vendosur. Ai filloi ushtrimet fizike për tu fuqizuar dhe kjo e ndihmoi të fitonte. Xhon Kenedi kërkoi menjëherë t’i jepej detyrë luftarake. Në fillim të vitit 1943 ai u dërgua në ishujt Solomon në Pacifikun e jugut në komandën e PT 109.

PT 109 ndërmori me sukses rreth 30 sulme kundër anijeve japoneze deri në mëngjesin e 2 gushtit të vitit 1943 kur gjatë patrullimit u godit nga një destrojer japonez dhe shpërtheu në flakë. Dy vetë nga personeli i anijes u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjerë u plagosën e po luftonin për jetën. PT 109 e shkatërruar u mbyt. Xhon Kenedi mundi t’i shpëtojë shokët duke i nxjerrë në një ishull të braktisur duke notuar në një largësi prej tre mile e gjysëm. Për heroizmin e tij Xhon Kenedi u nderua me medalje. Dikush e pyeti se si u bë hero. Ai u përgjigj: “Shumë thjesht, anija jonë u godit nga japonezët.” Heroizmi i tij për shpëtimin e shokëve të tij të luftës u bë frymëzim për filmin artistik me titull “PT 109″.
Për cilindo detyrimi ushtarak mbyllej aty, por me Xhon Kenedin ndodhi e kundërta. Lufta nuk kishte mbaruar dhe ai kërkoi të kthehej sërish në detyrën luftarake edhe pse në kushte shëndetësore të pafavorshme. U kthye përsëri në detyrë në Pacifik. Në pranverën e vitit 1944 u detyrua t’i nënshtrohej një operacioni në shtyllën kurrizore. Atë fundjavë që po linte spitalin, në Gusht 44, i erdhi lajmi që vëllai i tij i madh, Xho, ishte vrarë duke fluturuar mbi Belgjikë në një mision luftarak. Avioni i ngarkuar me eksplozion kishte shpërthyer para se të arrinte objektivin dhe trupi i Xho Kenedit dhe ndihmësit të tij nuk u gjetën kurrë. Xhon Kenedi u mpi. Xho kishte luftuar e fituar beteje pas beteje. Xho-ishte ideali i tij. Ishte ai në gjurmët e të cilit Xhon Kenedi kishte ecur që në fëmijëri. Xho ishte lider, ishte ai tek i cili familja kishte mbështetur shumë shpresa.
Pas vdekjes se Xho-s ai vend u hap për Xhon Kenedin.

Xhon Kenedi ishte vetëm 29 vjeç kur zuri vendin e tij në kongresin amerikan. Ende me portretin e studentit të Harvardit, Xhon Kenedi ishte tashmë veteran i luftës se dytë botërore, i nderuar për heroizëm. Si gjithë përfaqësuesit më të rinj në qeverinë amerikane, ai provoi anën emocionuese të detyrës se tij dhe nga ana tjetër edhe përgjegjësinë e madhe të votës. Xhon Kenedi ruajti mendimin e tij të pavarur edhe atëherë kur ai binte ndesh me atë të përfaqësuesve më të vjetër. Në një fjalim të tij ai do të shprehej që “Kushtetuta na ka bërë partnerë për progresin e jo rivalë për pushtet.”

Xhon Kenedi besonte thellësisht në rëndësinë e aktivizimit në jetën politike i pëlqente shumë edhe thënia e Edmund Burkes: “E vetmja gjë që i hap udhë triumfit të së keqes është pasiviteti i njerëzve të mirë”

Vetëbesimi se ai mund të bënte më shumë, se mund të merrte përgjegjësi edhe më të mëdha qe rritur. Ai kishte përvojën, gjallërinë, vendosmërinë dhe një shpirt të ri. Në 1952 Xhon Kenedi vuri kandidaturën për senator.

Si senator ai u bë një nga figurat më prominente të partisë demokratike. I pjekur si politikan Kenedi ishte gati për testime të reja më të vështira dhe ai moment erdhi.

Në 20 Janar 1961 në një ditë të ftohtë me një erë të akullt, veshur vetëm me kostum, Xhon Kenedi presidenti më i ri në historinë e SHBA, mbante fjalën e inaugurimit. Ishte një fjalim i bukur, elokuent, por mbi të gjitha ishte një fjalim që mbeti i paharruar për vizionin e ri që shpaloste. Ishte një betim për paqen në botë dhe premtim pasionant për progresin amerikan. Ai shpalli përpara Amerikës dhe të gjithë botës se tashmë pishtari kishte kaluar në duart e një gjenerate të re, lindur në këtë shekull, të kalitur në luftë, krenare për trashëgiminë e hershme dhe e vendosur për të mbrojtur të drejtat njerëzore në vend dhe kudo në botë.

Duke u fokusuar në marrëdhëniet ndërkombëtare ai i bëri thirrje popullit amerikan për të mbajtur barrën e luftës kundër armiqve të përbashkët të njerëzimit: tiranisë, varfërisë, sëmundjeve dhe vetë luftës”
Në fjalimin e tij të inaugurimit ai hodhi këshillën e tij historike: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet ç’mund të bësh ti për vendin tënd” duke frymëzuar veçanërisht brezin e ri amerikan. Presidenti më i ri në moshë i zgjedhur deri atëherë, Xhon Kenedi i solli Amerikës idealizmin dhe eksitimin. Ai thoshte se gjithnjë e kishte frymëzuar shembulli i Xhon Uinthrop, themeluesit të Masaçusets që kërkonte të ngrinte “qytetin mbi kodër” ku sytë e të gjithëve do të ishin drejtuar tek ai, me një formë qeverisje të re që do të sillte “kohën e artë” dhe do ishte model për të gjithë të tjerët.
E shoqja Zhaklinë Kenedi, gjithashtu e re, e bukur, inteligjente, folëse e disa gjuhëve të huaja, fitoi shumë admironjës kudo në botë. Ajo e njihte mirë Uashingtonin që përpara se të martohej me Kenedin dhe qe mësuar me shoqërinë e lartë. Presidentit Kenedi e admironte të shoqen veçanërisht për kontributin që ajo dha në restaurimin e Shtëpisë se Bardhë. Restaurimi për të nuk do të thoshte zëvendësim i objekteve të vjetra me të reja. Sipas Zhaklinës ky do të ishte një sakrilegj: “Çdo objekt ka një arsye që ndodhet aty”, thoshte ajo.
Në shkurt të vitit 1962, presidenti Kenedi, ashtu sikurse i gjithë vendi, ndoqi me kënaqësi vizitën e kameras televizive në Shtëpinë e Bardhë të udhëhequr nga e shoqja, Zhaklina. Pas asaj ekspozeje televizive numri i vizitorëve në Shtëpinë e Bardhë, u shtua shumë. Dikur, kur kishte folur për projektin e Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh Uashingtoni pati thënë që do të dëshironte që “Shtëpia e Bardhë të ishte një vend me simptomat e pallatit, komfortin e një shtëpie dhe simbol i harmonisë së vendit”. Presidenti Kenedi dhe e shoqja realizuan më se miri këtë ide. Gjatë viteve të presidencës se tyre, Shtëpia e Bardhë u bë më afërt dhe më e hapur për popullin amerikan.

Ai dhe e shoqja, Zhaklina, kishin lidhje të ngushta me figurat e shquara të artit e te kulturës amerikane të kohës dhe s’linin rast pa shprehur admirimin e tyre për ta. Presidenti besonte që roli i artit dhe kulturës kishte shumë rëndësi në zhvillimin e një shoqërie vitale. Shtëpia e Bardhë që e hapur për artistët e mendjet e ndritura krijuese të çdo fushe. Presidenti emëroi si ndihmësa të tij intelektualë të shquar e të rinj në moshë. Në krye të Departamentit të Drejtësisë ai vuri vëllain e tij, 34 vjeçarin Robert Kenedi, përfaqësues i guximshëm i gjeneratës së re i cili e provoi veten si një mbrojtës i vendosur i të drejtave civile.
Amerika e së ardhmes ishte ideali i presidentit Kenedi. Ai kishte qenë në luftë për vendin e tij, tani po e udhëhiqte atë nga pozita e udhëheqësit botëror. Mirëqenia e Amerikës brenda kufijve të saj si edhe mirëqenia e komunitetit ndërkombëtar ishte nën përgjegjësinë e tij.

Lindon Xhonsoni ka thënë: “Në më pak se 3 vjet si president, Xhon Kenedi i prezantoi botës portretin e një Amerike të re, të një kombi me një vizion të gjerë, të gatshëm për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve në botë edhe ruajtjen e paqes”.

Problemet e brendshme të vendit ishin në pikat e para të programit të tij. Lëvizja për të drejta civile në vitet ‘60-të shënoi një nivel të ri në SHBA duke u shndërruar në një lëvizje masive. Lufta civile (1861-65) i kishte çliruar afrikano-amerikanët nga skllavëria, por ende edhe pas një shekulli ata konsideroheshin qytetarë të dorës të dytë, jetonin e punonin të veçuar nga të bardhët, nuk kishin të drejtën e votës, nuk gëzonin të drejtën e arsimimit, etj.
Nën drejtimin e vëllait të presidentit, Robert Kenedit, Departamenti i Drejtësisë i mori në konsideratë ankesat e afrikano-amerikanëve për trajtim të drejtë e të barabartë. Në përgjigje të kërkesave më imediate presidenti mori masa kurajoze në mbrojtje të të drejtave të popullsisë me ngjyrë duke kërkuar një legjislacion të ri. Në fjalimin e tij lidhur me këtë vendim midis të tjerash ai tha se “kishin kaluar 100 vjet që kurse Abraham Linkolni u dha lirinë skllevërve e ende trashëgimtaret e tyre nuk janë plotësisht të lirë. Ka ardhur koha për këtë komb të plotësojë premtimin e dhënë”

Ai i përcolli Kongresit ligjin për t’i dhënë fund kështu diskriminimit racial. Shumë familje afrikano-amerikane e mbanin varur portretin e presidentit Kenedi në mur krahas me portretin e Dr. Martin Luter Kingut. Tek presidenti i ri, Xhon Kenedi, ata shikonin njeriun që mbronte të drejtat e tyre. Ai nuk lëshonte pe në ato parime që kishte besuar që kur ishte student edhe pse e dinte që bindjet e tij mund t’i kushtonin presidencën. Ai luftonte për të fituar. Xhon Kenedi u zhvillua, u rrit në çdo fazë të karrierës së tij politike. “Demokracia është një mënyrë të qeverisuri jo e lehtë. Kërkon cilësi të larta, vetëdisiplinë, vullnet për të sakrifikuar për interesin e përgjithshëm dhe gjithashtu kërkon, njohje, dituri”-tha ai në një fjalim të mbajtur në Irlandë.
Presidenti ishte i interesuar për imazhin e Amerikës brenda dhe jashtë vendit. Në një mesazh të veçantë drejtuar kongresit, në mars 1962, ai propozonte krijimin e 9 parqeve të mëdha kombëtare.

Është idea dhe merita e tij për krijimin e “Peace Corps” në përbërje të cilave qyetarët amerikanë, mësues, mjekë, inxhinierë e nga profesione të tjera, vullnetarisht shkonin kudo nëpër botë për të dhënë kontributin e tyre në ndihmë të vendeve në zhvillim. Ishte një obligim i tij moral që ai e mbante në ndërgjegjen e vet. Ishte një ide që ai madje e pat hedhur në shtetin e tij Massachussets, ende pa u bërë president.

Me “Aleancën për Progress” dhe vullnetarët e paqes ai solli idealizmin Amerikan në ndihmë të vëndeve në zhvillim.

Ai dëshironte që Amerika të rimerrte misionin e saj si kombi i parë i botës e dedikuar në revolucionin për të drejtat njerëzore e progres shoqëror. Aleanca për progres gjeti vështirësi në zbatimin e saj dhe përfundimisht nuk pati jetë të gjatë.
Padyshim vështirësia më e madhe që kaloi presidenca e Kenedit, ishte kriza me Kubën, në tetor 1962. Në vitin 1962, ai kapërceu me zgjuarsi dhe durim një konflikt nuklear të mundshëm me Bashkim Sovjetik që kishte vendosur raketat në ishullin e Kubës, vetëm 90 mile larg Amerikës. Ishte një gjendje e tensionuar nga e cila SHBA nën udhëheqjen e Xhon Kenedit doli triumfuese.

Kenedi besonte në mundësitë e mëdha që kishte Amerika për të marrë përsipër detyra të rëndësishme. Në vizionin e tij populli amerikan ishte një komb me një mision të madh.

Me besimin, me fjalët, veprat e prezencën e tij ai i jepte jetë idealizmit të vet. Në 25 Maj 1961, Kenedi i kërkonte Kongresit Amerikan ta mbështeste në qëllimet e tij: “Unë besoj që ky vend duhet t’i verë vetes si qëllim zbritjen e njeriut në Hënë pa u mbyllur kjo dekadë”. Ëndrra e tij u bë realitet në 20 korrik 1969, pikërisht brenda asaj dekade me “Apollo 11”.
Në politikën e jashtme Kenedi mendonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vepronin në bashkëpunim me një Evropë të fortë perëndimore. “Ne nuk mund të vendosim drejtësinë në të gjithë botën duke vepruar vetëm”, theksonte ai në 4 korrik 1962, “por të bashkuar me vende të tjera të lira ne mund të ndihmojmë kombet në zhvillim për të hedhur tutje zgjedhën e varfërisë”.

Planet e Xhon Kenedit për një Evropë të fortë e të bashkuar në bashkëpunim të vazhdueshëm me SHBA u penguan shpesh nga presidenti francez Sharl de Gol.

Në 22 Nëntor, 1963, kur kishte mbushur 1000 ditët si president Xhon Kenedi u vra në Dallas, Teksas, tek po përshëndeste nga makina e hapur popullin që kishte mbushur dy anët e rrugës për ta parë.

Disa muaj para atentatit, në inaugurimin e USIA, në Karolinën e Veriut, sikur të kish parashikuar fundin e afërt, ai kishte thënë: “Njeriu vdes, kombet ngrihen e bien por idetë jetojnë. Idetë janë të pavdekshme”.

Albana M. Lifschin (nga Libri “Udhëtim në Historie Amerikane) botimi i vitit 2003

Google+ Followers