Mësuesia, zanati i “harruar” i meshkujve

Në shumë vende të Europës, meshkujt në mësimdhënie janë në numër më të vogël se femrat. Në Gjermani, profesioni i edukatorit, në çerdhe dhe në kopshte, nuk ekziston fare, ndërsa në shumë vende të tjera femrat dominojnë fuqishëm në këtë sektor.

Në vitet e fundit, në Europë dhe në SHBA një numër i madh kompanish publike kanë vënë në praktikë politika të diskriminimit pozitiv për të rritur prezencën e grave në personelin e tyre dhe të garantojnë që të arrijnë në 30-40 për qind të totalit. Shumë mendojnë se politikat në favor të punësimit të femrave dëmtojnë burrat e shumtë të mbetur pa punë në kohë krize, por në Gjermani është një sektor i tërë punësimi, ku të qenët meshkuj mund të garantojë vetvetiu punësimin: është ai i mësimdhënies dhe kujdesit për fëmijët, ku për momentin prania e meshkujve është thuajse zero. E përjavshmja gjermane “Spiegel” tregon se burrat e punësuar në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të vegjël janë mes grupeve profesioniste më të kërkuara në Gjermani. Autoritetet lokale dhe çerdhet private po bëjnë ç’është e mundur për të tërhequr mësues dhe edukatorë të gjinisë mashkullore për të garantuar një përbërje më homogjene në personelin e tyre: organizojnë ngjarje speciale në universitet, bëjnë shoqata promocioni në panairet e punës, bëjnë reklama në televizione dhe radio. Qyteti i Shtutgartit dhe Hamburgut është zhytur prej kohësh në këto lloj fushatash për të tërhequr sa më shumë meshkuj. Edhe qeveria është angazhuar seriozisht për të rritur përqindjen e të punësuarve meshkuj në këtë sektor dhe në vitin 2010, Ministria për Politikat Familjare dhe Fondi Social Europian prezantuan në Gjermani një program prej 13 milionë eurosh për të rekrutuar meshkuj në personelin e çerdheve, kopshteve dhe shkollës fillore. Projekti do të zgjasë deri në vitin 2013 dhe konsiston në 16 projekte-pilot në 13 vende gjermane: mes të tjerave ai parashikon fushata informacioni, kurse informimi dhe ngjarje speciale për rekrutimin në universitet. Qëllimi është që meshkujt në këtë sektor të përbëjnë të paktën 20 për qind të të gjithë të punësuarve. Sipas kërkimeve të fundit, burrat përbëjnë 3.5 për qind të personelit në qendrat e fëmijëve. Në qytetet si Flensburgi, Këlni, Hamburgu dhe Frankfurti përqindja shkon deri në 10, por në zonat rurale asnjë mashkull nuk është i punësuar në institucione të tilla. “Sistemi ynë edukativ kërkon që si meshkujt ashtu edhe femrat në këto lloj profesionesh të jenë të barabartë. Por mesa duket meshkujt, këto vitet e fundit nuk po i preferojnë më profesione të tilla. Është ideale që ekipet me të cilat punohen të kenë numër të njëjtë si meshkujsh ashtu edhe femrash dhe kjo është pozitive dhe inkurajuese edhe për brezin e ri”, tregon Sabine Herrenbrück, eksperte në fushën e edukimit. Në një strukturë të administruar prej saj, nga 5300 persona vetëm 1265 ishin meshkuj. Edukatorët meshkuj janë shumë të kërkuar, edhe sepse shumë prindër nuk duan që fëmijët e tyre të edukohen vetëm nga gratë. Sipas një studimi të bërë nga Ministria për Politikat Familjare, më shumë se një e treta e prindërve duan që në kopshte dhe në çerdhe të punojnë më shumë meshkuj. Përqindja rritet te prindërit me paga dhe nivel arsimor më të lartë. Ndërkohë, qytetet po i “bëjnë” për vete kandidatët me oferta të ndryshme punësimi. Mynihu për shembull ofron apartamente me qira të paguar nga bashkia e qytetit, ofron bileta falas për në pikat turistike të qytetit dhe organizon takime në birrarinë e famshme Hofbräuhaus. Frankfurti ka vënë në dispozicion paketa mirëseardhjeje dhe ka rritur rrogat e edukatorëve. Pavarësisht këtyre masave, rrogat mbeten ende të ulëta: rreth 2200 euro në muaj. Ndoshta rroga është një nga arsyet bazë se përse meshkujt preferojnë të bëjnë punë të tjera. Ndoshta me ndonjë rritje të mëtejshme të pagave dhe kushteve më të mira pune shumë shpejt numri i tyre në këtë sektor do të rritet. Por ky problem nuk është vetëm për kopshtet dhe çerdhet. Në Itali mungesa e meshkujve në mësimdhënie është problem edhe në shkollat e mesme dhe në universitet. Katedrat janë të zëna nga femrat, ndërsa meshkujt në të gjitha degët, qoftë edhe në ato shkencore, janë në minorancë.

Google+ Followers