Magna Carta, themeli i lirisë, ndoshta i mbivlerësuar


Dokumenti më i famshëm i Anglisë dhe qytetërimit perëndimor konsiderohet nga shumë si themeli i demokracisë, por disa dyshojnë se rëndësia e tij është ekzagjeruar, raporton BBC.
Magna Carta – në latinisht për Karta e Madhe – qe një dokument për të cilin u ra dakord në Runimede më 1215 dhe u vulos nga mbreti Xhon, pasi baronët e fuqishëm qenë rebeluar dhe patën pushtuar Londrën. Dokumenti është lartësuar gjithmonë si garantues i lirisë dhe barazisë dhe adhurohet në SHBA e vlerësohet si parimi që justifikoi rezistencën ndaj sundimit të Anglisë, si dhe për ndikimin që pati në Deklaratën e Pavarësisë.
Në fjalimin e tij të marrjes së postit më 1941, Presidenti Roosevelt tha: “Aspirata demokratike nuk është thjesht një togfjalësh në historinë njerëzore… ajo është shkruar te Magna Carta”.
Por kjo rëndësi e Magna Carta nuk vlerësohet njësoj nga të gjithë. Në librin e tij “Një Histori e Britanisë”, historiani Simon Schama thotë se Magna Carta nuk është certifikata e lindjes së lirisë, por më së shumti, certifikata e vdekjes së despotizmit. Mark Juddery, një historian tjetër, thotë se interpretimi i Kartës gjatë shekujve si një thirrje për liri nuk është realisht çfarë dokumenti origjinal nënkuptonte.
“Ajo çfarë nënkupton sot Karta është shumë e mirë, por nuk kishte fare ideale të tilla kur u shkrua”, – thotë ai. “Qe e shkëlqyer për fisnikët, pasi të jepte të drejtën e tokës. Ata me të vërtetë nuk pëlqenin të paguanin qira. Kjo është arsyeja se pse e hartuan kartën. Nuk qe fare rasti i bindjes se duhet të ketë më liri dhe garanci për të gjithë njerëzit si të barabartë. Nuk kishte as ndonjë gjë në lidhje me aktet e pafundme të pashpirtësisë së mbretit dhe vrasjeve të kryera prej tyre. Në të vërtetë, shumica e neneve në dokumentin origjinal qenë përqendruar në të drejtat që u interesonin baronëve. Dhe nga 63 nenet e saj, sot vetëm 3 vijojnë të jenë të vlefshme.
Neni më i famshëm thotë: Asnjë njeri i lirë nuk mund të arrestohet apo burgoset, nuk mund t’i merren të drejtat apo posedimet, nuk mund të nxirret i jashtëligjshëm apo të internohet. Ne nuk do të përdorim forcën kundër tij, me përjashtim të rasteve kur ka një gjykim të ligjshëm nga të barabartët e tij ose nga ligji i tokës. Askujt ne nuk do t’ia shesim apo mohojmë, apo vonojmë të drejtën”.
Pavarësisht se ky nen është shumë i famshëm dhe është përdorur për një pafundësi rastesh të lidhura me lirinë, në dokumentin origjinal nuk ka asnjë rol të rëndësishëm dhe gjendet i fshehur diku thellë.
“Është shumë interesante se fjalët kyçe ku thuhet ‘asnjë njeri i lirë nuk mund të arrestohet apo burgoset’, në fakt nuk fliste për të gjithë njerëzit”, thotë Dr. Claire Breay, i cili është mbarështuesi kryesor i manuskripteve mesjetare te Biblioteka e Britanisë.
Së fundmi, Kryeministri britanik, David Cameron, u pyet në një emision televiziv mbi këtë çështje dhe nga diskutimi rezultoi se ai nuk e dinte përkthimin fjalë për fjalë të Kartës së Madhe.
“Në atë kohë kishte edhe njerëz të tjerë të lirë përveç baronëve, por shumica e popullsisë qenë fshatarë çifçinj, pra shumica nuk përfituan drejtpërsëdrejti nga Karta e Madhe më 1215”, thotë Breay. Dr. George Garnett, një profesor historie në Oksford, i specializuar për historinë angleze të shekujve 10-13, thotë se ndonëse Karta e Madhe rezultoi me ndikim të jashtëzakonshëm, ky nuk ishte qëllimi i saj fillestar.
“Ajo u krijua si një zgjidhje e shpejtë për disa rrethana të paprecedenta”, thotë ai. “Mbreti qe tërësisht i dëshpëruar dhe brenda gjashtë muajve ai arriti të bindë Papën ta anulojë atë. Por për shkak se ai vdiq pak më vonë dhe mbreti i ri qe një fëmijë, i cili mbeti fëmijë edhe për dhjetë vitet që vijuan, Anglia u qeveris nga një këshill baronësh, të cilët u siguruan që një variant i amenduar i kartës të rivendosej në fuqi”.
Karta u rimiratua disa herë gjatë shekullit të 13 dhe teksti ndryshoi nga origjinali i vitit 1215. Versioni që u bë pjesë e statutit të parë anglez më 1297 ishte ai që u firmos nga mbreti Henri III më 1225. Breay thotë se megjithëse kuptimi i Kartës ka ndryshuar me kalimin e shekujve nga synimi i saj origjinal, sërish përbën një moment të rëndësishëm në historinë e Britanisë.
“Edhe të gjitha nenet e tjera të marra në tërësi – megjithëse shumë prej tyre flasin për të drejta dhe privilegje feudale që sot janë të tepërta sot – ato themelojnë parimin që mbreti nuk ishte mbi ligjin dhe se ai duhet të qeverisë brenda ligjit. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme”.
Britania është duke u përgatitur për të festuar 800-vjetorin e kartës më 2015. Riinterpretimet përgjatë shekujve për kartën si themel i lirisë dhe demokracisë kanë ndihmuar në rritjen e rëndësisë së saj. Edhe në kontekstin e vitit 1215, karta konsiderohet si një ligj shumë i sofistikuar, pasi në atë kohë, e vetmja gjë që opozita mund të bënte kundër mbretit, ishte ta braktiste atë në raste lufte dhe të shpresonte se kundërshtari do ta vriste mbretin.
Magna Carta është një instrument shumë inteligjent për kontrollimin e një mbreti problematik. Ajo u përdor pikërisht për këtë qëllim në shumë raste dhe për këtë arsye u bë kaq e rëndësishme në historinë e lirive angleze dhe amerikane.
Çfarë është Karta e Madhe?
Karta nënvijëzoi të drejtat themelore së bashku me parimin se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë edhe mbretin.
Ajo sanksionoi të drejtën për një gjykim të drejtë, si dhe kufizimet për taksim pa përfaqësim.
Ka frymëzuar shumë dokumente të tjera, përfshirë Kushtetutën e SHBA-së dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Vetëm tri nene të saj janë ende të vlefshme – garantimi i lirive të Kishës Angleze; neni që konfirmon privilegjet e qytetit të Londrës dhe qyteteve të tjera dhe neni që deklaron se asnjë njeri i lirë nuk mund të burgoset pa një gjykim të ligjshëm, nga të barabartët me të.
Biblioteka e Britanisë disponon dy kopje të Kartës së Madhe të vitit 1215.


Google+ Followers