Kultura e memaliotëve në rritjen e pëllumbave!


Nga Edmond Ismailati

New York City


Dihet qysh nga lashtësia miqësia midis njerëzve dhe pëllumbave, ku këta të fundit janë bërë një nga shpendët më të privilegjuar me prezencën e tyre plot paqe dhe shpirt engjëllor! Ata janë bërë të njohur rreth dhjetë mijë vjet më parë dhe me kalimin e kohës njeriu duke vrenjtur cilësitë e tyre të veçanta përveç zbutjes, dashurisë dhe kujdesit që u përkushtoi, i mbanin edhe në oborret e banesave të tyre për t’u argëtuar sëbashku me prezencën e lëvizjeve dhe fluturimeve të tyre elegante. Ashtu si në vende të ndryshme të botës edhe në Shqipëri ata janë bërë të pranishëm qysh nga lashtësia e deri në ditët e sotme.
Përveç vendeve të ndryshme nëpër vendin tonë, kujdesi dhe dashuria për këtë shpend paqësor nuk u ka munguar as memaliotëve qysh në ditët kur janë hedhur themelet e para në qytetin e tyre. Kjo mundësi u zhvillua dhe u kultivua nga memaliotët duke shfrytëzuar me zgjuarsi vendodhjen strategjike ku shtrihet qyteti në kuotën e 100 m mbi nivelin detit, i vendosur midis kodrave dhe maleve të lartë duke u përqafuar nga lashtësia e një segmenti të patkonjtë të luginës së krijuar nga rrjedha e lumit Vjosë. Qyteti Memaliaj duke patur një klimë mesdhetare u shfrytëzua për rritjen e pëllumbave dhe memaliotët u bënë të shquar duke e trashëguar dashurinë dhe kujdesin edhe nëpër brezat e shumë familjeve të tjera vendase. Me kalimin e viteve kjo u kthye në një kulturë. Të gjithë banorët e qytetit, si ata që bënin shëtitjet e mëngjesit apo të pasditeve, nga lartësia shoqëroheshin me fluturimin e pëllumbave në grupe të cilët u jepnin qiellit pamje dhe forma të ndryshme, vizatime të cilat ndryshonin sipas lëvizjeve të tyre harmonike. Nga fluturimet e tyre, përveç ndryshimit të drejtimit të fluturimeve që të gjithë e bënin në të njëjtën kohë me një disiplinë të përkryer sikur i dirigjonte njëri, në qiell të kaltër shfaqeshin si valvitjet e fjongo gjigante.
Janë të shumta familjet që janë shquar për mbajtjen e pëllumbave. Dashurinë ndaj pëllumbave, memaliotët e tregonin edhe tek cilësia dhe bukuria që u ndërtonin kafazët. Ata ishin meraklinj të mëdhenë në këtë drejtim dhe mundoheshin që t’i lyenin nga jashtë me bojëra vaji të ngjyrave që ata preferonin. Herë herë u improvizonin nga një çati kafazëve, ku në pamje të linin përshtypjen e shtëpive të vogla për nga konstruksioni. Kafazët e tyre i kishin nga më të bukurit dhe arrinin t’i ndërtonin me nga tre katër kate dhe çdo kat me nga një verandë me një rrethim të vogël si parmak ballkonesh. Ato i mbanin në tarraca, nëpër strehët e ballkoneve, të varura edhe nëpër muret midis dritareve, dhe ata që kishin shtëpi të ulta me çati, përveç kafazëve, pëllumbat shfrytëzonin edhe të hapurat dhe futeshin në boshllëkun midis tavanit dhe çatisë.
Memaliotët u krijonin kushte nga më të mirat pëllumbave, jo vetëm për fjetjen që i mbanin pastër dhe në gjendje të thatë, por edhe ushqimin, e siguronin nga më cilësorët. Përgjatë mëngjeseve të bukura, mësonin shumë për jetën, karakteristikat, cilësitë, sekretet dhe veçoritë që dalloheshin tek ky shpend paqësor. Ato i mësonim nga shkëmbimi i bisedave ndërmjet pëllumbaxhinjve. Eksperiencat dhe njohuritë e tyre ishin nga më të larmishmet dhe kjo i bënte që t’i dëgjonim me vëmendje dhe ngeleshin të freskëta në memorje. Nëpër bisedat që dëgjonim, mësonim shumë për jetën e pëllumbave siç janë: lëvizjet e tyre karakteristike përgjatë sezionit të shumimit, mbledhja e kashtës për folenë nga ana e mashkullit, klloçitja e vezëve që zgjaste jo më shumë se 19 ditë, kujdesi i prindërve që tregonin për rritjen e zogjve, koha që bëheshin gati për fluturimin e parë, veçoritë që dallonin brenda e syve për të përcaktuar cilësitë dhe racën, teknikat e fluturimit, armiqtë e tyre gjeraqinat dhe macet. Pastaj bisedonin edhe për jetëgjatësinë e tyre. Për nga kushtet e mira të jetesës, jetëgjatësinë e pëllumbave shtëpiakë, e përcaktonin nga 7, 15 deri më 24 vjet. Ndërsa pëllumbave të egër ua përcaktonin jetëgjatësinë jo më shumë se 7-8 vjet, ngaqë sakrifikonin shumë për të mbijetuar. Përgjatë shkrimit të këtij artikulli, këto kuriozitete, shpesh i’a tregoja edhe djalit tim David, por ai më befason kur fillon të tregojë se, diku kishte lexuar faktin që, “në periudhën e luftës së parë botërore, forcat e ushtrisë amerikane kishin kapur një pëllumb postar lufte gjerman me emrin Kaiser dhe e sollën në Amerikë. Pëllumbi jetoi plotë 35 vjet. Fakt tjetër është se pëllumbat mund të shikojnë jo vetëm ngjyra por edhe të përcaktojnë rrezet. Zogjtë shtegtarë shfrytëzojnë fushën manjetike të tokës për t’u orientuar.
Përgjatë bisedave dëgjonim edhe llojet e racave të tyre që i përcaktonin nga paraqitja e jashtme si “Çafkosh” ngaqë kanë patur çafkë mbi kokë, ”Kasklluc” për ata pëllumba që kishin të rrethuar këmbët e tyre me pendë të vogla, “Hundër” për ata pëllumba që kishin hundën e gjerë dhe të buavitur, “Kasnec” që është lloj pëllumbi lajmëtar…etj. Por këto lloje që përmenda më sipër, ishin nga më të preferuarit. Larmia e diskutimeve bëhej më e bukur kur flitej për të kënduarit e pëllumbave. Ata zakonisht këndojnë më shumë në sezonin e shumimit të tyre, duke e shoqëruar me një fryrje të gjoksit që e tregon qafën e tyre gati të humbur nëpër puplat e dendura të krekosura si bisht fazani. Të kënduarit dhe krekosjen e bëjnë vetëm pëllumbat meshkuj. Pëllumbaxhinjtë ishin në gjendje që të dallonin këngët e tyre dhe kush këndonte më mirë, por mua më dukej sikur ata këndonin njësoj, madje në të shumtën e rasteve, sepse nuk më pëlqente, pasi më dukej sikur vajtonin. Në të gjithë Shqipërinë përgjatë kohës së monizmit, rritësit e pëllumbave i quanin edhe rrugaçër. Ky etiketim vinte nga disa njerëz që mendonin se kohën që ata shpenzonin për rritjen dhe kujdesin e pëllumbave e quanin të humbur… dhe duhet të merreshin me gjëra më të dobishme siç ishin mësimet apo punë të tjera.
Përgjatë xhirove të tyre kishte edhe pëllumba të huaj postare që kur kalonin shikonin pëllumbat memaliotë në fluturim dhe uleshin bashkë me to. Dukej sikur pëllumbat memaliotë u jepnin mirëseardhjen, pasi pëllumbat postare, ishin të lodhur nga ditë të tëra udhëtimi dhe u duhej që të gjenin një vend të sigurt edhe për t’u çlodhur. Këta pëllumba ishin me unaza në këmbë dhe po në unazë kishin edhe një kapsulë të vogël që hapej dhe aty ndodhej edhe një copë letër e vogël me kode që duhej ta çonin në destinacionin e duhur. Të tillë pëllumba vinin për të shkëmbyer ndonjë informacion nga Greqia dhe mund të jenë përdorur nga ambasada greke apo të tjera të huaja, ose nga shërbimi sekret shqiptar që ishte shpërndarë në shumë vende të botës në atë kohë. Nga ulja e këtyre pëllumbave, ka patur raste që disa pëllumbaxhinj janë thirrur edhe në polici duke dorëzuar për disa orë edhe pëllumbat postarë. Një ndër këta është edhe Fatmir Hodo. Pasi është kontrolluar posta e tyre dhe u është marrë letra e vogël me kode, janë lënë të lirë dhe pëllumbat nisnin fluturimet e tyre për tu kthyer në destinacionet e kërkuar edhe pa postën e tyre, jo vetëm për tu treguar besnik, por për t’i vënë në dijeni edhe për grabitjet që pësonin përgjatë udhëtimeve. Policia e Memaliajt për letrat e koduara ishte e paaftë për t’i deshifruar dhe me tej nuk dihej fati i letrave se ku përfundonin. Një shoku im nga Korça më ka treguar sesi shumë vite më parë, në qytetin e tij juglindor, ata kishin kapur rastësisht një pëllumb në këmbën e të cilit kishte një unazë metalike ku ishte shkruar fjala “ZAGREB”. Kjo do të thoshte, se pëllumbi vinte me një mesazh që nga kryeqyteti i Kroacisë atëherë, ish-Jugosllavi.
Pëllumbat janë një shpend që truri i tyre konsiderohet si një aparat fotografik që gjithçka që shikon e fotografon duke ndërtuar një hartë që u shërben si busull në memorien e tyre për të mbajtur mend rrugën që përshkojnë përgjatë kthimit në foletë apo kafazët e tyre. Ata fluturojnë me qindra e mijëra kilometra, mjafton këta që përgjatë udhëtimit t’i mbash në një pozicion që të shikojë rrugën që përshkon dhe truri i këtij shpendi është i aftë që të regjistrojë pa asnjë gabim të gjithë udhëtimin. Me të tilla raste kanë vepruar shumë memaliotë që mbanin pëllumba me vete dhe shkonin për të bërë tifozllëk nëpër rrethet e tjera kur luante ekipi i zemrës “Minatori” dhe i lëshonin pëllumbat për mbarësi. Ata e dinin që pëllumbat do të ktheheshin në Memaliaj edhe pse distancat kanë qenë nga më të ndryshmet si: Kavajë, Librazhd, Ersekë, Çorovodë, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, Selenicë, Fier, Ballsh, Përmet e Tepelenë. Ka patur raste të rralla që nuk janë kthyer pasi janë ngrënë përgjatë fluturimit nga shpendë grabitqarë ose nga ndonjë pëllumbaxhi jo i denjë, që kur shikonte se në kafazin e pëllumbave të tij kishte mysafirë të ulur nga lodhja dhe duke e ditur se do të largohej të nesërmen kur do të agonte dielli i mëngjesit, ja këpuste kokën për kaluar vaktin e darkës së tij. E kaloja sa herë nëpër mend që, nëse nuk do të kishte shërbime telefonike në ato vite, padyshim që me pëllumbat mund të dërgohej edhe rezultati i ndeshjeve.
Lëshimi i pëllumbave të bardhë në fluturim të lirë si ata individualë apo në çifte, janë përdorur edhe nëpër dasma, funerale, piknikë apo për mbarësi në ditën e parë të fillimit të verës. Nëpër dasma lëshoheshin çifte pëllumbash përgjatë përcjelljes së nuseve duke i shoqëruar me sheqer, oriz, karamele, grurë dhe thyerjen e ndonjë shishe. Padyshim që lëshimi i tyre simbolizonte një dolli shpirtërore që ngrihej lart me një fluturim të lirë, për të startuar një jetë të re plot paqe e mbarësi. Ngritja e tyre ndoshta simbolizonte edhe të shtënat me armë sipas traditës shumë shekullore të shqiptarit që bënte nëpër dasma, por që u mungonin disa dekadave përgjatë sistemit komunist. Një tjetër e veçantë nëpër dasma ka qenë edhe marrja me vete e një çifti pëllumbash, nga nuset që dilnin nga familjet që kishin shumë pëllumba. Ato bëheshin në rastet kur shkonin nuse në Tepelenë, Përmet, Gjirokastër,..etj, dhe lëshoheshin për kënaqësi duke shprehur gëzimin dhe kthimi i çiftit të pëllumbave mbrapsh në kafazët e shtëpive të tyre, i linte të kuptonte familjes se mbërriti shëndoshë e mirë si pëllumbat! Ndërsa nëpër disa funerale ka patur raste raste që lëshoheshin edhe pëllumba në shenjë respekti, nderimi dhe të prehet në paqe shpirti i të ndierit. Nëpër piknike apo ekskursione ndodhte gjithashtu
Pëllumbat postarë njihen që nga lashtësia për shërbime të tilla. Kjo metodë ka lindur si nevojë për të komunikuar me njërit tjetrin si individët, familjet, komunitetet, shtetet, forcat ushtarake, tregtarët, mjekët,.. etj. Suksesi i këtij lloji komunikimi u bë më i njohur qysh 3000 mijë vjet më parë nga persët dhe egjiptianët. Në vitin 776 p.e.s e janë përdorur për të shpërndarë lajmin e fituesve përgjatë Lojërave Olimpike që zhvilloheshin në Greqi. Padyshim që pëllumbat korriere janë përdorur edhe nga ilirët e lashtë, pasi janë shquar në artin e luftës dhe në basorelieve janë shquar përveç shqiponjave edhe pëllumbat. Në një basoreliev të vitit 700 p.e.s duken qartë ushtarët me përkrenaret, mburojat dhe shigjetat në duar që janë mobilizuar për luftë dhe midis këtyre ushtarëve duket një femër e ulur që i flet një pëllumbi i cili qëndron mbi pëllëmbën e dorës së djathtë të saj që e ka të shtrirë. Sqepi i pëllumbit tregohet i drejtuar në afërsi midis dy buzëve të hapura të kësaj femre dhe kjo pamje tregon nga ana figurative lajmin që përcjell pëllumbi dhe ndoshta marrësi i lajmit e përshëndet atë me fjalë përkedhëlese për punën e mirë që ka bërë!
Në një tjetër basoreliev ku tregohen figura të organizuara në disa ndarje, duken qartë tek secili rresht ndarës shprehjet që ka dashur të paraqes autori, të ecurisë dhe zhvillimit të jetës në atë periudhë. Në rreshtin e parë nga sipër pasqyrohet forca dhe gatishmëria luftarake, me anë të marshimit të ushtarëve me heshta dhe mburoja, disa duke hapur harqet për të qëlluar me shigjeta dhe gjithashtu shoqërohen nga një shqiponjë që fluturon mbi kokat e tyre. Në rreshtat e mëposhtme duken të tjerë njerëz duke udhëtuar me sende të ndryshme nëpër duar dhe midis tyre shquhet një pëllumb duke qëndruar mbi një dërrasë që tërhiqet me dy duart nga mbrapa nga një njeri që ecën përpara. Mbi kokën e pëllumbit ndodhet një vijë e lakuar si ombrellë që figurazon kafazin. Përmbi këtë mbulese të improvizuar në basoreliev paraqitet një shqiponjë duke fluturuar dhe vështrimin e ka përballur po me të pëllumbit. Duket sikur të dyja këto shpendë me pozicione të ndryshme luftarake në ndihmë të ushtrisë bisedojnë për misionet e tyre. Pra duket qartë që edhe ilirët i kanë perdorur shpendët për të komunikuar. Po të bëhen më shumë kërkime, nga ato çfarë kanë zbuluar arkeologët apo në vazhdim, padyshim që do të ndeshemi me fakte më të vjetra dhe interesante. Ashtu si ushtritë ilire përdorimin e pëllumbave korrierë e kanë përdorur më shumë se 2000 vjet më parë edhe perandori i Romës Julius Caesar. Nëpërmjet pëllumbave lajmëtarë, mbas çdo beteje, ushtarët e Jul Çezarit dërgonin mesazhe në shtëpitë e tyre për t’i vënë në dijeni përfundimin e çdo beteje dhe më të rëndësishmen, vazhdimin e jetës së tyre dhe përgatiteshin për betejën e radhës.
Pëllumbat nuk janë përdorur vetëm për të kryer shërbime postare midis njerëzve, por edhe nga vetë krijuesit. Fisnikërinë e këtij shpendi e lexojmë edhe në Bibël. Kur Gjon Pagëzori pagëzoi Jezusin me ujë, Zoti dërgoi një pëllumb, të ulej mbi supin e birit të tij për ta pagëzuar atë me shpirt hyjnor. Sipas Markut 1, 9-11, ja fragmenti origjinal: 9 Në këtë kohë Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe pranoi të pagëzohej në lumin Jordan. 10 Kur doli nga uji, ai (Gjoni) pa se si u hap qielli e si zbriti në të Shpirti i Zotit në trajtë pëllumbi.11. Njëkohësisht, nga qielli u dëgjua një zë që jehoi: ”Ti je Biri im, i Zgjedhuri im!”
Pëllumbat misionarë postierë, në shekuj janë shfrytëzuar edhe për të çuar mesazhe sekrete. Shkrimtari i famshëm francez Zhyl Vern, në romanin e tij te madh “Matias Sandorf” përshkruan katastrofën që pësoi konti M. Sandorf, pikërisht nga korrieri sekret, që nuk ishte veçse një pëllumb lajmëtar. Për kuriozitet te lexuesit po japim me disa fjalë këtë aventurë interesante. Në periferinë e Bukureshtit u u ndodh një keqbërës ordiner që po vdiste nga uria. Papritur rasti fatlum për të u shfaq në formën e një pëllumbi të sfilitur nga lodhja që ai arriti ta kapë, dhe në momentin kur pëllumbi postar fatkeq do të përfundonte në stomakun e këtij njeriu llumi i shoqërisë, ai befas pa tek këmba e pëllumbit një unazë dhe brenda në të një pusullë në trajtën e një kriptogrami. Mendja e djallëzuar e tij e kuptoi që aty fshihej një sekret i madh. Duke mposhtur urinë, ai e çoi mesazhin në polici, ku ekspertët kriminalistë pasi deshifruan me një mijë mundime kriptogramin, zbuluan njoftimin për një komplot të rrezikshëm kundër mbretit. Vetë kriptogrami është një mrekulli e teknikës së mesazheve sekrete. Konti Maria Sandorf u arrestua e u burgos menjëherë dhe keqbërësi dinak u shpërblye për spiunimin e tij. Kjo ishte pikënisja e fatkeqësisësë së kontit revolucionar Sandorf, por më pas ai arratiset nga burgu,fshihet për shumë vjet nëpër vende të ndryshme të Mesdheut dhe kthehet si doktori fantastik Antekisti dhe realizon hakmarrjen e tij. Ky roman është cilësuar si një “Montekristo” i Zhyl Vernit.
Marrja dhe dhënia e lajmeve nëpërmjet pëllumbave postar vazhdoi edhe më vonë, mbas shpikjes së komunikimit telegrafik në vitin 1836 dhe shpikjes së komunikimit telefonit në vitin 1875. Kjo ndodhte edhe përgjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, pasi shërbimi i tyre bëhej shumë i kërkuar, kur priteshin dhe shkatërroheshin kabujt që mundësonin lidhjet. Një nga këto raste e mësojmë nëpërmjet librit “The Pigeon Post into Paris 1870-1871” me autor J.D.Hayhurst. Autori tregon se përgjatë luftës franko – prusiane në vitet 1870-1871, Parisi u gjend i rrethuar dhe prusianet prenë të gjitha kabujt që shërbenin për lidhjet telegrafike, si brenda dhe jashtë këtij kryeqyteti, madje ata prenë edhe një linjë kabllore sekret që shtrihej në shtratin e lumit Sene. E vetmja rrugë komunikimi ngelej të përdorej ajo me pëllumbat postarë që nxirreshin prej Parisit me balona dhe sapo mbrrinin jashtë rrethimit, lëshoheshin pëllumbat që u ngarkonin edhe mesazhet që ishin për t’u përcjellë duke e ditur që fluturimi rikthyes do të bëhej në kafazët e tyre nga ku ata merreshin. Pëllumbat postare janë përdorur përgjatë luftërave apo ndërmjet njerëzve që banonin në provinca apo qytete të ndryshme, duke u transportuar në sasi të vogla ilaçesh jo më shumë se 80 gr. Edhe në ditët e sotme vlerësohet shumë komunikimi nëpërmjet pëllumbave korrierë. Ata përdoren nga fotoreporterë që duan të mbrrijnë sa më parë nëpër redaksitë e tyre për të depozituar fotografitë dhe kur shikojnë që trafiku i rëndë automobilistik nuk jua jep këtë mundësi, ata ua vendosin (USB) kartën e memorjes së aparatit pëllumbave që mbajnë për këto raste urgjente dhe i lëshojnë duke e ditur se ulja e tyre do të bëhet në kafazët e posaçëm që ka redaksia.
Duke biseduar me vëllan tim Agimin në lidhje me pëllumbat, përveç disa informacioneve në lidhje me rritësit e tyre në qytetin tonë që kam përmendur më sipër, ai forcon faktin se pëllumbat postarë uleshin shumë shpesh në Memaliaj. Në monizëm një prej këtyre ai e ka gjetur të plagosur në gjendje shumë të rëndë, në afërsi të Shkëmbit të Rosave që ndodhet buzë lumit Vjosë nga krahu i quajtur Kasaphana. Ishte një mëngjes i ngrohtë qershori që sapo kishte mbaruar klasën e tetë dhe befas pa një pëllumb që nga paraqitja dukej i veçante me pëllumbat që banonin në Memaliaj. Pëllumbi rrinte në vend pa lëvizur derisa u gjend lehtësisht në duart e tij, e pak minuta më vonë ndërroi jetë. Në këmbë ai i gjeti një rreth plastik që kishte disa numra. Sot, pak më shumë se tre dekada ai thotë se ai nuk ka qenë pëllumb postar por pëllumb sportivë. Këtë ai e vërteton pasi shiriti plastik me numrat që kishte pëllumbi në një nga këmbët, ka qenë një kod i kompiuterizuar që identifikonte emrin e pëllumbit, pronarin e saj dhe vendin nga ku nisej dhe ku mbërrinte pëllumbi. Këto i mësoi prej një shokut të tij të punës, me banim në New York. Ai ishte më orgjinë polak por shumë i apasionuar mbas lojërave me pëllumbat sportivë. Shoku i tij i kishte treguar se ai kishte blerë disa zogj nga çiftet e pëllumbave sportivë. Me të shtrenjtin e kishte blerë 20 mijë dollarë pasi ishte zogu i një pëllumbi polak që kishte dalë disa herë kampion nëpër garat ndërkombëtarë.
Nga biseda e tyre mësojmë se pëllumbat e garave ai i kushtonte një kujdes të veçante si në kushtet e jetës, ushqimin e zgjedhur dhe të kontrolluar në sasira të caktuara dhe gjithashtu ushtrimet stërvitore që e mbanin në formë sportive pëllumbin. Ai kishte marrë pjesë në shumë gara si brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jashtë saj. Madje kishte shkuar edhe në një nga garat që zhvillohej në Afrikën e Jugut. Pjesëmarrja e pëllumbave bëhej nga të gjitha vendet e botës dhe merret nga një postë e veçantë që bën transportimin e tyre. Distancat janë shumë të gjata duke fluturuar më shumë se 10 ditë mbi shumë shtete dhe janë në gjendje të fluturojnë nga 200 deri më 800 km në ditë me një shpejtësi nga 80 deri më120 km në orë, gjithmonë në varësi të kushteve atmosferike. Pëllumbat e garave janë të zgjuar dhe të stërvitur shumë mirë duke evituar vështirësitë klimaterike që hasin përgjatë rrugës së tyre dhe shfrytëzojnë me efikasitet duke fluturuar në lartësi të ulta përgjatë luginave të lumenjve për të mos t’u penguar nga erërat e forta. Kjo strategji e tyre u jep më shumë shpejtësi për të përshkuar më shumë kilometra në ditë. Ato zgjedhin vendet më të përshtatshëm për të pushuar dhe kaluar natën, duke patur çlodhur dhe grumbulluar më shumë kalori për të vazhduar garën e ditës së nesërme. Ai kishte fituar disa herë shuma të vogla lekësh, madje në një garë ai ishte vetëm disa sekonda larg fitimit të shumës 150 mijë dollarë që i takonte vendit të parë. Kjo humbje i erdhi vetëm pasi pëllumbi i tij nuk bëri ulje të menjëhershme në karpetin kronometrues elektronik, por nga gëzimi i mbërritjes pëllumbi beri për pak sekonda fluturime ngazëlluese rreth kafazit dhe pastaj u ul. Kjo i kushtoi humbjen vendit të parë jo vetëm pëllumbit por edhe shuma të mëdha dollarësh që do të fitonte pronari i tij që përjetonte emocionet e kësaj gare. Tapeti elektronik që rrethon kafazin, kronometron mbarimin e garës që në momentin kur putrat e pëllumbit bëjnë prekjen e saj dhe po në të njëjtin moment fiksohet koha dhe data e mbërritjes. Distancat e pëllumbave që marrin pjesë janë të njëllojta por në drejtime të ndryshme.
Në garat e pëllumbave sportive, për vendet e para ka patur edhe çmime një milion dollarshe apo shuma më të vogla duke i shoqëruar këto të fundit me nga një makinë të shtrenjtë luksoze. Në fund vëllai përfundon së treguari, se ka patur raste që pëllumbat nuk e kanë përfunduar kurrë garën, pasi vriteshin nga kushtet atmosferike apo gjuetarë të ndryshëm, për arsye të mosnjohjes së qëllimit të tyre nga këta të fundit! Një nga pëllumbat që nuk mundi të përfundonte garën ka qenë edhe ai që pati fatin e keq të ndërronte jetë me duart e mia. Prandaj qyteti Memaliaj është vizituar shpesh dhe në çdo kohe nga pëllumbat postarë apo ata sportivë, pasi shtrihet buzë lumit dhe nga pëllumbat e shumtë që banonin në këtë qytet u krijonte më shumë siguri këtyre pëllumbave të karakterit profesionist, për ta patur si stacion uljesh disa orëshe apo për të kaluar natën dhe mëngjesin e të nesërmes niseshin për të kryer misionin e tyre. Nga lashtësia njihen edhe simbole të tjetra si ajo e degëve të dafinës dhe të ullirit. Dafina është simboli i lavdisë ndërsa dega e ullirit është simboli i paqes.

Google+ Followers