Francë: Në fabrikën e matematicienëve


Fitojnë çmime ndërkombëtare, kanë shkolla të jashtëzakonshme, si dhe më shumë kërkues në këtë disiplinë se sa vendet e tjera. Pasioni për numrat nuk i përket vetëm një elite të caktuar: në Paris organizohen ekspozita dhe kampionate ndërkombëtare, ku pjesëmarrja është e jashtëzakonshme. Në Francë, librat me lojërat logjike shndërrohen në bestseller

Me një këmishë me stil të vjetruar, xhaketën e gjatë dhe me një spilë në formën e merimangës në jakë, Cedric Villani duket se nuk ngjan aspak me një mësues-gjeni matematike. Me sa duket, gjithë elegancën e shfaq nëpër revista apo emisione televizive, për të prezantuar librin e tij “Theoreme vivant”, i njohur në të gjithë komunitetin ndërkombëtar shkencor. “Matematika? Është njëlloj si kënaqësia seksuale”, thotë duke bërë shaka Villani, 39 vjeç, i cili u bë i famshëm kur në vitin 2010 fitoi medaljen “Fields”, ekuivalentin e çmimit “Nobel” për studimet e gjata mbi formulën e entropisë Boltzmann. Në historinë e këtij çmimi të krijuar në vitin 1936, studiuesit francezë kanë fituar rreth 20 për qind të medaljeve, duke u renditur të dytët, pas amerikanëve. Disa javë më parë, një tjetër çmim i rëndësishëm ndërkombëtar, “Prix Henri Poincare”, iu dorëzua për herë të parë dy grave, Sylvia Serfaty dhe Nalini Anantharaman, kërkuese në CNRS, Qendra Kombëtare e Kërkimeve. Në muajt e fundit, ka llogaritur me krenari revista “Le Monde”, francezët kanë arritur të marrin pesë nga dymbëdhjetë çmimet e shoqërisë europiane të matematikës për hulumtuesit e rinj, më pak se 35 vjeç. Franca është vendi i numrave prim. Librat rreth mistereve të algjebrës apo gjeometrisë shndërrohen menjëherë në bestseller në vend. Nëpër kioska shiten lloj-lloj revistash me ushtrime logjike për të stërvitur trurin. Franca është vendi që ka shpikur Kampionatin Botëror të Logjikës dhe Matematikës, që para disa javësh u mbajt në pallatin parisien të UNESCO-s. Matematika pëlqehet aq shumë në vend saqë fondacioni “Cartier” zhvilloi një ekspozitë dedikuar estetikës që fshihet pas formulave, teoremave, ekuacioneve. Shkencëtar i çmendur dhe jashtë realiteti? Është një klishe që tashmë ka dalë nga moda. Personazhe të tillë si Cedric Villani apo Stella Baruk, autorja e manualeve alternative për t’u mësuar fëmijëve matematikën, konsiderohen si yjet e kësaj shkence në vend. Pavarësisht konkurrencës së vendeve në zhvillim dhe rekordit që mbahet nga amerikanët, në Paris punojnë me kohë të plotë më shumë se një mijë kërkues në këtë disiplinë. “Është përqendrimi më i madh i shkencëtarëve në një qytet të vetëm, madje as amerikanët nuk arrijnë të na e kalojnë”, tregon i kënaqur Jean Yves Chemin, drejtor i Fondacionit të Shkencave Matematikore të Parisit, që përmbledh qendrat më të mira të kërkimit dhe universitetet e vendit. Sekreti i këtij rekordi u zbulua shumë shpejt. Për ta zbuluar, mjafton të shkosh në selinë e “Ecole Normale Superieure” (ENS) themeluar në vitin 1794 nga Napoleoni. Instituti që të gjithë e thërrasin shkurt “Normale Sup” mban rekordin botëror të numrit të studentëve që kanë fituar medaljen “Fields”. E veçanta e tij është se bën bashkë lëndët shoqërore dhe shkencore. Këtu ka studiuar biologu Luis Paster, por edhe filozofët Jean Paul Sartre dhe Michel Foucault. Nga shkolla “Normale Sup”, pesë veta kanë fituar çmimin “Nobel” për fizikën. Një nivel i jashtëzakonshëm i mbajtur deri në ditët tona. ENS, që ka hapur dy seli të tjera në Lion dhe Cachan, është ndër shkollat e pakta franceze që gjen vend në klasifikimin ndërkombëtar të Shangait për universitetet më të mira. Ky sistem bazohet në seleksionimin e lartë të talenteve të ardhshëm që në shkollat e mesme shkencore, pastaj në klasat përgatitore, ku bëhen të paktën dy vjet përgatitje për t’u pranuar në konkursin e pranimit në ENS. “Një tjetër pikë e rëndësishme është mbështetja dhe financimi i talenteve të reja”, tregon Chemin. Rrjedhja e trurit është reduktuar shumë, më pak se 3 për qind e studentëve që janë specializuar në Francë detyrohen të kalojnë kufirin për të gjetur një vend pune. Vietnamezi Ngo Bao Chau, i cili ka fituar çmimin “Fields” në vitin 2010, ka studiuar në Francë. Në “Hautes Etudes Scientifiques”, tre nga pesë mësuesit titullarë të katedrës janë me origjinë të huaj. Fushat e kërkimit janë shumë të modernizuara, nga nanomjekësia te parashikimi i motit, nga algoritmet për financën te naviguesit satelitorë. Me pak fjalë, nuk është rastësi që Presidenti Fraçois Hollande ka vlerësuar pa masë medaljet e fituara nga shkencëtarët francezë në shkallë ndërkombëtare. Një traditë që i ka rrënjët në shekujt e kaluar, me personazhe të pasionuar pas matematikës si Jean D’Alembert, Gaspard Monge, Joseph Fourrier. Ka qenë edhe grupi “Bourbaki”, që duke nisur nga viti 1935, ka revolucionuar mënyrën e të shkruarit të matematikës dhe ku kanë bërë pjesë pesë fitues të medaljes “Fields”. Ky vit është shumë i rëndësishëm për vendin, sepse përkon me 100-vjetorin e vdekjes së Henri Poincare, matematikan por edhe fizikan, inxhinier, filozof, drejtor i Institutit për Shkencat Ekzakte që dha kontributin e tij në hartimin e Teorisë së Relativitetit. Vdiq në vitin 1912. “Tek ai mëshirohet një sintezë e përkryer mes rrënjëve të ndryshme të kësaj disipline. Ai ka qenë një nga matematikanët e fundit universalë”, tregon Cedric Villani. Edhe pse kolegët e tjerë më seriozë e shohin me dyshim, Villani thotë se vendi i matematikës është brenda shoqërisë. “Duhet të rrëzojmë imazhin tonë të vjetër”. Këtë kërkon edhe matematikani tjetër i njohur në vend, librat e të cilit janë shumë të pëlqyer, Jean Paul Delahaye. Edhe Stella Baruk konsiderohet si “zana e matematikës”. Shkencëtarja me origjinë iraniane ka hartuar një teknikë të re për mësimdhënien e matematikës, e bazuar në përdorimin e gjuhës. Baruk bën shpesh në klasë pyetje të tilla për studentët. “Janë 4 rreshta secili me nga 7 tavolina. Sa vjeç është mësuesja?”. Shumë fëmijë përgjigjen 28, duke bërë shumëzimin në mënyrë të menjëhershme, pa menduar për kërkesën. Metoda Baruk është aplikuar në shumë shkolla të vendit dhe ka arritur rezultate të shkëlqyera. Shumë ekspertë e këshillojnë për fëmijët që kanë vështirësi në këtë lëndë. Por polemika për didaktikën e përdorur vazhdon prej kohësh. Franca e ka ndryshuar shumë herë mënyrën e mësimdhënies së matematikës. Në rekordin e medaljeve “Fields”, të yjeve të matematikës dhe gjithë këtij kurioziteti për misteret e saj, në fakt fshihet një paradoks. Niveli mesatar i nxënësve francezë është në rënie progresive dhe numri i mësuesve është zvogëluar në 15 vitet e fundit. Disa vjet më parë u bë shumë e madhe fushata “Të shpëtojmë matematikën”, pikërisht sepse në programet e reja kishte pasur një zvogëlim të mësimeve të saj. Teksa sheh aq shumë të rinj në radhë në kampionatet kombëtare dhe ndërkombëtare për matematikën, që organizohen në vend, e kupton se sa shumë dashuri dhe përkushtim kanë për të francezët. “Ashtu si për paninet, djathin dhe verën. Francezët nuk mund të bëjnë dot as pa matematikën. Teoremat janë më të bukura edhe se veprat e artit”, përfundon duke buzëqeshur Villai.

Medaljet “Fields” - Francezët Cedric Villani dhe Ngo Bao Chau fituan në 2010-n medaljen “Fields”, ekuivalent me “Nobel”-in për matematikën
Çmimi “Henri Poincare” - Në vitin 2012, për herë të parë ky çmim iu dha dy grave: Sylvia Serfaty dhe Nalini Anantharaman
Ekspozita - Në mars, në Paris u mbyll “Mathematiques”, ekspozita që fondacioni “Carter” i dedikoi estetikës së formulave dhe ekuacioneve

Shifrat

11 - Nga 55 medaljet “Fields” të shpërndara që nga viti 1936 u janë dhënë kërkuesve francezë. Vendin e parë e mban SHBA me 13
35 vjeç - Francezët kanë marrë 5 nga 12 çmimet e shoqërisë europiane të matematikës për shkencëtarët e rinj nën 35 vjeç
4000 - Në Francë punojnë rreth 4000 mësues dhe kërkues në matematikë. Vetëm në Paris, numri i tyre në këtë fushë shkon në 1000

Google+ Followers