Ja të gjitha sekretet e Angelës


“Më pëlqen të gatuaj, di edhe të qesh dhe kam frikë nga stuhitë”

Merkel u përgjigjet kurioziteteve të VIP-ave

Për darkë do të ftonte me shumë dëshirë Vincente del Bosque, trajnerin e kombëtares spanjolle të futbollit. Ka frikë nga stuhitë, do të donte të bënte pazar pa u njohur nga njeri, i pëlqen të shëtisë, të gatuajë dhe të bëjë shaka me miqtë. Ëndrra e saj është një Gjermani ku neonazistët nuk arrijnë të kenë më mbështetës mes të rinjve, një Gjermani dhe Europë të fortë, partnerë të mirë dhe të qëndrueshëm për të gjithë botën. Kështu, gruaja më fuqishme e botës, Angela Merkel, e përshkruan jetën e saj private me emocione, shpresa dhe kujtime. Kancelarja federale, pak ditë para përfundimit të pushimeve në një nga zonat më të bukura të Italisë, në Alto Adige, u është përgjigjur pyetjeve të një numri të madh VIPA-sh gjermanë, shkrimtarë, aktorë, sportistë, sipërmarrës. Gjithmonë përgjigje të shkurtra, sintetike, shpesh ironike apo qesharake dhe të paparashikueshme. Atë që prej 7 vjetësh e shohim thuajse çdo ditë në televizion në Bruksel në takimet europiane, në Paris teksa përqafon François Hollande, apo në samite për shpëtimin e euros, në këto pyetje jep shumë përgjigje për një portret personal, mes preferencave dhe frikave, shpresave dhe kujtimeve.

Philip Lahm: Ka diçka nga e cila duhet të hiqni dorë, për shkak të detyrës suaj?
Duhet të heq dorë nga liria për të bërë shopping apo pazar pa më njohur njeri

Reinhold Beckmann: Çfarë vlerësoni më shumë te rivalja juaj, socialdemokratja Hannelore Kraft?
Faktin që edhe ajo interesohet për futbollin.

Peter Gauweiler: Për sa kohë akoma, kundër mazhorancës absolute të gjermanëve, do të këmbëngulni për shpëtimin e euros?
Nuk jam dakord me pyetjen, por gjithsesi më duhet të them se mundohem t’u tregoj njerëzve se çfarë roli të madh luan euro në jetën e gjithsecilit prej nesh.

Boris Becker: Kë do ju pëlqente të ftonit për një darkë-festë dhe përse?
Nuk organizoj festa, por në darkë do të ftoja me shumë dëshirë njëherë Vincente del Bosque.

Christoph Maria Herbst: Cilat janë mënyrat tuaja për të larguar stresin dhe tensionin?
Shëtitjet, gatimi, të qeshurat.

Claudia Roth: Nuk ju bën nervoze fakti që gratë në politikë gjykohen më shumë për shkak të veshjes, bizhuterive dhe make up-it, ndryshe nga meshkujt?
Ky realitet është bërë pjesë e jetës sime tashmë.

Jan Ullrich: Në Gjermaninë Lindore, edukimi sportiv i fëmijëve dhe të rinjve ishte prioritet. Ju që arritët të bëheshit gruaja e parë Kancelare, në cilat disiplina sportive e gjeni veten?
Jam kaq e dhënë pas sportit saqë në çdo disiplinë sportive do ta quaja veten të papërshtatshme.

Katja RieMann: Nga se keni frikë?
Se mos papritur më zë stuhia në ndonjë vend.

Robert Zollitsch: Çfarë ju mbush me gëzim në jetë?
Bisedat interesante me njerëz të tjerë, biseda nga të cilat mund të mësoj gjëra për aspekte të ndryshme të jetës, realitete të reja për mua.

Markus Kavka: Cili është budallallëku më i madh që keni bërë kur keni qenë e re?
Prisha një kostum të bukur sportiv që vinte nga Gjermania Perëndimore, sepse u ngjita pas një peme plot me rrëshirë.

David Cross: Cili është filmi juaj i preferuar?
Për momentin “Afrika ime”, por s’e di më vonë, mund të ndryshoj mendim.

Alexander Dibelius: Jeni diplomuar për fizikë, dini shumë rreth energjisë bërthamore, për potencialin dhe rreziqet e përdorimit të saj paqësor. Përse nuk mendoni se është e rëndësishme që Gjermania të vazhdojë të punojë për zhvillimin dhe për një përdorim të arsyeshëm të saj?
Sepse është një teknologji ku rreziku ka pasoja të pallogaritshme.

Harry Rowohlt: Si do të reagonit nëse ndonjë i njohur i vjetër do ju drejtohej shoqja Merkel?
Edhe pse në të kaluarën askush nuk më ka thirrur kështu, do t’i thosha se jeni duke më ngatërruar me njeri tjetër.

Alice Schwarzer: Shumë gra që ju votuan në 2009-n, tani duken të zhgënjyera. Përse duhet t’ju votojnë për vitin tjetër. Çfarë lajmesh të mira keni për to?
Pjesa më e madhe e njerëzve në Gjermani do të jenë më mirë sesa ishin në 2009-n dhe më mirë se shumë vite më parë. Dhe unë në legjislaturën e ardhshme do të doja të bëja sërish një krahasim të tillë në 2017-n.

Eckart Von Hirschhause: Si është sensi juaj i humorit?
Po si mund ta gjykoj vetë sensin tim të humorit. Gjithsesi unë jam ende në gjendje të bëj shumë shaka dhe humor me njerëzit që kam përreth.

Thomas Strushth: Cila është ëndrra juaj në politikë?
Që Gjermania dhe Europa të jenë të qëndrueshme, një zonë e suksesshme dhe partnerë të mirë për gjithë pjesën tjetër të botës.

Iris Berben: Çfarë arome ju kujton fëmijërinë?
Ajo e pishave dhe e kashtës, ndërsa në vjeshtë aroma e patateve të pjekura me avull.
Për darkë do të ftonte me shumë dëshirë Vincente del Bosque, trajnerin e kombëtares spanjolle të futbollit. Ka frikë nga stuhitë, do të donte të bënte pazar pa u njohur nga njeri, i pëlqen të shëtisë, të gatuajë dhe të bëjë shaka me miqtë
Kancelarja federale, pak ditë para përfundimit të pushimeve në një nga zonat më të bukura të Italisë, në Alto Adige, u është përgjigjur pyetjeve të një numri të madh VIPA-sh gjermanë, shkrimtarëve, aktorëve, sportistëve, sipërmarrësve

Google+ Followers