Superfuqia e parë

Epopeja e superfuqisë së parë të historisë ka një datë të saktë të fillimit të saj, vitin 559 para Krishtit. Në atë vit, Kiri II (më pas u quajt “i Madhi”) mori fronin nga i ati si mbret i qytet-shtetit jo shumë të rëndësishëm të Anshan, në anën jugore të Monti Zagros (Irani i sotëm). Persia (emri buron nga Pars, që ishte emri i territorit të një prej fiseve të rajonit) ishte atëherë vetëm një provincë e Medias. Kështu, kur Kiri u rebelua, persët e qyteteve të tjerë e ndoqën pas.
Më shumë se 8 milionë kilometra katrorë: pak më pak se sa Shtetet e Bashkuara në pak më shumë se tridhjetë vite pushtime. Kështu, 26 shekuj më parë, u bë bashkë perandoria më e madhe e lashtësisë, përpara Aleksandrit të Madh. Një perandori që përfshinte një të pestën e popullsisë botërore të kohës: 50 milionë të nënshtruar që udhëhiqeshin në mënyrë të përsosur nga “Mbreti i mbretërve”, sovrani i persëve.
Epopeja e superfuqisë së parë të historisë ka një datë të saktë të fillimit të saj, vitin 559 para Krishtit. Në atë vit, Kiri II (më pas u quajt “i Madhi”) mori fronin nga i ati si mbret i qytet-shtetit jo shumë të rëndësishëm të Anshan, në anën jugore të Monti Zagros (Irani i sotëm). Persia (emri buron nga Pars, që ishte emri i territorit të një prej fiseve të rajonit) ishte atëherë vetëm një provincë e Medias. Kështu, kur Kiri u rebelua, persët e qyteteve të tjerë e ndoqën pas.
Për të qetësuar trazirat, më shumë se dhjetë vite më vonë erdhi në vend mbreti i Medi-ve, Astiage, bashkë me armatën e tij, i cili megjithatë, pasi u tradhëtua nga një prej gjeneralëve të tij, u burgos. Dhe në atë pikë, Kiri bëri diçka të paprecedentë për kohën. Në vend që të shante dhe godiste Astiage, siç parashikohej, e dëboi atë në ekzil. Dhe kryeqyteti i Medi-ve, Ecbatana u plaçkit nga sendet me vlerë, por u la praktikisht i paprekur. Ky trajtim tolerant i armiqve të mundur i mundësoi Kirit që të reshtojë në ushtrinë e tij gjeneralët dhe kalorësit e armikut (më të mrië se të tijtë), si dhe të zbulonte armën e tij të fshehtë” mbretëria e tij do të ishte e hapur ndaj prurjeve kulturore të huaja. “Sot mund të themi se perandoria akemenide (nga Akemeni, “i dituri”, kryetari legjendar i familjes së Kirit) ishte një entitet shumëetnik, shumëgjuhës dhe mbikombëtar”, shpjegon Bruno Genito, docent i arkeologjisë iranike në Universitetin e Napolit.
Përpara tolerancës, vinte në fakt gjithmonë lufta. Në vitin 547 para Krishtit mbreti i Lidias (Turqia e sotme), Kresi, njeri shumë i pasur, por shumë i sigurtë në vetvete, sfidoi perandorinë e Kirit duke kaluar kufijtë e saj. Beteja e parë përfundoi në barazim dhe kur u afrua dimri Lidët u tërhoqën duke menduar që të rifillonin luftën në pranverë. Por persët bënë sërish diçka të papritur. Në vend që t’i bindeshin traditës, duke pezulluar aktet e luftës, ndoqën ushtrinë e Kresit deri në kryeqytetin e tij Sardi dhe, kur pjesa më e madhe e trupave Lide u cmobilizuan, sulmuan dhe morën qytetin. Kiri tregoi edhe një herë anën e tij të dhimbsur (ose ndoshta vetëm sensin e tij praktik): kurseu Kresin dhe u mjaftua vetëm duke i marrë pasurinë e madhe. Në vend të mbretit të rrëzuar vendosi një grup aristokratësh vendas që do të qeverisnin vendin në emër të tij. Por lidët ishin kokëfortë: kjo zgjedhje u interpretua si shenjë dobësie dhe, sapo Kiri u largua nga Lidia, shpërtheu revolta. Mbreti pers ridërgoi në Sardi ushtrinë e tij për të sqaruar ekuivokun: qyteti u dogj, burrat u vranë dhe gratë e fëmijët u shitën si skllevër.

Në Babiloni

Pasi nënshtroi Mesdheun lindor dhe Azinë qendrore, Kiri u drejtua për në Babiloni, “kryeqyteti global’ i epokës. Në atë pikë persët kishin ushtrinë më të frikshme, e forcuar me luftëtarët më të mirë të popujve të nënshtruar. Gjatë përparimit në juglindje, të paktë ishin ata që u kundërviheshin karrove të luftës së Kirit. Pas një beteje të përgjakshme mbi lumin Tigër, në tetor të vitit 539 para Krishtit, Kiri hyri në Babiloni pa hasur asnjë rezistencë.
“Të gjithë babilonasit, të gjithë sumerët dhe akadët, princër e guvernatorë, u gjunjëzuan para tij dhe i puthën këmbët”, thotë një tekst që kiri kërkoi të gdhendej mbi një cilindër të vogël argjili.
Respektimi i hyjnive dhe zakoneve të popujve të nënshtruar rezultoi një prej ‘trukeve” më efikasë të persëve. Të pushtuarit e dinin që do të përfshiheshin në drejtimin e pushtetit. Dhe persët përftonin më të mirën sa i përket qytetërimit. Kur, në fillim të ekspansionit të tyre, kopjuan artin dhe arkitekturën e Medëve të nënshtruar, e bënë sepse i konsideronin më të rafinuara se të tyret, dhe jo për oportunizëm politik. Diçka e ngjashme do të rishihej më vonë vetëm gjatë perandorisë romake.

Intriga oborri

Më shumë se 60-vjeçar, në vitin 529 para Krishtit Kiri ishte sërish në fushëbetejë, këtë herë në Azinë e Vogël. Dhe aty mbeti, duke luftuar kundër Masagetëve, nomadë rebelë. Sipas legjendës, mbretëresha e tyre Tomiri ishte betuar të hakmerrej për vdekjen e të birit: mori trupin e Kirit nga fushëbeteja, i preu kokën dhe e futi në një lëkurë dhie të mbushur me gjak, për të shuar në mënyrë simbolike etjen për gjak të perandorit. Kur ushtarët persë arritën të rimarrin trupin e mbretit, e dërguan në Pasargadae, një prej pesë kryeqyteteve të mbretërisë perse. Parabola e perandorisë së madhe rrezikonte të përfundonte aty.
Kiri kishte projektuar si trashëgimtar në fron të birin Kambis, ndërkohë që djalit tjetër Bardija i kishte rezervuar rolin e guvernatorit të Batrianës. Kambisi II kishte të njëjtat ambicie të mëdha të babait dhe planifikoi një fushatë ushtarake kundër të vetmes fuqi të shpëtuar në zonë: Egjiptit. Arriti t’u imponohet faraonëve në kohë rekord, falë një dredhie. Kërkoi që të lidheshin disa mace në mburojat e luftëtarëve: macja ishte një kafshë e shenjtë për egjiptianët dhe kështu harkëtarët e tyre nuk guxuan të godasin persët. Vetëm një legjendë? Ndoshta po, por gjithësesi të krijon një ide se deri në çfarë pike persët e kishin kuptuar që forca fizike nuk sillte gjithmonë fitoren.
Megjithatë, Kambisi nuk ishte Kiri dhe ndonëse u përpoq që të fitonte mbështetjen e priftërinjve të pushtetshëm egjiptianë, u deshën vite përpara se të kishte kontrollin e ish mbretërisë së faraonëve. Në ndërkohë, i vëllai Bardija u përpoq ta minojë. Kambisi nxitoi drejt shtëpisë, por ndërroi jetë për shkak të nëj gangrene.
Megjithatë, mbreti i ri i mbretërve nuk do të ishte Bardija, por Dari, ndihmës i ri në moshë i Kambisit dhe kushëri i tij. Me një legjitimitet të dyshimtë, ai u vu në krye të një grupi komplotuesish që vranë Bardijan, i cili u zu në befasi në shtrat me një prej konkubinave të tij. Një dalje shumë pak dinjitoze nga skena, që ishte megjithatë shpëtimi i perandorisë.

Propagandist

Të qeverisurve iu tregua një tjetër histori. Nga egjiptianët, Akemenidët, që ishin nxënës të shkëlqyer, kishin mësuar artin e propagandës. Ja versioni që u ish thënë postierëve: i vdekuri nuk ishte Bardija (që u tha se ishte vetëvrarë vite më herët), por prifti uzurpator Gaumata. Dari dhe të tijtë thjeshtë i kishin dhënë fund dredhive të priftit. E gjithë kjo u certifikua nga Ahura Mazda, hyjni mirëbërëse që i kundërvihej Ahrimanit, princi i të ligës. E thotë këtë një mbishkrim i urdhëruar nga mbreti në shkëmbinjtë e malit të shenjtë të Persepolit: “Mbreti Dari tha: kjo është ajo çfarë unë bëra me ndihmën e Ahura Mazda. Pasi u bëra mbret, luftova 19 beteja. Luftova me ndihmën e Ahura Mazda dhe kam burgosur në total nëntë mbretër”.
“Dari dhe akemenidët legjitimuan pushtetin e tyre për të administruar të mriën dhe të keqen në emër të Ahura Mazda, por nuk ishin sovranë të hyjnizuar”, saktëson Genito.
Pasi u arkivua çështja e dinastisë, dari nisi të ristrukturojë perandorinë. Themeloi një kryeqytet të ri, Persepolin, dhe vuri dorë në llogaritë publike të shkatërruara prej shpenzimeve të luftës. Secila prej 23 provincave do të paguante kontributet sipas të ardhurave dhe burimeve të saj. Dhe secila do i besohej një satrapi. “Organizimi me satrapë e bëri perandorinë akemenide një prej entiteteve shtetërorë më të përparuar për kohën”, shpjegon Genito. “Ndoshta bëhej fjalë për një lloj federate të madhe popujsh. Mbreti ishte në majë të një strukture piramidale, por se si e ushtronte pushtetin, kjo mbetet e panjohur”. Nga ana tjetër, dimë që reformat shenjuan lindjen e një burokracia tentakulare. Mijëra cilindra e tableta të gdhendur u mblodhën në arkivin mbretëror: letra diplomatike, dekrete, regjistrime tributesh dhe taksash, blerje tokash dhe skllevërish, urdhëra drejtuar satrapëve.
Megjithatë, Dari nuk ishte vetëm një burokrat. Në vitin 518 para Krishtit dërgoi një flotë në lumin Indo për të pushtuar Punjabin (në veri të Indisë). Ajo sipërmarrje e fundit i solli mbretërisë elefantë dhe dhurata të tjera ekzotike që zbukuruan pallatin mbretëror, por mbi të gjitha flori për arkat e shtetit. Superfuqia ishte në shtrirjen e vet maksimale. Por kur, në vitin 498 para Krishtit shpërtheu një revoltë mes qyteteve grekë të brigjeve të Azisë së Vogël (Turqia e sotme), ushtrisë së Darit iu deshën gjashtë vite për të patur arsyen e rebelëve. Dhe pastaj në Greqi, në fushën e Maratonës, u ndal nga një rezistencë e papritur e luftëtarëve të Athinës dhe Platesë. Greqia e vogël do të ishte goditja në ijet e Persisë.

Përplasje qytetërimesh

Dari nuk pati rast të merrte revanshin. Vdiq në vitin 486 para Krishtit dhe i la të birit, Kserksit detyrën që të mbyllte llogaritë me grekët. Por kjo është një tjetër histori, ajo të parës përplasje të madhe të qytetërimeve në botën e lashtë: Luftërat perse. Që u mbyllën në Platea, ku Kserksi u ridëbua në Lindje (jo përpara se t’i vinte flakën Akropolit të Athinës). “Nuk është e qartë nëse përparimi i persëve në perëndim ishte menduar si një luftë pushtimesh”, thotë Genito. “Qëllimi fillestar ishte të vendoseshin kufijtë dhe pasoja ishte që për herë të parë u përcaktuan kufijtë e Evropës perëndimore (e helenizuar) dhe të Azisë së iranizuar”.
Persia ishte ende një kërcënim, por tashmë dukej më pak i pamposhtur. Dhe pikërisht nga Greqia do të dilte njeriu i destinuar që të trashëgonte perandorinë: Aleksandri i Madh.
Sigurisht, Akemenidët ia sheshuan atij rrugën. Në vitet pas ndalesës së imponuar prej grekëve koleksionuan një seri rrëzimesh të sovranëve dhe komplotesh të oborrit. Artakserksi II arriti deri aty sa të sfidonte vëllanë e tij Kiri i Riu në betejë, ndërkohë që Artakserksit III iu desh që të vriste tetë vëllezër më të vegjël për të marrë pushtetin. Kur u gjend përballë Filipit II të Maqedonisë (babai i Aleksandrit të Madh) Persia shkaktonte ende mjaftueshëm frikë për të detyruar pushtuesin që të tërhiqet. Por në vitin 333 para Krishtit, kur mbreti i ri Dari III dërgoi ushtrinë e tij kundër Aleksandrit të Madh në fushën e Issos, ishte trashëgimtari i Kirit që ktheu nga majat thembrat. Persepoli ra tre vjet e një betejë më vonë (në gaugamela).
“Maqedonasit e kaluan të gjithë ditën duke e plaçkitur… Gratë që mbanin bizhuteri u morën zvarrë dhe të gjithë të burgosurit u trajtuan si skllevër”, shkruante historiani grek Diodor Sikuli në shekullin I para Krishtit. Dari, në arrati e sipër, u vra nga të tijtë. Dhe Aleksandri, teksa festonte martesën mes perandorisë së madhe të Lindjes dhe qytetërimit helenik, do të bëhej Mbreti i ri i Mbretërve.

Google+ Followers