Një histori e shkurtër e drogave, ato që tymosen, thithen, injektohen



Njerëzit kanë konsumuar substanca që ndryshojnë ndjesitë në forma të ndryshme që nga të gjitha kohërat. Mbetjet e opiumit janë zbuluar në vendbanimet neolitike në Europë. Në Amerikën e Jugut janë zbuluar konsumatorët e lashtë të gjetheve të kokainës, që përdorej për të stimuluar mendjen apo për të lehtësuar dhimbjen. Pothuajse gjithçka e ngrënëshme është fermentuar së paku një herë për të prodhuar alkool.
Prodhimi i drogës kaloi nga përpunimi tradicional në kushtet e shtëpisë te fabrikat në fund të viteve 1980. Heinrich Merck komercializoi morfinën, një ekstrakt i opiumit. Kjo krijoi bazat e kompanisë farmaceutike që vijon të mbajë emrin e tij. Heroina, e njohur gjithashtu si diamorphine, u nxorr fillimisht nga morfina në Shkollën Mjekësore të Shën Mërisë në Londër më 1874, por u rizbulua nga kompania farmaceutike Bayer më 1897 dhe u përdor si lehtësues dhimbjeje e ilaç kundër kollës.
Ndërkohë, kokaina u ekstraktua nga gjethet e kokës dhe gjeti përdorim të gjerë: Një produkt filloi të shitej për fëmijët si ilaç me emrin. “Mjekim i menjëhershëm!” Sigmund Freud qe një nga shumë enthuziastët e përdorimit të kokainës.
Nga fillimi i shekullit të 20 e më pas, problemet e krijuara nga efekti i varësisë së këtyre drogave, bëri që bota të fillojë ta kriminalizojë dhe ndalojë me ligj keqpërdorimin e tyre. Në vitin 2011, raporti botëror mbi drogat i Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin UNODC vlerëson se mes 149 dhe 271 milionë njerëz të moshës mes 15 dhe 64 vjeç kanë përdorur së paku një herë një drogë të paligjshme gjatë vitit 2009. Kjo është e barabartë me 3.3 deri në 6.1 për qind të popullsisë. Rreth 125-203 milionë njerëz janë përdorues të kanabisit, 14 deri në 56 milionë përdorin stimulantë të familjes së amfetaminës, 14-21 milionë përdorin kokainën dhe 12-21 milionë përdorin droga të familjes së opiumit.
Në vendet e zhvilluara, ku të dhënat janë më të sakta, vlerësohet se një e treta e popullsisë ka përdorur së paku një herë në jetë droga të paligjshme ndërsa 9 për qind e kanë përdorur gjatë vitit të fundit. Burrat kanë dy herë më shumë probabilitet të përdorin drogë se sa gratë. Ka një korrelacion të lartë mes atyre që vizitojnë klubet e natës dhe atyre që përdorin drogë.
Natyrisht që një numër jo i vogël i përdoruesve të drogës gjejnë vdekjen nga ky lloj dëfrimi. Me dhjetëramijëra vetë vdesin në të gjithë botën çdo vit nga përdorimi i drogës, qoftë për shkak të mbidozës, qoftë për shkak të problemeve shëndetësore që krijohen nga përdorimi i vazhdueshëm.
Megjithatë, vlerësohet se vetëm 1 në një milionë përdorues droge gjen vdekjen nga ky ves. Nuk duhet harruar se vdekja nuk është e vetmja e keqe që vjen nga droga. Një studim i vitit 2010 jep një panoramë më të gjerë. Përdoruesit e drogës pësojnë dëmtime fizike e mendore të konsiderueshme, varësi si dhe humbje të burimeve ekonomike e të marrëdhënieve shoqërore. Përdoruesit e drogës kanë më shumë gjasa të kryejnë krime e të bien në burg se sa mospërdoruesit.
Fakti është që alkooli, droga e ligjshme, rezultoi më problematikja për shoqëritë e vendeve të zhvilluara, pasuar nga heroina e kraku dhe në fund, duhani. Ndërkohë, disa kritikë të raportit vërejnë se në fakt, njeriu ka varësi nga shumë shkaqe, të cilat shpesh nuk përfshijnë përdorimin e një droge.
Kalërimi psh, megjithëse është një sport, shkakton vdekje, plagosje e dëmtime të tjera dhe u bëhet shpesh njerëzve një ves nga i cili nuk shkëputen dot.

Google+ Followers