Margaret Fuller, gazetarja dhe publicistja e parë amerikane

Edgar Ellen Po dikur u shpreh: “Shoqëria njerëzore është e ndarë në burra, gra dhe Margaret Fuller”


Margaret Fuller ka qenë e para grua e emancipuar lektore, gazetare, kritike letrare, korrespondente ndërkombëtare e shtypit amerikan, dhe aktiviste politike. Njohëse që në fëmijëri e disa gjuhëve të huaja, gjermanishtes, frëngjishtes, gjuhës italiane, greke dhe latine, ajo u rrit duke zhvilluar një intelekt e talent të jashtëzakonshëm duke hedhur poshtë epitetet nënvleftësuese me të cilat paragjykimet e veshin një femër.

Margaret Fuller u bë redaktorja e parë e revistës intelektuale transidentale “Dial” të cilën e mbajti për dy vjet. Qe gruaja e parë që shkroi një libër për jetën e vështirë të tribuve indiane të Amerikës, keqtrajtimin e tyre nga të bardhët, duke u bërë kështu mbrojtëse e të drejtave të tyre. Në dhjetor 1844 ajo u punësua nga New York Tribune, botuar nga Horac Greeley, duke u bërë gazetarja e parë amerikane. Ajo e filloi punën në gazetë me intervistat që u bëri prostitutave në burg duke skandalizuar lexuesit.

Fokusi i artikujve të saj ishte sfera shoqërore dhe letrare e jetës amerikane. E pamohueshme në aftësitë profesionale ajo preku me kritikat e saj letrare edhe emrat të njohur të kohës si Longfelow dhe Ralph Waldo Emerson. Xhelozë për profesionalizmin e intelektin e saj të jashtëzakonshëm përgjigja erdhi në formën sulmit mbi aparencën e Margaret Muller, duke u përpjekur ta ç’femëronin. Dhe dëmin më të madh për ironi të fatit ia bëri Ralph Waldo Emerson, poet e filozof, miku i saj intim, me të cilin ajo pati një mardhënie-”ngroh-ftoh” për vite me radhë dhe të cilin e pat kritikuar për thatësinë e jetës në poezinë e tij. Emersoni mbeti xheloz për Margaretën gjithë jetën. Por ndryshe nga sa e përshkruan xhelozia e tij, Margaret Fullej vishej bukur madje e mbante veten e saj si zonjë klasi. Ajo mund të ngiste kalin më mirë se një burrë dhe mund të danconte deri në mëngjes pa u lodhur fare dhe kishte një humor të këndshëm e shpesh herë një gjuhë therëse.

Vite më vonë kur ajo gjendej në Itali, poeti polak Adam Mickieic i shkruante në një letër kështu: “Pasi ke admiruar gratë e Romës thuaji vetes: Unë jam e bukur gjithashtu.. Tek ju, unë takova një njeri të vërtetë e nuk kam nevojë t’u bëj lëvdata të tjera”

Me botimin e librit “Gruaja në Shekullin e 19-të” në shkurt të vitit 1845, në Nju Jork, ajo krijoi sensacion të madh. Libri ishte një thirrje pa kompromis për të drejtat e gruas amerikane.

Botimi i parë u shit brenda javës. Guximi i saj i tepruar apo i “pacipë” revoltoi shumëkënd.

Deklaratat e saj ishin sa të guximshme aq edhe shokuese për atë kohë: “Ajo çfarë ka nevojë një grua nuk është të dominojë, por si natyrë – të rritet, si intelekt- të perceptojë, si shpirt – të jetoje e lirë, dhe e ç’penguar”. “Po qe se gratë do të ishin në gjendje të zhvillonin forcën dhe bukurinë e tyre si gra, ato nuk do të uronin kurrë të ishin burra.”

“Në mentalitetin e burrave-shkruante ajo, gratë shihen si skllave”. Ajo kishte besim në aftësitë e cilësitë e gruas. Fuller deklaronte se gratë janë në gjendje të bëjnë çdo lloj pune madje edhe” kapitene detrash” po të duan.
Emri Margaret Fuller u bë i njohur edhe jashtë kontinentit amerikan duke frymëzuar shumë njerëz, por edhe duke revoltuar shumë të tjerë.

Në 1846, Margaret Fuller shkoi në Angli si korrespondente për New York Tribune, duke u bërë kështu gruaja e parë korrespondente jashtë kufijve të vendit të saj… Në Angli libri i saj qe lexuar me simpati dhe i hapi shumë dyer . Ajo intervistoi personalitete të kohës si Harriet Martineau, Wordsworth dhe De Quincey, por edhe hyri në skutat e jetës angleze, ne miniera, lavanteri dhe u tmerrua nga varfëria e madhe dhe diferencat e mëdha klasore, u shqetësua nga kushtet e vështira të jetës dhe mungesa e shpresës tek të varfrit. Ajo menjëherë shkroi për nevojën e një “revolucioni paqësor”.
Pikërisht kur ishte në një gjendje të tillë emocionale ajo takoi Giuseppe Mazzinin, një imigrant revolucionar italian që ishte larguar i persekutuar nga vendi i tij dhe qe vendosur në Angli. Qëllimi Mazinit ishte të bashkonte Italinë në një republikë të vetme, (e cila në 1847 ishte e ndarë në disa shtete papale). Ai ishte organizator i lëvizjes se të rinjve” Italia e re”.

Fuller e ndoqi atë në mbledhjet me të rinjtë italianë, madje në një nga ato ajo mbajti një fjalim të cilën Mazzini e përmendte në letrën që i shkruante të ëmës e duke e përshkruar si një “fjalim prekës’. Influenca e Mazzinit mbi Margaretën qe e madhe. Ajo kishte hyrë pakuptuar në lëvizjen revolucionare të kohës duke u bërë aktiviste e saj. Ajo mësoi të donte jo vetëm Italinë por edhe italianët. Ajo shkroi një artikull për Mazzinin për gazetën e saj. Ndërkohë kur po mendonte kthimin në atdhe, në Itali u njoh rastësisht me një djalë të ri një republikan, më të ri se veten: Giovani Angelo Ossoli, djalë i një familje fisnike italiane. Njohja me Ossolin i dha jetës së saj një kthesë të papritur. Pas një kohe të shkurtër djali i ri i propozoi për martesë . Ajo refuzoi dhe u largua në Milano. Miku i saj poeti Mickiewicz e këshillonte të mos e linte italianin e ri. Nga ana e tij Ossoli në letrat e tij çuditërisht parashikonte: “Ju do të ktheheni tek unë”. Parashikimi i tij doli i vërtetë. Margaret Fuller nga Milano u kthye në Romë tek Ossoli. Më vonë ajo pat shkruar: “Veprova ashtu siç ndjeva. Gruaja ka lindur për dashuri dhe është e pamundur ta kthesh atë nga kërkimi i saj.”

Anxhelo nuk ishte intelektual si ajo, por Margarita gjeti tek ai mirëkuptimin dhe ngrohtësinë që u mungonte puritanëve prej nga vinte ajo. Ata e mbajtën sekret lidhjen e tyre dashurore. Ndërkohe Margarita i shkruante nënës se saj se nuk kishte qenë kurrë më e lumtur që kurse kishte qenë fëmijë. Në 5 shtator 1848 ajo lindi një djalë dhe i vuri emrin e të atit, me të cilin ende nuk ishte e martuar dhe jetonte e ndarë e detyruar nga rrethanat. Ndërkohe Fuller vazhdonte të shkruante për gazetën e saj në kohët më dramatike që po kalonte Evropa . Mjerisht shkrimet e saj në Amerikë kishin lënë shije jo fort të mirë. Ndër të tjerash Fuller shkruante: “Vendi im tani është i përkëdhelur nga prosperiteti, budallepsur nga fitimi, ndotur nga vullneti për të përjetësuar skllavërinë,e turpëruar nga një luftë e paturpshme (Lufta me Meksikën) ndërsa në Evrope një shpirt më fisnik po përpiqet, po lufton….”

Anxhelo Ossoli shpëtoi nga Roma me ndihmën e saj nëpërmjet një pasaporte amerikane dhe në vjeshtë të dy të dashuruarit me foshnjën e tyre lëvizën në Florence. Aty bënë martesën legale. Margareta u bë Markeza Ossoli. Ndërkohe, botuesi i gazetës së saj ne Nju Jork dhe miku i saj, Horac Greeley, kishte dëgjuar thashethemet mbi dashurinë “e lirë” të Margaretës dhe i preu rrogën.

Për shkak të policisë sekrete burrë e grua vendosën ta lenë Italinë e të udhëtonin drejt Amerikës. Kështu, në maj 1850 ata lanë Livornon. Udhëimi qe një udhëim i pafat. Në 18 korrik anija Elisabeth po i afrohej portit të Nju Jorkut. Një ndjenjë lehtësimi i pushtoi të dy . Gjatë natës pati erë në det . Në orën 4 të mëngjesit anija Elisabeth u përplas papritur në Fire Island. Varkat e shpëtimit u bënë të papërdorshme. Anija filloi të shkatërrohet Margareta i dha brezin e saj të shpëtimit një detari i cili po përpiqej të ndihmonte njerëzit në anije. Në brigje dukeshin silueta njerëzish, të cilët çuditërisht nuk po afroheshin t’i jepnin ndihmë njerëzve që po mbyteshin. Ishin piratë që po bënin sehir deri sa t’u vinte ora e grabitjes. Në orët e fundit të mbytjes se anijes kush mundi të shpëtonte, shpëtoi. Margaret Fuller nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të shpëtuar e veçuar nga burri apo fëmija. Ende me këmishën e gjatë të natës mbante mbërthyer në gjoksin e saj foshnjën Ky ishte  imazhi i fundit i saj që regjistroi kujtesa njerëzore.

Para nisjes në këtë udhëtim të fundit për atdhe, ajo pat shkruar që jeta e saj qe zhvilluar si një tragjedi greke.

Vdekja e saj qe një sensacion publik. Miqtë e saj nga Bostoni erdhën në ishull me shpresë se mos gjenin ndonjë gjurmë të dorëshkrimit të saj mbi revolucionin italian.

Asnjë nuk u gjet në mbeturinat e anijes, veç një kutie të mbyllur me letrat e dashurisë së Margaritës dhe Anxhelos.
Albana M. Lifschin

(nga libri “Udhëtim në Historinë Amerikane”, bot 2003, ribotuar 2006 dhe 2010)

Google+ Followers