Jo vetëm barbarë

VIKINGET / Një qytetërim tregtarësh, lundërtarësh e poetësh

“Mos na ço në tundim, por na çliro nga njerëzit e veriut, amen”. Ishte një Ati Ynë i çuditshëm, lutja që recitonin murgjit në brigjet evropianë një mijë vjet më parë: në vend që t’i kërkonin Zotit që t’i çlironte nga një e keqe e papërcaktuar, i luteshin që t’u largonte një të Keqe të saktë dhe absolute: zemërimi i plaçkitësve të deteve që zbrisnin nga veriu, plaçkisnin fshatra dhe banesa dhe më pas zhdukeshin drejt botës prej nga kishin ardhur, një labirint brigjesh e gjiresh ku askush nuk guxonte t’i ndiqte pas

“Mos na tërhiq në tundim, por na çliro nga njerëzit e veriut, amen”. Ishte një Ati Ynë i çuditshëm, lutja që recitonin murgjit në brigjet evropianë një mijë vjet më parë: në vend që t’i kërkonin Zotit që t’i çlironte nga një e keqe e papërcaktuar, i luteshin që t’u largonte nëj të Keqe të saktë dhe absolute: zemërimi i plaçkitësve të deteve që zbrisnin nga veriu, plaçkisnin fshatra dhe banesa dhe më pas zhdukeshin drejt botës prej nga kishin ardhur, një labirint brigjesh e gjiresh ku askush nuk guxonte t’i ndiqte pas.
Pikërisht për këtë arsye, ndoshta anglosaksonët i quajtën Vikings. Në gjuhët skandinave, vik do të thotë gji, sic kujtojnë dhjetëra emra vendesh nga Norvegjia në Islandë që kanë këtë prapashtesë të përbashkët: Narvik, Rorvik, Reykjavik. Epoka vikinge (kështu historianët quajnë ekspansionin e popujve nordikë mes shekullit VIII dhe XI) filloi një mëngjes me shi të qershorit 793: manastiri i Lindisfarne, në verilindje të Anglisë, po festonte Shën Medardon, një festë që organizohej kundër dhembjes së dhëmbëve, kur në plazh zbarkoi e keqja absolute, domethënë nëj bandë vikingësh. “Shkatërruan kishën, duke vrarë e rrëmbyer këdo që kalonte”, thuhet në tekstin e vjetër të Kronikës anglosaksone. Në mos i pari, ishte më i dhunshmi i një serie sulmesh që u përsëritën më pas pothuajse çdo vit: në vitin 794 në Monkuearmouth (Angli), në 795 në Iona (ishulli Ebridi) dhe në Rechru (Irlandë). Në shtator të vitit 1066 fitorja e mbretit anglez Haroldi II në Stamford Bridge u duk se u dha fund frikërave britanike, duke bllokuar inkursionin norvegjez të radhës. Por, një muaj më vonë, sovrani ndërroi jetë në Hastings i mposhtur nga armata e normanit Gulielm, që erdhi nga Franca dhe që për anglezët u bë “Pushtuesi”.
Problemi nuk ishte vetëm i ishujve: tridhjetë vite pas vdekjes së Karlit të Madh, vikingët poshtëruan Francën imperiale duke iu ngjitur Senës deri në Paris, të cilin e plackitën në 845 pasi kishin bërë të njëjtën gjë me Nantën dy vite më herët. Por më fatkeq ishte Dorestad, një qytet holandez që u sulmua në 834 dhe më pas u zhduk prej një cunami.

Shumë të egër

Gjermania nuk ishte më mirë. Aq sa Adami i Bremenit, historian gjerman i shekullit XI duke folur për “kombin shumë të egër të danezëve, të normanëve dhe të suedezëve”, prej ku “janë boshatisur rajone të tërë të Galisë dhe të Gjermanisë”, fliste për neverinë që në atë kohë provokonin jo vetëm plaçkitësit e deteve, por edhe tokat e tyre të origjinës, domethënë Danimarka, Suedia dhe Norvegjia, që kualifikoheshin si “atdheu i tmerrshëm, gjithnjë i paarritshëm për shkak të kultit të idhujve”.
Por vërtetë vikingët ishin ata monstra që na kanë pushtuar? Që masakrat kanë ndodhur, kjo nuk ka dyshim. Por kush e mori guximin të shkonte e të gjente këta njerëz në vik-ët e tyre, pa edhe të tjera gjëra: pastorë dhe peshkatarë kaq civilë sa që mbanin higjienë si asnjë popull tjetër i epokës, argjendarë të mrekullueshëm, marinarë të jashtëzakonshëm dhe plot fantazi, domethënë profesionistë të një arti magjik që në Islandë quhej “pija e gnomëve” dhe gjetkë quhej poezi.
Kush kishte guxuar të shkonte atje lart do të kish parë gjithashtu se shumë prej “idhujve” vendas ishin hyjni të përbashkëta me të gjithë botën gjermanike, mes të cilëve Odini, perëndia i luftëtarëve i armatosur me heshtë dhe Tori, padroni i artizanëve i armatosur me çekan. Veç kësaj, Vikingët adhuronin dhe ndonjë perëndi më të vogël krejt të tyrin, si Ull, zoti i gjuetisë me hark dhe shigjetë. Por sensi magjik-fetar i “piratëve” shprehej mbi të gjitha në respektin dhe dashurinë për nissen-ët (në Islandë huldufolk, domethënë “njerëz të fshehur”) kukulla të vogla që vendoseshin poshtë pemëve: ishin paraardhësit e babagjyshit të Vitit të Ri.
Në të vërtetë, disa në Skandinavi shkuan vërtetë, por kur epoka vikinge në kuptimin e ngushtë kishte përfunduar. Mes tyre veneciani Pietro Querini, anija e të cilit në vitin 1432 u fundos pranë ishujve Lofoten dhe u shpëtua nga një tribu e stërnipërve të plaçkitësve të deteve, të cilët vazhdonin të jetonin si gjyshërit. I befasuar, ai admiroi mikpritjen (“Ishin shumë dashamirës dhe ndihmues”), lirinë seksuale të grave (“Qëndronin lakuriq dhe flinin me të huaj kur bashkëshortët shkonin të peshkonin”), si dhe bujarinë e të dyve (“këtu kurnacëria nuk ekziston”).
Shpëtimtarët e di Pietros ishin peshkatarë që lundronin vetëm poshtë brigjeve në kërkim të merlucëve për t’i tharë (shpikje vikinge). Por gjyshërit e tyre ishin bërë deri atëherë proverbialë për lundrimet e tyre në dete të hapur: kishin qenë evropianët e parë që kishin zbarkuar në Amerikë, të parët që kishin shkelur në Kepin e Veriut, ndoshta edhe të parët që kishin mbërritur në Kinë përmes detit.
Nga flota e tyre, murgjit anglezë kishin parë vetëm drakkar-ët, skafe shumë të shpejtë lufte me vela katrore; por po të vikingëve ishin edhe knarr-ët, të mëdhenj, të destinuar të transportonin civilë, mallra e bagëti. Arkeologët kanë gjetur shumë drakkar-ë: pesë prej tyre janë ekspozuar në Vikingeskibsmuseet në roskilde, në Danimarkë. Nga knarr-ët kanë mbetur vetëm dy ekzemplarë në Vikingskiphuset në Bygodoi, në Oslo. Drakkar-ët ishin shumë të dobishëm në blicet e piratëve, që shënuan mbi të gjitha fazën e parë të historisë vikinge. Por në një fazë të dytë, nga viti 835 e më vonë, ishin më të rëndësishëm knarr-ët: ato anije të mëdha dhe joelegante lejuan në fakt migrimin e tribuve të tëra dhe krijimin e kolonive në toka të reja.

Baticë nordike

Ekspansioni zgjati një shekull e gjysmë dhe ishte mbrëselënës. Duke synuar perëndimin, vikingët hodhën rrënjë në një pjesë të anglisë (835) dhe Irlandës (839), më pas në Ishujt Faroe dhe në Islandë, prej ku u nisën për në Groenlandë dhe Terranova, në Kanada. Në lindje themeluan mbretërinë e Rus (880), embrioni i Rusisë së ardhshme, dhe prej aty zbritën lumenjve deri në Detin e Zi. Në jug themeluan një dukat në Normandi, prej ku më pas migruan në Mesdhe, duke u vendosur në Pulia dhe në Sicili.
Adami i Bremenit nuk e thotë, por jo gjithmonë tokat e reja u morën me armë. Disa (Groenlanda dhe Islanda) ishin të pabanuara ose pothuajse. Të tjera u pushtuan në marrëveshje me popujt autoktonë: Normandia iu dha vikingëve nga Karli i Thjeshtë, mbret i Francës. Në Rusi, tributë sllave në luftë mes tyre “shkuan jashtë vendit, tek Variaghët që quheshin Rus e u thanë: Tokat tona janë të mëdha dhe të pasura, por nuk ka rend. Ejani e mbretëroni mbi ne”. Kështu rrëfen Kronika ruse e viteve të kaluar e shkruar në Kiev rreth vitit 1116. “Rasti rus” tregon se jo të gjithë i konsideronin skandinavët piratë të egër: kishte nga ata që admironin sistemin e tyre politik. Që të paktën në fillim ishte i decentralizuar dhe demokratik. Çdo fis, çdo ishull, çdo fiord kishte një njeri në krye (jarl), pushteti i të cilit zbutej prej asambleve ndërfisnore të quajtura thing. Vetëm më vonë do të lindnin mbretëritë nacionale: e filloi Norvegjia në 872, kur jarli Harald Harfrage bashkoi me forcë tre feude nën një kurorë të vetme, e tija.

Sovranë

Kanë pasur një fat të çuditshëm mbretërit me gjak viking. Pak të njohur janë disa mbretër nordikë, shumë të rëndësishëm për historinë e Evropës: si Olaf II Haraldsson, mbret i Norvegjisë nga 1016 deri në 1030, që përfundoi kristianizimin e vendit të tij dhe u shpall shenjt, ndonëse shkaktoi më shumë të vdekur se sa piratët e Lindisfarne. Një harresë identike rrethon disa eksploratorë. Relativisht të njohur janë vetëm Eriku i Kuq dhe biri i tij Leif, evropianët e parë që zbarkuan në Groenlandë dhe në Amerikë, në fundin e shekullit X. Por pak e kujtojnë naddoddurin, bandit në arrati që zbuloi rastësisht islandën. E njëjta gjë mund të thuhet për Ottar, burri i parë që arriti Kepin Verior për të blerë nga Lapponi lëkurë ariu dhe pendë zogu: një lundërtar part-time, i cili kur nuk ndodhej në dete merrej me bagëtitë e tij.

Barinj

Të gjithë vikingët ishin pak si Ottar. Kush i shihte të zbarkonin i përshkruante si lundërtarë të përjetshëm, të hipur në drakkar-ë; por piratët e vik ishin barinj që shkonin në det vetëm gjatë verës. Arkeologjia konfirmon: në Norvegji janë gjetur eshtra bagëtish që konfirmojnë këtë gjë. Dhe në Lofoten, ishuj të Norvegjisë, është gërmuar dhe gjetur themeli i një “shtëpie të gjatë” që mijëra vite më parë strehonte si burrat, edhe lopët: një ide e mirë për të bashkuar mbrojtjen e kafshëve me ngrohjen e pronarëve.
Me kafshët shtëpiake vikingët nuk kishin vetëm marrëdhënie utilitariste, por edhe afeksioni. Rast limit ishte një jarl i çuditshëm i ishullit Karmoy (pranë stavanger në Norvegji), një farë Augvald, i cili mbante gjithmonë me vete lopën e tij të preferuar. Dhe sa herë që lopa ndalej të kulloste, ai recitonte vargje perëndisë Odin. Thuhet se kur kreu i fisit vdiq u ndërtuan dy varre: i pari për të, tjetri për lopën. Pra, edhe vikingët kishin një shpirt. Por edhe një letërsi, pjesërisht e ruajtur falë një murgu islandez të 1200, Snorri Sturluson, autor i poemës me emrin Edda, që kish mbledhur vargje dhe saga të paraardhësve të tij. Pa Snorrin do të kishim menduar që vikingët nuk kishin shkuar përtej mbishkrimeve në gurë.

Poetë

Mes barinjve-detarë të vik-ëve kishte edhe poetë të vërtetë, historianë dhe kantautorë. Kryepoeti i tyre quhej Egill Skallagrimsson: ai shkroi Sonatorrek, një Vaj antik alla Viking për vdekjen e bijve të tij. Herodoti i tyre ishte Saemundur Sigfusson, autor i një historie për mbretërit norvegjezë. Aznavouri i tyre ishte Kormakr Ogmundarson që këndoi histori melankolike dashurish të humbura. Pra, monstrat e vik-ëve ishin në realitet nejrëz të ndjeshëm, plot ndjenja, ndonjëherë edhe ankthe për të ardhmen: si të tyren, edhe atë të botës. Makthi i çdo nordiku ishte që pas dimrit nuk do të kthehej pranvera dhe që pas natës arktike nuk do të rishfaqej dielli. Prandaj vikingët e imagjinonin fundin e botës si një triumf të të ftohtit dhe errësirës. Tek poema Edda thuhet: “Do të vijë ai dimër i quajtur Fimbulvetr; atëherë era do të fryjë nga të gjithë drejtimet, do të ketë ngrica të mëdha dhe erëra të forta. Nuk do të shohim Diellin. Tre dimra do të vijnë bashkë, pa verë në mes. Atëherë do të ndodhë që një ujk do të pushtojë Diellin. Një tjetër ujk do të pushtojë Hënën”.
Tre dimrat me ujqër që hanin yjet nuk erdhën asnjëherë, por në vend të botës mori fund epoka vikinge. U mbyll me betejën e Stamford Bridge: është një konvencion, pasi ish piratët vazhduan të jetojnë në Evropën Veriore, ndonëse me emra të tjerë: suedezë, danezë, norvegjezë, islandezë. Vetëm në amerikë dhe Groenlandë u zhdukën. Në vende të tjerë u shkrinë me popuj autoktonë, sic ndodhi në Sicili.

Fundi i rendjes

Po përse vikingët pushuan së ekzistuari si të tillë? Një arsye ishte lindja e mbretërive nacionale, që eleminoi identitetin fisnor të origjinës. Një tjetër ishte kirstianizmi, që nga një anë afroi ish piratët me kulturën evropiane dhe nga ana tjetër i dobësoi me luftëra civile me sfond fetar. Biogjeografi Jared Diamond, i Universitetit të Californias në Los Angeles, ka shpjeguar rënien e Groenlandës dhe Islandës vikinge me sensin e mangët ekologjik të kolonëve, që i çoi në shpyllëzimin e territorit, duke shkaktuar erozion të terrenit dhe humbje të burimeve.
Më e qartë duket përse peshkatarë dhe barinj u bënë piratë dhe më pas kolonë të përtej deteve. Për një arye të vetme: uria. Në fakt Skandinavia e lashtë – pavarësisht një klime më të favorshme se sa ajo bashkëkohore na ato lartësi – ishte gjithmonë nëj tokë që mbipopullohej periodikisht në krahasim me burimet në dispozicion. Dhe banorët e tepërt e kërkonin fatin gjetkë.
Që në të kaluarën nga Suedia ishin isur valë migrimi të armatosur drejt jugut: visigotët, ostrogotët dhe longobardët. Dhe diçka e ngjashme është verifikuar dhe së fundmi. Sot Norvegjia është një vend i pasur, por jo shumë dekada më parë ishtë një zonë në depresion, prej ku emigrohej drejt Amerikës: kulmi ishte nga 1880 deri në 1915, kur u larguan 800 mijë vetë, një e treta e popullsisë. Rezultati është që sot ka më shumë njerëz me mbiemër norvegjez në SHBA se sa në Norvegji: të gjithë njerëz që, në vend të “Clirona nga e Keqja”, recitonin ‘Bukën e përditshme na jep sot”.






ZBULIMI
Amerika? Të parët qenë vikingët


Banda e motoçiklistëve me emrin Engjëjt e Ferrit nën efekt steroidësh – ky është një përshkrim i duhur i sulmuesve vikingë, të cilët udhëtuan që nga vendlindja e tyre në Skandinavi për të plackitur brigjet e Evropës veriore duke filluar nga shekulli 8. Preja ishte shpërblimi i tyre dhe manastirët e pambrojtur që lulëzonin në izolim të plotë në kodrat pranë brigjeve të detit ishin shpesh herë shënjestra e tyre. Ata përdornin taktika tëpamëshirshme godit-dhe-largohu. Ata e sulmonin viktimën, plaçkisnin sa më shumë thesar të ishte e mundur dhe më pas kërkonin një haraç për të premtuar që nuk do të riktheheshin – një premtim që shpesh herë nuk mbahej. Deri në shekullin 10, këta sulme ishin shndërruar në një aktivitet sezonal dh Vikingët kallnin kudo frikë, si “Kamzhiku i Evropës”. Me kalimin e kohës, sulmuesit nisën të ndërtojnë vendbanime e të mos plaçkisin më disa prej territoreve që vizionin, si Islanda, Irlanda (ku themeluan qytetin e Dublinit), Normandia në Francë, si dhe Rusia qendrore (emri e ka prejardhjen nga termi nordik Rothsmenn, që do të thotë lundërtar dhe i shkurtuar në Rus). Fakti që vikingët përdornin detin si vendin ku kryenin sulmet dhe më pas arratiseshin i motivoi që të zhvillojnë anije që lundronin mirë i dhe teknika të besueshme lundrimi me të cilat mund të lundronin në det të hapur në distanca të mëdha.
Këta avantazhe i mundësuan atyre që të udhëtonin në oqeanin e ftohtë dhe të pabesë në drejtim të perëndimit, dhe të arrinin në brigjet e Amerikës pothuajse pesëqind vjet përpara Kolombit. Eriku i Kuq ishte i pari që përshkoi këta ujëra kur – pasi shte dëbuar nga ishuli për një seri vrasjesh – ai lundroi nga Islanda në 985 apo 986 drejt ishullit të cilit i vuri emrin “Groenlandë”. I biri, Leif Ericsson vazhdoi eksplorimet e të atit dhe në vitin 1000 apo 1001 ai lundroi në drejtim të jugperëndimit nga Groenlanda në drejtim të ishujve pranë brigjve të Kanadasë veriore dhe më në fund në brigjet e Tokës së Re. Nordikëve iu duk kaq mikpritëse, saqë qëndruan gjatë të gjithë dimrit përpara se të ktheheshin në Groenlandë.

Toka e re

Historia e eksplorimeve të vikingëve mbërrin përmes sagave që përcilelshin gojë më gojë nga një brez në tjetrin përpara se të hidheshin në letër. Provat arkeologjike moderne kanë vërtetuar pjesën më të madhe të historisë së sagës. Në këtë rrëfim, flitet për Leif Ericsson, teksa ky udhëheq ekuipazhin e tij nga Labradori – të cilin e quajti “Toka e Pyjeve” – në drejtim të Toks së Re. “E kështu udhëtuan ata në det të hapur me një erë që frynte nga veri-perëndimi, dhe ishin dy ditë në det ëprpara se të shihnin tokë, dhe aty lundruan e mbërritën në një ishull që ndodhej në lindje të tokës, shkuan atje dhe panë përreth, në një mot të mirë, dhe vërejtën se mbi bar kishte vesë. Dhe kështu ndodhi që ata prekën vesën me duart e tyre, dhe më pas çuan gishtërinjtë tek goja, dhe menduan se asnjëherë më parë nuk kishin shijuar dicka kaq të ëmbël. Pas kësaj, ata shkuan tek anija dhe lundruan në një ngushticë që ndodhet mes ishullit dhe një kepi i cili zgjatej tej në lindje të tokës, dhe më pas lundruan në perëndim, pasi kaluan kepin. Ishte shumë cekët për shkak të zbaticës dhe kështu u ndalën.
Por aq shumë donin të zbrisnin në tokë, saqë nuk i dhanë kohë vetes që të prisnin deri sa ujërat të ngriheshin sërish nën anijen e tyre, por vrapuan menjëherë në breg në një vend ku një lum buron prej një liqeni. Por sapo ujërat nisën të ngrihen nën anijen, ata morën varkat dhe lundruan drejt anijes dhe e tërhoqën atë drejt lumit e pas t’i drejt liqenit ku e ankoruan. Aty ngritën barakat. Pasi u këshilluan dhe vendosën të qëndrojnë aty gjatë dimrit, ndërtuan shtëpi të mëdha. Nuk kish mungesë salmoni as në lumë e as në liqen, e madje ishin edhe më të mëdhenj nga sa ata kishin parë ndonjëherë. Natyra në këtë vend, menduan ata, ishte aq e mirë saqë bagëtitë nuk kishin nevojë për ushqime të ruajtura për dimrin, pasi në dimër nuk kish ngricë dhe bari aty nuk thahej. Dita dhe nata ishin më të barabarta se sa në Groenlandë apo në Islandë, pasi në ditën më të shkurtër dielli ishte mbi horizont nga ora shtatë e gjysmë deri në orën katër e gjysmë të pasdites…”
“Një natë ndodhi që një prej burrave nuk po dukej, dhe ky ishte Tyrker, Gjermani. Leif e kish atë shumë për zemër, pasi Tyrker kish qëndruar gjatë pranë babait të tij dhe atij vetë, dhe e kish dashur shumë Leifin kur ky ish fëmijë. Leif u përgatit tashmë pë rta kërkuar dhe mori me vete dymbëdhjetë burra. Por kur nuk kishin ecur shumë, ja tek u duk Tyrker që vinte drejt tyre dhe ata e pritën me gëzim. Shumë shpejt, Leif vërejti se Tyrker nuk ishte fare në vete… Dhe i tha: “Përse erdhe kaq vonë, dhe u ndave nga grupi?” Pas në kohe të gjatë, ai tani foli në gjermanisht, dhe sytë i rrotullonte në të katër anët, por ata nuk kuptonin asgjë nga ato që thoshte. Pas pak, nisi të flasë gjuhën e tyre: “Nuk isha shumë larg, por kam diçka të re për t’ju treguar. Kam gjetur hardhi dhe rrush”.
“Vërtetë?” pyeti Leif.
“Sigurisht që është e vërtetë”, u përgjigj ai, “pasi unë jam ushqyer në një tokë ku nuk ka nevojë as për hardhi e as për rrush”.
Ata fjetën atë natë, por në mëngjes Leif u tha lundërtarëve të tij: “Tani ne do të bëjmë dy gjëra, një ditë do të mbledhim rrush dhe ditën tjetër do të presim hardhitë dhe rrëzojmë pemët, dhe prej aty do të ngarkojmë anijen”. Kështu u vendos, dhe thuhet se ata e mbushën anijen e tyre me rrush.
Tani me ngarkesën e bërë gati për anijen, kur erdhi pranvera ata lundruan mbrapsht. Leif i vuri emrin Vineland – Toka e Hardhive. Ata dolën tani në det të hapur dhe patën një erë të mbarë deri kur panë Groenlandën, si dhe malet poshtë akullnajave…”

Google+ Followers