22 shefat e CIA-s nga viti 1946 e deri më sot


Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) u krijua në vitin 1946 nga presidenti Harry Truman. Ai u alarmua nga spiunazhi mbarëbotëror i kryer nga Bashkimi Sovjetik, prandaj nënshkroi aktin e sigurimit kombëtar duke krijuar CIA-n si organizatë e përhershme spiunazhi e SHBA-së. Karta e statutit të CIA-s e vendos atë në kontrollin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, i cili është nën drejtimin e qeverisë ekzekutive dhe kongresit. Përgjegjësia kryesore e CIA-s është të “mbledhë dhe të vlerësojë informacion”, por njëkohësisht të “kryejë dhe detyra të tjera” që i specifikon Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Fillimisht, agjencia u krijua nga veteranë të guximshëm dhe me përvojë lufte të ish-OSS (Zyra e Shërbimeve Strategjike, e cila ka funksionuar gjatë Luftës së Dytë Botërore). CIA nuk ishte ndonjë shërbim sekret modern, deri në shkurt të vitit 1953, kur drejtor i saj u bë Alen Dallas, ish-shef i operacioneve të OSS-së në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. CIA u bë e barabartë me KGB-në si forcë spiunazhi, kur Alen Dallas mori komandën e saj në 1953-shin.
1. Sidney William Souers
Në detyrë: janar 1946 – qershor 1946
Përshkrimi: Admirali Souers u emërua drejtori i parë i Inteligjencës Qendrore (CIA) nga Presidenti Harry S. Truman. Më parë, si zëvendësdrejtor i inteligjencës së Marinës, Souers ishte një prej arkitektëve të sistemit që u krijua me direktivën e Presidentit.
2. Hoyt Sanford Vandenberg
Në detyrë: qershor 1946 – maj 1947
Përshkrimi: Vandenberg shërbeu për një kohë të shkurtër si shef i inteligjencës Ushtarake gjatë Luftës II Botërore, por detyra e tij kryesore ishte ajo e gjeneralit komandues të Forcës së Nëntë Ajrore, një forcë taktike ajrore në Angli dhe Francë që mbështeste Ushtrinë.
3. Roscoe H. Hillenkoetter
Në detyrë: 1947 – 1950
Përshkrimi: Gjatë detyrës së tij, Drejtoria e Këshillit të Sigurisë Kombëtare i dha CIA-s autoritetin për të kryer operacione të fshehta “kundër shteteve dhe grupeve të huaja armiqësore, apo në mbështetje të vendeve të huaja mike, por në mënyrë të tillë që përgjegjësia e qeverisë amerikane ndaj këtyre operacioneve të mos ishte asnjëherë e dukshme”.
4. Walter Bedell Smith
Në detyrë: 1950 – 1953
Përshkrimi: Gjatë viteve të para të ekzistencës së saj, degët e tjera të qeverisë nuk ushtronin shumë kontroll mbi CIA-n. Kjo justifikohej me dëshirën për t‘u krahasuar dhe për të zbuluar aksionet sovjetike në të gjithë globin, një detyrë kjo që sipas disave mund të arrihej vetëm nëpërmjet një qëndrimi të njëjtë me atë të agjencive sovjetike të inteligjencës.
5. Allen W. Dulles
Në detyrë: 1953 – 1961
Përshkrimi: Pas Gjirit të Derrave të vitit 1961, Presidenti John F. Kennedy ushtroi mbikëqyrje më të madhe ndaj agjencisë, edhe pse ajo e zgjeroi aktivitetin në Azinë Juglindore nën Presidentin Lyndon B. Johnson, duke zëvendësuar Dulles me McCone. Autobiografia e Dulles është me vlerë, për shkak se ofron shpjegime mbi njerëzit kyç në veprim, sesa një përshkrim të detajuar të CIA-s.
6. John McCone
Në detyrë: 1961 – 1965
Përshkrimi: Pavarësisht mungesës së një sfondi në fushën e inteligjencës, McCone është cilësuar shpesh si një prej menaxherëve më të aftë dhe të shkëlqyer të CIA-s. Ai drejtoi agjencinë gjatë Krizës së Raketave Kubane. McCone dha dorëheqjen në prill të vitit 1956, me pretendimin se ai nuk vlerësohej sa duhej nga Presidenti Johnson.
7. William Raborn
Në detyrë: 1965 – 1966
Përshkrimi: Raborn, një oficer Marine i shquar, i cili kishte drejtuar krijimin e nëndetëseve me raketa balistike, pati një kohëzgjatje të shkurtër dhe të palumtur në krye të CIA-s. Ai nuk kishte eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në fushën e inteligjencës, njohuritë e tij shtriheshin vetëm në aksionet e marinës. Raborn dha dorëheqjen pas 14 muajsh nga fillimi i detyrës.
8. Richard M. Helms
Në detyrë: 1966 – 1973
Përshkrimi: Para se të merrte drejtimin e agjencisë, Helms kishte shërbyer në rangjet e ulëta të CIA-s. Pasi marrëdhëniet e tij me Kennedy-n u prishën, ai u dërgua në Vietnam, ku parashikoi një grusht shteti për rrëzimin e Presidentit Ngo Dinh Diem. Pas vrasjes së John F. Kennedy-t ai u bë zëvendësdrejtor i CIA-s, nën admiralin William Reborn. Një vit më vonë, Helms u emërua drejtor.
9. James R. Schlesinger
Në detyrë: shkurt 1973 – korrik 1973
Përshkrimi: Edhe pse detyra e tij në krye të CIA-s nuk ishte më shumë se gjashtë muaj, ai ndërmori një sërë ndryshimesh organizative dhe në personel. Ai u bë aq i papëlqyeshëm në shtabin e CIA-s në Lengli, Virxhinia, saqë u nevojit të instaloheshin kamerat e sigurisë përballë portretit të tij, nga frika se mund të vandalizohej.
10. William Colby
Në detyrë: 1973 – 1976
Përshkrimi: Colby ishte një tjetër profesionist i inteligjencës, që u bë drejtor i shërbimit më të lartë të inteligjencës. Në dhjetor 1974, gazetari investigativ, Seymour Hersh, bëri publik lajmin e “Family Jewels” në një artikull të faqes së parë në “New York Times”, duke zbuluar se CIA kishte vrarë liderë të huaj dhe kishte përgjuar shtatë mijë qytetarë amerikanë të përfshirë në lëvizjen antiluftë (operacioni KAOS).
11. George H. W. Bush
Në detyrë: 1976 – 1977
Përshkrimi: Bush qëndroi në detyrë për 355 ditë. CIA ishte tronditur nga një sërë zbulimesh, duke përfshirë këtu demaskimin e veprimeve ilegale të CIA-s e aktiviteteve të paautorizuara dhe Bush-it i atribuohet restaurimi i imazhit të agjencisë. Në detyrën e tij si drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Bush i paraqiste përmbledhjen e aktiviteteve Jimmy Carter dhe si president i zgjedhur dhe si kandidat presidencial.
12. Stansfield Turner
Në detyrë: 1977 – 1981
Përshkrimi: Turner eliminoi mbi 800 pozicione operacionale në atë që u quajt “masakra e hallouinit”. Ky drejtim organizues u bë i njohur, sepse pasardhësi i tij pati një qëndrim krejtësisht të ndryshëm. Turner dëshmoi përpara Kongresit, duke dhënë informacion për programin “MKULTRA”, që CIA zhvilloi prej fillimit të viteve ‘50 deri në fund të viteve ‘60.
13. William J. Casey
Në detyrë: 1981 – 1987
Përshkrimi: Gjatë qëndrimit të tij në krye të CIA-s, Casey luajti një rol të madh në formësimin e politikës së jashtme të Reagan-it, veçanërisht në qëndrimin ndaj aktivitetit ndërkombëtar sovjetik. Casey mbikëqyri rizgjerimin e Komunitetit të Inteligjencës, veçanërisht CIA-s, në nivele burimesh njerëzore dhe fondesh më të mëdha seç ishin përpara se të priteshin nga administrata e Carter-it.
14. William H. Webster
Në detyrë: 1987 – 1991
Përshkrimi: Webster vinte nga fusha gjyqësore, duke përfshirë këtu dhe punën si gjykatës e drejtor i FBI-së. Ai pritej që me këtë eksperiencë të rregullonte shkeljet ligjore në CIA. Webster krijoi Aktin e Autorizimit të Inteligjencës në vitin 1991. Ky akt përcaktonte operacionet e fshehta si misione sekrete, në zonat gjeopolitike, ku SHBA-ja nuk është përfshirë hapur dhe dukshëm.
15. Robert M. Gates
Në detyrë: 1991 – 1993
Përshkrimi: Gates u emërua në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nga Presidenti George H. W. Bush, më 14 maj 1991, duke u bërë i vetmi oficer në karrierë në historinë e CIA-s, që u ngrit nga niveli i nëpunësit në rangun e drejtorit. Pasi u largua në CIA, ai u bë president i universitetit “Texas A&M” dhe ishte anëtar i shumë bordeve të korporatave.
16. R. James Woolsey
Në detyrë: 1993 – 1995
Përshkrimi: Si drejtor i Inteligjencës Qendrore, Woolsey është i njohur për marrëdhënien e kufizuar me Presidentin Bill Clinton. David Halberstan thekson në librin “War in a time of peace” se Clinton zgjodhi Woolsey si drejtor i CIA-s, sepse fushata e Clinton-it u kishte bërë kortezh neo-konservatorëve, duke premtuar qëndrim më të ashpër në çështjen e Tajvanit, Bosnjës dhe të drejtave të njeriut në Kinë.
17. John M. Deutch
Në detyrë: 1995 – 1996
Përshkrimi: Deutch vazhdoi politikën e paraardhësit të tij, R. James Woolsey për deklasifikimin e të dhënave që i takonin operacioneve të fshehta amerikane gjatë Luftës së Ftohtë. Deutch vuri kufizime ndaj asaj që ai e konsideronte si politikisht jo korrekte në rekrutimin e agjentëve dhe synoi diversitetin në agjenci, në mënyrë që të përfshiheshin më shumë femra dhe minoritete.
18. George J. Tenet
Në detyrë: 1997 – 2004
Përshkrimi: Tenet ndërmori një mision për rigjenerimin e CIA-s, e cila po përballej me kohë të vështira që prej Luftës së Ftohtë. Numri i agjentëve të rekrutuar për çdo vit kishte rënë në 25. Tenet bëri thirrje për një mision origjinal të agjencisë, sipas të cilit duhej parë se nga cilat vende të botës së post-Luftës së Ftohtë mund të vinte rreziku.
19. Porter J. Goss
Në detyrë: 2004 – 2005
Përshkrimi: Goss u rekrutua nga CIA kur ishte në vit të tretë në universitet, në Yale. Fillimisht ai punoi në Amerikën Latine dhe më vonë në Evropë. Më pas punoi në Kongres për 16 vjet, deri sa u emërua drejtor i CIA-s. Sipas analistëve, ai nuk ishte shumë i suksesshëm, pasi gjatë kohës së tij në detyrë, Shtëpia e Bardhë kishte humbur besimin në aftësinë e tij për të riorganizuar CIA-n.
20. Michael Hayden
Në detyrë: 2006 – 2009
Përshkrimi: Michael Hayden është drejtori i fundit i CIA-s, i cili tashmë do zëvendësohet nga Leon Panetta. Gjatë drejtimit të Hayden, në qershor të vitit 2007, CIA bëri publike dy koleksione dokumentesh të klasifikuara, të cilat përshkruanin aktivitete të ndryshme, në të cilat vihej në dyshim ligjshmëria.
21. Leon E. Panetta
Në detyrë: 2009 – 2011
Leon E. Panetta, italo-amerikan që ka shërbyer si kongresmen dhe shef i stafit në Shtëpinë e Bardhë është zgjedhur nga Presidenti Barack Obama në krye të CIA-s. Ky vendim pati shkaktuar kundërshtitë brenda partisë, duke qenë se dy ligjvënës me eksperiencë vunë në pikëpyetje faktin nëse Obama duhej të emëronte një person me eksperiencë të kufizuar në çështjet e inteligjencës.
22. David Petraeus 2011 e në vazhdim
Petraeus ka qenë komandanti i trupave të koalicionit në Afganistan në 2011 zëvendësoi Leon Panetta, i cili u emërua në detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Petraeus pati drejtuar fillimisht misionin ushtarak në Irak dhe në qershor 2010 pati marrë komandën në Afganistan.

Google+ Followers