Një riformim i vizionit për botën

Një riformim i vizionit për botën:

Natasha Lushaj

1. Romani i Gazmend Krasniqit, Shitësit e Apokalipsit, Saras2012, i vendos ngjarjet në kohë legjendare (e pakohë) apo si në një kryqëzim alegorik të kohëve të prapësive të fatit me ato të shlyerjes së “fajeve” ose “mallkimeve”. Marrëdhëniet hapësiro-kohore janë krejt tjetër në krahasim me romanin tradicional: tani e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja mbivendosen vazhdimisht, dilet nga koha objektive, e matshme nga sahati, kalohet te koha e “brendshme”, e cila është njëkohësisht kohë “e humbur” dhe kohë “mikse”. Në fakt, është një segment kohe, i hapur në të dyja anët (ku shkrihen: e shkuar – e tashme – e ardhme), fragment në të cilin kohët “ngjeshen” dhe bashkëjetojnë: që nga kohët primitive (shpellore), kohët “brenda telave” të para ‘90-s, deri te kohët postmoderne (avionët, interneti). Por nuk ka kufi të ndarë mes tyre. E shkuara dhe e ndaluara mbeten dhe rishfaqen nga njëri brez te tjetri, duke përsëritur stereotipin e të menduarit apokaliptik. Në funksion të kësaj është mungesa e kufirit midis jetës dhe vdekjes, midis qenies dhe mosqenies, midis botës që rrëfyer dhe asaj të nënkuptuar makthshëm, bota e Përtejanaltës (që gati ngjan me botën e përtejme, aq abstrakte është kuptimi dhe ekzistenca e saj nga analtasit e ngujuar mes mallkimit dhe tabuve). Prandaj edhe hapësira është e “deformuar”: toposi i ngjarjeve del shpesh nga vatra kryesore e tharmit autokton, Analta dhe shtëpia e Kasapit. Më saktë, ajo vatër “zgjerohet” pa kufi, duke qenë po ajo dhe përsëri jo ajo. Hapësira ku jetojnë, ku shkojnë e nga vijnë personazhet është toka dhe qielli, varri dhe shpella, bota përtej dhe pylli, vatra dhe maja e pemës. Hapësira kështu është edhe ajo një segment, e hapur nga të katër anët.

Gjuha e romanit nuk përshkruan “faktet”, por motivet dhe influkset e ndërgjegjes, labirintet e psikës, nisur nga konceptualiteti i një shoqërie me një vizion të thyer, të fragmentuar, të dalëboje, të realitetit. Këtij lloj romani nuk mund t’i kërkosh një paraqitje të qartë, me logjikë, të gjërave dhe pika fikse të verifikueshme të kohës dhe hapësirës. Kontakti si lexues me këtë lloj teksti është shumë më tepër se përjetim estetik, është riformim i vizionit për botën ku jeton.
Ajo që e unifikon këtë kronotopi të absurdit të përjetshëm është motivi i përsëritjes së mallkimit dhe i apokalipsit, që i trondit në rrokullimën e tyre, sa herë që ndërgjegjja njerëzore rinxjerr në rend të ditës ndryshimin, tejkalimin e tabusë. Janë ngjarje që ndodhin jo në kohë, por në psikë. Jo në realitet, por në gjuhë.
Ky lloj romani bëhet përshkrues i ndërgjegjes në krizë të njeriut bashkëkohor, në një shoqëri që e shqelmon, e godet dhe e dëbon nga radhët e saj, e bën të ndihet i huaj me veten dhe me të tjerët, me gjithë botën. Nga kjo narrativë dalin personazhe që çmontohen në historinë e dështimit të tyre, në historinë e ndërgjegjes së tyre të thyer. Por, sipas nesh, romani i G. Krasniqit e “lexon” realitetin edhe në përmasën e vet sociale, e reflekton krizën e thellë të njeriut, duke sonduar në ndërgjegjen e tij. Kufijtë e njeriut / lexim-receptimit ndoshta duhen kërkuar në vështirësinë dhe shpesh në paaftësinë për të paramenduar si hipotezë edhe një “njeri të ri” / lexues të ri.

2.
Gazmend Krasniqi




Realitetin e romanit mund ta shohësh nga disa pikëshikime, në disa perspektiva, për t’iu përshtatur shndërrimeve të një bote që shumëfishohet e ripërsëritet, që mbivendoset, që thyhet dhe riformohet, por nuk është më kurrë e njëjta ose nuk është më kurrë ajo e para. Alegoria e errët e rrugës së ndaluar, të mbuluar prej kohësh, ndoshta prej shekujsh, me ferra të pakalueshme, saqë fëmijët rriteshin pa e mësuar qenien e saj, nën frikën e zemërimit të tmerrshëm të kuçedrës, mund të ketë gjithfarë nëntekstesh: nacionale, politike, sociale, intime, fetare, psikologjike. Është tema e shkeljes së tabuve, pas së cilës duket se do të vijë fundi i botës. Tabuja e parë lidhet me tentativën e zbulimit të enigmës së botës së madhe, të asaj që digjet frikshëm dhe e pakuptueshme tutje në horizontin e pashkelur kurrë nga askush. E dyta lidhet me zbulimin në një rrafsh tjetër të enigmave: nëpërmjet dijes, arsyes, shkencës. Dija si fatkeqësi mes njerëzve të padijshëm, krejt specifike si motiv në hapësirën e letërsisë sonë, ndoshta nga Camaj e këtej, vjen me figurën e mësuesit dhe pastaj nxënësve të tij, bijve e nipërve të Kasapit. Por gjatë leximit del se enigma më e madhe është brenda vetë njeriut, në raportet e ndërlikuara mes dashurisë e urrejtjes, instinkteve dhe arsyes, lidhjeve të gjakut dhe lirisë individuale, shtysave misterioze të frikës dhe gjakmarrjes, në rrathë gjithnjë e më të ngushtë, gjer në cakun e fundit të thjesht ekzistencës fizike, në një botë armiqësore, e mbushur me hakmarrje e paragjykime instiktive, frikëra e ankthe ekzistenciale. Raportet mes vetëdijes së individit dhe shtresave të vetëdijes kolektive të gjenit dhe familjes u ngjajnë palimpsesteve, që rrezatojnë që nga errësira dhunë, ankth, shpresë të turbullt dhe një dritë të largët, që i josh protagonistët ta kërkojnë larg Analtës shpëtimin e tyre. Por të gjithë rikthehen po aty, për të çuar deri në fund atë që është parathënë, pa i ikur dot fatit dhe ndërgjegjes. Në të gjitha rastet njeriu do të përshkojë ciklin e vet të vuajtjes në një përpjekje të pafund për mbijetesë. Romani mbyllet me shuarjen e vijës mashkullore të fisit të kasapit, për t’u shtrirë në shuarjen e tërë fshatit, ironikisht bash atëherë kur nuk pritej: as dashuria nuk i shpëton nga faji i shkeljes së tabusë, që i ndëshkon tash tri breza.
Zymtësia e perspektivës sikur të çon në idenë e destinit të mbirjes së një gjeni të ri, krejt të pamolepsur nga primitivizmi i hakmarrjes, frika, dhuna dhe izolimi tragjik. Kjo e parathënë vesh pothuaj të gjitha personazhet, me gjithë origjinalitetin e ndërtimit të dramës së secilit. Nëpërmjet ndërthurjes së mjeteve të së mrekullishmes, fantastikes, magjikes, së bukurës dhe tragjikes, ata mbartin në skemën e motivit të përbashkët, dramën e domosdoshmërisë së ikjes që aty, si nga kurthi i mallkimit të fatit, me kontrapunktin e shpirtit kërkues, etjes për zbulime brenda botës së tyre instiktive dhe në universin e pafund.
Planet konceptuale të figurave dalin nga skemat e zakonshme: ata janë sa njerëz, po aq hije të vdekurish, ata janë fantazma që nuk mund të fotografohen, por kjo nuk i ndalon të guxojnë e të ëndërrojnë, të urrejnë e të vrasin, të dashurohen, të lindin fëmijë e të zhyten në shkrimet e dijeve e të shkencës moderne për eklipset dhe makinat fluturuese. Ata verbohen nga dhimbja, por fitojnë aftësinë për të parë të papashmen e të pandodhurën ende; ata lindin për të qenë binjakë, por e jetojnë gjithçka përgjysmë, prania e mistershme e tjetrit i shtyn prapa në instinktet shpellore. Është një botë fantazmagorike, në një kaos fataliteti e përpjekjesh mbinjerëzore, e parë si përmes një nebuloze të kuqërremtë gjaku e zjarri, në kufirin ku ndahet errësira e erës së instinkteve dhe dogmave me dritën e erës së arsyes dhe harmonisë.

Google+ Followers