E bukura e fjalëve të pista

Sipas ekspertëve, janë fjalët e fundit "magjike". Falë tyre arrijmë të shprehim ato që nuk mund të shprehim, nga seksi deri te surprizat. Përmes tyre arrijmë të evitojmë edhe kontaktet fizike


Për Zigmund Frojdin, babanë e psikanalizës, "ai që për herë të parë i tha kundërshtarit një fjalë fyese në vend të një fjale të ëmbël, ishte themeluesi i qytetërimit".

Ndërsa shkencëtarë të tjerë mendojnë kështu: ndoshta fjala e parë e thënë nga njeriu ka qenë një fjalë e pistë. Në fakt, hipoteza është e etologut Edibl Eibsfeld: për të ofendimet kanë qenë motori më i rëndësishëm i zhvillimit të një gjuhe, sepse kanë ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve, në mënyrë jo të përgjakshme. "Nëse i merr partnerit një objekt duke e kërcënuar, kjo provokon një veprim të drejtpërdrejtë. Kështu, duke përdorur fjalë me shprehje kërcënuese, hap një diskutim që mund të të çojë në zgjidhjen e konfliktit pa dhunë", thotë ai. Megjithatë, ndonjëherë fyerjet provokojnë reagime të dhunshme (Zidane në rastin e Materazzit). Nga ana tjetër, fjalët e pista kanë një histori thuajse mijëravjeçare: në fakt shfaqen në "Epin e Gilgameshit", madje edhe në Bibël, ku profeti e dënon tradhtinë bashkëshortore nga ana e gruas, duke e quajtur të përdalë. Mund të themi, gjithashtu, se tashmë përdorimi i fjalëve të pista nuk dënohet as ligjërisht. Për shembull, në Itali, në ligjin 205 të vitit 1999, shkruhet se fjalët vulgare kanë hyrë në fjalorin e të gjithëve dhe nuk përbëjnë më një ofendim që duhet ndëshkuar. Nga ana tjetër, sipas sondazheve më të fundit, është zbuluar se në botë thuhet një fjalë e pistë çdo 21 minuta. 

Rreziku i burgut

Megjithatë, shumë ligje të tjera i dënojnë fjalët e pista. Kështu, nëse ofendon Presidentin e Republikës apo një gjykatës të lartë, mund të dënohesh deri në pesë vjet burg. Po përse fjalë të tilla kanë kaq shumë "pushtet"? Sepse mund të thuash feçe, jashtëqitje, e të tjera si këto, por nëse thua m... atëherë është e vërtetë se do të akuzohesh si një njeri i paedukatë. Megjithatë, për një përgjigje më të saktë, duhet të përcaktohet se çfarë është një fjalë e pistë dhe çfarë ka ndryshe nga fjalët e tjera, ndonëse duhet pranuar se është një sipërmarrje e vështirë, madje edhe për vetë studiuesit e gjuhës. Timothy Jay, psikoanalist i "Kolegjit të arteve të lira" në Massachusetts, një nga ekspertët më të mëdhenj të kësaj teme në botë, ka thënë se fjalët e pista janë "fjalë magjike", të ngelura te njerëzimi prej shekujsh dhe arrijnë të kenë 8 efekte, të cilat fjalët e tjera të zakonshme nuk mund t\‘i kenë. Ja se cilat janë. 

1. Të thuash atë që mendon 


Kur përdorim fjalë të tilla si dreq apo m... arrijmë që të përkthejmë në fjalë emocione të tilla si: zemërim, frustrim, surprizën dhe frikën... Vetëm kështu mund të arrijmë të shprehim agresivitetin tonë kundrejt një objekti ose një situate, duke evituar kështu që ngjarje të tilla t\‘i vuajmë brenda vetvetes. Kështu, sipas studimeve në fushën e mjekësisë, edhe shumë shqetësime psikosomatike, si hipertensioni ose koliti, ndikohen shumë nga zemërimi i pashprehur.

2. Eksituese

Një fjalë e pistë në dy të tilla është e turpshme: flet për seksin në mënyrë eksplicite. Në ndryshim nga emrat shkencore (prapanica) fjalët e turpshme (b..) arrijnë të bëjnë "të imagjinosh pjesën e trupit për të cilën po flet", thotë Frojdi. Seksi është ana jonë më intime dhe misterioze: kjo shpjegon edhe arsyen se përse ka frymëzuar qindra fjalë në çdo gjuhë të botës dhe përse gjuha e seksit është tabu: "E vetmja mënyrë për t\‘i bërë të \‘sjellshme\‘ fjalët e seksit do të ishte që seksi të bëhet i sjellshëm dhe kjo nuk mund të ndodhë kurrë", thotë Jay.

3. Nevojën 

Për psikanalizën, edhe termat që u referohen nevojave njerëzore (urinimi ose jashtëqitja) hyjnë në sferën seksuale. Dhe, në fakt, rrënjët e fjalëve të tilla janë vërtet antike. Janë "produkti" ynë i parë, një burim i kënaqësisë së çlirimit dhe në shumë kultura antike ishin konsideruar si treguese për sëmundjet e ndryshme në trup, madje dikur janë përdorur edhe si ilaçe. Ishte vetëm jeta sociale që i bashkëngjiti feçeve fjalën "të pështira", për shkak të frikës se pakontrollimi i tyre rrezikonte seriozisht higjienën", thotë Paul Rozi i Universitetit të Pensilvanisë. 

4. Argëtim

Fjalët vulgare, në fakt, janë përbërësit kryesorë të humoreve dhe barsoletave. Shumë prej tyre, nëse ato nuk do të ishin, nuk do të na argëtonin. Duke thyer një tabu, në fakt fjalët e pista na ofrojnë një sens lirie dhe trasgresioni për shprehjen e impulseve seksuale dhe agresive. 


5. Afrimitet 

Përse i themi ndonjë miku të vjetër "Përshëndetje, idiot" dhe ai nuk ofendohet? Sepse nga toni i zërit kuptohet menjëherë që ai "ofendim" është thënë pa të keq, për shkak të afrimitetit të krijuar. Megjithatë, fjalët e pista nuk janë vetëm fjalë rrugësh, ato janë edhe drejtues komunikimi.

6. Të tërheqësh vëmendjen

Ka një diferencë të madhe midis shprehjeve "çfarë do" dhe "çfarë m.. do". Në rastin e dytë fjala "m..." tregon qartë irritimin dhe zemërimin e personit që po ju drejtohet në një mënyrë të tillë. Shpesh përdoren fjalë ofenduese edhe për të tërhequr vëmendjen, provokuar, e kërcënuar. Jo rastësisht disa vepra arti ose fushata publicitare përdorin fjalët e pista për të tërhequr vëmendjen e publikut. Me pak fjalë, si adoleshentët: fjalët e tyre fyese dhe të ndyra duket sikur janë një kod i veçantë për të shprehur pakënaqësitë ndaj më të rriturve, rebelimin ndaj autoriteteve për t\‘u arratisur nga klishetë, me pak fjalë për të pasur lirinë e të thënit të çdo gjëje që u kalon nëpër mend pa e menduar. 

7. Ofendojnë ose mallkojnë 


Le të themi një nga shprehjet më të përhapura: "Fytyrë m..." Në fakt, ofendimet funksionojnë kështu: nëse dikujt do ia thoshin diçka të tillë, duket qartë që duam ta ofendojmë, duke i krahasuar pjesën më delikate të trupit (fytyrën) me b... Sipas studiuesve, ofendimi është një veprim që përdor fjalët në vend të armëve. Me pak fjalë të vrasin, por jo në mënyrë të dhunshme. Akoma më magjike janë edhe mallkimet. Ato, që janë tërësisht e kundërta e mirësive dhe urimeve, bazohen në besimin se personit të cilit po ia thua, t\‘i ndodhë diçka e keqe. Domethënë, të flasësh është njëlloj sikur ke bërë magji për t\‘i ndodhur ajo që ti dëshiron për të.

8. Mënjanimi

Fjalët e pista nuk përdoren vetëm për të ulur vetëvlerësimin e kundërshtarit. Mund të kenë një efekt akoma më shkatërrues. Nëpërmjet tyre dikë mund ta transferosh brenda një grupi "ndryshe", anormal, jashtë ligjeve. Fjalët e pista mund të kenë në qendër pozicionet e ndryshme sociale (bastard, me pak fjalë fëmijë i paligjshëm), defektet fizike (trashaluq), defektet psikike (budalla), moralin (kurvë, pederast). Ofendimet, në fakt, reflektojnë vlerat e një kulture. Kështu, nëse në Mesjetë zezak ishte një ofendim, sot nuk ka thuajse asnjë efekt. 

Fuqia

Atëherë ç\‘mund të nxjerrim nga kjo analizë? Fjalët e pista kanë "pushtet", sepse janë të ndaluara: janë tamam si krahë, që fluturojnë falë rezistencës së ajrit. Njëkohësisht janë edhe "magjike", sepse janë një gjuhë e specializuar për të shprehur ose fshehur emocionet. Në fakt, fjalët e pista përfshijnë aspektet themelore të mbijetesës: seks ose dashuri, agresivitet kundrejt personave që pengojnë jetën dhe vlerësimin tonë për veten. Gjithashtu, largojnë frikën e vdekjes, sepse përfaqësojnë në mënyrë direkte aspektet më delikate dhe më vitale të ekzistencës. Ato janë produkt i bashkëjetesës sociale, ndaj përdoren me kujdes të madh, mbi të gjitha në marrëdhëniet me të tjerët. Nga ana tjetër, ç\‘botë do të ishte nëse ato nuk do të ekzistonin? 

Google+ Followers