WIKILEAKS, Bilancet e fshehtë


Jeanne Whalen
David Crawford
Faqja e internetit WikiLeaks, e cila mbështet kauzën e transparencës, duke bërë publikë dokumenta sekretë apo të rezervuar, ka krijuar një rrjet kompleks financiar global për të mbrojtur një sekret të madh të sajin: kush e mbështet ekonomikisht. Disa qeveri dhe disa kompani, pas botimit të dokumentave të rezervuar, kanë ngritur padi kundër WikiLeaks si dhe janë përpjekur të bllokojnë aksesin në të. Në një intervistë të dhënë në Londër në korrik, pak kohë pas botimit të 76 mijë dokumentave të fshehtë të SHBA në lidhje me luftën në Afganistan, krijuesi i WikiLeaks, Julian Assange deklaroi se është i shqetësuar se mos në të ardhmen do të vihen në shënjestër paratë dhe infrastruktura e grupit.
Shpërndarja e dokumentave mbi Afganistanin, të cilët dokumentojnë vdekjen e mijëra civilëve, korruptimin e shërbimeve të fshehtë pakistanezë, forcën e talebanëve dhe dhunën e ndërhyrjes së SHBA në këtë vend ka shkaktuar një polemikë ndërkombëtare dhe sot të gjithë prozhektorët janë drejtuar nga WikiLeaks.
Faqja ka krijuar një sistem kompleks për të grumbulluar dhe shpërndarë donacionet në mënyrë të tillë, që të fshihet origjina dhe destinacioni. Pikë e referimit e sistemit është një fondacion gjerman i ngritur në kujtim të një hackeri të vdekur në vitin 2001. Gjatë historisë së saj të shkurtër, WikiLeaks ka kaluar një seri ulje ngritjesh financiare.
Në fundin e vitit 2009, faqja u desh të mbyllet për mungesë fondesh por, me aq sa thotë Assange, që nga fillimi i 2010 ka arritur të grumbullojë afro një milion dollarë. Megjithatë, paqartësia financiare e WikiLeaks duket të jetë në kontrast të plotë me transparencën totale, që faqja pretendon nga qeveritë dhe kompanitë e mëdha. "Të menaxhosh një organizatë është punë e rëndë, për më tepër ne na spiunojnë dhe denoncojnë në vazhdimësi", ka thënë Assange.
Në vitin 2008, banka zvicerane Julius Bär & Co, ka paditur për dëme WikiLeaks përpara Gjykatës Federale të Kalifornisë, me akuzën se ka botuar dokumenta të vjedhur. Gjykata vendosi të mbyllë faqen wikileaks.org, por pas protestave të aktivistëve, banka e tërhoqi akuzën. Assange nuk do të japë emrat e donatorëve dhe shoqërive që ofrohen përmes donacioneve, por ilustron me vija të përgjithshme sistemin e financimit të grupit. Në qendër të rrjetit financiar të WikiLeaks është Fondacioni gjerman Wau Holland. Faqja e internetit u bën thirrje donatorëve të ofrojnë para për të nëpërmjet fondacionit, i cili në bazë të ligjit gjerman nuk mund të zbulojë emrat e donatorëve. Duke qenë se fondacioni nuk është një kompani operative "nuk mund të përmendet në gjykatë apo në padi. Kështu që, paratë e donatorëve janë të mbrojtur nga veprimet ligjore", shpjegon ai.
Donatorë bujarë
Fondacioni gjerman është vetëm një pjesë e rrjetit të WikiLeaks. "Jemi të regjistruar si bibliotekë në Australi, si Fondacion në Francë dhe si e përditshme në Zvicër", shpjegon Assange. Në SHBA, WikiLeaks ka dy ente bamirësie që shërbejnë si mbulesë. Assange nuk jep emrat e tyre, sepse grupi mund të "humbasë një pjesë të kontributeve nëse zbulon informacione delikatë politikisht".
Assange këmbëngul që, WikiLeaks i siguron gjysmën e parave falë donacioneve modestë përmes faqes së internetit dhe gjysmën tjetër me "kontakte personalë".
"Persona që kanë miliona në llogaritë e tyre na telefonojnë dhe na thonë: jap dhjetë mijë, apo gjashtëdhjetë mijë dollarë", thotë pa e specifikuar vlerën.
Marrja e parave nga fondacioni është e komplikuar. WikiLeaks paraqet faturat dhe fondacioni ofron fondet për ti rimbursuar. Duke qenë se ligji gjerman detyron fondacionin që të bëjë publike shpenzimet, WikiLeaks përdor "fondacione të tjerë" për të grupuar faturat që i dërgohen fondacionit kryesor, dhe kështu kompanitë me të cilat bën biznes qëndrojnë anonime. Në këtë mënyrë, askush nuk është në gjendje të kuptojë, për shembull, se kush paguhet nga WikiLeaks për infrastrukturën e internetit apo ku gjendet kjo infrastrukturë.
Sipas Daniel Schmitt, zëdhënës i WikiLeaks dhe Hendrik Fulda, zëvendës president i Fondacionit, deri sot Wau Holland ka derdhur 50 mijë euro në llogarinë gjermane të WikiLeaks, të gjitha në këmbim të faturave. Kontrolli i llogarisë i është besuar Schmitt.
Sa kushton fshehtësia
Fulda shpjegon se, donacionet për WikiLeaks që kryhen nëpërmjet Fondacionit Wau Holland janë mesatarisht nga 20 euro. Më i larti - dhjetë mijë euro - erdhi nga një donator gjerman pas botimit të dokumentave mbi luftën në Afganistan. Sipas Schmitt, WikiLeaks ka nevojë për afro 200 mijë dollarë në vit për të mbuluar shpenzimet operative. Nëse faqja do të vendoste të paguante pagat e pesë anëtarëve të stafit, siç po mendon të bëjë, do ti duheshin afro 600 mijë euro në vit. Sipas Fuldas, WikiLeaks ka nevojë për një shumë diku midis 10 mijë dhe 15 mijë euro në muaj për të mbajtur rrjetin e vet aktual. Në fund të 2009, kur donatorët kontribuonin me vetëm 2 apo 3 mijë euro në muaj, WikiLeaks mezi mbijetonte.
Kështu në dhjetor faqja u mbyll, duke lëshuar një apel për të dërguar para tek grupi nëpërmjet Fondacionit Wau Holland. Brenda pak kohësh, donacionet e përmuajshëm u rritën me 20 herë. WikiLeaks u rihap në maj, "por pas pak ditësh donacionet ranë, duke shkuar pothuaj në nivelet e mëparshëm", rrëfen Fulda. Luhatjet bënë të dyshojnë partnerët bankarë të Wau Holland, përfshirë PayPal dhe Bay që kërkuan sqarime. "U shpjegova që nuk bëhej fjalë për pastrim parash, por për donacione për WikiLeaks", thotë Fulda. Një zëdhënës i PayPal ka thënë se, shoqëria po vëzhgon ende donacionet dhe kontributet për WikiLeaks.
Duke mos mundur të thotë më shumë në lidhje me llogarinë, ai ka shpjeguar, që në bazë të ligjeve kundër riciklimit dhe normave të veta, PayPal ka detyrimin të hetojë mbi llogaritë kur këto i kalojnë disa limite. WikiLeaks u përpoq që të shkëputet nga PayPal, duke shtuar opsione të tjerë pagese direkt në faqe, përfshirë edhe Flattr.com, një sistem me bazë në Suedi dhe Moneybookers, me bazë në Britaninë e Madhe.
Përmes një zëdhënësi, MoneyBookers bëri të ditur se i ka ofruar shërbime WikiLeaks, "por duke qenë se grupi nuk pajtohej me standardet tanë, nuk pati marrëveshje". Zëdhënësi nuk pranoi të thotë më shumë.
Flattr.com u shpreh se, "jemi shumë krenarë dhe të kënaqur që ndihmojmë WikiLeaks. Puna e tyre është vërtetë e domosdoshme. Përpiqemi ti ndihmojmë si të mundemi", ka deklaruar themeluesi, Peter Sunde Kolmisoppi.

Google+ Followers