Teoritë e komplotit fillojnë që në mars 1962


Mars 1962

Operacioni Northwoods: Hartuesit e planeve ushtarake hedhin një propozim, ku eksplorohen të gjithë opsionet e mundshëm për të siguruar mbështetje për një ndërhyrje të mundshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Kubës. Këto ide përfshinin veprime terroriste të stimuluara nga qeveria amerikane. Një tjetër sugjerim ishte rrëzimi i një avioni të telekomanduar, i maskuar si një avion civil. Planet u dërguan tek Sekretari i Mbrojtjes i SHBA për miratim, por ata nuk u zbatuan asnjëherë. Më shumë se 40 vjet më vonë, të dy konceptet - ai i operacioneve të terroristëve falsë kundër civilëve dhe ai i përdorimit të avionëve të telekomanduar për të stimuluar një avion civil - kanë shkaktuar ndezjen e teorive konspirative që pretendojnë se qeveria e SHBA ka qenë në gjendje të përdorte të njëjtat taktika në ditën e 11 shtatorit 2001.
JANAR 2000
Dy rrëmbyesit e parë të avionëve të 11 shtatorit mbërrijnë në SHBA përmes aeroportit të Los Angelesit. Nawaf al-Hazmi dhe Khalid al-Mihdhar ishin të dyshuar për përfshirje në veprimtari terroriste të al Kaedës nga CIA, e cila kishte monitoruar lëvizjet e tyre, ndërkohë që ndodheshin jashtë vendit. Por CIA nuk informon FBI-në, kështu që të dy terroristët nuk shfaqen në listën e të dyshuarve për terrorizëm - dhe duke qenë se kishin viza të vlefshme, hyjnë në Amerikë.
Al-Hazmi dhe al-Mihdhar vendosen në San Diego, duke përdorur emrat e tyre të vërtetë në dokumentet zyrtare. Njëri prej tyre është i listuar, madje në numëratorin telefonik të qytetit. Ata fillojnë të marrin mësime në një shkollë fluturimi, por shumë shpejt dëbohen për shkak se nuk dinë mirë gjuhën.
Në vitin 2001, më në fund CIA paralajmëron FBI-në se al-Hazmi dhe al-Mihdhar mund të jenë në SHBA, por tashmë terroristët kanë kohë që janë larguar nga San Diego dhe nuk mund të gjurmohen. Skeptikët e 11 shtatorit kanë hedhur dyshime në lidhje me versionin zyrtar se si dy prej operativëve më të rrezikshëm të al Kaedës kanë mundur të jetojnë për kaq gjatë pa u vënë re.
SHTATOR 2000
Një think tank amerikan, Projekti për Shekullin e Ri Amerikan boton një raport të titulluar "Ndërtimi i Mbrojtjes së Amerikës: Strategjia, Forcat dhe Burimet për një shekull të ri". Raporti mbron transformimin e ushtrisë së SHBA, duke e bërë atë më të aftë për të mbështetur aspiratën e tyre për një politikë të jashtme amerikane më aktive dhe internacionaliste. Por, autorët pranojnë se, "procesi i transformimit, edhe nëse sjell ndryshime revolucionare, me shumë gjasa do të jetë shumë i gjatë, në rast se nuk do të ketë një ngjarje katastrofike dhe katalizuese - si një Pearl Harbour i ri". Ky rresht ka tërhequr vëmendjen e kritikëve, të cilët argumentojnë se 11 shtatori mund të ketë qenë një përpjekje për të prodhuar efektin e Pearl Harbourit. Megjithatë, raporti nuk mbron një veprim katastrofik, ai thjeshtë parashikon pasojat katastrofike nëse ndodh një i tillë. Mes firmëtarëve të raportit, Paul Wolfowitz, i cili u bë më vonë numri dy i Pentagonit dhe Lewis Scooter Libby, që më vonë do të bëhej shefi i kabinetit i zëvendëspresidentit Cheney.
11 SHTATOR 2001
Sipas versionit zyrtar, janë rrëmbyer katër avionë civilë. Tre prej tyre u përplasën qëllimisht me godina dhe i katërti u rrëzua në një fushë në Pensilvani. 2996 vetë gjetën vdekjen.
0846: Fluturimi 11 i American Airlines përplaset në kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
0903: Avioni i dytë, United Airlines Flight 175 përplaset në Kullën Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
0937: Në Uashington DC, Fluturimi 77 i American Airlines përplaset në Pentagon. Teoritë konspirative hedhin hipotezën që përplasja është e dyshimtë, sepse nuk ekziston një filmim i qartë nga kamerat e sigurisë që të tregojë një avion që godet ndërtesën dhe se dëmi i shkaktuar fasadës duket shumë i vogël për t'u shkaktuar nga një avion civil i madh.
0945: Fluturimi 89 i Delta Airlines i ndërrohet drejtimi në Klivland për shkak të dyshimeve se mund të jetë rrëmbyer. Kryebashkiaku mban një konferencë shtypi ku thotë: "Fillimisht patëm informacione se avioni ishte rrëmbyer dhe se në të kishte një bombë". Shumë shpejt u mësua se fluturimi 89 nuk ishte rrëmbyer dhe menjëherë media lokale bën korrigjimet. Sidoqoftë, lajmet e parë të pasaktë vazhdojnë të jenë në fokus të teorive konspirative.
1002: Fluturimi 93 i United Airlines. Avioni përplaset në Shenksvil, Pensilvani. Sipas teorive konspirative, avioni nuk u rrëzua asnjëherë këtu, për arsye se nuk janë gjetur copëra të mëdha të mbetjeve të avionit në skenën e ngjarjes. Thuhet gjithashtu, se avioni mund të jetë qëlluar në ajër dhe mbetjet e tij janë përhapur në një zonë të gjerë.
1720: Ndërtesa 7 e Qendrës Botërore të Tregtisë, një ndërtesë 47 katëshe pranë dy kullave të mëdha shembet. Nuk ishte goditur nga asnjëri prej dy avionëve të rrëmbyer. Teoritë konspirative mbi 11 shtatorin thonë se u shkatërrua qëllimisht, sepse kishte dokumente kompromentues në zyrat e CIA, Departamentit të Mbrojtjes dhe Shërbimit të Fshehtë, që ndodheshin në ndërtesë.
12 SHTATOR 2001
Menjëherë pas 11 shtatorit, doli në pah një teori konspirative, sipas të cilës, qytetarë izraelitë dhe hebrenj ishin paralajmëruar që të qëndronin larg nga ajo zonë nga një person që kishte patur dijeni paraprake për sulmnet. Historia, që ishte e pavërtetë, e pati burimin në Beirut, shumë shpejt u përhap në Lindjen e Mesme dhe u shfrytëzua nga faqet antisemite të internetit në të katër anët e botës.
10 NENTOR 2001
Presidenti Bush për herë të parë i kundërvihet përhapjes së teorive konspirative mbi 11 shtatorin. Duke folur në selinë e OKB në Nju Jork, ai tha: "Ne duhet të flasim të vërtetën për terrorizmin. Le të mos tolerojmë asnjëherë teoritë e tmerrshme konspirative në lidhje me sulmet e 11 shtatorit; gënjeshtra dashakeqe që përpiqen të largojnë fajin nga terroristët, që janë fajtorët e vërtetë".
PRANVERE 2002
Gazetari francez Thierry Meyssan boton librin "11 shtatori: Gënjeshtra e madhe dhe Pentagate". Eshtë rrëfimi i tij për 11 shtatorin, ku thotë se avioni i Fluturimit 77 të American Airlines nuk u rrëzua në Pentagon.
MAJ 2002
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave nxjerr raportin e saj mbi shkaqet e shembjes së ndërtesave në Nju Jork në 11 shtator 2001. Kapitulli 5 përshkruan shembjen e Ndërtesës numër 7 të Qendrës Botërore të Tregtisë, që sipas Agjencisë, është shkaktuar prej zjarrit të zgjatur, i cili dobësoi kolonat që mbanin ndërtesën.
DHJETOR 2002
Botohet raporti i komisionit të përbashkët hetimor të Kongresit në lidhje me dështimet e shërbimeve të inteligjencës para 11 shtatorit. Më shumë se 30 faqe të versionit të botuar janë redaktuar më herët nga qeveria, për shkak të shqetësimeve që lidheshin me sigurinë kombëtare. Më vonë është marrë vesh se shumica e faqeve të redaktuara kishin të bënin me veprimtarinë e dy rrëmbyesve të parë në San Diego si dhe lidhjet e tyre të mundshme me nënshtetas sauditë që jetonin atje. Bashkëdrejtuesi i komisionit, senatori Bob Graham mendon se veçanërisht FBI nuk dorëzoi prova në lidhje me veprimtarinë e dy rrëmbyesve që jetuan në San Diego.
22 KORRIK 2004
Botimi i Raportit të komisionit të 11 shtatorit i ofron publikut versionin më gjithëpërfshirës të asaj çfarë ndodhi atë ditë, por zbulimet e tij nuk arrijnë gjithsesi të ndalin rrjedhën e teorive konspirative.
MARS 2005
Revista amerikane, Popular Mechanics boton një investigim të titulluar "Zbërthimi i legjendave mbi 11 shtatorin". Më vonë, artikulli zgjerohet dhe botohet si një libër.
PRILL 2005
Loose Change, një film i prodhuar nga regjisori debutues Dylan Avery del në internet. Ai shpërndahet kryesisht në rrjet dhe shumë shpejt shndërrohet në një fenomen mbarëbotëror, i parë dhjetëra milionë herë. Loose Change merret me shumë aspekte të versionit zyrtar mbi 11 shtatorin, duke përfshirë shembjen e Kullave Binjake dhe Kullës Nr.7, rënien e avionit në Pentagon dhe atë të avionit në Pensilvani. Është më popullori i një numri filmash në internet që merren me sfidimin e versionit zyrtar mbi ngjarjet e asaj dite. Të tjerë shembuj të zhanrit përfshijnë "Misteret e 11 shtatorit" dhe "Terrorstorm".
DHJETOR 2005
James Fetzer, një profesor filozofie në pension themelon organizatën "Akademikët për të vërtetën e 11 shtatorit", një lëvizje e cila është përkushtuar për "ekspozimin e falsiteteve dhe zbulimin e të vërtetave" mbi ngjarjet e 11 shtatorit 2001.
16 MAJ 2006
Filmime të Pentagonit jepen përpara Judicial Watch, një fondacion me qendër në Uashington që mbron llogaridhënien dhe transparencën në qeverisje. Filmimet nga dy kamera sigurie tregojnë një objekt që nuk duket qartë, i cili i afrohet ndërtesës dhe pasohet menjëherë nga një shpërthim shumë i madh. Por cilësia e filmimit është shumë e dobët dhe prova jo e plotë. Më vonë, Judicial Watch siguron filmime të marra nga kamera të tjera sigurie nga FBI. Por këto pamje, që janë marrë nga kamera të një pike karburanti aty pranë dhe një hoteli nuk kanë detaje të mjaftueshëm për të kënaqur skeptikët.
31 KORRIK 2006
Botohen në internet prova të çështjes kundër Zacarias Moussaoui. Në vitin 2005, Moussaoui u shpall fajtor për komplotim me rrëmbyesit e avionëve. Një pjesë e madhe e provave lidhen me ngjarjet e asaj dite, duke përfshirë fotografi të vendeve të përplasjes së avionëve si dhe dokumente që u përkisnin rrëmbyesve.
25 TETOR 2006
Departamenti i Shtetit hap një faqe interneti me titull "Teoritë kryesore konspirative të 11 shtatorit", si pjesë e faqes së vet të internetit me titull "Identifikimi i Keqinformimit".
12 SHTATOR 2006
Inspektori i Përgjithshëm i Pentagonit deklasifikon një dokument që vlerëson performancën e ushtrisë së SHBA ditën e 11 shtatorit. Inspektori zbuloi se anëtarë të ushtrisë kishin keqinformuar Komisionin e 11 shtatorit në lidhje me ngjarjet në mëngjesin e sulmeve, por që kjo kishte ndodhur për shkak të mënyrës së keqe të mbajtjes së të dhënave dhe burokracisë. Inspektorët shkruanin se nuk kishte prova që ushtria ishte përpjekur të keqinformonte qëllimisht komisionin në lidhje me ngjarjet e asaj dite.


Nëntë shtatorë më vonë, amerikanët ndalen të kujtojnë
Në orën kur avionët goditën Kullat Binjake, të gjithë bien në heshtje. Njerëzit kanë vepruar njësoj edhe në Pentagon dhe Shenksvil. Emrat e 3000 vetëve që gjetën vdekjen janë lexuar me zë të lartë. Ceremonia u shoqërua nga zhurma dhe efekti mediatik që shkaktoi prifti protestant amerikan Terry Jones, i cili pati paralajmëruar një djegie publike të Kuranit, duke shkaktuar në këtë mënyrë indinjatë në mbarë botën. Edhe ndërtimi i diskutueshëm i një xhamie pranë Ground Zero në New-Jork ka ngjallur diskutime të ndezura. Janë planifikuar demonstrata të përkrahësve dhe të kundërshtarëve të ndërtimit të kësaj xhamie. Në New Jork mijëra qytetarë shprehën me anë të një vigjiljeje me qirinj solidaritetin me myslimanët. Në orën 8.46 të mëngjesit (me orën e New Yorkut) u mbajt një minutë heshtje. Në këtë moment shpërtheu nëntë vite më parë në World Trade Center avioni i parë i udhëtarëve i rrëmbyer prej islamistëve. Veprimtaria përkujtimore qëndrore me Presidentin Barack Obama, u zhvillua në Ministrinë amerikane të Mbrojtjes në Uashington. Edhe Pentagoni ishte objektiv i pilotëve të vdekjes. Presidenti amerikan tha se SHBA nuk do t'i shpallin kurrë luftë fesë islame, por riktheksoi vendosmërinë e qeverisë së vet për ta kapur dhe për ta vrarë kreun e rrjetit terrorist të Al Kaidës, Osama bin Laden.
Presidenti Barak Obama vendosi një kurorë në Pentagon, pranë Uashingtonit, në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ai tha nderimi më i lartë që amerikanët mund të shprehin për personat që u vranë më 11 shtator, është ta jetojnë jetën si amerikanë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, admirali Mike Mullen, tha se personat që mundën t'i mbijetojnë sulmeve terroriste në Pentagon kanë nderuar të vrarët e asaj dite me jetën e tyre, përfshi sakrificat që ushtria ka bërë në luftë pas sulmeve të 11 shtatorit.
Po dje, nënpresidenti Jozef Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë dhe qytetarë privatë morën pjesë në ceremonitë e zhvillura në New York në Kuotën Zero, ku u rrëzuan Kullat Binjake nga sulmet terroriste të 11 shtatorit. Të pranishmit mbajtën një minutë zi në orën 8:46 minuta, për të shënuar orën kur avioni i parë i marrë peng nga terroristët goditi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Pastaj, pas 17 minutash, u mbajt edhe një minutë zi, për të kujtuar momentin e goditjes së kullës së dytë.
Në ceremoninë solemne, u lexuan me zë të lartë nga familjarët, emrat e 2 mijë e 752 njerëzve që u vranë në sulme. Shumë nga pjesëmarrësit në ceremoni mbanin në duar pankarta me fotografitë dhe emrat e të vrarëve. Ceremoni të tjera për të kujtuar 11 shtatorin, u zhvilluan në Shanksville të Pensilvanisë, në vendin ku u rrëzua avioni i katërt i rrëmbyer nga terroristët, ku folën ish-Zonja e Parë e SHBA, Laura Bush dhe Zonja e Parë, Michelle Obama.
Nëntë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi vendin e tij për rreziqet që ekzistojnë nga përçarjet fetare. Islami nuk është fe armiqësore: "Ne nuk ndodhemi në luftë me myslimanizmin", theksoi Obama ditën e premte në një konferencë shtypi dhënë në Shtëpinë e Bardhë. "Ne ndodhemi në luftë me organizatat terroriste, që e keqpërdorin islamin duke përdorur flamurin e islamit për të vënë në jetë aksionet e tyre shkatërruese".
Gjatë sulmeve të islamistëve terroristë mbi World Trade Center në Nju Jork dhe Pentagon në Uashington, më 11 shtator humbën jetën gati 3 mijë vetë. Në kuadër të ngjarjeve përkujtimore të kërij viti shkaktoi tërheqjen e vëmendjes projekti për ndërtimin e një qendre kulturore islamike në afërsi të ish-World Trade Center, si dhe planet e një pastori evangjelist për të djegur publikisht kuranin.
Obama i bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij për më shumë tolerancë: "Kur ne jemi në gjendje të ndërtojmë atje një kishë, një sinangogë apo një tempull hinduist, atëherë mund të ndërtojmë edhe një xhami". Shtetet e Bashkuara janë një komb, theksoi ai: "Ne nuk duhet të lejojmë përçarje nga fetë. Ne nuk duhet të fillojmë të drejtohemi kundër njeri-tjetrit".
Mijëra vetë demonstruan të premten në mbrëmje në Nju Jork me qirinj në duar për ndërtimin e xhamisë. Idhtarët e projektit kërkojnë lirinë e feve. "Ne nuk e pranojmë idenë që fqinjësia në qytetin tonë të mrekullueshëm të jetë e ndaluar për disa grupe njerëzish", tha Susan Lerner nga lëvizja qytetare "Gjëra të përbashkëta". Kundërshtarë të xhamisë kërkuan që kjo të mos ndërtohet direkt në afërsi të ground zero.
Pastori evangjelist Terry Jones ka shkuar ndërkohë në New Jork. Të afërmit e tij thanë se ai ka shkuar të takohet me hoxhën e xhamisë, që është planifikuar të ngrihet. Jones, pastor i një komuniteti fundamentalist në Florida, kishte njoftuar se do t'i vinte zjarrin rreth 200 kuranëve në ditën e përkujtimit të sulmeve terroriste. Kjo shkaktoi protesta në gjithë botën, Ministria amerikane e Mbrojtjes shprehu shqetësimin për sigurinë e ushtarëve në vendet myslimane.
Më në fund, Jones pranoi të mos i digjte kuranët. Atij i është premuar që qendra islamike nuk do të ndërtohet në afërsi të ground zero. Përfaqësues të myslimanëve, thanë se kjo nuk është e vërtetë. Vetë Jones nuk ktheu përgjigje nëse do t'i djegë kuranët në një moment tjetër.
Një leksion nga 11 shtatori
Nëntë vjet më parë, pamë botën të qëndrojë në vend. Pamë pafajësinë e një kombi të shkërmoqet përtokë. Pamë fytyrën e djallit të formohet në shtëllunga tymi dhe hiri. Ishte 11 shtator 2001.
Unë dëgjova një mijë gulçima të njëmijë njerëzve që qëndronin të shtangur si trungje në Times Square, teksa shihnin avionin e dytë që godiste kullën e dytë të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Pashë pamje figurash të vogla që dukeshin si zogj jashtë kullave. Vetëm se nuk ishin zogj, ishin njerëz, të detyruar të dilnin jashtë dritareve prej flakëve, të detyruar të bënin një zgjedhje të pamundur në rrethana të pamundura.
Ne të gjithë pamë kullat që shembeshin, tërësisht, duke rënë nga qiejt atje lartë drejt e në renë e tymit atje poshtë - e tmerrshme dhe e jashtëzakonshme, befasuese dhe e pabesueshme.
Ndjeva që u mpiva krejt, por refuzova të frikësohem. Sjellja ime atë ditë ishte e njëjtë me atë të shumë amerikanëve: terroristët nuk duhet të lejohen të fitojnë.
Amerika nuk do të përkulej. Ne do të ngriheshim, madhështia jonë do të shndëriste dhe idetë tona të lirisë do të mbeteshin një fener për këtë botë.
Kjo është arsyeja përse debati i këtyre ditëve mbi Islamin në Amerikë - që nga qendra komunitare islamike në Manhatan deri tek zërat për djegien e Kur'anit - ka qenë kaq shumë i vështirë për t'u parë. Një pjesë e madhe e debatit duket se është i përqendruar përreth ndjeshmërive të terroristëve që ndodhen një botë larg, të cilët kanë marrë peng pasionet e një besimi fetar, që do të donin të na shihnin të shkatërruar dhe që dëshirojnë të joshin më shumë shpirtëra të lënduar në kauzën e tyre.
Në teori, unë e kuptoj idenë që të mos e ngacmojmë folenë e grenzave, ndërkohë që trupat tona janë ende në qendër të rrezikut. Por nga ana tjetër, më zemëron ideja që debatet e mëdhenj të Amerikës, me të gjithë shëmtinë apo shkëlqimin e tyre, duhet të shkojnë sipas humorit të terroristëve dhe përpjekjeve të tyre për të rekrutuar.
Është e vërtetë se duket se po përjetojmë një ndjenjë të re paranoje për këta ekstremistë dhe rreziku që ata shfaqin. Sipas një sondazhi të ABC News/Washington Post, të bërë publik këtë javë, përqindja e njerëzve që thonë se vendi është më i sigurtë tani nga terrorizmi, krahasuar me 11 shtatorin e vitit 2001, ka mbërritur në një pikë shumë të ulët.
Por ne thjeshtë nuk mund të lejojmë këtë valë të re frike që të na shndërrojë në diçka që nuk jemi. Ne jemi një komb lirish, një komb ku liria fetare dhe liria e fjalës janë njësoj të barabarta, një vend ku ndërtimi i një ndërtese dhe shkatërrimi i një libri janë të drejta që u takojnë të gjithëve, edhe kur shumica i kundërshton.
Shprehja e lirë nuk është gjithmonë e kënaqshme, por ajo duhej që gjithmonë të mbrohet, pavarësisht nga prirjet e armikut. Kjo është Amerika. Në momentin që ne e harrojmë këtë, ata fillojnë të fitojnë.

Google+ Followers