Realpolitikë me stil turk


Turqia po i përmirëson me shpejtësi marrëdhëniet me shumë prej fqinjëve të saj. Pa shumë fanfarë, përpjekjet diplomatike në Ballkan kanë qenë çuditërisht të frytshme. Fleksibiliteti i Turqisë të lë të kuptosh për një realpolitikë që përgënjeshtron çdo nocion të një politike të jashtme të shtyrë nga ideologjia.
Në qershor, duke marrë pjesë në një takim në Stamboll me homologët e tij nga Turqia dhe Bosnje dhe Hercegovina, Vuk Jeremiç, ministri i Jashtëm i Serbisë, tha se ndërmjetësimi turk kishte sjellë më shumë pajtim sesa çdo gjë tjetër përpara tij. Deklarata qe njëherazi goditëse në sinqeritetin dhe përmbajtjen e saj. Nuk qe thjesht një kortezi diplomatike e thjeshtë e Jeremiçit kundrejt nikoqirit të tij. Qe një tregues i fortë i përpjekjeve të zhvilluara prej një dekade nga ana e Bashkimit Europian për ta përdorur "soft power" e tij në vetë oborrin e tij.
Ndoshta fjalët e Jeremiçit duhet të merreshin me pak lehtësi: Jeremiçi, i cili mbushi 35 vjeç në korrik, nuk është midis politikanëve më të vlerësuar të Serbisë dhe diplomatët e Bashkimit Europian rrotullojnë sytë kur përmendet emri i tij. Por deklarata e tij kishte një anë të caktuar, më së paku jo sepse nuk qe e vërtetë. Serbia është një prej vendeve më të zjarrta aspiruese për në Bashkimin Europian, që mëshon me të gjithë fuqinë e saj drejt dyerve të Bashkimit Europian dhe ndjenjat e Jeremiçit ndahen nga diplomatë të tjerë ballkanikë. Një prej tyre e ballafaqoi diplomacinë e Turqisë në Ballkan me atë të Bashkimit Europian dhe pyeti: "Çfarë po bën Bashkimi Europian?". Ai tha se Bashkimi Europian vetëm ofron "mesazhe të një natyre shumë të përgjithshme" dhe më pas dështoi në vazhdimin e iniciativave politike të tij.
Nëqoftëse kritika e Jeremiçit ndaj Bashkimit Europian qe befasuese, po i tillë qe dhe lavdërimi i tij për Turqinë. Serbia dhe Turqia kanë qenë në anë të kundërta gjatë luftave ballkanike të periudhës 1991-1999. Turqia u kujdes shumë për fatin e myslimanëve të Bosnjes gjatë fushatës brutale të spastrimit etnik nga ana e serbëve të Bosnjes, e mbështetur nga Beogradi, në periudhën 1992-1995. Ekzistonte një diasporë e madhe boshnjake në Turqi - emigrantë nga Ballkani gjatë periudhës së fundit osmane dhe të hershme republikane, shumë prej të cilëve të absorbuar krejtësisht në shoqërinë dhe kulturën turke, por akoma të identifikuar si boshnjakë - dhe ajo u bë më e potershme gjatë dekadës midis viteve 1983 dhe 1993, kur Turgut Özal, një reformator, qe Kryeministër dhe President. Turqit e ndjenin se Europa Perëndimore dhe Bashkimi Europian në veçanti i kishin braktisur përgjegjësitë e tyre, praktikisht edhe duke marrë anën e agresorit.
Në vitin 1999 Turqia, një anëtare e NATO-s qysh nga viti 1952 dhe një shtet i vijës së parë gjatë Luftës së Ftohtë, mori pjesë në fushatën ajrore të aleancës për ta përzënë Serbinë nga krahina jugore e saj e Kosovës, me mazhorancën shqiptare (dhe në pjesën më të madhe myslimane) të saj. Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe deklaroi pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, me Turqinë midis vendeve të para që e njohën këtë pavarësi. Serbia i ka kaluar dy vitet e fundit në pengimin e valës së njohjeve dhe aplikoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të siguruar një opinion lidhur me ligjshmërinë e deklarimit të pavarësisë. (Opinioni u dha më 22 korrik)
Marrëdhënie të ngrohta
E gjitha kjo histori e kohëve të fundit u duk e harruar kur Recep Tayyip Erdogan, Kryeministri butësisht islamik i Turqisë, vizitoi Beogradin më 12 korrik. Erdogan erdhi nga Srebrenica - një qytet në Bosnjen lindore, afër kufirit me Serbinë - ku kishte marrë pjesë në përkujtimin e përvjetorit të 15-të të rënies së qytetit në duart e forcave të serbëve të Bosnjes, që më pas masakruan rreth 8000 burra myslimanë boshnjakë me ndihmën e forcave paraushtarake serbe. Erdogan dhe shumë në rrethin e ngushtë të tij duket se kanë ndjenja të forta rreth gjenocidit në Srebrenicë dhe luftës kundër myslimanëve të Bosnjes. Megjithatë, ai nuk pa asgjë që nuk shkonte në udhëtimin drejt Beogradit të nesërmen për bisedime miqësore me Presidentin Boris Tadiç dhe qeverinë serbe. "Pikëpamjet e Serbisë dhe të Turqisë janë krejtësisht identike", tha ai lidhur me çështjen e integritetit territorial të Bosnjes. Çështja e Kosovës "nuk ka qenë kurrë pengesë në marrëdhëniet bilaterale", tha ai. "Kjo ka të bëjë me mirëkuptimin reciprok midis dy vendeve tona; marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë janë një çështje dhe Kosova është një tjetër".
Çfarë e shpjegon këtë ngrohje të papritur në marrëdhëniet turko-serbe? I ka braktisur Turqia armiqësitë e vjetra për të ndjekur strategjinë e "zero problemeve me fqinjët tanë" që Ahmet Davutoglu - ministër i Jashtëm i Turqisë për rreth mbi një vit dhe më parë kryekëshilltari i politikës së jashtme i Kryeministrit - ka qenë duke e promovuar pa u lodhur? Dhe çfarë ka në qëndrimin e Turqisë që e bën Serbinë kaq perceptuese ndaj hapjeve turke?
"Serbët dhe turqit kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira në termat gjeostrategjikë, përveçse gjatë periudhës kur serbët po luftonin për pavarësinë e tyre [nga Perandoria Osmane]", thotë Soli Özel, një pedagog Marrëdhëniesh Ndërkombëtare në Bilgi University të Stambollit. Kjo do të nënkuptonte që pas një periudhe të jashtëzakonshme ku lufta në Ballkan e vendosi Serbinë dhe Turqinë në anë të kundërta, marrëdhënia tani mund të rikthehet në pozicionin e saj të zakonshëm të përzemërsisë. Sinan Ülgen, President i Center for Economics and Foreign Policy Studies (EDAM) në Stamboll, e përshkruan ngrohjen e marrëdhënieve si "surprizë", por shpjegoi interesin e Serbisë në marrëdhënie më të mira me pozicionin aktual të vendit. "Ai ka të bëjë me aranzhimet aktuale [politike] në Beograd, i cili është i ngecur midis Brukselit dhe Moskës", u shpreh ai. "Pasja e një lojtari të tretë është e dobishme për Serbinë si një sinjal për Moskën se kjo e fundit nuk është alternativa e vetme e Serbisë ndaj Brukselit" në një kohë kur anëtarësimi në Bashkimin Europian është një perspektivë e largët.
Një drejtim i ri?
Shumë është bërë gjatë muajve të fundit rreth një "çvendosjeje" apo "shtrirjeje" të Turqisë drejt fqinjëve të saj në Lindje të Mesme. Özel i shikon marrëdhëniet e mirë të Turqisë me Iranin, Irakun dhe Sirinë si një vazhdim të politikës së jashtme turke siç u shfaq nën të ndjerin Turgut Özal, jo si shprehje e një axhende specifike "islamike" (le më pastaj "islamiste"), siç do ta donin shumë vëzhgues perëndimorë. "Në kohën që AKP-ja erdhi në pushtet, afrimi me fqinjët e saj qe tashmë në zhvillim", thotë ai. "[Ministri i Jashtëm Ahmet] Davutoglu është shumë i mirë me fjalët dhe e konceptualizoi mirë atë çka ishte në zhvillim qysh më përpara". Këto janë rezultate politike, jo vetëm produkte të gjeografisë. "Turqia nuk është e rëndësishme thjesht për shkak të vendndodhjes gjeografike të saj, por për shkak të zgjedhjeve historike që ajo ka bërë", thotë Özal. "Turqia mund ta kishte humbur mundësinë e paraqitur nga këto çvendosje, por ajo nuk e humbi".
Një ish-diplomat i lartë turk që punonte ngushtë me Turgut Özal në vitet '90 bie dakord se aspektet themelore të politikës së jashtme të AKP-së u ndërtuan mbi arritjet e mëparshme: në vitin 1996, Turqia ishte në konflikt me 6 prej 9 fqinjëve të saj; qysh nga viti 2002, kur AKP-ja fitoi zgjedhjet e përgjithshme të parat të saj, kjo është përgjysmuar, me Irakun e Saddam Hussein, Qipron dhe Armeninë. Por loja e akuzave sesi Perëndimi e "humbi" Turqinë është në nivelin më të lartë të saj, shpesh pa ndonjë analizë serioze për faktin nëse një humbje e tillë faktikisht ka ndodhur dhe, nëqoftëse po, çfarë mund të shkaktojë. Diagnoza e një postimi drejt lindjes tenton të bazohet vetëm në dy çështje: pozicioni i Turqisë lidhur me Iranin dhe ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza. Por diplomacia ballkanike e Turqisë dhe fuqizimi i lidhjeve me Serbinë në veçanti siguron një korrigjues të pikëpamjeve se politika e jashtme turke po ndjek një axhendë islamiste.
"Jo"-ja e Turqisë ndaj sanksioneve të reja të kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit rreth programit të pasurimit të uraniumit të vendit është treguese për konfliktin mendor që ka hyrë në aleancën e Turqisë me Perëndimin. Diplomatët turkë u tërbuan kur një marrëveshje shkëmbimi lëndësh djegëse në muajin maj midis Iranit, Turqisë dhe Brazilit u hodh poshtë nga Administrata Obama. Ata mendonin se Obama e kishte mbështetur iniciativën turko-braziliane në një letër në muajin prill. Gjithashtu, ata thanë se marrëveshja do të kishte qenë një rezultat i parë i përkohshëm në një proces të gjatë, jo rezultati përfundimtar që amerikanët dukej se e shikonin atë. Ülgen i EDAM-it tha: "Turqit u ndjenë të tradhtuar nga reagimi i Shteteve të Bashkuara [ndaj marrëveshjes me Iranin] jo vetëm për shkak të letrës së Obama, por edhe pse ata qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara teksa përgatiteshin të nënshkruanin me Iranin. Ajo qe vërtet një gafë trashanike diplomatike nga ana e Shteteve të Bashkuara".
Diplomatët turq u ankuan se sanksionet qenë të shtyra nga preokupime diplomatike më shumë se preokupimi për të menaxhuar ambiciet atomike të Iranit. Susan Rice, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, më së fundi ia kishte dalë t'i grumbullonte rusët dhe kinezët prapa një rezolute të re sanksionesh dhe administrata kishte frikë se çdo vonesë në miratimin e saj do ta kërcënonte vetë marrëveshjen, në analizën turke. Por tani, sipas Ülgen, pozicioni i Turqisë ka ndryshuar: ajo është përqendruar në bindjen e Iranit për t'u kthyer tek negociatat me komunitetin ndërkombëtar. "Ky është një ndryshim i mirëpritur për Uashington dhe Brukselin", thotë ai.
Çështja e Izraelit
Retorika e ashpër e Kryeministrit Erdogan pas luftës së Izraelit në Gaza në periudhën 2008-2009 dhe sulmit izraelit ndaj "flotiljes së paqes" të lidhur me Gaza, herët këtë vit i rriti akoma më tej preokupimet nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve se Turqia nuk ishte më një partner i besueshëm. Turqia - për një kohë të gjatë aleati më i ngushtë i Izraelit në Lindje të Mesme - nuk dukej më se e vlerësonte këtë marrëdhënie. Por pavarësisht çarjes në marrëdhënie midis Izraelit dhe Turqisë lidhjet e sigurisë nuk janë ndërprerë, sipas një ish-zyrtari qeveritar izraelian, i cili tha se të dyja palët e kanë zbutur retorikën e tyre gjatë javëve të fundit.
Dukshëm, akuza e bërë nga Thomas Friedman, një editorialist i "New York Times", se Turqia nuk ishte më e fokusuar në futjen në Bashkimin Europian, por më shumë në "frontin e rezistencës Hamas - Hizballah - Iran kundër Izraelit" është thjesht e pakuptimtë. Ndryshe nga aleatët më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme arabe, të tillë si Arabia Saudite apo Egjipti, Turqia është një demokraci funksionuese, pavarësisht prirjeve autoritare të Erdogan dhe një oreksi të caktuar nga ana e shumë turqve për sundim nga një dorë e fortë (duke filluar me vetë Atatürk). Qeveria butësisht islamiste e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nuk mund të lejojë që ta injorojë krejtësisht opinionin publik turk, por kthesa e fortë e Erdogan kundër Izraelit ka burime si diplomatike, ashtu edhe të brendshme: fshikullimi pafundësisht i Izraelit e ndihmon qëndrimin e Turqisë si një fuqi e mesme emergjente.
Kjo pozitë është ndihmuar gjithashtu nga transformimi i brendshëm i Turqisë, i filluar në epokën e Özal dhe i përshpejtuar nga AKP-ja pasi ajo mori pushtetin në vitin 2003, duke çuar në koeficentë të lartë rritjeje ekonomike. "Turqia është një vend me shumë besim në vete këto ditë", u shpreh në muajin prill Hugh Pope, kreu i zyrës së Stambollit i International Crisis Group, një institucion i njohur. Pope, i cili ka jetuar dhe punuar në Lindje të Mesme për më shumë se 30 vjet, shtoi se Turqia tani është bërë një "pol atraksioni në rajon. Për aq kohë sa Turqia e mban në lëvizje progresin e saj drejt Bashkimit Europian, kjo nuk është një lojë me shumatore zero", tha ai.
Gjithashtu, kjo është dhe linja e përqafuar nga Abdullah Gül, Presidenti i Turqisë. "Unë e konsideroj shumë gabim të interpretohen interesat e Turqisë me rajone të tjera gjeografike sikur po shkëputet nga Perëndimi, duke ia kthyer shpinën Perëndimit apo duke kërkuar alternativa ndaj tij. Turqia është pjesë e Europës", tha ai në një intervistë të kohëve të fundit me "Times". Dhe në një intervistë tjetër me Reuters, ai tha se "orientimi" i Turqisë po ngatërrohej me "kontaktet dhe marrëdhëniet" e saj, edhe pse këto qenë "gjëra të ndara".
Realpolitika e Turqisë
Ekziston gjithashtu një dimension tregtar në diplomacinë e re aktiviste të Turqisë. "Nuk mendoj se forca shtytëse kryesore prapa politikës së jashtme të Turqisë është ideologjia", thotë Ilter Turan, një pedagog Shkencash Politike në Bilgi University. "Interesi në rajone të tjera [përveçse nga Bashkimi Europian] është një pasojë e ndryshimeve në ekonominë turke", e cila është shumë më e orientuar nga eksporti sesa përpara reformat e Özal të jepnin fryte. "Tregjet evropiane kanë qenë të shtrënguara dhe Turqia po shikon tjetërkund për investime dhe eksporte".
Në Ballkan, qëndrimi i Turqisë është ndihmuar jo vetëm nga suksesi ekonomik dhe diplomacia e aftë e saj, por gjithashtu edhe nga mefshtësia politike e Bashkimit Europian. Özel i Bilgi University të Stambollit thotë: "Bashkimi Europian ka lënë një vakuum në Ballkan. Ata nuk po zgjidhin asgjë aty, apo jo? Ky është vakuumi të cilin ka mbushur tani Turqia, por nuk mendoj se kjo u nënkuptua që të ishte në konkurrencë me Bashkimin Europian".
Megjithatë, në perceptimet serbe mund të ketë një dimension tjetër për diplomacinë pajtuese të Turqisë në Ballkan - megjithëse kjo nuk është diçka që diplomatët serbë do të reklamonin, qoftë dhe duke folur në kushte privatësie. Erdogan është pasionant rreth gjëndjes së vështirë të palestinezëve në Gaza, por duket sikur është i paprekur nga masakra në mesin e viteve 2000 e myslimanëve në rajonin e Darfurit në Sudan, sa për të dhënë një shembull. Me fjalë të tjera, zemërimi moral i tij është i farkëtuar nga pragmatizmi i një lloji që mund t'i vijë për mbarë Serbisë,
Diplomatët turq punuan rëndshëm, në pjesën më të madhe në prapaskenë, për afrimin midis Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjes. Ata e ndihmuan Tadiçin teksa ky i fundit kërkonte një deklarim parlamentar lidhur me Srebrenicën, e cila u miratua më 31 mars me shumicën që e kapërceu pragun e miratimit të saj vetëm me një votë. Por teksti nuk e përmbante termin "gjenocid", të cilin dy gjykata ndërkombëtare e kanë gjetur se është përshkrimi ligjor i përshtatshëm për vrasjet në Srebrenicë dhe arsyet se pse Turqia nuk do të mëshonte për një deklarim gjenocidi janë tejet të natyrshme. Në muajin mars, pasi Parlamenti suedez miratoi një rezolutë lidhur me masakrimin e armenëve nga osmanët në periudhën 1915-1917, Davutoglu pyeti: "Si mundet një votë të vendosë nëse një ngjarje është apo jo gjenocid?". Edhe pse shumica e studiuesve të pavarur i shikojnë masakrat e armenëve si gjenocid, në parim, kjo është një pyetje e arsyeshme për t'u bërë dhe një pyetje lidhur me të cilën njerëz të arsyeshëm kanë pikëpamje të ndryshme.
Megjithatë, në fund fleksibiliteti i Turqisë lidhur me çështjen qe është e afërt dhe e dashur për zemrën e kryeministrit nënkupton një shkallë realpolitike që e përgënjeshtron çdo nocion të një politikë të jashtme të shtyrë më së pari nga ideologjia.
Toby Vogel mbulon politikën e jashtme për "European Voice", një e përjavshme e grupit Economist në Bruksel.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers