Pablito dhe fundi i lumtur i një përralle të copëtuar


Ishte idhull, u skualifikua, u kthye dhe fitoi Botërorin. Kjo është me pak fjalë parabola e Paolo Rossi, i cili që nga viti 1980 deri në vitin 1982 jetoi dy vitet më të rëndësishëm të jetës së tij. "Kam menduar që ta lë Italinë dhe të pushoj së luajturi futboll. Më ka shpëtuar vetëdija e të qenit i pafajshëm".
Në fillimim pati të njëjtin reagim si ai i Gregor Samsas tek "Metamorfoza" e Kafkës. Është një ankth, një ankth i gjatë, herët a vonë zgjohem dhe gjithçka zhduket. Jo, nuk jam unë, ajo që po më ndodh është ireale. Në fakt ishte tmerrësisht e vërtetë. Paolo Rossi nuk ishte transformuar në një buburrec, por në një kampion futbolli pa futboll. Më tepër: një tradhtar i besnikërisë së tifozëve; një lojtar me fytyrë të pastër, i pasur dhe i realizuar, që ishte shitur për disa miliona dhe disa gola.
Muaji mars, vitit i Zotit 1980. Shitësi i frutave Massimo Cruciani, i lodhur duke paguar lojtarët dhe duke humbur para në baste për rezultate ndeshjesh që nuk dilnin, bën një denoncim në prokurori. Përfshin në këtë çështje shokun e tij të fëmijërisë, pronarin e restorantit "Alvaro Trinca" dhe denoncon 27 lojtarë të serisë A dhe B se kanë marrë çeqe nga 10 deri në 15 milionë lireta për të trukuar ndeshjet. Të dielën, datë 23 mars, blici i karabinierëve: arrestohen në stadiume Presidenti i AC Milan, Felice Colombo dhe 12 lojtarë. Më 29 prill edhe Paolo Rossi futet zyrtarisht në faqen më të errët të futbollit italian: Calcioscommesse. Duke qenë lojtari më i famshëm, i bëhet kopertina. Pezullohet nga Komisioni Disiplinor, nuk mund të luajë më tek Perugia e tij dhe aq më pak në kombëtare.
Pastaj vijnë proceset dhe dënimet. Më të fortit: Milan e Lazio në serinë B; Colombo, Albertosi (Milan) dhe Cacciatori (Avellino) të përjashtuar. 5 vjet skualifikim për Della Martira, shok tek Perugia dhe Pellegrini (Avellino). Për Rossi dhe Zecchini vitet e dënimit janë 3. Pastaj CAF-i do ta rrisë dënimin për disa, si puna e Giordano dhe Manfredonia (Lazio) që kalojnë nga 9 muaj në 3 vjet e gjysëm dhe do ta pakësojë për disa të tjerë, si puna e Rossi: 2 vjet. Jemi në muajin korrik. Paolo Rossi e ka kuptuar se nuk është një ankth. Fillon vera më e shëmtuar e jetës së tij. Është pikërisht ai, një prej lojtarëve që nuk do të luajnë, që humbet 24 muaj të një karriere në ngjitje, me pagesa milionëshe. Po kur të kthehem si do të jem? Mos vallë do të kem humbur gjithçka? Është pikërisht ai që shikohet shtrembër, që kap komente nën zë: "Kush e priste nga Paolo Rossi, një djalë kaq i mirë? Po pastaj që i mashtronte me 2 milionë dhe 2 gola më shumë?".
Këtu qëndron problemi: akoma sot Rossi nuk arrin të kuptojë sesi kanë mundur t'u besojnë figurave të ndyra dhe jo atij. Në mënyrë të veçantë, si kanë mundur të besojnë se do të shitej për kaq pak. I dënuar për dëshmi dhe një ndeshje: Avellino-Perugia 2-2, dygolësh i tij. Një pej rezultateve të pakta të përfunduara siç dëshironin Trinca dhe Cruciani.
Paolo Rossi arrin të qeshë për të gjithë ngjarjen, edhe pse e ardhmja menjëherë më pas i ka rezervuar një verë ringjalljeje, një verë prej mbreti në Botërorin e Spanjës. Dëmshpërblim i fatit? Ndoshta. Ndoshta Pablito ka gjetur ligjin dhe jo drejtësinë. E vërteta, shpesh, është vetëm një dëshirë. Ka mbetur e tillë. Fajtor me mashtrim? Fajtor me naivitet? I pafajshëm? Këtu nuk gjykohet, kujtohet dhe kujtesa është gjëja më njerëzore që mund të jetë. Lëviz gjëra, nxjerr në dritë të tjera. Rossi tregon dhe thotë edhe diçka që nuk e kish thënë kurrë. Vera më e shëmtuar e ka origjinën në dimër.
Fillohet nga tombola e famshme e Vietri sul Mare, vendi i grumbullimit te Perugia, e cila përgatit ndeshjen me Avellino. Paolo Rossi rrufit një aranxhatë dhe tregon: "Jam duke luajtur me shokët, kur vjen Della Martira e më thotë: 'Paolo, a vjen një minutë se dua të prezantoj me dikë'. Ngrihem dhe mendoj për tifozët e zakonshëm, me Della Martira janë Crociani, Cruciani, si e kishte emrin? Dhe një tip tjetër (Bartolucci, miku i Cruciani, shënimi im.). Shoku im më thotë: 'A e di, Avellino do të ishte dakord për të barazuar?'. Unë i përgjigjem: 'Çfarë do të thuash, pastaj ne flasim me skuadrën'".
Stop. Një hap prapa. Ja këtu, gjënë që nuk e kishte thënë kurrë. Në proces, Cruciani pohoi se Rossi kishte pranuar me kusht që ai të shënonte dy gola dhe se pastaj e ndau me Rossi, Zecchini dhe Casarsa çekun prej 8 milionë liretash. Bartolucci e konfirmoi bisedën (në një moment të dytë hodhi poshtë gjithçka). Në një ballë për ballë dramatik me Cruciani, një Rossi i turpëruar u mbrojt duke thënë se takimi zgjati disa sekonda, koha për t'u shfryrë dhe për të akuzuar më pas Della Martira si i kish "prezantuar budallenj".
Por shprehjen "pastaj ne flasim me skuadrën" nuk e përmendi atëherë. Mund të keqësonte situatën? Ndoshta jo, sepse tani shpjegon: "Unë mendoja për ndeshjet e zakonshme që bihet dakord midis dy skuadrave. Nëqoftëse të gjithëve u vjen për mbarë barazimi, atëherë barazohet. Kanë qenë gjithnjë në futboll dhe gjithmonë do të jenë, edhe tani. Por për Calcioscommesse nuk kam menduar kurrë, nuk e dija as që ekzistonte. Në darkë flasim me skuadrën, por askush nuk ishte dakord. Donim të fitonim, pika nuk na interesonte. Fati i keq e deshi që barazuam 2 me 2, ama qe ndeshje e vërtetë, mjafton ta rishikosh. Shkelma, shumë, asnjë nuk është kursyer. Nuk kishte asnjë marrëveshje".
Por procesi dhe historia e kanë futur midis ndeshjeve të pista. "Atë të diel marsi, në blicin e famshëm në stadiume, luanim në Romë. Kur karabinierët arrestuan Zecchini dhe Della Martira, unë dhe shokët e mi po pyesnim se çfarë vallë mund të kishin kombinuar. As nuk na shkonte mendja se gjëja do të kishte lidhje me futbollin. Më pas kam mësuar dhe fatkeqësisht jam përfshirë edhe unë. Por gjatë gjithë periudhës, nga pezullimi im deri tek proceset, çdo ditë kam menduar: tani do të dalë në dritë e vërteta, ankthi merr fund, nuk ka sesi të mos ecë kështu. Kam jetuar sikur gjithçka t'i ndodhte një tjetri. E prisja procesin si një çlirim, kurse në të vërtetë... Ju betohem, nuk e kam imagjinuar kurrë se mund të pësoja as edhe një ditë skualifikim. Kur pastaj CAF-i më ka hequr vetëm një vit, më ka rënë e gjithë bota përsipër. Kam vrapuar menjëherë tek shtëpia në Prato dhe kam parë babain tim të dëshpëruar dhe nënën time që qanë: aty e kam kuptuar vërtet se çfarë më kishte ndodhur. Më kishin hequr 2 vjet punë, 2 vite të jetës. Dhe solla ndërmend fjalët e Simonetta, në atë kohë e fejuara ime: "Paolo, kujdes, duan të ta fusin". Edhe tani jam i bindur se jam instrumentalizuar. Federata dhe drejtësia sportive kanë dashur të përdorin dorë të rëndë: nuk mund ta lironin më të famshmin dhe të dënonin të tjerët".
Risjell në mendje shokët e tij tek Perugia. "Jam i bindur se edhe Zecchini ishte i pafajshëm. Della Martira? Një djalosh i lezeçëm, i dashur. Nga naiviteti, ndonjë gjë mund ta ketë kombinuar. Fitime të lehta? Por qenë shifra qesharake. Ndoshta donte të shitej përpara ndonjërit që të bënte të besonte se mund t'i trukonte ndeshjet. Jo, as e kam parë, as e kam dëgjuar kurrë më. Sigurisht, pak mëri e ndjej".
Paolo Rossi qesh, por brenda rishikon ferrin. Dhe mendimet e rrotullohen si një vorbull. I hedh aty, siç i vijnë.
"Atë verë u stërvita disa herë me Vicenza (tek Perugia ishte i huazuar, shënimi im.), por pa dëshirë. Provoja përbuzje për futbollin. Kam menduar të largohem nga Italia, ta le fare futbollin. Thashë: "Nuk do të më shikoni më në kombëtare". Ju kushtova veshjeve sportive, me skiatorin Gustavo Thoeni. Gjërat më të këqija? Dyshimi i njerëzve, ato shikime... dhe netët e të shtunave, duke e ditur se në zgjim nuk do të kishte ndeshje që do të më prisnin. Më ka shpëtuar vetëdija e të qenit i pafajshëm dhe Juventus".
Juventusi: në marsin e vitit 1981, klubi torinez blen Paolo Rossi. Mungon më shumë se një vit nga përfundimi i skualifikimit.
"Boniperti më thirri: 'Do të vish me ne në grumbullim, do të stërvitesh me të tjerët, bile më shumë se të tjerët'. E kam ndjerë veten sërish futbollist. Letra e grumbullimit tani do të shkaktonte të qeshura. Thoshte që të paraqitesha me flokë të shkurtëra, tregonte çfarë të haje dhe çfarë të pije. Boniperi iashte magjistar në këto gjëra. Kur arrita më tha: 'Paolo, nëqoftëse martohesh është më mirë. Kështu do të jesh më i qetë'. Jam martuar në shtator. Do të kisha vepruar njëlloj, le të themi se jam shtyrë pak (qesh, shënimi im.). megjithatë, më duhet të falënderoj atë, Trapattoni dhe Bearzot. Trap më ka stërvitur me grintën e tij, më ka vënë shumë përkushtim, Bearzot më thirrte shpesh. Nuk më jepte premtime, por më inkurajonte që të punoja mirë, pasi ai më mbante gjithmonë në konsideratë. Themelor".
Erdhi muaji i kthimit, maji i vitit 1982. Juve luan dhe fiton në Udine, është edhe Paolo Rossi në fushë. Trapattoni thotë: "Është ai i një kohe". Dhe ai: "Nuk e kujtoja më emocionin e një ndeshjeje të vërtetë. Dy vite heshtjeje më kanë maturuar. Pikërisht në këtë moment, i them vetes: nuk është vetëm futbolli". Por për të futbolli - dhe çfarë futbolli - do të jetë shumë. Kombëtarja që ngec në zonë dhe goli ka nevojë për të. Bearzot e thërret për Botërorin e Spanjës. Kujtesa shpështillet mbi verën e lumturisë. "Grumbullimin e prisja, Bearzot kishte besim tek unë, në Argjentinë kisha ecur mirë". Por ndeshjet e para janë katastrofë. Tri barazime me Poloninë, Perunë dhe Kamerunin: kualifikim për diferencë golash. Kritika, polemika dhe Rossi që nuk shënon. Bile është katastrofë. "Nuk isha në formë, përkundrazi. Një fantazëm. Gjeja vështirësi për të bërë gjithçka, isha edhe një bllokim mendor. Por besimi i shokëve dhe i trajnerit më kanë dhënë një karikim të jashtëzakonshëm. Djemtë bënin shaka lidhur me faktin që mezi qëndroja në këmbë. Ishte e rëndësishme edhe tallja. Prej stresit, isha dobësuar 5 kilogram. Më bënin stimulime elektrike tek këmbët dhe kujtoj që kuzhinier të gjithë mbrëmjet, në orën 22 e 30 minuta, më sillte në dhomë një gotë qumësht dhe një briosh. Me mbarimin e çdo ndeshjeje, Bearzot më thoshte: "Rri i qetë, tani përgatitu për ndeshjen e radhës". Edhe pas zëvendësimit me Perunë. Qemë një grup i shkëlqyer, prova qe heshtja ndaj shtypit e Vigo. Pranonim kritikat teknikë, por jo dashakeqësi falas. I shkruajta gjithçka: jetë e bukur, kazino, Graziani që kishte humbur 70 milionë lireta, që unë dhe Cabrini ishim së bashku. Për fat, unë bëja rolin e burrit (qesh, shënimi im.). Nuk mund t'i duronim më aludimet idioteske dhe vendosëm që ta mbyllnim gojën".
Nga heshtja tek fitoret. Të mrekullueshme: me Argjentinën, Brazilin, Poloninë dhe Gjermaninë në finale. Nga ndeshjet e shëmtuara, tek një lojë shumë e bukur. Nga fantazma Rossi tek Pablito njeriu i Botërorit. 6 gola, golashënuesi më i mirë. "Ndeshja me Argjentinën ka qenë vendimtare, e fituar duke luajtur mirë. Unë nuk shënova, por isha mirë. Sigurisht, nuk mendonim se do të fitonim Botërorin, por u bindëm se mund të luanim baraz me cilindo. Ndoshta në vitin 1978 qemë më të fortë, përfshi mua, por ajo skuadër ishte një koncentrat karakteri. Golin e parë Brazilit e kujtoj si më të bukurin e jetës time. Nuk kam pasur kohë që të mendoj për asgjë: kam ndjerë një si ndjesi çlirimi. Është e pabesueshme sesi një episod mund të të ndryshojë rrënjësisht: jo më bllokime mendore dhe fizike. Pas atij goli, gjithçka ka ardhur në mënyrë të natyrshme. Ama mos mendoni se i kemi shijuar fitoret. Sapo u kualifikuam për gjysmëfinale, Bearzot tha vetëm: "Le të mendojmë për Poloninë". Gjithmonë të përqendruar, gjithmonë në gadishmëri deri në finale. Për këtë ndoshta kujtimi më i pastër që kam është ndjesia e fishkëllimës finale kundër Gjermanisë. Qemë kampionë bote. Bëra vetëm një gjysëm xhiroje në fushë me shokët: isha i mbaruar. U ula mbi një tabelë të madhe për ta parë turmën entuziaste dhe u emocionova. Por brenda vetes ndjeja një çikë hidhërim. Mendoja: "Ndaleni kohën, nuk mund të ketë mbaruar, nuk do të jetoj më momente të tilla". Kuptova edhe që lumturia, ajo e vërteta, zgjat vetëm çaste".
Skeda e Paolo Rossi: Një karrierë rrënqethëse
Paolo Rossi ka lindur në Prato më 23 shtator 1956. I rritur tek të rinjtë e Juventus, debuton në serinë A me Como me 9 shtator 1975 (Perugia - Como 2 me 0). Nga viti 1976 deri më 1979 luan tek Vicenza, ku fiton një promovim dhe një vend të dytë në serinë A (1977-1978) prapa Juventus dhe titullin e golashënuesit më të mirë me 24 gola. Në sezonin 1979-1980 shkon tek Perugia me formulën e huazimit. Është viti i Calcioscommesse dhe i skualifikimit prej 2 vjetësh. Ndërkohë e blen Juventus. Do të luajë në bardhezi deri në vitin 1985, ku fiton një titull kampion kombëtar, një Kupë Kupash dhe një Kupë Italie me Platini, Boniek dhe 5 kampionë bote. Në vitin 1982, vit i triumfit në Spanjë, Rossi fiton edhe Topin e Artë: midis italianëve, më parë ia kish dalë ta fitonte Gianni Rivera në vitin 1969, më pas do t'ia arrijë vetëm Roberto Baggio në vitin 1993. Në sezonin 1985-1986, ai kalon tek AC Milan dhe një vit më pas e mbyll karrierën tek Verona. Në fund do të jenë 209 ndeshjet në serinë A, të kurorëzuara nga 82 gola. Karriera në fanellën kaltëroshe e Paolo Rossi është për rekord: është deri më tani lojtari italian që ka shënuar më shumë në fazën finale të Botërorëve: 9 gola, nga të cilët 3 gola në Argjentinë në vitin 1978 (vendi i katërt prapa Argjentinës, Hollandës dhe Brazilit); 6 gola në Spanjë në vitin 1982, golashënues i Botërorit që e ka parë Italinë të triumfojë. Me kombëtaren Pablito numëron 48 ndeshje dhe 20 gola.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers