Lidhja e ngushtë mes masonerisë dhe fashizmit


Fuqizimi i fashizmit në kurriz të popullit

Kapitull i marë nga libri "Massoneria e Fascismo" i Fabio Venzi
Gramsci flet në Dhomë për ligjin lidhur me shoqatat sekrete (Legjislatura XXVII - sesioni i parë - diskutime të 16 majit 1925).
Botojmë të zgjeruar transkriptimet e ndërhyrjes së Antonio Gramsci në Dhomë lidhur me shoqatat sekrete, pasi bëhet fjalë për një dokument historik të jashtëzakonshëm: jo vetëm pse tregon intelektualin e madh marksist në përplasje të hapur me Mussolinin në atë që do të mbesë diskutimi i vetëm i tij në Parlament. Por edhe pse analizat e Gramsci, nga ana e tyre janë shumë interesante: pasi ka bërë më dije se praktikisht në projektligj nuk përmendet në mënyrë eksplicite masoneria, ai kalon në analizimin e pozicionit historik të masonëve në shoqërinë italiane. Masoneria është "partia e borgjezisë" italiane e vetme dhe më e fuqishme. Fashizmi e sulmon masonerinë për të zëvendësuar borgjezinë në drejtimin e shtetit.
GRAMSCI
Projektligji kundër shoqërive sekrete është paraqitur në Dhomë si një projektligj kundër masonerisë: ai është akti i parë real i fashizmit për të afirmuar atë që Partia Fashiste e quan revolucioni i saj. Si Parti Komuniste, ne duam të kërkojmë jo vetëm pse-në e paraqitjes së projektligjit kundër organizatave në përgjithësi, por edhe domethënien e faktit se pse Partia Fashiste e ka paraqitur këtë ligj si një ligj të drejtuar kryesisht kundër masonerisë. Ne jemi ndër të paktët që e kemi marrë seriozisht fashizmin, edhe kur fashizmi dukej se ishte vetëm një farsë e përgjakshme, kur rreth fashizmit përsëriteshin vetëm klishetë lidhur me "psikozën e luftës", kur të gjitha partitë kërkonin që ta vinin në gjumë popullsinë punëtore duke e paraqitur fashizmin si një fenomen sipërfaqësor, me jetëgjatësi të shkurtër. Në nëntor të 1920 kemi parashikuar se fashizmi do të ngjitej në pushtet - gjë në atë kohë e pakonceptueshme për vetë fashistët - nëqoftëse klasa punëtore nuk do t'ia arrinte në kohë që ta frenonte me armë avancimin e tij gjakatar. Kështu, fashizmi pohon sot se praktikisht do të "pushtojë shtetin". Çfarë nënkupton kjo shprehje tashmë e shndërruar në klishe? E çfarë domethënieje ka në këtë kuptim lufta kundër masonerisë? Pasi ne mendojmë se kjo fazë e "pushtimit fashist" është një prej më të rëndësishmeve të përshkuara nga shteti italian dhe për atë që i përket borgjezisë dhe për atë që na përket ne që dimë të përfaqësojmë interesat e shumicës dërrmuese të popullit italian, punëtorëve dhe fshatarëve, besojmë kështu të nevojshme një analizë, edhe pse të ngutur, të çështjes. Çfarë është masoneria? Ju keni thënë shumë fjalë lidhur me domethënien shpirtërore të saj, mbi korrentet ideologjike që ajo përfaqëson, etj.; por të gjitha këto janë forma shprehjeje të cilat ju përdorni vetëm për ta gënjyer reciprokisht, duke e ditur se po e bëni. Masoneria, duke pasur parasysh mënyrën me të cilën është ndërtuar Italia e bashkuar, duke pasur parasysh dobësinë fillestare të borgjezisë kapitaliste italiane, ka qenë partia e vetme reale dhe efikase që klasa borgjeze ka pasur prej një kohe të gjatë. Nuk duhet harruar se më pak se 20 vjet pas hyrjes në Romë të piemontezëve, Parlamenti është shpërndarë dhe trupa elektorale prej rreth 3 milionë zgjedhësve është reduktuar në 800 mijë.
Ka qenë ky rrëfimi eksplicit nga ana e borgjezisë për të qenë një pakicë e papërfillshme e popullsisë, nëqoftëse pas 20 vitesh bashkimi ajo është detyruar që t'u drejtohet mjeteve më ekstreme të diktaturës për të ruajtur pushtetin, për të shtypur armiqtë e klasës të saj, që qenë armiqtë e shtetit unitar. Cilët qenë këta armiq? Kryesisht qe Vatikani, qenë jezuitët dhe i duhet kujtuar të nderuarit Martire sesi përkrah jezuitëve që veshin rroben e klerit ekzistojnë jezuitët laikë, të cilët nuk kanë asnjë shenjë speciale që të tregojë rendin e tyre fetar. Në vitet e para të themelimit të Mbretërisë jezuitët kanë deklaruar shprehimisht në një seri të tërë artikujsh të botuar nga "Civiltà Cattolica" se cili ishte programi politik i Vatikanit dhe i klasave që atëherë qenë përfaqësues të Vatikanit, domethënë të klasave të vjetra gjysmëfeudale tendencialisht burbonike në jug apo tendencialisht austriake në Lombardo - Veneto, forca sociale të shumta në numër që borgjezia kapitaliste nuk ka arritur asnjëherë t'i përmbajë, megjithëse në periudhën e Rilindjes ajo përfaqësonte një progres dhe një parim revolucionar. Jezuitët e "Civiltà Cattolica" dhe, për pasojë, Vatikani vinin në qëllimin e politikës së tyre si pikë të parë sabotimin e shtetit unitar, nëpërmjet abstenimit parlamentar, frenimin e shtetit liberal për të gjitha ato aktivitete të tij që mund të korruptonin dhe shkatërronin rendin e vjetër; si pikë e dytë, krijimi i një arme rurale rezervë për t'u vendosur kundër avancimit të proletariatit, pasi qysh nga 71 jezuitët parashikonin se në terrenin e demokracisë liberale do të lindte lëvizja proletare, e cila do të zhvillohej një lëvizje revolucionare. I nderuari Martire ka deklaruar sot që më së fundi, në kurriz të masonerisë, është arritur uniteti shpirtëror i kombit italian. Pasi që masoneria në Itali ka përfaqësuar ideologjinë dhe organizimin real të klasës borgjeze kapitaliste, kush është kundër masonerisë është kundër liberalizmit, është kundër traditës politike të borgjezisë italiane. Klasat rurale që përfaqësoheshin në të kaluarën nga Vatikani, përfaqësohen sot kryesisht nga fashizmi: kështu që është logjike që fashizmi të ketë zëvendësuar Vatikanin dhe jezuitët në detyrën historike, sipas së cilës klasat më të prapambetura të popullsisë vënë nën kontroll klasën që ka qenë progresive në zhvillimin e qytetërimit: ja domethënia e unitetit shpirtëror të arritur të kombit italian, që do të kish qenë një fenomen progresi 50 vjet më parë… [Ndërprerje]. Borgjezia industriale nuk ka qenë e aftë të frenojë lëvizjen punëtore, nuk ka qenë as e aftë të kontrollojë as lëvizjen punëtore, as atë rurale revolucionare. Lejtomotivi i parë instiktiv dhe spontan i fashizmit, pas pushtimit të fabrikave ka qenë ky: "Ruralët do të kontrollojnë borgjezinë urbane, që nuk di të jetë e fortë kundër punëtorëve". Nëqoftëse nuk gabohem, i nderuari Mussolini, atëherë nuk ishte kjo teza juaj dhe midis fashizmit rural dhe fashizmit urban thoshit se pretendonit fashizmin urban…
Musssolini
Më duhet t'iu ndërpres për t'iu kujtuar një artikullin tim me elozhe të larta për fashizmin rural të periudhës 1921-1922.
Gramsci
Por ky nuk është një fenomen pastërtisht italian, edhe pse në Itali, prej dobësisë më të madhe të kapitalizmit, ka pasur maksimumin e zhvillimit: është një fenomen europian dhe botëror, me rëndësi ekstreme për të kuptuar krizën e përgjithshme të pasluftës, si në dominimin e aktivitetit praktik, ashtu dhe në dominimin e ideve dhe të kulturës. Leksioni i Hindenburgut në Gjermani, fitorja e konservatorëve në Angli, me likuidimin e partive liberale demokrate respektive, janë korresponduesi i lëvizjes fashiste italiane: forcat e vjetra sociale, fillimisht antikapitaliste, të koordinuara me kapitalizmin, por jo të thithura krejtësisht prej tij, kanë fituar avantazh në organizimin e shteteve, duke sjellë në aktivitetin reaksionar të gjithë fondin e mizorisë dhe të vendimit të pamëshirshëm që ka qenë gjithmonë i tyre; por në thelb ne kemi një fenomen regresioni historik që nuk është dhe nuk do të jetë pa efekt për zhvillimin e revolucionit proletar. I shqyrtuar në këtë terren, ligji aktual kundër shoqatave do të jetë një forcë apo në fakt është e destinuar që të jetë krejtësisht e irrituar dhe e kotë? Do t'i korrespondojë ajo realitetit, do të mund të jetë mjeti për një stabilizim të regjimit kapitalist apo do të jetë një instrument i ri i përkryer i dhënë policisë për të arrestuar iksin apo ypsilonin? Për pasojë, problemi është ky: situata e kapitalizmit në Itali është forcuar apo është dobësuar pas luftës me fenomenin fashist? Cilat qenë dobësitë e borgjezisë kapitaliste italiane përpara luftës, dobësi që kanë çuar në krijimin e këtij sistemi politik masonik të caktuar që ekzistonte në Itali, që e ka pasur zhvillimin e tij maksimal tek xholitizmi? Dobësitë maksimale të jetës kombëtare italiane qenë në radhë të parë mungesa e lëndëve të para, domethënë pamundësia për borgjezinë për të krijuar në Itali një industri që të kishte një rrënjë të thellë në vend dhe që të mund të zhvillohej në mënyrë progresive, duke thithur krahun e punës të bollshëm. Në radhë të dytë mungesa e kolonive e lidhur me atdheun, domethënë pamundësia për borgjezinë për të krijuar një aristokraci punëtore që në mënyrë të përjetshme të mund të jetë aleate me vetë borgjezinë. E treta, çështja jugore, domethënë çështja e fshatarëve, e lidhur ngushtësisht me problemin e emigracionit, që është prova e paaftësisë së borgjezisë italiane për të mbajtur… [Ndërprerje].
Mussolini
Edhe gjermanët kanë emigruar me miliona.
Gramsci
Domethënia e emigrimit masiv të punëtorëve është kjo: sistemi kapitalist, që është sistem predominues, nuk është në gjendje që t'i japë jetesën, banimin dhe veshjet popullsisë dhe një pjesë jo e vogël e kësaj popullsie është e detyruar të emigrojë…
Rossoni
Kështu, kombi duhet të zgjerohet në interesin e proletariatit.
Gramsci
Ne kemi konceptimin tonë të imperializmit dhe të fenomenit kolonial, sipas të cilit ata janë parasëgjithash një eksportim i kapitalit financiar. Deri më tani "imperializmi" italian konsiston vetëm në atë që punëtori italian emigrant punon për fitimin e kapitalistëve të vendeve të tjera, domethënë deri më tani Italia ka qenë vetëm një mjet i ekspansionit të kapitalit financiar joitalian. Ju e lani gjithmonë gojën me pohime më fëminore se një superioritet demografik i supozuar i Italisë ndaj vendeve të tjera, ju thoni gjithmonë, për shembull, se Italia demografikisht është superiore ndaj Francës. Është një çështje kjo që vetëm statistikat mund ta zgjidhin me vrull dhe unë nganjëherë merrem me statistika; tani një statistikë e botuar pasluftës, asnjëherë e kundërshtuar, pohon se Italia e përpara luftës, nga pikëpamja demografike, ndodhet në të njëjtën situatë si Franca pas lufte; kjo përcaktohet nga fakti që emigracioni largon nga territori kombëtar një masë të tillë popullsie mashkullore, aktive nga pikëpamja prodhuese, që raportet demografike të bëhen katastrofike. Në territorin kombëtar qëndrojnë pleq, gra, fëmijë, invalidë, domethënë pjesa e popullsisë pasive, e cila rëndon mbi popullsinë punuese në një masë superiore ndaj çdo vendi tjetër, edhe ndaj Francës. Është kjo dobësia thelbësore e sistemit kapitalist italian, sipas së cilës ky i fundit është i destinuar që të zhduket më me shpejtësi, aq më shumë që sistemi kapitalist botëror nuk funksionon më për ta thithur emigracionin italian, për të shfrytëzuar punën italiane, që kapitalizmi ynë është i pafuqishëm ta inkuadrojë. Partitë borgjeze, masoneria, si kanë kërkuar t'i zgjidhin këto probleme? Dallojmë në historinë italiane të kohëve të fundit dy planet politike të borgjezisë për të zgjidhur çështjen e qeverisjes së popullit italian. Kemi pasur praktikën xholitiane, bashkëpunimin e socializmit italian me xholitizimin, domethënë tentativën për të vendosur një aleancë të borgjezisë industriale me një aristokraci punëtore veriore të caktuar, për t'i nënshtruar këtij formacioni borgjezo-industrial, masën e fshatarëve italianë, sidomos të jugut. Programi nuk ka pasur sukses. Në Italinë veriore ndërtohet në fakt një koalicion borgjezo-proletar nëpërmjet bashkëpunimit parlamentar dhe politikës së punëve publike për kooperativat: në Italinë jugore korruptohet shtresa drejtuese dhe dominohet masat me "gangot"… [Ndërprerje e deputetit Greco]. Ju fashistët keni qenë mbështetësit më të mëdhenj të këtij plani politik, pasi keni niveluar në të njëjtën mizerje artistokracinë punëtore dhe të fshatarëve të varfër të të gjithë Italisë. Kemi pasur programin që mund ta quajmë të "Corriere della Sera", gazetë që përfaqëson një forcë joindiferente të politikës kombëtare: 800000 lexues janë edhe ata një parti. [Zëra]. Më pak…
Mussolini
Gjysma! Pastaj gazetat nuk numërohen. Nuk kanë bërë asnjëherë revolucion. Lexuesit e gazetave rregullisht e kanë gabim!
Gramsci
"Corriere della Sera" nuk do të bëjë revolucion.
Farinacci
As "Unità"!
Gramsci
"Corriere della Sera" i ka mbështetur në mënyurë sistematike të gjithë politikanët e jugut, nga Salandra, tek Orlando, tek Nitti dhe Amendola: përballë zgjidhjes xholitiane, shtypëse jo vetëm e klasave, por edhe e territoreve të tëra, si jugu dhe ishujt, dhe për pasojë po aq e rrezikshme sa fashizmi për vetëm unitetin material të shtetit italian, "Corriere della Sera" ka mbështetur gjithmonë një aleancë midis industrialistëve të veriut dhe një demokracie të caktuar të vagullt rurale kryesisht jugore në territorin e shkëmbimit të lirë. Njëra zgjidhje dhe tjetra tentonin thelbësisht që t'i jepnin shtetit italian një bazë më të gjerë se ajo fillestare, tentonin të zhvillonin "arritjet" e Rilindjes. Çfarë u kundërvënë fashistët këtyre zgjidhjeve? Ata kundërvënë sot ligjin e ashtuquajtur kundër masonerisë; ata thonë se duan të pushtojnë kështu shtetin. Në realitet fashizmi lufton kundër forcës së vetme të organizuar në mënyrë efikase që borgjezia kapitaliste kishte në Itali, për ta zëvendësuar në pushtimin e vendeve që shteti u jep funksionarëve të tij. Revolucioni fashist është vetëm zëvendësimi i personelit administrativ me një personel tjetër.
Mussolini
Të një klase me një tjetër, siç ka ndodhur në Rusi, siç ndodh normalisht në të gjitha revolucionet, siç do të bëjmë në mënyrë metodike! [Miratime].
Gramsci
Është revolucion vetëm ai që bazohet mbi një klasë të re. Fashizmi nuk bazohet mbi asnjë klasë që të mos ishte tashmë në pushtet…
Mussolini
Por nëqoftëse pjesa më e madhe e kapitalistëve na janë kundër, po nëqoftëse ju përmend kapitalistë shumë të mëdhenj që na votojnë kundër, që janë në opozitë: familjet Motta, Conti…
Farinacci
Dhe subvencionojnë gazetat subversive!
Mussolini
Banka e Lartë nuk është fashiste, ju e dini! [Komente].
Gramsci
Kështu realiteti është se ligji kundër masonerisë nuk është kryesisht kundër masonerisë: me masonët fashizmi do të arrijë lehtësisht një kompromis.
Mussolini
Fashistët i kanë djegur lozhat e masonëve përpara se të bëjnë ligjin! Kështu që nuk ka nevojë për axhustime.
Gramsci
Ndaj masonerisë fashizmi zbaton, duke e intensifikuar, të njëjtën taktikë që ka zbatuar ndaj të gjitha partive borgjeze jofashiste: fillimisht ka krijuar një bërthamë fashiste në këto parti; më pas ka kërkuar që të shprehen nga partitë e tjera forcat më të mira që i vinin për mbarë, duke mos arritur atë që zotëronte monopolin siç propozohej …
Farinacci
Dhe na quani budallenj?
Gramsci
Nuk do të ishit budallenj vetëm nëqoftëse do të ishit të aftë të zgjidhnit problemet e situatës italiane…
Mussolini
Do t'i zgjidhim. Kemi zgjidhur tashmë shumë prej tyre.
Gramsci
Fashizmi nuk ka arritur krejtësisht që ta zbatojë thithjen e të gjitha partive në organizatën e tij. Me masonerinë ka përdorur taktikën e politikës noyautage, pastaj sistemin e djegies së lozhave dhe, së fundmi, përdor aksionin legjislativ, sipas të cilit, personalitete të caktuara të Bankës së Lartë apo të burokracisë të lartë do të përfundojnë për të rënë dakord me dominuesit për të mos e humbur vendin e tyre, por me masonerinë qeveria fashiste do të duhet të bjerë në një kompromis. Si i bëhet kur një armik është i fortë? Fillimisht i thyhen këmbët, pastaj bëhet kompromisi në kushte superioriteti të dukshëm.
Musssolini
Më parë i thyhen brinjët, pastaj burgoset, siç keni bërë ju në Rusi! Ju keni bërë të burgosurit tuaj, i mbani dhe ju hyjnë në punë! [Komente].
Gramsci
Të fusësh në burg do të thotë pikërisht të bësh kompromisin: kështu që ne themi se në realitet ligji është bërë veçanërisht kundër organizatave punëtore. Pyesim se pse prej disa muajsh e këtej pa qenë Partia Komuniste e deklaruar organizatë kriminale, karabinierët arrestojnë shokët tanë çdo herë që ndodhen së bashku me të paktën tri…
Mussolini
Bëjmë atë që bëni në Rusi…
Gramsci
Në Rusi ka ligje që ruhen: ju keni ligjet tuaja…
Mussolini
Ju krijoni rrjete të mrekulluesheme. Bëni shumë mirë! [Qesh].
Gramsci
Në realitet aparati policor i shtetit e konsideron tashmë Partinë Komuniste si një organizatë sekrete.
Mussolini
Nuk është e vërtetë!
Gramsci
Ndërkohë arrestohet pa ndonjë akuzë specifike kushdo që gjendet në një mbledhje tri personash, vetëm pse komunist, dhe plaset në burg.
Mussolini
Ama shpejt nxirren nga burgu. Sa janë në burg? I peshkojmë thjesht për t'i njohur!
Gramsci
Është një formë persekutimi sistemik që i paraprin dhe do të justifikojë zbatimin e ligjit të ri. Fashizmi adopton të njëjtat sisteme të qeverisë Xholiti. Bëni siç bënin në jug "gangot" xholitianë që arrestonin votuesit e opozitës... për t'i njohur.
Një zë
Ka pasur një rast të vetëm. Ju nuk e njihni jugorin.
Gramsci
Jam jugor!
Mussolini, Kryeministër
Lidhur me dhunat elektorale, ju kujtoj një artikull të Bordiga që iu justifikon plotësisht!
Paolo Greco
I nderuar Gramsci, ju nuk e keni lexuar atë artikull.
Gramsci
Jo dhunat fashiste, tonat. [Zhurma - ndërprerje]. Ne jemi të sigurtë se përfaqësojmë shumicën e popullsisë, se përfaqësojmë interesat më thelbësore të shumicës së popullit italian; për pasojë, dhuna proletare është progresive dhe nuk mund të jetë sistematike. Dhuna juaj është sistematike dhe sistematikisht arbitrare pasi ju përfaqësoni një pakicë të destinuar që të zhduket. [Ndërprerje]. Ne duhet t'i themi popullsisë punëtore se çfarë është qeveria juaj, si sillet qeveria juaj, për ta organizuar kundër jush, për ta vënë në kushtet që t'iu mundë. Ka shumë gjasa që edhe ne do të detyrohemi që të përdorim të njëjtat sisteme tuaja, ama si tranzicion, në mënyrë shëndetësore. [Zhurmë - ndërprerje]. E sigurtë: duke adoptuar të njëjtat metoda tuaja, me diferencën që ju përfaqësoni pakicën e popullsisë, kurse ne shumicën. [Zhurmë - Ndërprerje].
Farinacci
Po atëherë pse nuk e bëni revolucionin? Ju jeni i destinuar që të keni fundin e Bombacci! Do t'iu përzënë nga partia!
Gramsci
Borgjezia italiane kur ka bërë bashkimin ishte një pakicë e popullsisë, por përderisa përfaqësonte interencat e shumicës edhe pse kjo nuk e ndiqte, ka mundur kështu të qëndrojë në pushtet. Ju keni fituar me armë, por nuk keni asnjë program, nuk përfaqësoni asgjë të re dhe progresive. Vetëm i keni mësuar pararojës revolucionare se si vetëm armët, në analizë të fundit, përcaktojnë suksesin e programeve dhe të jo programeve… [Ndërprerje - Komente].
Kryetari i Parlamentit
Mos ndërprisni!
Gramsci
Ky ligj nuk do ta frenojë aspak lëvizjen që vetë ju keni përgatitur në vend. Pasi masoneria do të kalojë në masë në Partinë Fashiste dhe do të përbëjë një tendencë, është e qartë se me këtë ligj ju doni të pengoni zhvillimin e organizatave të mëdha punëtore dhe fshatare. Kjo është vlera reale, domethënia e vërtetë e ligjit. Ndonjë fashist i kujton akoma në mënyrë të mjegullt mësimet e mësuesve tuaj të vjetër kur qenë revolucionarë e socialistë dhe besonin se një klasë nuk mund të qëndrojë e tillë në mënyrë të përhershme dhe të zhvillohet deri në marrjen e pushtetit pa pasur një parti dhe një organizatë që i përmbledh anën më të mirë dhe më të vetëdijshme. Ka diçka të vërtetë në këtë perversion reaksionar të mësimeve marksiste. Sigurisht është shumë e vështirë që një klasë të mund të arrijë në zgjidhjen e problemeve të saj dhe në arritjen e këtyre qëllimeve që janë të ngulitura në ekzistencën e saj dhe në forcën e përgjithshme të shoqërisë, pa një pararojë që të krijohet dhe ta drejtojë këtë klasë deri në arritjen e qëllimeve të tilla. Por nuk është e thënë që ky formulim të jetë gjithmonë i vërtetë, në mekanicitetin e jashtëm të tij në përdorimin e reaksionit! Ky është një ligj që shërben për Italinë, që duhet të zbatohet në Itali, ku borgjezia nuk ka arritur në asnjë mënyrë dhe nuk do të arrijë kurrë ta zgjidhë në radhë të parë çështjen e fshatarëve italianë, të zgjidhë çështjen e Italisë jugore. Jo më kot ky ligj paraqitet njëkohësisht me disa projekte që kanë të bëjnë me shëndoshjen e jugut.
Një zë
Flit për masonerinë!
Gramsci
Doni që unë të flas për masonerinë, por në titullin e ligjit nuk përmendet as masoneria, flitet vetëm për organizatat në përgjithësi. Në Itali kapitalizmi ka mundur të zhvillohet për sa shteti ka shtrydhur masat fshatare, veçanërisht në jug. Ju e ndjeni sot urgjencën e problemeve të tilla, kështu që premtoni 1 miliard për Sardenjën, premtime punë publike dhe qindra miliona për të gjithë jugun; por për të bërë punë serioze dhe konkrete duhet të filloni për t'i kthyer Sardenjës 100, 150 milionët në taksa që i zhvasni çdo vit popullsisë sarde! Duhet t'i ktheni jugut qindra milionët në taksa që i zhvasni në vit popullsisë jugore.
Mussolini
Ju nuk i paguani taksat në Rusi!
Një zë
Vjedhin në Rusi, nuk i paguajnë taksat!
Gramsci
Nuk është ky problemi, i nderuari koleg, se duhet të dish të paktën relacionet parlamentare që mbi çështje të tilla ekzistojnë në biblioteka. Nuk bëhet fjalë për mekanizmin normal të tatimeve: bëhet fjalë për faktin që çdo vit shteti u zhvat rajoneve jugore një shumë që nuk ia kthen në asnjë mënyrë, as me shërbime të asnjë lloji…
Musssolini
Nuk është e vërtetë!
Gramsci
…Shuma që shteti ua nxjerr popullsive fshatare jugore për t'i dhënë një bazë kapitalizmit të Italisë veriore. [Ndërprerje - Komente]. Mbi këtë terren të kontradiktave të sistemit kapitalist italian do të formohet domosdoshmërisht, pavarësisht të gjitha ligjeve represive, pavarësisht vështirësisë për të ndërtuar organizata të mëdha, bashkimi i punëtorëve dhe i fshatarëve kundër armikut të përbashkët. Ju fashistë, ju qeveri fashiste, pavarësisht demagogjisë të diskutimeve tuaja, nuk e keni tejkaluar këtë kontradiktë që ishte pothuajse radikale; bile ju e keni bërë të ndjehet më ashpër për klasat dhe masat popullore. Ju keni operuar në këtë situatë, prej nevojës së kësaj situate. Ju i keni shtuar pluhur të ri atyre tashmë të akumuluara nga zhvillimi i qytetërimit kapitalist dhe besoni që të shtypni me një ligj kundër organizatave efektet më vdekjeprurëse të vetë aktivitetit tuaj. [Ndërprerje]. Kjo është çështja e rëndësishme në diskutimin e këtij ligji! Ju mund ta "pushtoni shtetin", mund të modifikoni kodet, ju mund të kërkoni të pengoni organizatat të ekzistojnë në formën në të cilat kanë ekzistuar deri më tani; nuk mund të mbizotëroni mbi kushtet objektive në të cilat jeni shtrënguar të lëvizni. Ju nuk bëni gjë tjetër veçse ta shtrëngoni proletariatin për të kërkuar një adresë të ndryshme nga ajo deri më sot më e përhapur në krye të organizimit masiv. Ajo që duam t'u themi tani proletariatit dhe masave fshatare italiane nga kjo tribunë: se forcat revolucionare italiane nuk do ta lënë veten të shtypen, se ëndërra juaj e trazuar nuk do të arrijë të realizohet. [Ndërprerje]. Është shumë e vështirë t'i zbatohen një popullsie prej 40 milionë banorësh sistemet e qeverisë Zankof. Në Bullgari ka pak milionë banorë dhe megjithatë, pavarësisht ndihmave nga jashtë, qeveria nuk arrin të mbizotërojë mbi koalicionin e Partisë Komuniste dhe të forcave fshatare revolucionare dhe në Itali ka 40 milionë banorë!
Mussolini
Partia Komuniste ka më pak anëtarë nga sa ka pasur Partia Fashiste italiane!
Gramsci
Ama përfaqëson klasën punëtore!
Mussolini
Nuk e përfaqëson!
Farinacci
E tradhton, nuk e përfaqëson.
Gramsci
I juaji është një konsensus i siguruar me kërbaç.
Farinacci
Fol për Miglioli!
Gramsci
Tamam. Fenomeni Miglioli ka një rëndësi të madhe pikërisht në kuptimin e asaj që thashë më parë: se masat fshatare edhe katolike drejtohen për nga lufta revolucionare. As gazetat fashiste nuk do të kishin protestuar në mënyrën me të cilën kanë protestuar kundër Miglioli nëqoftëse fenomeni Miglioli nuk do të kishte këtë rëndësi të madhe në varësi të presionit tuaj ndaj klasës punëtore. Duke përfunduar: Masoneria është flamuri i vogël që shërben për të kaluar mallin reaksionar antiproletar! Nuk është masoneria ajo që ka rëndësi! Masoneria do të bëhet një krah i fashizmit! Ligji duhet të shërbejë për punëtorët dhe fshatarët të cilët e kuptojnë këtë shumë mirë nga zbatimi që do t'i bëhet. Këtyre masave ne duam t'iu themi se ju nuk do të arrisni t'i mbysni manifestimet organizative të jetës së tyre klasore pasi kundër jush qëndron i gjithë zhvillimi i shoqërisë italiane. [Ndërprerje].
Kryetari i Parlamentit
Mos ndërprisni! Lejoni të flasin. Ama ju i nderuari Gramsci nuk kini folur për ligjin!
Rossoni
Ligji nuk është kundër organizatave!
Gramsci
Punëtorët dhe fshatarët duhet ta dinë se ju nuk do të arrini që ta pengoni lëvizjen revolucionare që të forcohet dhe të radikalizohet [Ndërprerje - zhurma] pasi ajo përfaqëson sot situatën e vendit tonë… [Ndërprerje].
Kryesuesi i Parlamentit
I nderuari Gramsci, këtë koncept e keni përsëritur tri apo katër herë! Nuk jemi anëtarë jurie, të cilëve u përsëritet shumë herë e njëjta gjë!
Gramsci
Në të vërtetë duhet përsëritur; duhet që ta dëgjoni deri sa t'iu vijë për të vjellë. [Ndërpreje - zhurma]… dhe do ta mundë fashizmin.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers