Liderët amerikanë sipas Tony Blair


Gjatë kohës time si Kryeministër fillova të dashuroj Amerikën - dashuroja sensin e saj të ambicies, vullnetin për t'u ngritur nga hiçi dhe për t'u bërë diçka. Unë nuk fillova në këtë mënyrë. Nuk njihja shumë amerikanë në shkollë apo në universitet dhe për herë të parë e kam vizituar Amerikën në moshën 32-vjeçare. Përfytyrimi im për këtë vend ishte krijuar nga një numër i konsiderueshëm filmash dhe emisionesh televizive, si dhe bashkëveprimin e çuditshëm herë pas here me turistët amerikanë. Më duhet të them se kam patur një qasje disi skeptike, tipike britanike për kushërinjtë tanë amerikanë. Por, në vitin 1985 kanë qenë pjesë e një delegacioni të anëtarëve të Parlamentit të dërguar në Shtetet e Bashkuara për të takuar Sekretarin e atëhershëm të Thesarit të Shtetit amerikan, James Baker, për të folur rreth një çështjeje që ishte ndritur për taksatimin e dyfishtë, gjë që ndodh kur dy kombe pretendojnë se kanë të dy të drejtën për të taksuar të njëjtin aktivitet ekonomik. Nuk dija asgjë rreth Jim-it, por u vendos se do të isha pikërisht unë ai që do t'ia parashtroja çështjen tonë dhe në këtë mënyrë t'i jepja Sekretarit të Thesarit një leksion të mirë bisedimi të egër britanik. Si një avokat i zellshëm që isha në atë kohë, iu përqendrova fakteve me agresivitet, u bëra brenda natës një ekspert i taksatimit të dyfishtë dhe hyra i bindur në përleshje pas fluturimit në Konkord dhe pasi më ishte rritur ndjeshëm ndjenja e rëndësisë personale.
Dola jashtë mbledhjes duke u ndjerë pak a shumë si një boksier të cilit i kanë thënë të mos shqetësohet pasi për ndeshjen është bërë një marrëveshje dhe kundërshtari ka rënë dakort që të bjerë në tokë në raundin e dytë dhe më pas ngjitet në ring për të zbuluar se kundërshtari i tij është Rocky Marciano dhe nuk di asgjë për marrëveshjen. Jim ishte shumë i përqendruar edhe në detajin më të vogël, tejmase i ditur, iu përgjigj të gjitha çështjeve që ngrita dhe paraqiti disa nga ana e tij. Ai nuk u zmbraps aspak nga kërcënimet e mija dhe më nxorri jashtë pa e menduar dy herë. Mbi të gjitha ishte jashtëzakonisht i zgjuar. Ajo çfarë mësova atë ditë ishte se amerikanët mund të jenë me të vërtetetë të zgjuar aty ku duhet.
Ishte një leksion shumë i vlefshëm që do të më shërbente gjatë kohës time si Kryeministër. Kam punuar nga afër me dy Presidentë, Bill Clinton dhe George Bush, dhe kam njohur nga afër një të tretë, Barck Obama, falë punës time të fundit në Lindjen e Mesme. Lidershipi është diçka personale. Njerëzit shpesh i perceptojnë liderët si bartës të një dijeje unike, të cilët për shkak të detyrës që i është besuar mund të mbikëqyrin gjëra që të tjerët janë të paaftë të mbikëqyrin. Pavarësisht tendencës së medias moderne për t'i paraqitur liderët sa më të thjeshtë dhe të prekshëm duke ekspozuar të gjitha dobësitë e tyre në mënyrë të vrullshme dhe të egër, ekziston ende një sens në të cilin një lider dhe veçanërisht Presidenti i Shteteve të bashkuara, qëndron në një lartësi olimpiane. Populli ende ndikohet nga një lloj frike të përzier me nderim, të paktën për postin e presidencës nëse nuk bëhet fjalë pikërisht për personin që e mbulon atë.
Në momentin që di të vërtetën dhe si Kryeministër i Britanisë së Madhe të duhet ta shikosh Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ta takosh nga afër shumë shpesh, arrin të penetrosh në anën personale të tyre dhe nuk i shikon më presidentët si lider, por edhe si qenie njerëzore, më saktë aktorë të melodramave të çështjeve politike. Kjo është një pikë të cilën e konsideroj si avantazh të madh dhe në rastin tim më ka çuar drejt një sensi më të lartë respekti për cilësinë e lidershipit që mund të prodhojë Amerika. Shpeshherë njerëzit më pyesin: "Na trego si ka qenë Bill Clinton dhe më pas George Bush?" Kësaj pyetjeje i përgjigjem gjithmonë kështu: "E vërteta është se janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri!" por, të dy kanë një forcë të jashtëzakonshme.
Elasticiteti dhe intuita
Kur u njoha për herë të parë me Billin, ai ishte, dhe vazhdon të jetë, politikani më i jashtëzakonshëm që kam njohur ndonjëherë. Mjeshtëria dhe aftësia e tij për bizneset politike fshihnin disi faktin që ishte edhe një mendimtar i shkëlqyer me një program dhe filozofi politike të zgjuar dhe të mirëmenduar. Ai kishte aftësinë e pashterueshme për të patur marrëdhënie shumë të mira me njerëzit e zakonshëm. Mbaj mend një rast në vitin 2003 kur erdhi në konferencën vjetore të Partisë së Punës në një resort disi të humbur në bregdetin verior të Blackpool dhe më pas doli për të ngrënë hamburger dhe patate të skuqura me të gjithë njerëzit që ishin aty sikur të ishte një darkë rutinë që e bën çdo ditë të martë. Me kalimin e kohës, krahu i djathtë krijoi legjendën se njerëzit votuan për Billin vetëm sepse ishte një operator politik tejmase i zgjuar. Në fakt, e vërteta është që njerëzit votuan për të sepse ata ishin të zgjuar. Ata nuk votuan për një politikan të shkathët dhe popullor. Ata votuan për një program të ndjeshëm, modern dhe të mirëpërpunuar, të bazuar në një filozofi që dukej shumë herë më e përshtatshme për kohën dhe jetën e tyre në krahasim me çdo gjë që u ishte ofruar më parë.
Bill kishte një elasticitet të paimitueshëm. (Kur reflekton mbi gjëra që i janë dashur të kapërcejë gjatë sagës së akuzave të duhet të ulesh. Është e tepërt. Si ka arritur, si ia ka dalë mbanë të mbijetojë? Fakti është që ia doli, duke e lënë detyrën me një shumicë votash prej 60%.) Ai në mënyrë tërësisht natyrale ishte i ftohtë dhe zjarr në të njëjtën kohë dhe mbi të gjitha ishte një President i shkëlqyer. Shpeshherë e bënte punën e tij të dukej e lehtë. Ai drejtonte një ekonomi të shëndoshë, ndërmori reforma të mëdha dhe menaxhoi krizën e Kosovës me një lidership të vërtetë. Është e mahnitshme të spekulosh se si do t'i kishte drejtuar eventet e mëvonshme që ndryshuan botën, krizën ekonomike dhe sekuencën e gjatë e vendimeve të vështira që duheshin marrë pas sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001. Në këto raste nuk ishte i mjaftueshëm as sharmi dhe as intelekti. Aty duhej vendosmëri e plotë që do të përcaktonte rezultatin. Kam përshtypjen se Bill do ta kishte patur këtë vendosmëri.
George Bush ishte largpamës dhe i drejtpërdrejtë. Dhe shumë i zgjuar. Një nga karikaturat më qesharake të George-it e tregon atë sikur ishte një idiot i trashë që thjesht ngeci si President. Asnjëri nuk ngec kot atë lloj pune dhe historia e fushatave presidenciale amerikane është e mbushur me kufoma politike të atyre që duhet të ishin të shkëlqyer, por që dështuan pasi shkëlqimi nuk është i mjaftueshëm. Për të patur sukses në politikën amerikane ose në atë britanike, të duhet patjetër të jesh i zgjuar përndryshe të hanë të gjallë, madje të duhet të jesh më shumë se i zgjuar.
George ka një sens qetësie. Kam qenë në Shtëpinë e Bardhë në pasditen e 20 shtatorit të vitit 2001, atëherë kur George sapo duhet të jepte fjalimin e tij të parë përpara Kongresit pas sulmit terrorist në New York dhe Washington që kishte ndodhur nëntë ditë më parë. Ai nuk ishte në panik, nuk ishte i emocionuar madje as i shqetësuar. Ishte në paqe me veten e tij. Ai kishte misionin e tij si President. Nuk kishte kërkuar të bëhej i tillë. Nuk kishte pritur të bëhej i tillë. Nuk e kishte gjetur këtë punë rastësisht. Kjo punë e kishte gjetur atë. Ai ishte tejmase i zgjuar. Bota kishte ndryshuar dhe si President i vendit më të fuqishëm të botës, ai kishte për detyrë që ta drejtonte dhe ta menaxhonte këtë ndryshim. E pyeta nëse ishte nervoz. "Jo, aspak", u përgjigj ai. "Kam përgatitur një fjalim dhe mesazhi është i qartë". U mahnita nga ato fjalë aq të ftohta, e pashë me vëmendje dhe përfundimisht ai dukej se e kishte të lehtë atë që do të bënte.
George kishte një intuitë shumë të zhvilluar. Por, intuita e tij ishte më pak e zhvilluar në fushën politike, si në rastin e Billit, dhe më shumë e zhvilluar në atë që ai mendonte se ishte e drejtë dhe e gabuar. Kohë më parë, përderisa isha më tepër i ndjeshëm ndaj mësimeve të Clintonit, do ta kisha quajtur këtë lloj qetësie gati alarmuese. Nëse do të kisha qenë në një konferencë për shtyp bashkë me Presidentin, në epiqendrën e atyre eventeve që ndryshuan botën, do të mendoja, George shpjegoji gjërat, vetëm t'i thuash nuk është e mjaftueshme.
Megjithatë, me kalimin e kohës, kur kaloj në retrospektivë të eventeve që kanë ndodhur pasi lashë detyrën timë si Kryeministër, fillova të admiroj thjeshtësinë, sensin e drejtpërdrejtë dhe guximin e jashtëzakonshëm të George-it, duke gjetur në brendësi të tyre fuqi dhe integritet. Ndonjëherë, gjatë procesit të arsyetimit na ndodh të humbim ose harrojmë nevojën për një destinacion, për të gjetur rrugën jashtë labirinthit, për të shkelur kështu në një tokë të fortë dhe të sigurt që i bën ballë jo vetëm testeve të një jave, muaji apo viti, por gjithashtu edhe përjetësisë dhe gjykimit të rreptë të historisë.
Pastaj vjen Barack Obama, i cili u zhyt në mes të pasojave të krizës financiare dhe luftave me Irakun dhe Afganistanin. Dhe sikur këto të mos ishin të mjaftueshme, ai përballet me sfidat e njëpasnjëshme për shmangien e një recensioni dyfish më të thellë dhe parandalimin e aftësisë së Iranit për të përvetësuar armë bërthamore. Siç ndodh gjithmonë me një lider të ri, karakteri politik nuk mund të formohet ose të kuptohet menjëherë, por është një proces që ndodh me kalimin e kohës. Karakteri personal, gjithsesi është i qartë: Obama është një burrë i hekurt. Pritshmëria nga presidenca e tij e tejkalonte çdo lloj mase të ekzagjerimit. Tani ato që ekzagjerohen janë kritikat. Megjithatë, ai vazhdon të qëndrojë po i njëjti dhe më besoni, kjo është diçka shumë e vështirë për t'u bërë. Unë arrita të fitoj këtë lloj qetësie dhe paqe vetëm në fund të detyrës time.
Besoj se arrij të kuptoj se çfarë po tenton të bëjë Presidenti i ri. Ai ka filluar të jetë shumë më pak kundërshtues ndaj disa prej qëllimive të ish-Presidentit nga ç'supozohej, madje është politikisht i gatshëm t'i pranojë ato. Ai nuk krijon iluzione kur bëhet fjalë për sfidat e sigurisë kombëtare dhe ekonomike dhe në një mënyrë tërësisht të tijën është po aq i fortë sa edhe George Bush. Ai po përpiqet të formojë një politikë të re për t'i arritur këto qëllime duke shmangur tejkalimet e tregut në ekonomi dhe izolimin e Amerikës nga aleatët e saj potencialë ose aktualë, për të përmbushur sfidën e sigurisë kombëtare.
Një koncept i ndryshëm i një kombi
Clinton, Bush, Obama: sigurisht që janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por gjithashtu ndajnë disa ngjashmëri të mëdha. Mendoj se ata takohen në vetë perceptim e karakterit të Amerikës. Liderët kanë forma dhe përmasa të ndryshme dhe unë kam takuar lloje nga më të ndryshmet gjatë karrierës time. Mbaj mend kur shpeshherë kam qenë në një tavolinë me disa lider të ndryshëm dhe e vetmja gjë që arrija të mendoja ishte: O Zot i madh, mjer populli i këtij vendi. Të rastis të takosh budallain, cinikun, të lodhshmin, të papërshtatshmin, të çuditshmin, produktet e një sistemi aq të çmendur dhe jofunksional saqë e gjen veten duke dyshuar nëse ky lider është të paktën i zgjuar (në sensin jo duke fjetur), e jo më i aftë. Sinqerisht, disa nuk ishin as të zgjuar. Mbaj mend që dikur kam arritur të pyes në mënyrë disi harbute kur mora vesh për vdekjen e një lideri: "Si e kanë arritur ta dallojnë që ka vdekur?"
Pastaj vijnë të zgjuarit, të mençurit dhe të mirët, ata që arrin t'i admirosh dhe pëlqesh. Ka diçka që duhet ta dini: ka më shumë nga kjo kategori liderësh nga ç'mendoni. Por, testi i vërtetë i lidershipit, ndër të gjithë testet e politikës, gjykimit dhe aftësisë, është nëse në një analizë finale ti arrin ta vendosësh kombin tënd të parin absolut. Në fund të fundit duhet të jesh i përgatitur të vendosësh atë që ti konsideron të mirën më të madhe për kombin përpara vetes tënde si politikan. Ky është testi suprem. Janë shumë të paktë liderët që arrijnë ta kalojnë atë. Të tre këta Presidentë ia kanë arritur edhe pse janë të ndryshëm nga njëri-tjetri.
Amerikanët mund të jenë ashtu siç i përshkruan ndonjëherë pjesa tjetër e botës: agresivë, të zhurmshëm, të izoluar, obsesivë dhe të rëndë. Por, fakti është që Amerika është aq e madhe për një arsye të caktuar. Është një vend nga i cili merret shembull pavarësisht të gjitha kritikave që i bëhen për një arsye të caktuar. Ka një fisnikëri të lartë në karakterin amerikan që ka filluar të zhvillohet shumë e shumë shekuj më parë që është përfituar pa dyshim nga shpirti i lirë, nga valët e migracionit që kanë formuar popullin, nga rrethanat e pavarësisë, nga Lufta Civile, nga një mori faktesh dhe koincidencash historike.
Kjo fisnikëri nuk ka të bëjë me të qenurit më të dashur, më të mirë apo më të suksesshëm se çdokush tjetër. Është një ndjenjë e madhe për vendin. Është një përkushtim dhe devocion ndaj idealit amerikan, i cili në një pikë të caktuar kapërcen dallimet raciale, fetare apo edukative. Ky ideal ka të bëjë me vlerat: lirinë, rregullin e ligjit, demokracinë. Ka të bëjë edhe me mënyrën se si arrin të kesh sukses: me meritë, me anë të mundimit tënd personal dhe punës së palodhur. Bëhet fjalë mbi të gjitha për të luftuar dhe për të mbrojtur këtë ideal. Ti si individ je në plan të dytë kur bëhet fjalë për interesin e kombit si një i tërë. Kjo është ajo që e bën kombin të kapërcejë të gjitha sfidat. Kjo është ajo që i bën ushtarët e saj të sakrifikojnë jetën për Amerikën. Kjo është ajo që ngre në këmbë çdo lloj amerikani, që nga më i ulëti e deri tek më i larti kur këndohet "The Star-Spangled Banner". Sigurisht që ky ideal jo gjithmonë arrihet. Megjithatë, gjithmonë luftohet për të.
Nevoja për besim amerikan
Viti i ardhshëm do të jetë ai që do të testojë karakterin amerikan. Amerika nuk do të duhet gjatë kësaj presidence më shumë se sa është dashur në të kaluarat. Por, Amerika duhet të kenë besim në vetvete. Duhet të ketë atë ideal që prodhon optimizmin që gjeneron arritjet për të cilat ia vlen të luftosh. Kjo është dhuntia më e çmuar që mund të ketë një komb. Bota po ndryshon. Fuqi të reja po lulëzojnë. Por, kjo nuk pakëson aspak nevojën për idealin amerikan. Përkundrazi, kjo e riafirmon, e rinovon dhe i shton rëndësinë e përftuar gjatë shekujve. Ekziston një test edhe më vendimtar për një komb dhe ky test është dilema e njerëzve për të qëndruar ose për të ikur. Besoj se në rastin e Amerikës të gjithë e dimë përgjigjen e kësaj dileme dhe arsyeja është pikërisht ky ideal.
Miku im, prindërit e të cilit kanë qenë emigrantë, hebrenj të Europës, të cilët shkuan në Amerikë në kërkim të sigurisë, më ka treguar një histori. Prindërit e tij jetonin dhe punonin në Neë York. Ata nuk ishin të pasur. I jati i tij vdiq kur ishte ende i ri. Nëna e tij jetoi dhe me kalimin e kohës miku im arriti të ketë sukses dhe u bë i pasur. Ai i ka dhënë shpeshherë mundësi nënës së tij për të udhëtuar jashtë Amerikës, por ajo asnjëherë nuk ka pranuar. Kur më vonë vdiq, ai gjeti kutinë ku ajo mbante të kyçura sendet e saj me vlerë dhe bizhuteritë. Aty gjeti një kuti tjetër pa çelës. Iu desh të çante kutinë e kyçur mirë për të parë se ç'kishte brenda, çfarë ishte ky send kaq i çmuar që e ruante me aq fanatizëm. Pasi hapi kutinë gjeti diçka të mbështjellë me letër. Pas mbështjellëses fshihej një zarf. I intriguar hapi zarfin për të parë se çfarë fshinte e jëma aty. E vemtja gjë që gjeti ishin dokumentet e nënshtetësisë amerikane. Asgjë më shumë. Ky ishte thesari, më i çmuar se çdo gjë tjetër për nënën e tij. Ato letra ishin thesari i saj më i madh dhe kështu duhet të jenë për të gjithë Amerikën sot.
Adaptuar nga ditari i Tony Blair: "Jeta ime politike", i sapopublikuar nga Alfred A. Knopf
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers