Duhet më shumë se një ditë për të reflektuar




David Rothkopf



Një javë më parë, Fareed Zakaria shkruante një koment në revistën "Newsweek" me titull "Çfarë ka humbur Amerika". Nëntitulli ishte: "Është e qartë se ekzagjeruam në reagim pas 11 shtatorit". Siç ndodh zakonisht me Zakarian, artikulli është goxha i mirargumentuar. Ai fokusohet në kostot e jashtëzakonshme që lidhen me ndërtimin e një aparati shumë të madh të sigurisë në Amerikë, i cili shënjestronte një rrezik terrorist, i cili ishte dhe është i mbivlerësuar. Zakaria përmend raportin special të Washington Post "Top Secret America", i cili nënvizon se si pas sulmeve kundër Qendrës Botërore të Tregtisë, Shtetet e Bashkuara "kanë krijuar apo rikonfiguruar të paktën 263 organizata për aspekte të ndryshëm të luftës kundër terrorizmit. Sasia e parave të shpenzuara për shërbimin e fshehtë është rritur me 250 përqind duke arritur 750 milionë dollarë. Eshtë më shumë nga sa shpenzon pjesa tjetër e botës e marrë së bashku".

Edhe sot, nëntë vite pas 11 shtatorit iu desh një kurajë e konsiderueshme Zakarias për të argumentuar se kemi reaguar në mënyrë të tepruar pas ngjarjeve të tmerrshme të asaj dite. Duke patur parasysh impaktin e tyre të thellë në jetën e çdo amerikani, u duk në ditët pas goditjeve se reagimi i tepruar ishte i pamundur. Por në vitet që pasuan, ndjenjat duket se nuk janë zbehur fare dhe kritikat ndaj reagimit tonë kombëtar janë - përveç pothuajse konsensusit që pushtimi i Irakut qe i gabuar dhe që konsiderohet jopatriotik - pothuajse sakrilegj.

Megjithatë, unë besoj se komenti i Zakarias e nënvlerëson problemin. E kam fjalën më shumë për fokusin e kufizuar se sa tek ngushtësia e perspektivës. Ishte në fund të fundit një koment i vetëm në të cilin ai fokusohej tek prioritetet e Amerikës për sigurinë si dhe kostot oportune që lidhen me reagimin tonë të tepruar strategjik. Thënë kjo, dëme që shkaktohet kur lë emocionin dhe adrenalinën të nxjerrin më të mirën prej nesh në muajt dhe vitet pas sulmeve, shtrihet përtej shtrembërimit të prioriteteve të politikës së jashtme apo impaktit mbi buxhetin federal të SHBA.

Për shembull, ne e shohim impaktin në lajmet që kanë dominuar edicionet amerikane gjatë javëve të fundit: debati për ndërtimin e një qendre kulturore islamike në Manhatan dhe lajmet për guximin e një pastori fshati që përpiqet të bëjë emër për vetveten, duke kërcënuar se do të djegë Kuranin. Impakti i 11 shtatorit rrjedh brenda dhe përreth këtyre problemeve në mënyra të pafundme që tregojnë se sa të shëmtuara janë plagët që sulmet kanë lënë mbi shoqërinë tonë, në sipërfaqe dhe në thellësi. Në një anë ka urrejtje, mosbesim dhe racizëm. Dhe, mes njerëzve të arsyeshëm, ka një dëshirë të vazhdueshme për ta përdorur 11 shtatorin si justifikim për të pezulluar Kushtetutën tonë, për të nëpërkëmbur të drejtat dhe vlerat më themelore të amerikanëve.

Ne flasim për "shenjtërinë" e 11 shtatorit dhe harrojmë rregullisht angazhimet më të shenjtë ndaj tolerancës dhe lirisë mbi të cilët u themelua kombi ynë. Ziejnë kokat e nxehta për këtë njeri që turpëron çdo Bibël që prek në Florida dhe argumentojnë se përderidsa ai përbën rrezik për trupat tanë ai duhet të arrestohet ose përndryshe t'i ndalohet liria e shprehjes - ndonëse e drejta e tij për t'u shprehur është pikërisht një prej vlerave për të cilat ata trupa janë duke rrezikuar jetën e tyre.

E njëjta gjë është e vërtetë për planin për ndërtimin e asaj qendre kulturore në Manhatan. Eshtë e urryeshme, por nëse liritë tona nuk shtrihen deri tek ata njerëz me sjelljen e të cilëve nuk biem dakord, atëherë nuk janë fare liri. Dhe sigurisht, nëse ne kompromentojmë vlerat tona në kohë si këto, atëherë bëjmë me të vërtetë lojën e armikut.

Kokat më të ftohta kanë bërë thirrje që grumbullimet në sheshe për të përkujtuar 11 shtatorin duhet të jenë të depolitizuar dhe që kjo ditë duhet të jetë reflektim për jetët që u humbën. Kështu duhet të jetë. Por ne kemi nevojë për më shumë se një ditë për të reflektuar mbi atë çfarë 11 shtatori i ka bërë Amerikës - dhe çfarë ne vetë e kemi lejuar të na bëjë.

Na duhet një vit i tërë, prej tani e deri në 10-vjetorin e sulmeve për t'u përpjekur të mendojmë për goditjen që na u dha dhe reagimin tonë - jo thjeshtë për atë çfarë ndodhi, si ndodhi dhe përse, por edhe të mendojmë se çfarë lloj kombi duam të jemi teksa ecim përpara.

Është e lehtë t'u përmbahemi vlerave tona në një kohë kur gjithçka shkon mirë. Ishte më e lehtë t'i trumbetonim ato në një kohë kur ndienim që era frynte prapa shpinës sonë si komb. Por ne sot jetojmë në një botë ku zemërimi i provokuar nga veprimet e ligjit të asaj dite në shtator nëntë vjet më parë kanë shkaktuar frikë dhe pasiguri - dhe një botë kur pasiguri të reja shfaqen përditë, të gjithë këta përbërës të çrregullimit tonë post-traumatik si komb.

Kështu, frika jonë për terroristë në kufijtë tanë shndërrohet në frikë nga imigrantë që vijnë e na marrin vendet e pamjaftueshëm të punës dhe gatishmëria jonë për të kompromentuar vlerat dhe ligjet tona në një rast shkaktojnë një gatishmëri për ta bërë këtë edhe në një rast tjetër. Pavendosmëria jonë për atë se cilët njerëz mund të hyjnë në kufijtë tanë përkthehet në një frikë se çfarë mallrash mund të hyjnë prej tyre dhe ne nisim e marrim masa që kompromentojnë një sistem ndërkombëtar ligjesh, një sistem që po vetë ndihmuam të krijohet me qëllim që të ndëshkonim burimin e atyre rreziqeve pa e marrë parasysh se si veprimet tanë mund të përdoren një ditë kundër nesh.

Historia do të gjykojë reagimin tonë ndaj 11 shtatorit - dhe duke parë pushtimin e Irakut, abuzimet në Guantanamo, Abu Ghraib, Patriotic Act, ndërtimin e shtetit të sigurisë, nxjerrjen e terrorizmit përpara rreziqeve të tjerë shumë më të mëdhenj për sigurinë tonë, shpenzimin e miliarda dollarëve për të luftuar terrorizmin, gjë që dëmtoi shëndetin tonë financiar, gatishmërinë tonë për t'iu kundërvënë frymës së Kushtetutës dhe vlerave që e bënin Amerikën të dallohej nga të tjerët - dhe ajo mund të vendosë se ne hymë vërtetë në një periudhë histerie kombëtare në dekadën që pasoi sulmet. Është shumë herët të thuhet nëse sulmet arritën qëllimin përfundimtar të terroristëve për të dëmtuar përgjithmonë pozicionin tonë në botë. Por nuk është shumë herët të thuhet se ndoshta ka ndodhur, se ndoshta nuk do të jemi më kurrë njësoj si ishim.

Sigurisht, pas një tragjedie të tillë, ndoshta është më mirë që të mos jemi njësoj si ishim. Ka shumë për të mësuar prej 11 shtatorit që mund të na bëjë më të fortë e më të sigurtë dhe të na ndihmojë të kuptojmë më mirë natyrën e botës në të cilën jetojmë dhe rreziqet me të cilët është e mbushur. Por siç kemi parë, kur ngjarjet na ndryshojnë, përballemi me zgjedhje shumë të rëndësishme - të gjithë ne, jo thjeshtë presidentët, por edhe pasagjerët në taksi dhe të huaj që shkëmbehen me njëri-tjetrin në rrugë. Dhe ne kemi parë që kur lejojmë impulset tanë irracionalë të udhëheqin këto zgjedhje, edhe kur janë me qëllim të mirë dhe të ndierë, përfundojmë duke bërë gabime të rëndë në gjykim. Fatmirësisht, koha ofron distancë dhe distanca krijon hapësirë për racionalitet.

Nëse jemi me fat, viti që kemi përpara mund të nisë të na ofrojë distancë dhe racionalitet. Fatkeqësisht, duke parë ngjarjet, retorikën dhe histerinë e rindezur të javës që kaloi, të gjithë duhet të kuptojmë se nëse nuk veprojmë për të kapur këtë moment për të mbledhur veten, kjo nuk do të ndodhë.

Google+ Followers