Çfarë është humbur


Fareed Zakaria


Nëntë vjet pas 11 shtatorit 2001, a e vë ndokush në dyshim që al Kaeda nuk është një rrezik aq vdekjeprurës? Që nga ajo ditë e tmerrshme e 2001, sapo qeveritë kudo nisën të ndërmarrin kundërmasa serioze, rrjeti terrorist i Osama bin Ladenit nuk ka qenë në gjendje të kryejë as edhe një sulm të vetëm kundër shënjestrave me vlerë në SHBA dhe Europë. Ndërkohë që ka frymëzuar disa pak sulme në shkallë të vogël nga xhihadistë lokalë, nuk ka qenë në gjendje të kryejë as edhe një sulm vetë. Sot, shpresa më e madhe e al Kaedës është të gjejë ndonjë djalosh në telashe që është radikalizuar në internet, dhe t'i mësojë atij si të mbushë të mbathurat me eksplozivë.
Nuk dua të minimizoj qëllimet e al Kaedës, që janë barbarë. Po vë në dyshim aftësitë e saj. Në çdo konflikt të kohëve të fundit, SHBA kanë patur të drejtë për qëllimet e këqinj të kundërshtarëve, por kanë ekzagjeruar shumë forcën e tyre. Në vitet tetëdhjetë, ne mendonim se Bashkimi Sovjetik po zgjeronte fuqinë dhe influencën në një kohë kur ai ishte në prag të falimentimit ekonomik dhe politik. Në vitet nëntëdhjetë, ne ishim të sigurtë që Sadam Huseini kishte një arsenal bërthamor. Në fakt, fabrikat e tij as një sapun nuk prodhonin dot.
Këtë herë, gabimi është më i dëmshëm. 11 shtatori ishte një tronditje për psikikën amerikane dhe sistemin amerikan. Si rezultat, ne ekzagjeruam në reagim. Në një projekt raport shumë të rëndësishëm të titulluar "Top Secret America", Dana Priest dhe William Arkin shpenzuan dy vite të tërë duke grumbulluar informacione që tregojnë se si 11 shtatori e ka ndryshuar vërtetë Amerikën.
Ja disa prej gjërave kryesore. Që nga 11 shtatori 2001, SHBA ka krijuar apo rikonfiguruar të paktën 263 organizata për t'u marrë me aspekte të ndryshëm të luftës kundër terrorizmit. Sasia e parave të shpenzuara në shërbimet e fshehtë është rritur me 250 %, duke arritur 75 miliardë dollarë (dhe kjo është shifra publike, gjithësesi e nënvlerësuar). Eshtë më shumë se sa shpenzon e gjithë pjesa tjetër e botës e marrë së bashku. Janë ndërtuar 33 komplekse të rinj ndërtesash vetëm për burokracitë e inteligjencës, që zënë 17 milionë metra katrorë - ekuivalenti i 22 Capitol-ëve apo tre Pentagonëve. Pesë milje në juglindje të Shtëpisë së Bardhë po ngrihet ndërtesa më e madhe qeveritare e 50 viteve të fundit - me kosto 3.4 miliardë dollarë - për të strehuar burokracinë më të madhe pas Pentagonit dhe Departamentit të Çështjeve të Veteranëve: Departamenti i Sigurisë së Brendshme, që ka një forcë punëtore prej 230 mijë vetësh.
Ky sistem i ri prodhon 50 mijë raporte në vit - 136 në ditë! - që sigurisht do të thotë që gjithnjë e më pak prej tyre lexohen. Ata zyrtarë të lartë që i kanë lexuar i përshkruajnë shumicën si banalë; njëri më thotë: "Shumë prej tyre mund të prodhohen brenda një ore duke përdorur Google". 51 burokraci të ndryshme që operojnë në 15 shtete gjurmojnë rrjedhën e parave nga dhe drejt organizatave terroriste, dhe shumë pak informacion ndajnë mes tyre.
300 mijë vetë janë punësuar tashmë ekskluzivisht për të dëgjuar bashkëbisedime telefonike si dhe komunikime të llojeve të tjerë në SHBA. E megjithatë, askush në shërbimin e fshehtë të ushtrisë nuk e vuri re që Majori Nidal Malik Hasan kishte bërë një seri kërcënimesh të çuditshëm në Qendrën Mjekësore Walter Reed, ku stërvitej. Babai i "bombvënësit të Krishtlindjeve" nga Nigeria kishte raportuar radikalizmin e të birit tek ambasada e SHBA. Por ai mesazh nuk mbërriti asnjëherë tek njerëzit e duhur në këtë aparat gjigand të sigurisë. Plani u zbulua vetëm për shkak të paaftësisë së vetë atentatorit si dhe disa kalimtarëve syçelët.
Gabime të tillë mund të jenë të justifikueshëm. Por ngritja e këtij shteti të sigurisë kombëtare ka sjellë një ekspansion të madh të konmpetencave të qeverisë, që tani prekin çdo aspekt të jetës amerikane, qoftë edhe kur në dukje nuk janë të lidhur aspak me terrorizmin. Aspekti më brengosës i librit të Dave Eggers, Zeitoun, është se reagimi më i shpejtë dhe efiçient i qeverisë ndaj Uraganit Katrina ishte krijimi i një ndërtese burgu si ai i Guantanamos, në të cilin 1200 nënshtetas amerikanë u mblodhën duke iu mohuar për muaj të tërë të drejtat e tyre kushtetuese, një pezullim i habeas corpus që të tingëllon si një prej romaneve të Kafkës.
Në të kaluarën, qeveria e SHBA është përgatitur për luftëra, ka marrë kompetenca emergjence, dhe ndonjëherë ka abuzuar me atë pushtet, por megjithatë është demobilizuar pas luftës. Por kjo është një luftë e pafund. Kur e shpallim ne fitoren? Kur pushojnë së ekzistuari kompetencat e emergjencës?
Konservatorët janë të shqetësuar për rritjen e kompetencave dhe fuqive të shtetit. Sigurisht, ky uzurpim është më shqetësues se sa disa programe federalë stimujsh. Kur James Madison u mor me këtë problem, ai mbërriti në një konkluzion të thjeshtë: "Nga të gjithë armiqtë e lirisë publike, lufta është ndoshta ajo nga e cila duhet të kemi më shumë frikë, sepse ajo përmbledh dhe zhvillon të këqiat e të gjithë të tjerëve... Edhe në luftë, fuqia dhe liria për të vepruar e ekzekutivit zgjerohet dhe të gjithë mjetet për joshjen e mendjeve u shtohen atyre të nënshtrimit të forcës, të njerëzve. Asnjë komb nuk mund ta ruajë lirinë e tij në mesin e një lufte që vazhdon", përfundonte Madison.
Mes viktimave ishin edhe 60 myslimanë
Debati që vazhdon mbi ndërtimin e një qendre islamike në afërsi ku dikur qendronin kullat binjake në qytetin e Nju Jorkut e ka përqendruar vëmendjen tek myslimanët që jetojnë në Amerikë. Por pak amerikanë e dinë se në sulmet terroriste të 11 shtatorit, humbën jetën më shumë se 60 myslimanë, shumica e tyre në Qendrën Botërore të Tregtisë. Mes myslimanëve që humbën jetën në kullat binjake kishte edhe nga grupet e ndërhyrjes së shpejtë, punonjës restoranti dhe të tjerë.
Tariq Amanullah po punonte në katin e 96-të të kullës jugore. Ai ishte emigrant nga Pakistani dhe zëvendës president i Fiduciary Trust, një kompani menaxhimi për investimet. Fqinji i tij, Mohammad Ahmad, thotë se Amullah i telefonoi gruas pak pasi u përplas avioni i dytë. Ishte njeri i kujdesshëm dhe tha se pasi të përfundonte punën që kishte në dorë, do të largohej nga zyra. Kjo është arsyeja që telefonoi, ndoshta duhet të ishte larguar menjëherë. Në ditët pas sulmeve të 11 shtatorit, miqtë e Amullah-it vunë fletushka me shpresën se dikush e kishte parë dhe do njoftonte familjen. Po ashtu, ata kontrolluan spitalet me shpresën se ishte i plagosur dhe jo i vdekur. Abid Hussain, imigrant nga Pakistani që punon në distriktin financiar të Nju Jorkut, thotë se Tariq Amullah ishte miku i tij i ngushtë dhe një mysliman i përkushtuar.
Duhet të ndihmosh njerëzit e tjerë, të lutesh dhe të jesh mikpritës, duhet të respektosh besimet e tjera. Duhet të jesh modest. Miqtë e Amullah-it thonë se ai i kishte të gjitha këto veti dhe e fillonte ditën duke u lutur në xhaminë në rrugën Warren. Ky vend i shenjtë është pak më larg se qendra e parashikuar islamike që ka sjellë mjaft debate. Ditën që Amanullah humbi jeten, nuk kishte debate të tilla, vetëm dhimbje për të gjitha viktimat, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, apo besimit fetar.

Google+ Followers