SPIUNAZHI/Rreziku "Anna Chapman"




Kur një rreth spiunësh rusë i zbuluan në rrethinat e disa qyteteve amerikanë në maj, shumë komentatorë nxituan që të minimizojnë rrezikun e tyre duke i quajtur si thjeshtë të pafatë. U duk se kishte një prekje prej opere komike në lidhje me aktivitetet e tyre të fshehtë, si dhe detaje të tjerë që dolën më vonë në lidhje me jetët e tyre në SHBA - që nga kultivimi i luleboreve, deri tek fotografitë tërheqëse të botuara në Facebook prej më magjepsëses së grupit, Anna Chapman.

Por jo të gjithë e panë në këtë mënyrë. Sir Stephen Lander, Drejtor i Përgjithshëm i MI5 deri në vitin 2002, ka thënë për një dokumentar të BBC "Përse Rusia spiunon", se vetë ekzistenca e një rrethi "të paligjshmish" rusë (spiunë që operojnë pa mbulesë diplomatike) nuk është për të qeshur.

"Fakti që janë të paregjistruar apo që nuk duken si seriozë është pjesë e tërheqjes së kësaj lloj pune", thotë ai. "Kjo është arsye përse rusët janë kaq shumë të suksesshëm në këto gjëra. Ata janë në gjendje të vendosin njerëz në ato pozicione që me kalimin e kohës këta të bëhen të dobishëm. Janë pjesë e një makinerie... dhe makineria është shumë profesionale dhe serioze".


Të paligjshëm, të padukshëm


Ky është një lloj spiunazhi kanosës, thotë Lander, i perfeksionuar nga rusët gjatë Luftës së Ftohtë. "Ata dërgoheshin në perëndim, me njërin prej dy roleve", thotë ai. "Njëri ishte të ndërtonin një mbulesë afatgjatë me qëllimin kryesor që me kalimin e kohës të siguronin një vend në një institucion qeveritar diku në perëndim, aty ku mund të spiunonin një herë e mirë. Roli tjetër ishte të bëheshin kryeagjentë të një rrjeti spiunësh që ishin rekrutuar nga të tjerë dhe që drejtoheshin nga një vend i tretë nga një i paligjshëm - edhe ky një oficer shërbimi, por pa ndonjë mbulesë zyrtare".

Për shërbimin e fshehtë britanik, fakti që Rusia është ende e përgatitur të financoojë dhe dërgojë spiunë në perëndim është shkak për shqetësim, qoftë edhe për faktin se këta lloj spiunësh janë shumë të vështirë të zbulohen.

Sir Gerry Warner, ish-zëvendës shef i Shërbimit të Fshehtë, MI6, thotë se të paligjshmit dërgohen kryesisht në shtetet fqinjë me Rusinë, si Ukraina dhe Gjeorgjia. "Nëse ata do të donin të dërgonin këta lloj spiunësh, nuk kam asnjë dyshim që do t'i dërgonin edhe këtu në Britani. Thjeshtë nuk e di nëse ata mendojnë që ia vlen".

Ka apo nuk ka të paligjshëm rusë në Britani - dhe nëse ka, nuk ka gjasa që të pikasen, thotë Sir Gerry - nuk ka asnjë dyshim që spiunë "të ligjshëm" rusë, ata që veprojnë nën mbulesë diplomatike, janë duke përgatitur një sulm inteligjence këtu. Në fakt, sulmi është po aq intensiv sot sa ka qenë edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë.

"Në vitet '90 pati një zbrazëti", thotë Lander. "Më pas, makineria e spiunazhit u vu sërish në punë dhe SVR (ish KGB) i është rikthyer praktikave të dikurshme me një sens hakmarrje. Mendoj se deri në fundin e shekullit që kaloi, ata ishin rikthyer në pozicionin që kishin gjatë Luftës së Ftohtë, sa u përket shifrave".

Cilat janë këto shifra? Në mesin e viteve '80, gjatë Luftës së Ftohtë, ambasada sovjetike në Kesington dhe misioni i saj tregtar në Highgate kishin 30-35 oficerë të KGB, apo ekuivalentët e tyre në shërbimin ushtarak, GRU, që shfaqeshin si staf diplomatik. Së bashku ata zinin pothuajse gjysmën e personelit diplomatik të KGB në Londër. Sot, numrat janë thuajse të njëjtë, besojnë burimet në Whitehall.

Sir David Omand, ish-kreu i agjencisë së shërbimit të fshehtë GCHQ dhe Koordinator për Sigurinë dhe Inteligjencën deri në 2005, thotë se ndonëse niveli i spiunazhit rus është në nivelet e Luftës së Ftohtë, shënjestrat kanë ndryshuar.

"Për agjencitë e shërbimit të fshehtë sovjetik ka një ndjesi inercie", thotë ai, "që ata thjeshtë vazhduan të ecin pas Luftës së Ftohtë. Por nuk ka asnjë dyshim që ata e ndryshuan orientimin drejt trageteve ekonomikë".

Sir Stephen Lander miraton. "Ata janë tashmë pas gjërave që lidhen me pozicionin strategjik të Rusisë, sidomos rritjes së rëndësisë së saj në botën energjetike", thotë ai. "Kështu që, çdo gjë që iu jep atyre avantazh në ato fusha ia vlen të vidhet si informacion apo të spiunohet. E njëjta gjë vlen edhe për zhvillimet tregtare dhe ato ushtarake".

A mendon Lander që spiunazhi rus është një rrezik serioz afatgjat për Britaninë? "Po, mendoj që po", përgjigjet ai. "Një Rusi e fortë dhe paqësore është në interesin tonë. Por në momentin kur ata përdorin mjete të fshehtë e të paligjshëm për të forcuar pozicionin e tyre në dëm të perëndimit, ne duhet të mbajmë sytë hapur".

Google+ Followers