Shqisa e gjashtë, veçoria kryesore e gjenive

Shikimi, dëgjimi, prekja, shija dhe nuhatja, janë shqisat që i njohim mirë, por pikëpytjet e mëdha dalin kur flitet për një shqisë të gjashtë, të cilën disa thonë se e zotërojnë e të tjerë e cilësojnë si legjendë

Habia nuk është ndjenja e vetme që ka njeriu kur para tij qëndron personi që ka aftësi mbinatyrore, edhe pse nga kjo mund të fillojmë kërkimin e shqisës së gjashtë. Sa më shumë zbulime që bëhen për trurin e njëriut, pothuajse po aq pyetje lindin për këtë çështje. Është zbuluar se truri i njeriut është shumë më i madh në krahasim me mesataren e jetës që ai jeton, nga 60-80 vjet. Nga kapaciteti i madh i trurit, gjatë gjithë këtyre, nuk përdorim më shumë se 10%. Shumë pjesë të trurit mbesin të paprekura, të pashpenzuara dhe për to nuk dimë pothuajse asgjë. Truri ka aftësi të prodhojë më se 1000 simbole në minutë dhe nga gjithë kjo, ne kemi aftësi vetëm të lexojmë, të shkruajmë dhe të themi disa fjalë brenda një minuti. Në krahasim me kapacitetin tonë mendor, gjuha që përdorim është shumë e thjeshtë. Ky konkluzion na bën të shtrojmë disa pyetje dhe të konstatojme disa gjëra interesante: Si mund ta kemi trurin aq të madh, për një kohë aq të shkurtër jete?
Megjithatë, ka disa njerëz shumë të veçantë që kanë aftësinë e jashtëzakonshme që të vënë në përdorim edhe atë anë misterioze dhe të papërdorur të trurit me anë të shqisës së gjashtë. Bie telefoni dhe kemi ndjesinë se e dimë kush po merr, shohim në ëndërr një aksident dhe ai ndodh një ditë më pas, jemi në një situatë dhe kemi ndjesinë se e kemi jetuar më parë... Këto dhe shumë përvoja të tjera "misterioze" i përjetojmë në jetën tonë të përditshme... Shikimi, dëgjimi, prekja, shija dhe nuhatja, janë shqisat që i njohim mirë, por pikëpytjet e mëdha dalin kur flitet për një shqisë të gjashtë, të cilën disa mohojnë ta kenë, të tjerë thonë se e zotërojnë e të tjerë e cilësojnë si legjendë. Nëse është e vërtetë që ekziston, ku ndodhet, a mund të zhvillohet, këto dhe shumë pyetje të tjera kanë tashmë një përgjigje. Shqisa e gjashtë ndodhet në një pjesë të trurit që na ndihmon në zgjidhjet e rëndësishme duke gjetur një rrugë të ndërmjetme ndërmjet arsyes dhe ndjenjës.
Shqisa e 6-të ekziston dhe ndodhet në tru midis dy hemisferave
Kjo pjesë e trurit është si një sistem alarmi që na paralajmëron kur do të ndodhë diçka. Gjithçka funksionon si një qark që na jep informacione në mënyrë të tillë që ne të arrijmë të mendojmë dhe të veprojmë në varësi të situatës. Ky zbulim është bërë dy vjet më parë nga dy shkencëtarë të Washington University në St. Louis. Mendohet se intuita ka lidhje me një transmetim të saktë dhe të shpejtë të informacioneve që japin shqisat. Logjika ndodhet në hemisferën e majtë të trurit të njeriut, ndërsa në të djathtën impulset dhe ndjenjat. Intuita është një proces që ka nevojë për një proces neutral në të dyja këto pjesë. Thuhet se femrat janë më intuitive se meshkujt dhe kjo është pjesërisht e vërtetë pasi eksperimentet kanë treguar këtë në testimin e dy individëve të sekseve të kundërt, por në moshë të njëjtë. Kjo shpjegohet me faktin se intuita ndikohet pak më shumë nga hemisfera e djathtë të cilën femrat e kanë më të ndjeshme ndaj fenomeneve të jashtme.
Në aspektin psikiatrik, argumentimi shkencor i ekzistencës së shqisës së gjashtë mund të sjellë shpjegime mbi sjelljet jonormale të disa individëve, të cilët deri më sot janë parë dhe trajtuar si të sëmurë mendorë.
Sipas zbulimit të bërë, vuajnë nga shqetësime mendore, kanë halucinacione dhe shumicën e kohës janë në gjendje paniku. Pjesa e trurit përgjegjëse për shqisën e gjashtë ka qenë dhe më parë objekt studimi pasi nga shumë neurologë mendohej se vetëm aty mund të gjehej dhe jepej një shpjegim i saktë mbi skizofreninë.
Kjo zonë midis dy hemisferave përmban neurone, të cilat japin sinjale kur truri duhet të marrë vendime tepër të rëndësishme dhe të gjejë ekulibrin e duhur midis logjikës dhe ndjenjave, pa harruar dhe arsyetime komplekse në situtata të ndryshme. Duhet thënë se deri tani shqisa e gjashtë konsiderohej më shumë si një aftësi e mbinatyrshme sesa një proces i komplikuar mendor. Në fakt, kjo shqisë nuk është veçse proces më i shpejtë se zakonisht i të menduarit.
Për të vërtetuar diçka të tillë u testuan 100 individë të shëndoshë mendërisht. Ata kishin një kompjuter ku një pikë transformohej në një shigjetë, e cila shkonte majtas ose djathtas. Detyra ishte që të shtypej një buton sa herë shigjeta merrte një drejtim. Pika bëhej herë pas here blu dhe në disa raste dilnin dy shigjeta, por të testuarit duhet të ndiqnin shigjetën e parë. Të gjithë gabuan. Në këtë eksperiment kishte një truk, pasi sa herë pika ishte blu, dilnin dy shigjeta, por asnjëri nga individët në provë nuk e kishte dalluar këtë detaj. Me kalimin e kohës të gjithë filluan të përmirësoheshin megjithëse askush prej tyre nuk pohoi se e kishte kuptuar çështjen e pikës blu. Ky përmirësim shpjegohet me anë të shqisës së gjashtë, e cila kishte vepruar automatikisht duke ndihmuar kështu reflekset dhe zgjedhjet e të testuarve. Skizofrenët janë të tillë pasi vuajnë nga anomali strukturore pikërisht në zonën e shqisës së gjashtë. Personat që kanë shumë të zhvilluar këtë shqisë vuajnë akoma më shumë pasi shohin rrezik edhe aty ku nuk ka, duke vepruar në një mënyrë të caktuar, e cila mund t'i dëmtojë fizikisht. Ky zbulim ka treguar gjithashtu se shqisa e gjashtë mund të ushtrohet dhe fuqizohet me kalimin e kohës. Nuk mund të mohohet se gjithkujt i ka ndodhur të paktën një herë në jetë që të ketë marrë një vendim të rëndësishëm pa u menduar gjatë, ky veprim ka ardhur në mënyrë intuitive.
Duke eksploruar trurin shumë, studiuesit kanë gjetur prova të cilat vërtetojnë se individët kanë në tru aftësi që nuk i njohin. Pa dijeninë tonë, truri mbledh informacione të cilat në një moment të caktuar vijnë në ndihmë. Kjo cilësohet si intuitë e krijuar nga përvoja jetësore. Veprimi i papritur i shqisës së gjashtë, është një faktor i rëndësishëm në mbijetesën e mendjes së njeriut dhe mundësisë për të mundur një kompjuter falë intuitës, parandjenjës ose shqisës së gjashtë, quajeni si të doni, pasi ekzistenca e saj është e pamohueshme....
"Gjeniu" krijohet me anën e shqisës së gjashtë
Vërtetësia e ekzistimit të shqisës së gjashtë është konstatuar me njëfarë sigurie të konsiderueshme. Shqisa e gjashtë është imagjinata kreative. Shkathtësia e imagjinatës kreative është diçka që shumica e njerëzve kurrë nuk e shfrytëzojnë gjatë gjithë jetës, dhe edhe nëse e shfrytëzojnë, këtë e bëjnë rastësisht. Vetëm një numër relativisht i njerëzve e shfrytëzon aftësinë e imagjinatës kreative me paramendim dhe me qëllim të paracaktuar. Ata, të cilët këtë aftësi e shfrytëzojnë në mënyrë të vullnetshme dhe me ndërgjegjësimin e plotë të të gjitha funksioneve të saj të jashtëzakonshme janë gjeni. Aftësia e imagjinatës kreative paraqet një lidhje të drejtëpërdrejtë mes mendjes së fundme të njeriut dhe inteligjencës së pafundme.
Nga vijnë "parandjenjat"
Kur idetë ose konceptet shkrepin në vetëdijen e ndokujt, në formën që në mënyrë popullore quhet "parandjenjë", ato vijnë prej një ose më shumë burimeve vijuese:
1. Nga inteligjenca e pafundme;
2. Nga mendja e pandërgjegjshme e njeriut, në të cilën janë të depozituara të gjitha mbresat shqisore dhe impulset mendore të cilat kanë arritur deri tek truri me cilëndo prej pesë shqisave.
3. Nga vetëdija e ndonjë personi tjetër, i cili çliron atë mendim, imazhin e një ideje ose të një koncepti me anë të mendimit të vetëdijshëm.
S'ka burime të tjera të njohura që tregojnë se prej nga mund të pranohen "parandjenjat" ose idetë e "frymëzuara".
Kur stimulohet aktiviteti i trurit, efekti i tij është i tillë që personi ngrihet lart mbi horizontin e mendimeve të përditshme, ku i mundësohet ta vështrojë largësinë, vëllimin dhe cilësinë e mendimeve, të cilat atij personi nuk i qëndrojnë në dispozicion në rrafshin më të ulët. Kur individi, me ndërmjetësimin e çfarëdo forme të stimulimit mendor, ngrihet në rrafshin më të lartë të mendimeve, ai e merr po atë pozitë që ka dikush i cili me aeroplan është ngritur në lartësitë prej nga mund të shohë edhe tej vijës së horizontit që e kufizon pamjen e tij në tokë.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers