QIPRO VERIORE/ Dolçe Vita në ishullin e ëndrrave të humbura


Bixhozxhinjtë e adhurojnë Qipron veriore. Kazino super moderne. Shërbime luksoze. Të huaj, me të cilët mund të luash. Për më tepër, gjatë mbrëmjeve, shëtitje dhe shkëmbime me gra ruse shumë të bukura. Dhe plazhe të virgjër, nga ata që në Mesdhe nuk sheh më këto kohë...
Sytë e lodhur të aktorit të njohur të kinemasë dhe teatrit turk ("ju lutem, pa përmendur emra, përndryshe ime shoqe më vret dhe arratitë e mia qipriote një orë fluturim nga Ankaraja përfundojnë këtu"), rrëfejnë netët e pagjumë që artisti dhe miqtë e tij, në mënyrë të vazhdueshme, prej vitesh kalojnë në Lefkosa, kryeqyteti i panjohur i një cope të ishullit, që në nivel ndërkombëtar nuk ekziston, edhe pse e ka një emër: Republika turke e Qipros Veriore.
E megjithatë, pjesa qendrore e një territori që ka mbetur i ndarë prej vitesh prej Luftës së Ftohtë - gjysma greke në Europë, gjysma tjetër turke ende pezull për shkak të pavendosmërisë ndërkombëtare - është Meka e re e lojërave të fatit. Të apasionuarit vijnë këtu nga kudo.
Nga Britania e Madhe, për traditë dhe histori e afërt me Qipron, aty ku në jug vazhdojnë të funksionojnë dy baza të rëndësishme ushtarake angleze. Nga Rusia, prej ku mbërrijnë të mbushur me pasion manjatët e rinj me xhepat të fryrë me euro dhe dollarë.
Nga Turqia, prej ku çdo natë grupe burrash të çdo lloj moshe janë të lumtur që të anashkalojnë ligjin për mbylljen e kazinove, që u imponua në fundin e viteve nëntëdhjetë nga Kryeministri radikal islamik Nexhmedin Erbakan. Nga Lindja e Mesme (përfshirë izraelin), që ka gjetur tek Qipro mikpritëse një parajsë fiskale jashtë vendit. Dhe në fund, nga vetë pjesa greke e ishullit, kufirin e të cilit qipriotët sot e kalojnë lehtësisht në këmbë me vetëm një dokument në dorë, duke marrë më pas një taksi që për vetëm një gjysmë ore i çon më pas lart në karpaz, një zonë dikur e pashkelur dhe sot e mbushur me rezorte luksoze dhe hotele-kazino.
I duruar, prapa vijës së kufirit që ngrihet e ulet i pret në çdo orë të ditës një taksist pakistanez me emrin Shah, një që për shkak të përvojës së tij është në gjendje që të hartojë një profil të azhornuar të Qipros Veriore me saktësinë e një ekonomisti. "Po për çfarë vendi të varfër flasin nëpër botë? Ky është një vend i pasur, dhe Qipro greke është edhe më e pasur. Në të gjithë ishullin paratë rrjedhin si lumë. Dhe këtu në veri, për pesë arsye. Së pari: për ushtarakët turq që janë të vendosur nëpër baza të përhapura kudo. Në letër janë 35 mijë, në të vërtetë janë shumë më tepër dhe të ardhurat për qëndrimin e tyre të vazhdueshëm larg nga oka mëmë janë shumë të mëdha. E di mirë, sepse transportoj ushtarë e ministra, dhe këto gjëra mi thonë dhe i shoh.
Së dyti, studentët. Në Qipron veriore janë pesë universitete. Të rinjtë janë me mijëra dhe profesorët janë po kështu të shumtë në numër. Ekonomia e hoteleve apo dhomave të dhëna me qera për të rinjtë është në lulëzim të ngahershëm. Dhe pasi diplomohen, studentët rrijnë këtu për të punuar dhe prodhojnë.
Së treti: kazinotë. Janë më shumë se 40 të tilla. Në Turqi janë të ndaluara, atëherë turqit janë organizuar: marrin avionin e mbrëmjes nga Stambolli, luajnë gjatë të gjithë natës deri në 5 të mëngjesit, dhe pastaj largohen me fluturimin e orës 7. Unë transportoj shumë të tillë.
Arsyeja e katërt: klubet e natës. Këtu qarkullojnë më shumë se një mijë vajza ruse, të cilat çdo gjashtë muaj derdhin në arkat e shtetit mes taksave dhe kontributeve të paktën 5 mijë dollarë për kokë. Shumëzuar me një mijë, llogaritë bëjini vetë: fitojnë një thes me para çdo vit. Në kazino shkojnë politikanët, por edhe mafia. Ka nga ata që dërgojnë të merret bosi me limuzinë në Aeroportin e Erkan. Bileta e udhëtimit është e përfshirë. Dhe ata mbërrijnë shumë të lumtur që të harxhojnë para për hotele, restorante dhe vajza të bukura.
Dhe së fundi, arsyeja e pestë: nënshtetasit greko-qipriotë. Po zotëri, pikërisht ata. E kalojnë kufirin, sepse këtu një serbator plot me benzinë kushton sa gjysma dhe cigaret sa një e treta. Dhe bashkëshortet e tyre vijnë që të bëjnë pazar në këto anë, duke u kthyer me makinat të mbushura plot. Ju ndoshta jeni i policisë së fshehtë apo i CIA-s, por unë këto gjëra jua them, sepse i kam parë duke punuar me tre biznesmenët më të rëndësishëm të Qipros veriore. Paratë i kam bërë dhe kam dalë shumë mirë me taksinë time. Në fund të fundit, me gjithë xhiron që është këtu, puna nuk është kurrë e mangët".
Qipro veriore, për të anashkaluar embargon ndërkombëtare, të cilës i është nënshtruar pavarësisht mbështetjes entuziaste te nënshtetësve të saj për ribashkimin e ishullit në referendumin e vitit 2004 (që u "zhyt" për shkak të JO-së së pjesës greko-qipriote), mbështetet pothuajse tërësisht në kazinotë dhe në turizmin e sezonit të plazhit.
Dhe në hapësirën mes Lefkosas dhe Karpazit, shtëpitë për të luajtur janë të reshtuara njëra pas tjetrës: Klubi Acapuloc, Galaxia, Celebrity Casino. Bregdeti, një herë e një kohë i paprekur, është mbushur tashmë me vila dhe hotele super luksozë. Njëri riprodhon Koloseumin, një tjetër Arkën e Noes, tjetri tempullin e Artemisës së Efes. Në të dhënat e përmendura nga Ministria lokale e Turizmit, industria e lojërave të fatit sjell 15 milionë euro çdo vit.
Në 7 shtator, superylli Rihanna do të inaugurojë me një koncert të sajin Fashion Castle Hotel, një hotel me shtatë yje në të cilin është partner edhe italiani Silvano bullgari sëbashku me krijuesin e Fashion TV, Michel Adam. Bashkëshortja e pronarit, turku Yilmaz Bektash, është Miss Universi 2006, Zuleyka Rivera Mendoza, një mike e këngëtares.
Fitimi që do të marrë artistja e ishujve Barbados është një milion dollarë. E përditshmja e Stambollit, "Vatan", shkruan se shfaqja e Rihannës mund të ndihmojë për të promovuar Republikën e refuzuar të Qipros në botë. Në idetë e sponsorëve të vet, Fashion Castle mund të konkurojë me të mrekullueshmin Burj Al Arab Hotel në Dubai, në Emiratet e Bashkuara arabe.
Një tjetër njeriu të famshëm iu desh që të heqë dorë. Jennifer Lopez, ndonëse e superpaguar, do të duhej të zhvillonte një koncert në korrik për të inauguruar kazinonë superluksoze të hotel Cratos, në qytezën e mrekullueshme të Kyrenias, pikërisht në përvjetorin e zbarkimit të trupave turke në Qipro në vitin 1974 pas grushtit të shtetit në Greqi kundër arkipeshkvit Makarios. Edhe këtu kompleksi i mrekullueshëm, i ndërtuar në buzë të detit nuk ishte kursyer aspak sa i përket shpenzimeve, vetëm e vetëm që të organizonte një shfaqje përrallore. Por presioni i fortë i lobeve greko-qipriotë, me një fushatë që koleksionoi dhjetëra mijëra protesta në facebook, e bindi Lopezin që të hiqete dorë dhe tashmë drejtuesit e hotelit kërkojnë një shumë prej 30 milionë eurosh për dëme dhe interesa. Atë ditë, Kreu i ri i Shtetit që është zgjedhur prej vetëm pak kohësh, konservatori Dervish Eroglu, i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Cratos, premtoi se do ta transformojë republikën turke të Qipros së Veriut në një "Las Vegas të Mesdheut".
Në ishull, zgjidhja politike është një ndarje që tashmë është shndërruar në kronike dhe të përhershme. Shpresat për ribashkimin, apo të paktën për ripaqësimin mes dy pjesëve të ishullit pas viteve shumë të vështirë të luftës dhe përplasjeve, janë zbehur me dështimin e negociatave kohët e fundit mes dy krerëve socialistë të shteteve, Talat dhe Kristofias, të rinj në moshë krahasuar me brezin protagonist të konfliktit.
Dhe në veri, në prill të vitit që kaloim Talat humbi zgjedhjet presidenciale, i zëvendësuar nga "fajkoi" Eroglu, i cili është kundër bashkimit të ishullit. Qipro, "ishulli i ëndrrave të humbura", siç e quajnë anglezët, mbetet kështu pa një zgjidhje dhe i ndarë. Gjysma në Europë dhe gjysma nuk dihet se ku. Dhe pjesa më e harruar e tij, mes tingullit të fishave dhe netëve të bixhozit mbi ruletë, përpiqet të shpëtojë, qoftë edhe duke luajtur me shpirtin e vet.



Google+ Followers