Qeliza e parë artificiale. Dhe njeriu u bë Zot?


Krijimi i njeriut si një proces inxhinierie gjenetike?

Lajmi, i konsideruar "i ditës", ka të bëjë me John Craig Venter, biolog amerikan - i njohur pse ka zbuluar hartën e genomës njerëzore - që ka projektuar, sintetizuar, asembluar dhe krijuar, me një grup të "Craig Venter Institute" të Rockville në shtetin Maryland, qelizën e parë sintetike, domethënë artificiale, në gjendje vetëreplikohet. Është quajtur "Mycoplasma mycoides JCVI-syn1.0", është natyrale dhe totalisht e kontrolluar nga një ADN artificiale. Në vitin 2007, kërkuesit siguruan ADN-në e parë sintetike, në vitin 2009 kryen trapiantimin e parë të ADN-së, duke e transferuar genomën natyrale të "Mycoplasma mycoides" në "Mycoplasma capricolum"; sot kanë trapiantuar ADN-në sintetike në një qelizë bakteriale, e privuar nga ADN-ja e saj, duke krijuar qelizën e parë sintetike. Siç është deklaruar "është specia e parë vetëreplikuese ekzistuese në planetin Tokë, babai i së cilës është një kompjuter''; një qelizë sintetike totalisht e derivuar nga një kromozomë sintetike, e realizuar në një sintetizues kimik të ADN-së, duke shfrytëzuar katër kombinimet e substancave kimike. Një bakterie e përbërë nga një qelizë e vetme, "Mycoplasma mycoides" në gjendje të ndahet dhe të shumëfishohet si çdo qelizë tjetër e gjallë. ADN-ja artificiale, e përbërë nga rreth 1 milion gërma - ajo njerëzore përmban 3.2 miliard - është krejtësisht e ngjashme me atë natyrale.
Për 15 vjet me radhë, Venter dhe shkencëtarët e tij kanë punuar në laboratorët e Rockville, duke marrë baktere të ndryshme, duke u shkëmbyer kromozomet, duke u ndërtuar copëra ADN-ësh artificiale dhe duke u zëvendësuar ato natyrale, derikur është riprodhuar Mycoplasma. Fillimisht, kanë zbuluar sekretet e ADN-së dhe më pas kanë arritur të "hartëzojnë" genomën njerëzore. Në largësinë e 10 viteve nga zbulimi i fundit në fushën gjenetike kanë krijuar formën e parë të jetës artificiale, domethënë një qenie të gjallë sintetike. Grupi ka deklaruar: "Mendojmë se është vërtet një rezultat i rëndësishëm, si nga pikëpamja shkencore, ashtu dhe nga ajo filozofike, që ka ndryshuar pikëpamjen tonë lidhur me përkufizimin e jetës. Pika e mbërritjes do të jetë një formë e gjallë e programuar për një funksion të saktë. Një instrument për të projektuar një numër shumë të madh aplikimesh të mundshme". Në fakt, mund të përdoret për të pastruar atmosferën nga dyoksidi i karbonit ose të nxjerrë në treg vaksina, ingredientë ushqimore, substanca kimike më të mira, të realizojë baktere të dobishme për të prodhuar karburant, por edhe për të eliminuar naftën e përhapur aksidentalisht në det.
Pas lajmit të "hartimit" të genomës humane, një gazetë pyeti pidhur me këtë, nëse Venter mos po përpiqej që të bënte Zotin; shkencëtari u përgjigj se nuk po luante aspak. Sipas asaj që është shkruar tek "Science", kërkuesit kanë sintetizuar genomën e "Mycoplasma mycoides", duke i shtuar sekuenca ADN-je të pritura që ta shënojnë në mënyrë që ta dallojnë nga ajo natyrore; pastaj i kanë futur këto sekuenca të shkurtra në qeliza majaje, enzimat e riparimit të ADN-së të së cilës i kanë bashkuar njëra me tjetrën sekuenca të tilla dhe i kanë transferuar sekuencat me gjatësi mesatare në Escherichia coli, domethënë sërish në maja, duke arritur të sigurohet një genomë e gjatë mbi 1 milion baza. Genoma sintetike e "Mycoplasm mycoides" e trapiantuar në një tip tjetër bakteri, "Mycoplasma capricolum", ka rifilluar qelizën përftuese dhe, pavarësisht se 14 gene kanë humbur apo janë dëmtuar gjatë trapiantimeve bakteriale, qelizat finale dukeshin të ngjashme me bakteret "Mycoplasma mycoides" dhe prodhonin vetëm proteina të këtij tipi bakteresh.
Ekipi i Venter po punon tashmë me "Exon Mobil", me shpresën që të transformojë algat në karburant. Disa vjet më parë, kërkuesit kanë trapiantuar një genomë tërësisht natyrale, domethënë kodin gjenetik, të një bakteri në një tjetër. "Bëhet fjalë për ta transformuar jetën në mënyrë totale nga një specie tek tjetra, duke modifikuar software", ka deklaruar Venter, duke përdorur analogjinë e kompjuterëve për të shpjeguar rolin e ADN-së.
Historikisht, sinteza e parë e ADN-së u sigurua në laboratorin në vitin 1956 nga Arthur Kornberg, biokimist amerikan dhe fitues i Çmimit Nobel për Mjekësinë. Zbulimi i Craig Venter, i hap derën krijimit të baktereve të përdorshëm për qëllime të ndryshme, jo ekzistues në natyrë dhe demonstron se jeta nuk ka asgjë misterioze që shkon përtej ADN-së, sepse "është kjo që komandon" siç afirmohet nga Edoardo Boncinelli i Departamentit të Kërkimit Biologjik e teknologjik (DIBIT) të Institutit Shkencor, San Raffaele të Milano. Puna e Venter është një hap drejt realizimit të jetës artificiale dhe ka qëllimin e zhvillimit të një "genome minimale" të nevojshme për jetën, me më pak se 400 gene, për t'u futur në qelizat bakteriale.
Fillon era e biologjisë sintetike, që do të mundësojë të rishkruhen kode të tëra gjenetike për të krijuar makina metabolike të specializuara dhe për të ndërtuar në laborator qenie të gjallë që nuk i ngjajnë asnjë forme jetë ekzistuese në natyrë. Në laboratorët më të avancuara janë në punë sintetizues shumë të shpejtë të ADN-së, të afta që të prodhojnë sekuenca të gjatë materiali gjenetik, duke filluar nga tullat kimike të jetës: sheqerna, përzierje me bazë azoti dhe fosfati. Ndërkohë është lëshuar alarmi, pasi jemi afër me një ndryshim që do të detyrojë të ripërcaktohen kufijtë midis biologjikes e artificiales dhe për të rishikuar vetë konceptin e gjallesës. Lidhur me këtë, në pritje të thellimeve të mëtejshme, shumë kanë shprehur mendimin e tyre dhe janë pozicionuar. Sipas bioteknologut të CNR-së, Roberto Defez, "Nuk duhet të kemi frikë. Jeta artificiale nuk mund të ekzistojë, është vetëm një demonstrim i madh shkencor, por që nuk mund të ketë asnjë lloj të ardhmjeje në botën reale. Nuk mund të jetojë përveçse në laborator. Është vetëm një objekt virtual, nuk mjafton vetëm ADN-ja për të përcaktuar jetën e një organizmi për sa i vogël mund të jetë ky, kështu i destinuar të vdesë, sepse nuk do të jetë asnjëherë në gjendje të mbijetojë në një mjedis natyral dhe është krejtësisht i papërdorshëm".
Për Bruno Dalla Piccola, gjenetist dhe titullar i Katedrës së Gjenetikës Humane në Università degli Studi La Sapienza, bëhet fjalë "për një krijim magjepës, por larg nga mundësia për ta prodhuar jetën në të gjitha aspektet, domethënë një njeri. Nuk jemi përpara një krijimi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Është shumë e mundur që rikthimet mund të jenë mbi produktet për kurën farmakologjike dhe mbi sëmundjet apo për finalitete mjedisore, si bakteret që hanë naftën". Profesor Luca Marini, Docent i së Drejtës Ndërkombëtare në La Sapienza të Romës dhe President i Qendrës së Studimeve Bio Juridike ECSEL, uron që zbulimi i Craig Venter të mos përfundojë në polemikat shterpë, lidhur me rolin e bioetikës: "E kuptoj se, në Itali është gjithmonë i fortë tundimi për t'ia propozuar publikut problematikat biotike në funksion të valencës ideologjike dhe të tregtueshmërisë politike të tyre; jo rastësisht, në vendin tonë debati biotik vërtitet mbi tema të fillimit të jetës dhe fundit të jetës. Në çdo rast, përballë skenarëve të reja të zbuluar nga biologjia sintetike duket sterile të evokohen fantazmat e imagjinuara nga disa. Kjo presupozon dhe sjell edhe një transformim të thellë të selive institucionale të bioetikës, që u hap rrugën organizmave të reja të përbërë nga teknikë dhe në gjendje të shprehin mendime konkrete dhe shkencërisht të dokumentuara lidhur me çështje praktike, duke ua lënë selive të tjera çështjet dogmatike". Për Lorenzo d'Avack, Zëvendëspresident i Komitetit Kombëtar të Bioetikës, nëqoftëse finaliteti i një ndërmarrjeje të tillë do të transformohej në atë të krijimit të njeriut artificial, atëherë do të bëhej një veprim i dënueshëm dhe do të hapte probleme biotike të rëndësishme dhe me shtrirje të ndryshme.
Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka kërkuar Komisionit Presidencial për Studimin e Bioetikës që të bëjë kërkime lidhur me qelizën articiale lidhur me aktivitetin e mundshëm të saj, të studiojë beneficet e një zbulimi të tillë, problemet morale të lidhura me të. T'i kushtojë vëmendje zhvillimit shkencor, që mund të krijojë një seri pikëpyetjesh morale lidhur me zhvillimin e jetës artificiale. Obama rekomandon që të marrë në konsideratë beneficet potenciale për shëndetin, për sigurinë, por edhe të identifikojë kufijtë etnikë dhe risqet, të gjejë mënyrën që t'i bëjë minimale risqe të tilla. Ndërkohë, ai jep rekomandime lidhur me veprimet që qeveria duhet të kryejë për t'u mundësuar Shteteve të Bashkuara që t'i shfrytëzojnë beneficet e këtij sektori të shkencës në evolucion. Mendohet për incidentin tragjik e ndodhur në platformën e naftës të British Petroleum, rrjedhja e pazakontë e përditshme e naftës po krijon katastrofën më të madhe dhe më tronditëse të ndodhur ndonjëherë, një katastrofë mjedisore e gjykuar shumë më e keqe nga ajo e shkaktuar prej shpërthimit të reaktorit bërthamor të Chernobyl në vitin 1986. Ndërsa, Rusia i këshillon Shtetet e Bashkuara përdorimin e një bombe bërthamore për mbylljen e rrjedhjes së naftës, një sistem që Rusia e ka përdorur shumë herë, duket se qeliza artificiale e Venter, në gjendje që të prodhojë baktere të veçanta, të përfaqësojë mjetin për frenimin e holokaustit bërthamor. Hans Graber, oqeanograf i "Center Southeastern Tropical Advanced Remote Sensing" të Florida University, projekton një skenar makthi, pasi nëqoftëse njolla e zezë duhet të kapet nga korrenti i Gjirit, ajo mund të mbërrijë në Atlantik. Sipas Graber nuk do të ishte më problem i "nëse", por i "kur". Kështu, ndërsa njolla e zezë përhapet në oqean, në një laborator krijohet një bakter që mund ta ndalojë. Një thënie e vjetër e përcjellë nga "pleqtë" tanë thotë kështu: "Zoti shikon dhe siguron". Koinçidencë?
Përsa i përket zbulimit, me të drejtë Kisha dhe entet e tjera kundër "gjenetikës invaduese" kanë tërhequr vëmendjen lidhur me çështjen etike, duke e ditur mirë se njeriu nganjëherë i tejkalon limite të tilla për qëllime fitimi, duke e shkelur dinjitetin e të ngjashmëve të tij. Kardinali Angelo Bagnasco, Arqipeshkëv i Genova dhe President i Konferencës Episkopale Italiane, ka deklaruar: "Është një shenjë e mëtejshme e inteligjencës, dhuratë e Zotit, për ta njohur më mirë krijimin dhe për ta sistemuar më mirë. Inteligjenca nuk është asnjëherë pa përgjegjësi, të gjitha format e inteligjencës si fitim shkencor, megjithëse të vlefshme në vetvete, duhet të maten gjithmonë me një etikë, e cila ka në qendër të saj gjithmonë dinjitetin njerëzor në perspektivën e krijimit". "Osservatore Romano" komenton: "Një motor i shkëlqyer, por nuk është jeta. Përtej shpalljeve dhe titujve të gazetave, është arritur një rezultat interesant. Një punë inxhinierie gjenetike me nivel të lartë, një hap përtej zëvendësimit të pjesëve të ADN-së. Por në të vërtetë nuk është krijuar jeta, i është zëvendëuar vetëm njëri prej motorëve. Inxhinieria gjenetike mund të bëjë mirë, mjafton të mendohet për mundësitë e kurimit të sëmundjeve kromozomike. Por, preket një terren shumë i brishtë në të cilin mjedisi dhe manipulimi luajnë një rol që nuk duhet nënvlerësuar. Në fakt, shumë janë të preokupuar për zhvillimet e ardhshme të organizmave gjenetikisht të modifikueshme". Imzot Bruno Forte, teolog dhe Arqipeshkëv i Chieti, pohon se nuk "e di nëse ajo që do të realizohet shkencërisht do të jetë edhe nga pikëpamja etike e drejtë". Me paqen e mirë të atij që mendon se është paragjykueshmërisht negativ, qëndrimi thelbësor i Kishës është një qëndrim vëmendjeje dhe simpatie, pasi gjëja e parë është admirimi për aftësinë e inteligjencës njerëzore. Përgjigja qëndron në parametrin që i bashkon të gjithë, jo vetëm kristianët; domethënë dinjiteti i njeriut. Termi "krijim" është përdorur në përjashtimin e zakonshëm, sigurisht jo teologjik. Kuptimi teologjik është krejtësisht tjetër: krijimi është ajo që vjen nga asgjëja. Dhe njeriu këtë nuk e bën; niset gjithmonë nga diçka që ekziston. Për teologun është e nevojshme të dallohet midis shkencës dhe shkencizmit, pa pretenduar që të dëshirohet të shpjegohet dhe zgjidhur gjithçka.
Rezultati pozitiv i eksperimentit të Venter rrezikon që të kalojë në plan të dytë edhe atë që disa kërkues italianë, të Qendrës Enrico Fermi të Universitetit Roma Tre, kanë arritur të krijojnë qelizën e parë sintetike e aftë për të prodhuar proteina, edhe pse vetëm për pak orë, duke përdorur 37 enzima, lipide, molekula të nevojshme për sintezën e proteinave si molekulat proteike dhe RNA-të, të nevojshme për ribozomet plus disa gene GFP. Puna e realizuar nga shkencëtarët italianë ka qenë një tentativë e vërtetë, për të krijuar nga asgjëja, një qelizë jetike, duke tentuar që të ripërshkojnë etapat e përshkuara nga format e para të jetës të shfaqura në Tokë. Puna është finalizuar për të sqaruar mekanizmat e origjinës së jetës në planet. Në fakt, studiojnë edhe proteina "asnjëherë të lindura", munguese në Tokë që mund të kenë diçka të përbashkët me proteina ekzistuese. "Objektivi ynë - ka nënvizuar Giovanni Murtas - është që të ndërtohet një qelizë model, që të ngjajë me tentativat e para të qelizave të shfaqura në Tokë mbi 3.5 miliard vite më parë". Në Zyrih, Murtas ka folur për një rrugëtim nga poshtë drejt lart për të krijuar nga asgjëja një qelizë të përbërë nga pak përbërës thelbësore dhe për të arritur në sintezën e proteinave të nevojshme për funksionalitetin e çdo forme jete. Duke u nisur nga procesi i sintezës proteinike, duke krijuar lipozoma artificiale, duke shtuar pastaj materialin gjenetik e përgatitur më parë dhe duke futur tek lipozomat genet që kodifikojnë për enzimat në gjendje të sintetizojnë molekula të reja lipidesh. Murtas në nënvizon se, përfaqësojnë një model të asaj që ndodhi kur lindën format e para të jetës. Hapi i ardhshëm do të jetë që të ndahet dhe të futet në brendësi të saj shumë pak gene, maksimumi nja njëqind, të asembluara në mënyrë të thjeshtë, duke demonstruar se kjo qelizë minimale është e aftë të ndahet. Qeliza si këto mund të përdoren si bioreaktorë për të prodhuar ilaçe dhe për t'i rilëshuar në organizmin njerëzor ose në laborator për të eksperimentuar molekula të reja me interes industrial.
Hapi i kryer nga laboratori i Roma Tre, për të zbuluar nëse në bazën e jetës tonë janë proteina të krijuara rastësisht apo jo, demonstron se është e mund të ndërtohen në laborator proteina, që nuk ekzistojnë në natyrë. Në praktikë mund të krijohet nga asgjëja, megjithëse është i njohur pohimi se, "nga asgjëja nuk lind gjë". Pa rënë në rrethin vicioz se kush ka lindur më parë, veza apo pula, është e sigurtë se jeta në këtë planet ka lindur nga një bakter, që nëpërmjet një procesi evolutiv prej miliarda vitesh, për saktësi 3 miliard e gjysëm, ka arritur në një formë shtazore komplekse, nga e cila ka derivuar njeriu. Kështu që, nuk e gjej të saktë pohimin se dikush, cilidoqoftë ai, ka qenë i aftë të krijojë nga asgjëja. Megjithëse, duke pyetur se kush e ka krijuar bakterin e parë, por këtu bihet në kurthin e vezës dhe të pulës, duke dashur të besohet - njëlloj me besnikët, vëzhguesit dhe praktikuesit më të zjarrtë dhe më të devotshëm - tingëllon e habitshme që njeriu është krijuar nga asgjëja, duke pranuar se balta, argjila, trualli i "kuq", Adamatu, është konsideruar "asgjëja". Në librat e shenjtë, ky truall përzihet me gjakun hynor, atë që shpesh quhet "nepesh"-i. Përsa pohimit që njeriu pretendon të shpjegojë gjithçka, do të thoja më shumë se "dikush" synon që t'u japë përgjigje këtyre pikëpyetjeve që njeriu ngre, sepse është e ngulitur në ADN-në e tij kërkimi i dijes, duke projektuar zgjidhjen sempliciste që është e gjitha vepër hyjnore. Jemi të gjithë dakord dhe nuk dyshojmë se i gjithë krijimi është vepër e një mendjeje superiore, por nuk mund të përjashtohen a priori, siç është bërë në kohën e vet, dituri të përcjella prej mijëra e mijëra vjetësh, pse të konsideruara jo të vërteta dhe që me kalimin e kohës janë demonstruar të sakta.
Ekzistojnë mite, legjenda, dokumentime teologjike, histori që të shtyjnë të mendosh, të hipotezosh krijimin e njeriut si një proces inxhinierie gjenetike dhe, për pasojë, në laborator. Nga pikëpamja shkencore, ekzistojnë prova që jeta ka shpërthyer si pasojë evenimentesh që vetë shkenca nuk di t'i shpjegojë me saktësi, por që shfaqen si veprime të synuara për të populluar një planet, duke futur një formë jete "kyç" në një shkallë gradient. Adama apo Adamo, pse jo dhe Adamu, do të thotë "gjak". Adamatu është toka e kuqe e errët, me të cilën Jehovai formoi Adamin. E formësoi me argjilën e kuqe të errët të truallit, fryu në felgrat e tij aromën e jetës, duke e ndryshuar në një "Nepesh": shpirt, "gjak". Historia sumere rrëfen sesi Zota Nënë përzjeu gjakun e një Zoti, "Nepesh"-it, në tokën, në shtëpinë e Shi.In.Ti, ku fryhej era e jetës, për të formuar Adamin. Shkencëtari anglez Hoyle Frederick, teorizoi se mundësia e lindjes spontane e jetës në këtë planet mund të ketë qenë në rendin e 100 kundrejt 40000. Tashmë është e njohur, se forma më e lashtë e jetës e gjetur në planet është një bakter i fosilizuar. Profesor Nikolai Yeruzalimsky i Akademisë së Shkencave të Moskës, teorizon se bakteri parahistorik i pagëzuar "Termophile" vjen nga një planet tjetër. Prova në testimin e kryer prej tij: bakteri mbijetoi, pasi u zhyt në ujë në temperaturë 100 °C për 60 orë. Sipas Profesorit, një formë jete joindigjene do të kishte nevojë për karakteristika të tilla ekstreme për të mbijetuar.
Pas shfaqjes së bakterit të parë në Tokë, u shfaq në Afrikë, 3.2 milionë vjet më parë, alga Cyanophyta. Edhe kjo algë mund të jetë futur qëllimisht. Nga procesi i fotosintezës alga mund të konvertojë sasi të mëdha karboni inorganik, i cili në faza të mëtejshme mund të riprodhojë forma jete. Veçanti që na bën të mendojmë për përdorimin e bakterit të Venter. Për pasojë, dikush ka teorizuar se forma e parë e jetës elementare në planet mund të jetë përcaktuar rastësisht nga një vektor natyral si meteoriti. Sa e vlefshme është një mundësi e tillë?
Sipas ekspertëve, vetëm rreth 1 përqind e 4.5 bilion meteorëve të lashtë posedojnë atome karbone të lidhur në një strukturë karakteristikem të përshtatshme për të përhapur jetën në hapësirë. Një zbulim i kohëve të fundit ka zbuluarm se 700 milionë vite më parë një tip primitiv krimbi u shfaq në Tokë, ndoshta edhe ai qëllimisht dhe vazhdon me oksigjenizimin dhe kushtëzimin e zhvillimit të guackës. Në fillim të periudhës Kembriane, 570 milionë vjet më parë, ndodhi një ngjarje në dukje e pashpjegueshme: u shfaqën papritmas krijesa komplekse detare, të gjitha vertebrore dhe një florë e re, algat. Nuk janë gjetur forma jetese skeletore nën shtresën më të thellë të Kembrianit. Në një artikull të botuar tek "Scientific American" në vitin 1964, Brian Harland dhe Martin J. Rudëick shkruan, se këta kafshë qenë organizma kompleksë që i përkisnin varietetit të zhdukur si Phila, të klasifikuar si Metazoi, të njohur për strukturat skeletore në gjendje që të mund të jenë fosilizuar. Përpara Kembrianit të hershëm nuk ekzistojnë gjurmë, kështu shfaqja e tyre në mënyrë të arsyeshme mund të konsiderohet një eveniment i papritur. Përballë thirrjes së alarmit të një hapjeje eventuale të problemeve bioetike, të frikës së shkelje kufiri, etike që shkon kundër dogmave teologjike, është e nevojshme të shpjegohet se njeriu, pa dijeninë e tij, mban në trupin e tij dhe në brendësi të tij triliona baktere që, në raport me qelizat, rezultojnë në 10 me 1. Në praktikë, trupi ynë është një botë e paeskploruar e populluar nga qenie mikroskopike në shërbimin tonë; për këtë arsye është në zhvillim prej kohësh një Projekt Mikrobiome Human, "Human Miocrobiome Project", i financuar nga "National Institutes of Health" amerikan, që ka midis partnerëve kryesorë Craig Venter.
Aktualisht, janë sekuenciuar 178 mikrobe njerëzore nëpërmjet një censimenti të zorrëve, të lëkurë, të gojës, në rrugët ajrore dhe të aparatit uro gjenital. Objektivi për të "hartëzuar" 900 mikrobe për të individualizuar 500000 gene të reja në favor të shëndetit, për sa banorët tanë të panjohur shpesh favorizojnë disa sëmundje. Baktere të tilla zgjidhin detyra të ndryshme; mund të absorbojnë molekula që mund të degjenerojnë tumore, të ndryshojnë ekuilibrin intestinal, duke shkaktuar një tepri peshe, të kurojnë çrregullime të aparatit tretës që mirëpret rreth një 1 kilogram mikrobe të tilla që merren me përtypshmërinë e ushqimeve. Vetë mikrobet mund edhe të shkaktojnë sëmundje, ashtu si mund të rezultojnë të nevojshëm për ruajtjen e shëndetit. Për këtë arsye kërkimi bëhet thelbësor, duke qenë se gjatë kultivimit të qelizave mikrobike në laborator, disa prej tyre mund t'i shpëtojnë kontrollit të kërkuesve, ashtu siç ndoshta ka ndodhur tashmë dhe të përfaqësojnë një rrezik serioz.
Shkenca nuk shkon shumë dakord me teologjinë dhe të diskutuarin e një Krijuesi, të kërkosh për t'ju përgjigjur pikëpyetjeve të pazgjidhshme, që nuk kanë zgjidhje logjike e shkencore, nuk është e thjeshtë dhe të çon jashtë nga racionaliteti. E vë njeriun që të konfrontohet me vetveten, me idetë e tij, me bindjet e veta, kredencat e veta dhe ato që i konsideron siguri. Vepra e krijimit është aq e madhe sa që njeriu nuk ka as aftësinë minimale për ta kuptuar, por besoj se kërkimi i dijes është në njëfarë mënyre kërkimi i një krijuesi, cilidoqoftë emri i tij ose më saktësisht cilidoqoftë emri i njeriut që njeriu i ka caktuar.
Besoj se një Krijues, një zot apo thjesht Zoti është kudo përreth nesh, në atë që na rrethon dhe sidomos brenda nesh. Besoj se të respektosh krijimin, çdo formë jete, për pasojë çdo njeri dhe idetë e tij, dinjitetin e tij, është të respektosh Zotin, por në të njëjtën kohë është edhe të bësh kërkime dhe të kërkosh që të shpjegosh origjinën e vetë jetës, pasi në thelb është kërkimi i vetë neve dhe i origjinës tonë. Nuk jetojmë në epokën e obskurantizmit dhe të Inkuizicionit; sot jetojmë në erën e informacionit, të kërkimit të dijes. Megjithëse duke i kushtuar vëmendje të veçantë etikës, dinjitetit njerëzor dhe duke kërkuar që të mos kalohet përtej limiteve të respektimit të tij, duhet që megjithatë të pyesim se kush jemi, cili është qëllimi ynë, shpresat tona; duhet të ushtrojmë atë që është quajtur "arbitri i lirë" i yni.
Në thelb kjo është "dija e vërtetë", ajo që mund të bashkojë të gjithë popujt, përtej ndarjeve politike, raciale, teologjike; ajo që na bashkon në njohjen e barazisë tonë totale dhe që na klasifikon, pa kurrfarë dallimi, një formë jete që popullon planetin: Tokën. Një formë e përcaktuar "Njerëzore", pasi lidhur me një përkufizim të tillë ka shumë për të diskutuar.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers