Misteri i fosileve të gjalla






Inxhinierët që hapnin tunelin e madh hekurudhor nëpër malet midis Saint Dizier dhe Nancy në Francën veri-lindore në 1856 përdornin eksplozivë. Ata ndeshën një shkëmb të madh gëlqeror të Jurasikut, hapën vrimat në këtë shkëmb, vendosën eksplozivin, plasësit dhe u larguan. Ideja ishte që ta ndanin shkëmbin më dysh. Ata bënë shpërthimin dhe pritën deri sa të largohej reja e pluhurit. Punëtorët pastaj u afruan me kazma dhe lopata në duar.

Shkëmbi ishte ndarë më dysh ashtu siç ishte planifikuar. Punëtorët u afruan dhe përdorën qysqit për t'i larguar copat e shkëmbit dhe për t'i ngarkuar në vagona për t'i hedhur më tutje. Ata nuk kishin filluar mirë punën kur u tërhoqën papritur të tmerruar. Nga e çara e shkëmbit po dilte një zog i zi. Zogu ishte sa një patë, por kishte një sqep të gjatë egërsire me dhëmbë mjaft të mprehtë. Katër këmbët e gjatë të zogut përfundonin me kthetra të mprehta, të cilat lidheshin me një cipë të trashë lëkure që ndriçonte prej një shtrese vaji të trashë.

Zogu, dalëngadalë, filloi të fërgëllonte, zgjati krahët dhe me sqepin që i cicëronte filloi të përpëlitej i dëshpëruar për shkak të ajrit tërë pluhur. Bëri një përpjekje të dobët që të fluturonte, por mundi të bënte vetëm rreth dy metra dhe ra përtokë i ngordhur nga mbytja. Punëtorët e morën trupin e zogut të ngordhur në qytetin më të afërt, Grei, dhe e çuan në muzeumin e historisë njerëzore, ku një ekspert i shtangur deklaroi menjëherë se ai ishte një pterodaktyl parahistorik.

Shtresat shkëmbore ku u gjet ky fosil i gjallë ishin emërtuar sipas Maleve Jura në kufi me Francën dhe Zvicrën. Këto janë disa zhveshje shumë të larta gëlqerorësh formuar rreth 150 milionë vjet më parë, nga mesi i Epokës së Mesozoikut, shumë herët në historinë e Tokës, kur dinosaurët sundonin mbi planet dhe reptilët pterodaktyle, disa prej të cilëve me krahë që të hapur arrinin 15 metra, fluturonin mbi oqeane dhe këneta të lashta.

Sipas raporteve në gazetën "Illustrated London News", pterodaktyli ishte strehuar kaq mirë në shkëmb sa që forma e trupit të tij ishte stampuar mbi faqen e shkëmbit në mënyrë të përkryer, fakt që dëshmon se zogu do të jetë thithur nga balta e ndonjë kënete, që me kalimin e miliona vjetëve u ngurtësua në shkëmb. Por si ka mbijetuar një reptil frymëmarrës, për një kohë kaq të gjatë, pa oksigjen ose ushqim, nën atë trystni kolosale që ktheu baltën në shkëmb?

Rasti i pterodaktylit francez ka qenë gjetja më spektakolare në listën e gjatë të gjetjes së fosileve dhe reptileve të gjalla në gjendje jete të pezulluar zbuluar gjatë shekujve nga punëtorët që merren me gurët dhe shkëmbinjtë. Regjistri Vjetor, një revistë shkencore botuar në Paris, në 1761 i kushtoi shumë faqe krijesave të ngurtësuara që kishin dhënë shenja jete kur ishin liruar nga dhomat e ngurta që i kishin mbajtur trupat e tyre për një kohë shumë të gjatë edhe pas zhdukjes së specieve të tyre. Regjistri raportonte se blloqet prej shkëmbi gëlqeror që u përdorën si pllaka shtrimi për portin e Tulonit, në bregdetin Mesdhetar të Francës, shpesh kishin brenda midhje të gjalla me një aromë dhe shije mrekullisht delikate. Po aty janë botuar shënimet e Ambroise Pare, kirurgu kryesor i shekullit XVI i Mbretit të Francës, Henri III. Pare kishte përshkruar se si ai kishte mbikëqyrur punëtorë që thyenin gurë të mëdhenj në kopshtin e shtëpisë së tij në Meudon, jashtë Parisit. Në mes të një guri ata kishin gjetur një bretkosë gjigante, plot gjallëri. Guri nuk kishte patur asnjë vrimë apo të çarë nga ku mund të kishte hyrë bretkosa.

Një histori e ngjashme është treguar nga shkencëtari i respektuar Dr. Klarke i Kolegjit Caius, Kembrixh, i cili ka përshkruar eksperiencën e tij lidhur me një ekspeditë për gjetje fosilesh në një gropë shkumësore angleze. Në një thellësi 81 metra, Dr. Klark dhe ekipi i tij, zbuluan një shtresë iriqash deti të fosilizuara dhe të vdekura si edhe trupat e tre salamandrave të vogla. Meqenëse salamandrat dukeshin të ruajtura mirë në gëlqerorin e lagësht, Klarke i vendosi me kujdes mbi një fletë letër për t'i tharrë nën rrezet e diellit.

Për habinë e tij, pas pak minutash ata filluan të lëvizin. Dy prej tyre ngordhën pas pak, por i treti rrëshqiste dhe përdridhej sikur të mos kishte qenë kurrë "i fjetur". Duke qenë kurioz se si do të reagonte salamandra në ujë, Klarke e futi atë ngadalë në një pellg me ujë. Sa pa apo ndjeu ujin, salamandra rrëshqiti menjëherë mes gishtave të tij dhe u fut në ujë ku u zhduk dhe nuk u gjet më.

Klarke më vonë grumbulloi kampione nga të gjitha speciet e salamandrave që ndodheshin në pellgjet lokale me shpresë se do të gjente të ngjashme me dy trupat luspore të dy salamandrave të ngordhura, por të gjitha speciet e gjetura nga ai ishin krejtësisht të ndryshme nga fosilet e tij të gjalla. Biologu amator, Reverendi Riçard Kobold, i Kembrixhit, i cili ka ndjekur leksionet e Klarke dhe ka parë salamandrat fosile, ka konfirmuar me krenari: "Salamandrat i përkasin një specieje krejtësisht të zhdukur, krejt të panjohur më parë".

Shumë shpejt, Anglia Viktoriane u intrigua nga raportet lidhur me bretkosat dhe zhabat të gjetura të mbyllura thellë nëpër shkëmbinj dhe që jepnin shenja jete. Në tetor 1862, gazetat lokale në Linkolshajër raportonin gjetjen e një zhabe të gjallë brenda një guri që u nxorr nga rreth dy metra nga nëntoka gjatë gërmimit të një qilari në Spitlegate, Stamford. Tre vjet më vonë, Leeds Merkuri përshkruante me hollësi gjetjen e një zhabe të gjallë në një bllok guri gëlqeroro-magneziumi 200 milionë vjeçar, 7.5 metra thellë, nga Xhejms Yeal gjatë disa ndërtimeve. Zhaba, ngjyra e lëkurës të së cilës ishte e njëllojtë me të shkëmbit, pati vështirësi në frymëmarrje kur varri i saj parahistorik u hap, por shumë shpejt zhaba rifitoi ngjyrën e saj natyrale. Fatkeqësisht, ndonëse kishte mbijetur miliona vjet nën tokë, ngordhi pas dy ditësh në botën moderne.

Pas gjetjes së shumë fosileve të tilla të gjalla, u bënë eksperimente për të provuar për të krijuar vetë shkencëtarët kushte të ngjashme. Në 1825, Dr. Frank Bukland, Dekan i Uestminsterit, provoi të varroste një duzinë zhabash të pafata në varrezat e krijuara për këtë qëllim në oborrin e tij. Bukland krijoi dy shpella të vogla në dy blloqe ranorësh dhe gëlqerorësh dhe i mbylli zhabat me xham përpara se t'i varroste rreth 1 metër thellë. Një vit më vonë ai nxorri blloqet e gurëve nga toka. Zhabat e varrosura në gurin prej ranori kishin ngordhur të gjitha, kurse ato të futura në shkëmb gëlqeror dhe izoluar me xham ishin jo vetëm të gjalla, por edhe gjithë shëndet.

Megjithatë u pa se metoda e Buklandit ishte e gabuar. Mbulesa prej xhami ishte kërcur dhe kishte mundësi që insekte të vogla të hynin duke ushqyer zhabat. Kur Bukland e përsëriti eksperimentin dhe i izoloi mirë zhabat, ato ngordhën të tëra.

Sidoqoftë eksperimentet vazhduan. Sipas gazetës "The Times" e 23 shtatorit 1862, një eksperimentues francez, që groposi 20 zhaba thellë nëntokë duke i futur në kallëpe asfiksuese llaçi, u shpërblye kur pas 12 vjetësh i nxorri zhabat dhe gjeti katër prej tyre të gjalla dhe të shëndetshme.

Fosili pterodaktil francez shtron pyetjen intriguese: Çfarë do të ndodhte po të ishte diku një shkëmb gjigant që të kishte brenda një reptil parahistorik ose një dinosaur në gjendje jete të pezulluar? Dhe po sikur ky shkëmb të ndodhej diku mbi një terren ku do të zbatohet një projekt ndërtimi i shekujve pasues?


Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers