LAS VEGAS/Përse mëkati nuk mjafton

Kevin Connolly

Nëse jugu i Francës është një vend plot diell për njerëz të dyshimtë, atëherë Las Vegasi, në Nevada është një vend i ndritshëm ku lulëzojnë dëshirat e errëta. Qyteti e shfaq në mënyrë kaq të gjallë premtimin e neonave për fitime pa punuar kundrejt errësirës së qiellit të shkretëtirës, saqë thuhet se ai është i dukshëm edhe nga hapësira.
Sigurisht, shpresoj se astronautët në hapësirë të kenë diçka më të dobishme për t'u marrë se sa të verifikojnë legjenda të dyshimta urbane për dukshmërinë nga orbita të vijës qiellore të Las Vegasit, apo edhe Murit të Madh kinez. Por, gjithsesi, Las Vegasi është sinonim i optimizmit të destinuar të përfundojë keq të bixhozit.
Në të vërtetë, për vetë ekzistencën e tij, ai i detyrohet mënyrës me të cilën shpresa mund të lulëzojë aty ku dëshpërimi gjithashtu mund të zërë vend fare lehtë.
Pjesa më e madhe e Nevadës ka atë pamjen e tharë dhe armiqësore që mund ta realizosh për shembull, nëse bombardon sipërfaqen e Hënës. Por, pushtuesit spanjollë, duke u treguar disi optimistë i dhanë këtij vendi emri Las Vegas - që do të thotë livadhe - për shkak të burimeve jetëdhënës të ujit që ata gjetën këtu teksa ndërtonin botën e re. Dhe gjithmonë ka patur diçka disi të ndryshme kjo Nevada.
Në mesin e shekullit 19, ky territor i nxehtë, me një popullsi të pakët në shkretëtirat perëndimore mori me nxitim statusin e shtetit gjatë Luftës Civile, e gjitha për t'u siguruar se pala e Unionit do të kishte votat në kongres që i nevojiteshin për paqen plot konfuzin dhe përçarje që pasoi luftën.
Mund të fitohej pak në aktivitete për nxjerrjen e bakrit dhe plumbit, por me kalimin e dekadave u bë gjithnjë e më e qartë se, Nevadës i mungonin burimet.
Së pari, kufijtë shtetërorë ishin vendosur në një prej të paktave zona në pjesën jugperëndimore të Amerikës, që nuk kishte naftë në nëntokë - së dyti, Nevada ka një klimë shumë të nxehtë. Deri kur ajri i kondicionuar e bëri të durueshme jetesën aty, vendi banohej në verë vetëm nga familje të guximshme pranë kufirit si dhe desperadot perëndimorë. Zgjidhja ishte shumë mendjemprehtë. Në fjalët e një historiani të shquar amerikan, u vendos që të trajtonte sovranitetin e vet si një aset ekonomik. Thënë troç, shteti vendosi të lejojë gjëra që nuk lejoheshin askund tjetër - dhe nuk e kam fjalën për testet bërthamorë nëntokësore që qeveria e SHBE kreu aty gjatë viteve pesëdhjetë. E kam fjalën për mënyrën si Nevada vendosi të lejojë tregtinë e mëkatit - dhe ta taksojë atë. Nëse nuk bëje dot pisllëqe apo të blije birrë në orët e mëngjesit të së dielës në Oregon apo Arkansas - fare mirë mund të vije në Nevada dhe ta bëje aty.
Nëse shtete të tjerë pengonin të drejtën tënde për t'u martuar teksa ishe i dehur e i bërë tapë, në mes të natës, me dikë që e kishe takuar vetëm kur kishe nisur të pije në mbrëmjen e hershme, këtu edhe kjo u bë e ligjshme. Dhe nëse nuk funksiononte, mund të divorcoheshe më me lehtësi në Nevada se sa kudo tjetër në Amerikë.
Edhe prostitucioni është i ligjshëm në disa pjesë të Nevadës. Në një shtëpi publike nisi të shfaqet në reklamë për një mashkull që vihej në dispozicion të tregut të grave. Ai njihet si prosti-dude.
Në terma të përgjithshëm, mëkati ka funksionuar mirë. Las Vegas - qyteti i Mëkatit - u bë i pasur dhe i respektueshëm. Gangsterët hodhën themelet e prosperitetit të qytetit - dhe ndonjëherë edhe e varrosën njëri-tjetrin poshtë tyre - por më pas, frenat i morën në duar bizneset e mëdha. Deri sot, industria e kazinove mbetet në zemër të ekonomisë. Ajo sjell të ardhurat për sistemin arsimor të shtetit për shembull - një ironi e madhe kjo, sidomos po të mendosh se bixhozi mund të konsiderohet një taksë mbi budallallëkun, që mbështetet tek konsumatorët përgjithësisht të dobët në matematikë.
Fatkeqësisht, mëkati sot nuk është më një pikë shitje unike. Sigurisht, këto kohë mund të divorcohesh kudo në Amerikë, dhe ndërkohë që është ende relativisht e lehtë të martohesh në Nevada, zyra e rregjstrimeve sot e mbyll derën në mesnatë. Mos jam unë, apo duhet patjetër spontaniteti i një të dehuri që sapo ka takuar një të huaj?
Por ndryshimi më i madh nga të gjithë ka ndodhur me profilin e bixhozit në Shtetet e Bashkuara - një tjetër zonë ku ekuilibri është zhvendosur në vitet e fundit ndërmjet impulseve binjakë amerikanë të puritanizmit dhe kërkimit plot energji të lumturisë. Ndërkohë që, Vegasi qëndronte i vetëm dikur si një ishull i mëkatit, panorama e dekadencës në Amerikë është sot shumë më e populluar.
Për shembull, Atlantic City në New Jersey, një vendpushim i rrënuar në fillimin e viteve shtatëdhjetë, zgjodhi biznesin e bixhozit për t'u rigjeneruar në vitin 1976. Më pas, të drejtat e bixhozit iu njohën 546 tribuve indiane të njohura zyrtarisht në Amerikë. Sot, 43 nga 50 shtete kanë llotari të ligjshme dhe 19 prej tyre lejojnë bixhozin në kazino.
Ligjet amerikane mbeten të ashpër për bixhozin në internet që dallon nga bixhozi në rrotën e ruletës - por Nevada nuk e ka më monopolin e mëkatit. Ajo vështirë se mund të rikthehet në minierat e plumbit apo testet bërthamore nëntokësorë, dhe qyteti i Las Vegasit tashmë e sheh vetveten në një formë më të gjerë turizmi. Eshtë një vendpushim ku mund të luash, jo thjeshtë një vendpushim që e viziton pikërisht për të luajtur.
Sigurisht, është një rrugë e vështirë dhe shumë kompetitive. Ka shumë vende të tjerë nëpër botë, ku mund të shpenzosh paratë si turist. Megjithatë, kur sheh se si ky qytet i dritave u ndërtua që nga shkëmbinjtë e errët të shkretëtirave të dikurshme të perëndimit, atëherë nuk do të mund të vije bast kundër Las Vegasit.

Google+ Followers