KINA/Dragoi i butë


Ngjitja e Kinës është, ashtu si e dimë të gjithë tashmë, lajmi ekonomik dhe politik i kohëve që jetojmë. Çdo javë, një libër i ri flet për një "anim" të pandalshëm drejt lindjes, shfaqjen e "Chimerica-s" dhe një të ardhme jo shumë të largët kur Kina do të sundojë planetin. Mediat kryesore, dhe sidomos shtypi i biznesit janë të mbërthyer nga narrativa e Kinës që merr kontrollin e botës - çdo lajm tjetër në "Financial Times" dhe "The Wall Street Journal" ka një fokus të vetin tek Kina.
Por mbulimi i sulmit global të Kinës ka qenë shumë i shkurtër në kontekst, sidomos kur vjen puna tek ajo se si Kina po e kalon - ose jo - Amerikën si një fuqi globale. Ka me dhjetëra lajme për një projekt infrastrukture të sponsorizuar nga kinezët apo një kompanie kineze që arrin një marrëveshje për të plotëusar "etjen e pangijshme" për lëndë të parë, ndërkohë që angazhimi i kompanive perëndimore në një masë të tillë apo edhe më të madhe, rrallë përbën lajm. Ndërkohë, një vështrim nga afër në të dhënat ekonomike si dhe në hijet më delikate të pushtetit, si përshembull influenca kulturore dhe ndihma humanitare, zbulon se ndërsa Kina është vërtetë një prej fuqive të mëdha në botë sot (në fund të muajit që kaloi, ajo e kaloi zyrtarisht Japoninë si ekonomia e dytë më e madhe në botë) ndikimi i saj është i përzierë dhe shpesh i ndihmuar prej Amerikës.
Ndërkohë që, tregtia e Kinës me vende të Amerikës Latine dhe Afrikës është duke u rritur në mënyrë eksponenciale, ajo është gjithsesi prapa asaj të Amerikës, që ka prirjen të ketë më shumë diversitet. Në Azi, Kina është tashmë partneri tregtar dominues, megjithatë, të ardhurat janë shpesh për mallra të fundëm, ndërkohë që Amerika dominon zinxhirin e sipërm të ushqimit. Ndihma dhe investimet e huaja direkte amerikane në këta rajone vazhdojnë të eklipsojnë ato kineze, dhe fuqia e butë e saj vazhdon të mbizotërojë, ashtu si edhe forca e saj ushtarake, pavarësisht përforcimeve kineze kohët e fundit në rajon.
"Vetëm pesha ekonomike nuk ka mjaftuar asnjëherë për një vend që të jetë dominues jashtë kufijve të vet", thotë Charles onyango-Obbo, një gazetar që shkruan për gazetën e përjavshme "The East African". Kohët e fundit ai ka shkruajtur një editorial të titulluar: "Parakalimi kinez? Unë nuk po humbas gjumin"!
"Në të vërtetë ka qenë arsimi, teknologjia, kultura amerikane (Hollywoodi dhe muzika), biznesi dhe sporti që e kanë mundësuar të jetë kaq e shtrirë influenca e SHBA", thotë ai. "Kina do të jetë një fuqi shumë e rëndësishme, por nuk do të jetë dominuese".
Ndoshta kjo nuk është askund më e dukshme se sa në Afrikë, atje ku Kina është përshkruar si fituesi mendjehollë i një përleshje neokoloniale për burime, duke ofruar ndihmë për zhvillim - kryesisht në formën e mallrave me çmime të ulët, investime në infrastrukturë, dhe kredi të buta - të gjitha të ofruara pa kërkesa të stilit perëndimor për respektim të të drejtave të njeriut. Në këmbim, Kina siguron akses për lëndë të para për të ushqyer bumin e vet ekonomik. Nuk ka asnjë dyshim që prania e Kinës në kontinent është rritur shumë në vitet e fundit. Por SHBA mbetet partneri më i madh tregtar i Afrikës nënSahariane, duke zënë 15% të tregtisë totale të afrikës kundrejt 15% që zënë kinezët.
Në të vërtetë, pjesa më e madhe e tregtisë Kinë-Afrikë përbëhet nga importi kinez i naftës prej 5 vendeve, dhe qoftë edhe sa i përket naftës - që thuhet se është shtytësja kryesore e Kinës në kontinent - Amerika ka një avantazh të dukshëm. Kina importon 17% të naftës afrikane, krahasuar me 29% që importon Amerika (dhe 35% Europa). Kompanitë perëndimore janë partnerët kryesorë të huaj në projekte nafte në Nigeri, që është prodhuesi më i madh i naftës në Afrikën nënSahariane, si dhe në prodhuesit e mëdhenj të naftës në kontinent si Gana dhe Uganda.
Kjo tendencë mund të vazhdojë, pjesërisht për shkak ta akuzave për korrupsion dhe zbatime të dobët në një numër projektesh kinezë në energjetikë dhe infrastrukturë në të gjithë Afrikën. Një projekt 8 miliardë dollarësh i sponsorizuar nga Kina, që synonte ndërtimin e një rruge dhe miniere në Kongo, që në fillim u quajt "Plani marshall i Afrikës", është njollosur nga akuzat për korrupsion dhe zbatim të dobët, ashtu si ka ndodhur edhe me një projekt të madh kinez për shtrirjen e fibrës optike në Ugandë.
Çmagjepsja me Kinën është veçanërisht e fortë në Angolë dhe në Nigeri, që disa vite më parë të dyja anonin nga Kina, të joshura nga premtimi për kredi të buta dhe pa kushte zhvillimi si dhe mosndërhyrje në politikën e brendshme. Tregtia e ndërsjellë mes Kinës dhe Nigerisë u dyfishua në 7 miliardë dollarë mes viteve 2006 dhe 2008. Megjithatë, presidenti i ndjerë i Nigerisë, Umaru Yar'Adua anuloi një numër projektesh për shkak të skandaleve dhe vonesave. Ndërkohë, Uashingtoni ka përfituar në heshtje: sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, eksportet drejt Nigerisë janë rritur me 48% dhe importet (kryesisht naftë) me 16% vetëm këtë vit.
Situata është e njëjtë në Angolë, ku angolezi Rafael Marques de Morais, themelues i Maka, që monitoron korrupsionin në vend thotë se, "korrupsioni si dhe një mungesë llogaridhënie për marrëveshjet Angola-Kinë kanë dëmtuar një marrëdhënie më të qëndrueshme dhe afatgjatë mes dy vendeve". Ai tregon Spitalin e ndërtuar nga kinezët në Luanda, spitali i parë i kryeqytetit që nga koha e pavarësisë, i cili "4 vite pas inaugurimit, praktikisht po shembet". Në korrik, pacientët dhe stafi u evakuuan për shkak të alarmit për sigurinë e tyre. Edhe një herë, Uashingtoni shfrytëzoi pakënaqësinë, duke zhvilluar takime me zyrtarë të Angolës në qershor për të diskutuar mënyra për diversifikimin e tregtisë, si dhe duke arritur një marrëveshje të re mirëkuptimi të FMN që mund të çojë në kredi të reja prej bankave perëndimore.
Kjo nënvizon angazhimin më të thellë dhe më të diversifikuar të Amerikë jo vetëm me Afrikën, por edhe me shumë pjesë të tjera të botës, përmes institucioneve ndërkombëtarë si dhe përmes ndihmës humanitare dhe ndihmës ushtarake. Pavarësisht lidhjeve në nivele të larta me Zimbabven dhe Sudanin, Kina ka prani të ulët ushtarake në Afrikë dhe pothuajse aspak në Amerikën Latine, dhe vazhdon të jetë prapa Amerikës edhe në oborrin e saj. Për shembull, muajin që kaloi në Hanoi, SHBA ishte një prani e mirëpritur në Forumin Rajonal ASEAN, samiti më i madh i sigurisë në Azi, mes rritjes së shqetësimeve për forcimin e ushtrisë kineze si dhe pretendimeve të saj për ishujt Paracel dhe Spratly, që gjithashtu pretendohen pjesërisht nga Taivani, Vietnami, Brunei, Malajzia dhe Filipinet. Obama ka në plan të ftojë liderët e ASEAN në një tjetër samit në SHBA këtë vjeshtë, dhe ministrat e jashtëm të ASEAN kanë ftuar SHBA për një dialog rajonal, i njohur si Samiti i Azisë Lindore, që diplomatët thonë se do të ndihmojë për të kundërpeshuar ndikimin kinez në rajon. Uashingtoni rriti kohët e fundit ndihmën humanitare dhe ushtarake në Laos dhe Kamboxhia si dhe i hoqi ata nga një listë e zezë tregtare, gjë që do të sjellë tërheqjen e më shumë investimeve amerikane. Dhe në korrik, zëvendës kryeministri vietnamez, Pham Gia Khiem tha se, Amerika dhe Vietnami po e lënë prapa të kaluarën e tyre teksa forcojnë lidhjet ushtarake dhe tregtare. Tregtia e tyre e ndërsjellë u rrit nga 2.91 miliardë dollarë në vitin 2002, në 15.4 vitin që kaloi. SHBA ka bërë përparim të ngjashëm në Indonezi, duke firmosur një marrëveshje në prill që do të lejojë më shumë prurje kapitali amerikan në ekonominë më të madhe të Azisë Juglindore.
Sigurisht, Azia është ende një rajon në botë ku Kina tani dominon tregtinë rajonale - tregtia në tërësi mes Kinës dhe pjesës tjetër të kontinentit arriti 231 miliardë dollarë kundrejt 178 miliardëve të SHBA, gjatë vitit 2008. Por shumica e prurjeve janë në mallra të ndërmjetëm me vlerë të ulët (Kina blen pjesë të lira dhe lëndë të parë të lirë nga vendet e varfër dhe i përdor për produkte për eksport, ashtu sikurse furnizon me po këta mallra vende më të pasur si Korea e Jugut). Kjo tregti nuk nxit transferimin e aftësive, për të cilin kanë nevojë kaq shumë vende të Azisë Juglindore në përpjekjen e tyre për t'u ngjitur lart në shkallën e teknologjisë. Vende si Malajzia, Singapori, Vietnami, Tailanda dhe Indonezia vazhdojnë të varen nga angazhimi i tyre sipërmarrës, teknologjik dhe arsimor me SHBA për këtë. Dhe Amerika zë pjesën më të madhe të investimeve të huaja direkte - 8.5% kundrejt 3.8% të Kinës. Ekspertë si Elisabeth Economy, drejtreshë e Studimeve për Azinë në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë beson, se lëvizjet drejt një bashkëpunimi më të ngushtë politik, ekonomik dhe për sigurinë me SHBA në Azinë Juglindore do të vazhdojnë. "Askush nuk ka qëllim ta humbasë shansin", thotë ajo.
Në vende të tjerë ku, Kina është më e spikatur ekonomikisht, si Amerika Latina, SHBA ka ende karta të rëndësishme për të luajtur. Vitin që kaloi, Kina zëvendësoi SHBA si partnerin kryesor tregtar të Brazilit dhe sot është partneri i dytë tregtar më i madh në Venezuelë, Kili, Peru, Kosta Rika dhe Argjentinë. Por, ndërkohë që tregtia e përgjithshme e Azisë me rajonin u rrit me 96% gjatë dekadës së fundit, SHBA pa një rritje edhe më të madhe (118%). Dhe sipas SinoLatin capital në Shangai, investimet e akumuluara të Kinës në Amerikën Latine deri në fund të 2008 ishin vetëm 12 miliardë dollarë - ose më pak nga sa shteti i Michiganit investon në rajon, sipas China Economic Review.
Ashtu si në shumë rajone, ka barriera kulturore dhe gjeografike për marrëdhënie më të ngushta mes Kinës dhe Amerikës Latine. "SHBA dhe Amerika Latine janë të dënuara të jetojnë bashkë, dhe Kina nuk mund të konkurojë asnjëherë me këtë", thotë Kevin Casas-Zamora, një ekspert mbi Amerikën Latine në Brookings Institution. Fuqia e Amerikës e lë pas atë të Kinës për shkak të apelit ndaj kulturës popullore, gjuhës, idealeve. Shumica e vendeve amerikano-latinë janë demokraci funksionale apo aspirante, dhe pavarësisht përpjekjeve të Kinës për të tërhequr interes në gjuhën kineze si dhe në kulturën e saj përmes Instituteve Konfuci (300 në gjithë botën, përfshirë 21 në Amerikën Latine), mbeten shumë pak folës të gjuhës kineze në Amerikën Latine dhe spanjishtëfolës në Kinë. Një tjetër faktor pro Amerikës është lidhja e Presidentit Obama me rajonin (çdo gjë, nga restorante deri tek lavazhe marrin emrin e tij). Shenja të kulturës amerikane, nga filmat, tek muzika dhe moda e përshkojnë rajonin. Studentë afrikanë vazhdojnë të ëndërrojnë të shkojnë në SHBA për të studiuar, dhe anglishtja është gjuha që të gjithë duan të mësojnë.
Për më tepër, SHBA është ende vendi që thirret kur ka telashe. Mendoni bombat e terroristëve në Kampala, Uganda që shkaktuan më shumë se 85 të vdekur këtë verë. Presidenti Museveni kish këmbyer kunja me Uashingtonin përpara incidentit, në lidhje me ritmin e reformave demokratike në vendin etij. Ai gjithashtu kish forcuar lidhjet me Kinën. Por pas atentateve, ai menjëherë u kthye nga Pekini, por nga Uashingtoni për ndihmë, dhe mori 24 milionë dollarë në fuqi njerëzore dhe burime teknike.
Këto lloj përpjekjesh, sidomos kur krahasohen me qullosjet politike të Kinës në Afrikë dhe në vende të tjerë e bëjnë Amerikën të duket më mirë dhe nënvizojnë shanset që ajo ka për të luajtur kartat e panumërta që ka në dispozicion - kulturore, ushtarake, shkencore dhe ekonomike. Shumë prej tyre janë përdorur më pak nga sa duhet ose janë keqpërdorur gjatë dy dekadave të saj si superfuqia e vetme në botë.

Google+ Followers