Hollywood/Dashuri me mafian


Nuk është e vështirë të kuptosh marrëdhënien e dashurisë së Hollywoodit me mitologjinë e mafias. Bota e krimit të ofron të gjitha kurthet e një filmi super të suksesshëm: njerëz të rrezikshëm me një oreks të pashuar për pushtet që kërcejnë me vajza të bukura, në anën e gabuar të ligjit. Stampa e këtyre lloj filmave u vendos në 1932, me versionin origjinal të "Njeriu me shenjë", një film hit nga regjisori legjendar Howard Hawks, që bazohej afërsisht në jetën e Al Capone-s. Censorët kërkuan që producenti Howard Hughes të shtonte nëntitullin "Turpi i kombit", me qëllim që shikuesit nuk do ta interpretonin filmin si një glorifikim të stilit të jetesës së gangsterëve. Në kohën e daljes së tij, ai qe filmi më i dhunshëm që prodhohej në Hollywood, e megjithatë protagonisti i paedukuar, që eliminon në mënyrë brutale konkurrentët dhe që fiton miliona me kontrabandë, del në fund më shumë si një hero popullor se sa si një kriminel gjakftohtë.
Në vitin 1972, filmi "Kumbari" i Francis Ford Coppola-s, kapoja i padiskutueshëm i të gjithë filmave mbi mafian, e ngjiti formatin nga një kënaqësi e fajshme në një epikë shekspiriane. Marlon Brando injektoi tek Don Corleone një sens fisnikërie dhe mirësie. Ai është i ashpër por i drejtë, Robin Hood me një kostum Armani. Ai është dashamirës, për ata që e mbështesin dhe për ata që meritojnë ndëshkim. Në mendje të vjen menjëherë një kokë kali e prerë. Trilogjia Kumbari doli në një kohë kur mafia ishte në rënie në Shtetet e Bashkuara, kjo për shkak të legjislacionit të ashpër dhe përpjekjeve herkuliane nga ana e forcave të ligjit.
Në Itali, sidomos në Napoli, Kalabri dhe në Palermo, krimi i organizuar ishte në zenitin e vet në vitet '70 dhe '80. Trafiku i drogës i pasuronte mafiozët vendas dhe një betejë për pushtet që u njoh si luftëra e Cosa Nostra shkaktoi mijëra viktima. Dhuna nuk ishte vetëm mes fraksioneve rivalë. Edhe forcat e policisë dhe qytetarët e zakonshëm ishin shënjestra. Pjesëtarë të mafias infiltruan në organet e qeverisjes lokale dhe kishin një dorë në çdo segment të tregtisë në Sicili dhe në Italinë e Jugut, që nga pronat e paluajtshme deri tek mjekësia dhe bujqësia. Italianët ishin ngurrues për të folur për mafian dhe të tmerruar për të dëshmuar për horrorin që shpalosej mu përpara syve të tyre. Por romanca që ata kishin patur me "burrat e nderit" që dikur kishin mbrojtur fshatarët nga policia kombëtare e korruptuar po ftohej në Sicili, ashtu sikurse dhe marrëdhënia e dashurisë me legjendën e mafias në celuloid nisi të nxehej në SHBA.
Deri në 1992, vrasja e prokurorëve antimafia Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino nisi të kthejë opinionin publik në Itali kundër krimit të organizuar. Dëshmitë e dëshmitarëve si Rita Atria sollën qindra dënime dhe e gjymtuan dominimin e mafias në tregtinë italiane. Filmi i vitit 2008, Gomorrah (bazuar në librin e Roberto Savianos), mori vlerësime ndërkombëtare për përshkrimin grafik që i bën brutalitetit dhe dominimit ndërkombëtar të sindikatës napoletane të krimit, Kamorra.
Që nga suksesi i Gomorrah, një seri filmash neoraealistë antimafia kanë dalë nga regjisorë italianë. Në filma si Fortapa dhe "Io Ricordo" heronjtë nuk janë mafiozët, por ata që luftojnë kundër krimit të organizuar. Përkundër prototipeve të Njeriut me Shenjë dhe Kumbarit, heronjtë e rinj popullorë janë në anën e duhur të ligjit. Nuk është e lehtë të magjepsesh nga një njeri i rrezikshëm me kostum të shtrenjtë, kur e ke parë me sytë e tu dhunën që ai shkakton.
1972 - Kumbari
Kryevepra e vitit 1972 me regjisor Francis Ford Coppola, bazohej në romanin e Mario Puzos dhe në të u mblodhën disa prej aktorëve më të mirë të Amerikës, duke përfshirë Marlon Brando dhe Al Pacino. Filmi fitoi Oscar-in si filmim më i mirë dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë të shekullit XX. Kumbari është imituar më vonë disa erë, por asnjëherë nuk është arritur niveli i tij. Edhe dy filmat pasardhës të Coppola-s nuk kanë arritur lavdinë e origjinalit.
1990 - Djemtë e mirë
"Për aq sa mundem të mbaj mend, gjithmonë kam dashur që të jem një gangster". Kështu fillon filmi i vitit 1990 i Martin Scorcese, bazuar në jetën e mafiozit të penduar Henry Hill. Performanca e mrekullueshme e Ray Liotta përshkruan transformimin e Hill nga një aspirant për gangster në një njeri të rëndësishëm gjatë tre dekadave të tij në mafian e Nju Jorkut. Siç ka shkruajtur David Ansen, "çdo minutë e vetme në këtë film të gjatë vibron me energji të jashtëligjshmish". Në fund, Hill kapet për trafik droge dhe përfundon si një "schnook" i zakonshëm në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, i djegur nga nostalgjia për kohët e tij si Goodfella.
1995 - Kazino
Në filmin e vitit 1995, Kazino, Scorcese u bashkua sërish me Nicholas Pileggi, i cili ishte bashkëskenarist i Goodfellas dhe gjithashtu shkruajti librin tek i cili ai bazohej. Joe Pesci rikthehet i njëjti protagonist tip psikopati që ishte tek Djemtë e Mirë, ndërkohë që Robert de Niro luan Sam Rothstein, një pjesëtar hebre i mafias që dërgohet të drejtojë një kazino në Las Vegas. Personazhi bazohet tek Frank Rosenthal, një bastvënës real nga Cikago. Ylli i vërtetë i filmit është Sharon Stone, e cila luan bashkëshorten e Rothstein, një grua joshëse që zhytet në drogë.
2008 - Gomorrah
Epika e vitit 2008 e regjisorit Matteo Garrone bazuar në librin e Roberto Savianos, është historia e pesë jetëve të prekura në një farë mënyre nga sindikata e krimit e Napolit e njohur si Kamorra. Me dëshpërimin e një lagjeje banimi të Napolit si sfond, filmi ofron një pamje të pagabueshme të impaktit gërryes të krimit të organizuar. Në një skenë të paharrueshme, aspirantë për gangsterë përmendin thënie të marra nga filmi i Brian de Palmas "Njeriu me shenjë", riprodhimi i 1983, gjë që tregon se filmat frymëzojnë gangsterët po aq sa këta kanë frymëzuar filmat.
1932 - Njeriu me shenjë
"Njeriu me shenjë" ishte filmi i parë me gangsterë, por ai ka qenë më realisti, duke riofruar madje incidente nga jeta reale si Masakra e Ditës së Shën Valentinit e vitit 1929, në të cilën njerëzit e Capones rreshtuan pesë pjesëtarë të një bande rivale në një garazh në Cikago dhe i ekzekutuan. Capone nuk u akuzua asnjëherë për vrasjen dhe thuhet se ai u shqetësua se mos filmi, që doli në 1932, në një farë mënyre do ta implikonte edhe atë. Ai dërgoi një nga njerëzit e tij për një bisedë me regjisorin Hoëard Haëks, duke kërkuar që ta shihte një herë ai vetëm filmin para se të dilte. Regjisori i tha se duhej të blinte një biletë ashtu si gjithë të tjerët.
1991 - Gangsterët
Nëntitulli i filmit: "Ata u ngritën nga hiçi për të sunduar gjithçka", përmbledh filmin "Gangsterët" dhe përshkrimin heroik të botës së krimit të epokës së depresionit të madh në qytetin e Neu Jorkut. Ndonëse filmi i vitit 1991 ka shumë liri artistike, ai nuk ndryshon emrat e gangsterëve legjendarë - Meyer Lansky, Lucky Luciano dhe Bugsy Siegel - mbi të cilët bazohet edhe skenari.
1984 - Na ishte një herë Amerika
Me një kohëzgjatje prej katër orësh, "Na ishte një herë Amerika" është rrëfimi epik i Noodles (Robert De Niro), një djalosh i varfër nga Brooklyni, që përfshihet në krimin e organizuar për arsye se duket që ky është opsioni më i mirë i mundshëm për të patur një karrierë. Për të punuar për filmin e vitit 1984, për të cilin iu desh një dekadë që ta përfundonte, regjisori Sergio Leone thuhet se hodhi poshtë një ofertë nga Paramount Pictures për të qenë ai regjisori i Kumbarit.
2009 - Fortapàsc
Fortapàsc është një italianizim i Fort Apache, qëllimi i të cilit është të përcjellë idenë e të qenit nën rrethim. Filmi është një tribut simpatizues për gazetarin italian Giancarlo Siani, i cili u vra nga një familje krimi e Napolit në vitin 1985 për arsye se ata mendonin që ai dinte shumë.
1993 - Përrallë nga Bronksi
Shkruar nga Chazz Palminteri dhe i bazuar në përvojat e jetës së tij, filmi i 1993 "Përrallë nga Bronksi" përshkruan zgjedhjen e vështirë të një djaloshi mes rrugës së jashtëzakonshme që ka përshkuar një i lidhur me mafian apo jetës së ndershme, por të zakonshme të babait të tij punëtor. Robert De Niro është regjisor i filmit dhe luan rolin e një shoferi autobusi që përpiqet të rrisë një djalë të bindur ndaj ligjit në një lagje të Bronksit të dominuar nga mafia.
1973 - Rrugë të këqia
Filmi i vitit 1973 "Rrugë të këqia" është filmi i parë i spikatur i Martin Scorceses dhe ai bazohet në skena që ai vetë kishte parë teksa rritej në Little Italy në qytetin e Nju Jorkut. Eshtë historia e një banditi të ri në moshë (Harvey Keitel), i cili përpiqet që të ngjisë radhët në familjen lokale të mafias. Ai është i mëdyshur mes përgjegjësive të tij profesionale si dhe besnikërisë ndaj miqve të tij.

Google+ Followers