Ferr në Moskë


Moska, mbretëresha e akujve. E pamposhtur kundër të ftohtit, shumë e dobët përballë përparimit të zjarrit. Sot, ashtu si dje. Në 14 shtator të vitit 1812, të nesërmen e betejës së Borodinit, Napoleoni hyri fitimtar në një metropol të drunjtë, të cilit i kishin vënë flakën vetë moskovitët në arrati. Dyqind vjet dhe dy miijë grataçiela më vonë, Moska është sërish e rrethuar nga flakët. Vera më e nxehtë e disa mijëra viteve të fundit, siç ankohen buletinët zyrtarë, e ka zhytur kryeqytetin rus në një spirale zjarresh jashtë kontrolli që po i detyron qytetarët të shkojnë drejt një dorëzimi që u përket kohërave të tjera. Mijëra kanë braktisur qytetin, duke kërkuar strehim tek të afërm në zona të tjera ende të pambytura nga reja e dendur e tymit ngjyrë gri, që ngjitet pas veshjeve dhe në të çarat e portave, duke përhapur vdekje dhe frikë.
Nëse mesatarja e përditshme e të vdekurve në qytet nuk u kalon 300 vetët, këto kohë vdesin më shumë se 700 moskovitë në ditë, mbi të gjitha të moshuar. Ashtu siç ndodh në luftë, kush është i dobët nuk mbijeton. Dhe kështu, vdekja nga polmoniti, nga arresti kardiak apo nga ndërlikime të frymëmarrjes. Armiku vjen i gjithi nga brenda: nga pamjaftueshëmria në numrin e zjarrfikësve, të përgjysmuar gjatë viteve të fundit për shkak të një legjislacioni miop; nga papërshtatshmëria e banesave, që nuk kanë impiante për ajrin e kondicionuar; nga mungesa e aparaturave në spitalet publikë, ku mund të vdesësh për shkak se nuk gjendet bombula e oksigjenit apo, sepse rregullorja e brendshme nuk lejon blerjen e ventilatorëve.
Pastaj është ai injorimi tipik i politikanëve për veprat parandaluese që do të kishin siguruar prej kohësh impiantet bërthamorë dhe bazat detare, duke shmangur kështu punë të rënda dhe të jashtëzakonshme për ushtarakët dhe për punonjësit e hekurudhave. Nga jashtë vijnë përforcimet e kavalerisë. Polonia ka ofruar 155 pompierë, Franca një aeroplan, vendet balltikë kanë bërë garë me deklaratat e tyre të solidaritetit. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni ka nxituar në ndihmë të mikut Putin, duke ofruar fillimisht tre avionë për ndihmë dhe më pas dy Canader për të shpëtuar një rezervë natyrore në Samara, në brigjet e lumit Vollga.
Në fund, flakët do të ndalen. Gjithmonë kështu ka ndodhur. Megjithatë, shenja e dëmeve do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Dhe jo vetëm, sepse është humbur një pyll me përmasat e Umbrias në Itali. Por, sepse 200 avionë dhe 2 mijë banesa janë shkatërruar, 10 milionë hektarë tokë janë asgjësuar, 20 milionë tonë drithëra janë bërë pluhur e hi dhe eksporti i 50 tonëve të mbetur është bllokuar për të mos lejuar që bashkë me drurin të ndizet edhe inflacioni.
E pastaj, klima e pamëshirshme e kësaj vere me 40 gradët e saj si dhe rreziku i malarias kanë nxjerrë zbuluar dobësinë ekonomike të Rusisë së re.
Në shkatërrimin e kësaj jave, vendi ka humbur 11 përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm, ose më saktë 11 miliardë e gjysmë euro. Dhe për më tepër, është humbur besimi i qytetarëve tek aftësia e binomit të paprekshëm - Kryeministri Putin e Presidenti Medvedev - akuzuar nga popullsia se merret shumë me interesat personalë dhe shumë pak për ata të vendit.
Sipas sociologut Leonty Byzov, popullariteti i Putinit, që ishte tashmë në rënie të lirë, mund të bjerë dramatikisht gjatë muajve të ardhshëm, atëherë kur pasojat e fatkeqësisë natyrore do të rëndojnë mbi popullsinë. Një popullsi të cilës, bashkë me tymin dhe hirin, i është rikthyer edhe një dozë e fortë pesimizmi.


Zjarr dhe ujë

Hakmarrja e qiejve



Teksa Rusia digjet e bëhet shkrumb e hi, mijëra kilometra në jugperëndim, stuhitë shkaktojnë përmbytje të paprecedenta në Pakistan. Të dy ngjarjet mund t'i atribuohen të njëjtit model në shkallë të madhe të qarkullimit atmosferik. Janë gjithashtu lloji i gjërave që shkencëtarët e klimës presin të ndodhin gjithnjë e më tepër në një botë që ngrohet.


Pjesa e sipërme e atmosferës goditet butë nga ato që njihen valët Rossby - lëvizje ajri në drejtim të poleve dhe larg nga polet. Këto zakonisht udhëtojnë në lindje apo në perëndim, në varësi të kushteve të ndryshme. Por ato mund të qëndrojnë edhe të palëvizura, duke zënë si në kurth motin poshtë tyre.
Sipas Brian Hoskins, një shkencëtar i klimës në Universitetin e Reading, Britani, këtë vit anticiklonet në Atlantik kanë prodhuar një bllokim të tillë në botën e valëve Rossby, me gropa të vazhdueshme presioni të ulët mbi Europën Perëndimore dhe Qendrore, një varg me presion të lartë mbi Rusi, dhe sërish pjesë me presion të ulët në vendet më në lindje.
Vetë ajri nuk është e thënë të qëndrojë i palëvizur, por modelet e presionit që dominojnë motin vazhdojnë. Zonat me presion të ulët kanë shkaktuar shira, duke sjellë përmbytje të mëdha në Europën Perëndimore dhe Qendrore dhe përmbytje katastrofike në Pakistan. Ndërsa, presioni i lartë mbi Rusi ka shkaktuar rekorde të njëpasnjëshëm temperaturash të larta.
Ashtu si shumë procese atmosferikë, valët e të nxehtit kanë një tendencë që të ushqehen me vetveten. Presioni i lartë e bën të vështirë formimin e reve, e si pasojë edhe shiun. Nën qiej pa re, sipërfaqja heq dorë nga lagështia e saj, duke e bërë terrenin edhe më të nxehtë dhe më të thatë, ndërkohë që nuk i rrit aspak shanset për të rënë shi. Dhe teksa gjërat bëhen gjithnjë e më të thata, nisin dhe përhapen zjarret. Ajri i palëvizshëm e mban tymin pranë sipërfaqes, duke i shumëfishuar kështu efektet e tij mbi shëndetin. Tymi e nxeh edhe më shumë ajrin. Pikërisht kjo gjë ka ndodhur në Rusi gjatë dy muajve të fundit.
Sipas Geert Jan van Oldenborgh, i Institutit Mbretëror Meteorologjik të Holandës, një krahasim i drejtpërdrejtë i temperaturave që janë vënë re në Rusi këtë verë me ato të 60 viteve të fundit tregon, se një pjesë e madhe e vendit po përjeton temperatura që mund të priten vetëm një herë në 400 vjet. Për disa pjesë, është edhe më nxehtë nga sa mund të pritet një herë në një mijë vite. Nëse merr parasysh tendencën e ngrohjes përgjatë gjysmë shekullit të fundit, atëherë vala e jashtëzakonshme e të nxehtit nis të duket më pak e pamundur: ndoshta një ngjarje që ndodh një herë në shekull. Teksa tendenca e ngrohjes vazhdon në të ardhmen, atëherë shanset që ngjarje të tilla të ndodhin më shpesh në të ardhmen rriten edhe më shumë.
Peter Scott, kreu i Departamentit të Monitorimit të Klimës në zyrën e Motit të Britanisë thotë se, një ndryshim në rrymën e pjesës së sipërme të atmosferës, që është pjesë e një modeli edhe më të madh atmosferik, ka lejuar më shumë ajër të ngrohtë musonik në drejtimin verior drejt pakistanit. Në po të njëjtën kohë, thotë profesori Hoskins, ajri i ftohtë ka hyrë në rajon në pjesët e sipërme të atmosferës, duke ardhur nga veriu, prej Siberisë, si pjesë e po të njëjtit model që po mban të nxehtë klimën në Rusi. Influksi i ajrit të ftohtë mbi ajrin e nxehtë e të lagësht favorizon atë lloj modeli atmosferik që prodhon stuhi të fuqishme, duke e kthyer lagështinë e ajrit në ujë në tokë në mënyrë shumë eficiente.
Si mund të ndryshojë marrëdhënia komplekse mes rrymave të sipërme dhe valëve Rossby në një botë që ngrohet? Për momentin, askush nuk është i sigurtë. Ndryshimi i klimës do të ndryshojë në një farë mënyre modelet e qarkullimit, por nuk ka arsye të forta për të besuar që ato do të ndodhin në mënyrë më të shpeshtë. Megjithatë, efektet e këtyre modeleve mund të bëhen më të këqinj për arsye se, bota do të jetë më e ngrohtë dhe do të ketë një cikël hidrologjik më të fuqishëm.
Si valët e të nxehtit, ashtu edhe shirat e furishëm janë më të zakonshëm sot nga sa kanë qenë 50 vjet më parë. Duke hedhur poshtë tendencat e fundit, musoni indian ka parë më shumë shira në ngjarje ekstreme se sa në të kaluarën. As edhe një prej atyre ngjarjeve nuk mund t'i atribuohet në mënyrë direkte ndryshimit të klimës; as edhe vala e të nxehtit në Rusi. Megjithatë, modeli i rritjeve u shkon për shtat pritshmërive - dhe këto pritshmëri thonë se gjërat do të përkeqësohen.

Google+ Followers