EVAZIONI/Parajsat fiskale, bumi s'është ndalur!



Fjalëve nuk dëshiron t'u besojë më askush. Udhëheqës qeverish dhe ministra thesari pohojnë me zë të lartë, se do të donin t'i shihnin të mbylleshin. Të eliminoheshin. Aq sa për t'u treguar shteteve respektivë se sa të zotë janë në luftën kundër evazionit. Por siç tregon një seri studimesh, parajsat fiskale sot lulëzojnë më shumë se asnjëherë, me një tërheqje që nuk është dëmtuar apo prekur aspak nga listat e shumta të quajtura black lists, që qarkullojnë në kanceleritë e të gjithë botës. Ndoshta janë duke ndërruar mbajtësit apo përfituesit e llogarive të kriptuara, apo ndoshta janë duke ndërruar vendet e origjinës të pasurive që u nënshtrohen financave. Por në tërësi, vlerësimet e përpunuara në vitin e parë pas krizës së madhe financiare, dëshmojnë për një vitalitet mbresëlënës. Të dhënat janë përfunduar, për ironi të fatit, në javët pas samitit të fundit të G20 në Toronto, atje ku të mëdhenjtë e Tokës kanë bërë për të disatën herë deklarata kundër llogarive jashtë vendit, duke përsëritur edhe një herë deklaratat e tyre për luftë totale.

Në vitin 2009, evazorët fiskalë bënë që të zhduken nga qarkullimi pothuajse një mijë miliardë dollarë. Dhe kjo, pikërisht në momentin kur ekonomia globale pësonte një tkurrje me 1.9 përqind dhe kur në Shtetet e Bashkuara pothuajse 8 milionë familje dilnin në rrugë. Pikërisht në Amerikë, aty ku ekonomia jep një farë sinjali për rimëkëmbje Barak Obama ka prezantuar prej pak kohësh planin e tij të reformës financiare, ishte e ligjshme të pritej një farë ndërrimi rolesh për përfituesit. Megjithatë, në fund, lobet e Wall Street, korporatat e mëdha dhe hedge fund-et ishin ata që përfituan sërish më shumë.

Kështu, në dy mijë e ca faqet e revolucionit të paralajmëruar nga Shtëpia e Bardhë parajsat fiskale jashtë vendit janë përmendur shumë pak, një shenjë që edhe në Shtetet e Bashkuara po ndihen presionet që, në Bashkimin Europian kanë penguar deri tani një veprim të vendosur. "Ndoshta rritja e kapitaleve të fshehur në llogaritë jashtë vendit është lajmi më shqetësues dhe më i vështirë për t'u përtypur në këtë stinë ekonomike", pohon Chuck Collins, drejtor i programit mbi pabarazitë në Institutin për Studime Politikash, një qendër kërkimore në Uashington.

Sipas një raporti të kohëve të fundit të Boston, Consulting Group, një shoqëri konsulence dhe think-tank amerikan me prirje konservatore, kapitalet e depozituara në llogaritë jashtë vendit në nivel global janë rritur në vitin 2009 me pothuajse një mijë miliardë dollarë, duke mbërritur shifrën astronomike të 7.400 miliardë dollarëve.

Një fetë shumë e rëndësishme - bëhet fjalë për 27 përqind të totalit, ose 2 mijë miliardë dollarë - janë ende të fshehur në Zvicër, atje ku sekreti bankar (siç tregohet edhe në tabelë) vazhdon të mbajë mirë, pavarësisht se lëshimet e bëra nga helvetikët i kanë mundësuar Amerikës që të rikuperoojë 100 miliardë euro, irlandezëve 1.8 miliardë dhe autoriteteve britanike 800 milionë stërlina.

Administrata e Uashingtonit dhe hetuesit amerikanë janë megjithatë të angazhuar në një luftë trup me trup me autoritetet në Bernë, me kërcënime për embargo financiare dhe për thirrje për organizmat ndërkombëtarë, pasi ia dolën me një goditje të parë të sigurojnë një listë prej 4450 amerikanësh me llogari në Ubs, një prej bankave më të mëdha të vendit. Megjithatë, duke parë shifrat që janë në lojë, do të donin të arrinin shumë më tepër. Fitorja e përkohshme është pak gjë, duke llogaritur që lista mendohet të jetë me mbi 50 mijë, dhjetë herë më shumë nga sa janë zbuluar deri sot. Po ta vëresh me kujdes, vlerësimet e Boston Consulting Group zbehen po të krahasohen me ato të hipotezave të organizatave të tjera. Sipas Tax Justice Network, një koalicion ndërkombëtar i themeluar me qëllimin për t'i dhënë fund eksportimit të paligjshëm të kapitaleve nga ana e kompanive të mëdha shumëkombëshe, totali i burimeve të fshehur në parajsat fiskale gjatë vitit 2009 ka arritur shifrën 15 miliardë dollarë. Një shifër që përbën pothuajse një të katërtën e pasurisë së prodhuar në të gjithë botën.

Cilido të jetë vlerësimi më i saktë, është e qartë megjithatë se bëhet fjalë për një mal shumë të madh me para. Një raport i kohëve të fundit i Scorpio Partnership, një grup konsulence financiare nga Britania e Madhe, vlerëson për shembull që, po të investoheshin qoftë edhe vetëm 20 përqind e këtyre kapitaleve, do të arrihej ti jepej një shtysë shumë e rëndësishme dhe efikase rimëkëmbjes së ekonomisë ndërkombëtare.

'Edhe po të hamendësojmë se janë të sakta vlerësimet më të vegjël, që për mendimin tim janë gjithsesi shumë të ulët", thotë Jeffrey Owens, drejtor i Qendrës për Politikën Fiskale të Osce, "jemi gjithsesi duke folur për shifra shumë të mëdha që, nëse rekuperohen, mund të ndryshojnë fatet ekonomike të shumë vendeve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara". Në këtë pikë, është për të mos u harruar një koment i bërë kohët e fundit nga Mario Draghi, guvernator i Bankës së Italisë, sipas të cilit evazorët janë "përgjegjësit kryesorë të kasaphanës sociale", që po përdoret për të vënë rregull në financat publike.

Në nivel global, një tjetër faktor interesant është ndryshimi i pjesshëm i vendeve të origjinës së kapitaleve të fshehur në parajsat me sekrete bankare. Ndryshimi është konfirmuar edhe nga menaxherë të fondeve kryesorë të investimeve të planetit që, duke iu përgjigjur një pyetësori të Boston Consulting Group kanë shprehur disa vlerësime mbi pasurinë planetare, duke e vendosur atë në lidhje me rritjen e kapitaleve të fshehur, duke nënvizuar sidomos rolin në rritje të pasanikëve që vijnë nga bota ruse dhe nga Azia. Në vitin 2009, pasuria e super të pasurve në tërësi u rrit me 11.5 përqind, duke arritur shifrën stratosferike të 115,5 mijë miliardë dollarë. Një raport i Bankës Botërore vlerëson që 50 përqind e burimeve financiare amerikano-latinë janë të fshehur në llogari jashtë vendit, ndërkohë që për Afrikën, shifra i kalon 800 miliardë dollarët. Nga India, gjatë viteve të fundit të pasurit dhe kompanitë e ndryshme kanë eksportur më shumë se 2 mijë miliardë dollarë.

Bashkë me vendet e origjinës të kapitaleve, janë në transformim të vazhdueshëm edhe i kanalet që ndiqen si dhe destinacionet përfundimtare. Sipas të dhënave të Departamentit të Thesarit të SHBA, për shembull, që kur sekreti bankar është vënë nën presion në Zvicër shumë fonde janë transferuar në llogari aziatike të hsbc, banka e parë europiane. Në vende si Singapori, Bangladeshi, Hong Kongu, Pakistani, India, Maldivet, Vanuatu dhe Mauritius. Parajsa të reja, ashtu siç janë edhe Dubai apo Uruguaji. Megjithatë, ndërkohë që kapitalet europiane udhëtojnë drejt parajsave të reja, ata të vendeve në zhvillim fluturojnë kryesisht drejt Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Në rastin e parë, të privilegjuar janë Holanda, Anglia dhe Irlanda. Sa u përket Shteteve të Bashkuara, destinacioni kryesor është Delaware, atje ku shkojnë të gjithë kompanitë që duan ti shpëtojnë taksave. Pikërisht shteti amerikan është në krye të listës ndërkombëtare të vendeve ku sekreti bankar është më i papenetrueshëm.

Sekreti bankar dhe zona gri e shmangies fiskale, në mos vetë evazioni fiskal përbëjnë edhe një biznes për emrat e mëdhenj të financës. Lista e bankave dhe e shoqërive të pranishme në parajsat është shumë e gjatë. Pothuajse mund të thuhet, që në Amerikë evazioni ndjek më shumë atë që nuk e bën, apo më mirë atë që nuk sheh zonën gri që e rrethon. Disa emra mes të mëdhenjve. Bank of america dhe Citigroup, pavarësisht miliarda dollarëve fonde publike që morën nga administrata Obama (pothuajse 200 miliardë mes huave dhe kontributeve) kanë ende qindra filiale në qendra të njohura parajsash fiskale si Aruba, Antigua dhe Barbados. Këtyre u shtohen kompani si Microsoft, Caterpillar, General Electric dhe Kellogg Brown 7 Root, deri pak kohë më parë filiali i Halliburton në Irak, që vazhdojnë të triblojnë financën.

Kohët e fundit, në llogaritë jashtë vendit janë hedhur edhe fondet e pensioneve dhe, kulmi i hipokrizisë fiskale, organizatat jofitimprurëse. Disa javë më parë u zbulua që shoqëritë e bamirësisë të krijuara nga Michael Bloomberg, kryebashkiaku miliarder i Nju Jorkut dhe nga Meg Whitman, ish-numri një i ebay dhe aktualisht kandidate republikane për detyrën e guvernatores së Kalifornisë, investojnë qindra milionë dollarë në parajsat fiskale. Në rastin e Bloomberg bëhet fjalë për pothuajse 400 milionë, një pjesë e të cilave mund të kenë përfunduar edhe në grupe fiinanciarë misteriozë si Ugland House, një vilë shumë modeste në ishujt Cayman, që është bërë e famshme, sepse, është zbuluar që aty kanë zyrat e tyre më shumë se 18 mijë kompani të huaja, që mijë prej të cilave amerikane. "Nuk i kontrolloj direkt investimet e mia", është mbrojtur Bloomberg, pavarësisht se iu bë e ditur që, deklaratat e pasurisë së fondacionit kanë firmën e tij, "pastaj nuk është e paligjshme, fondacioni e bën për të rritur fitimet që më pas i përdor për bamirësi". Në Europë e dhanë goditjen blicet e Kancelares gjermane Angela Merkel në epokën e llogarive me Lihtenshteinin dhe, kohët e fundit lista e evazorëve e bërë publike nga Herve Falciani, një ish-funksionar i hsbc në Gjenevë, listë që më pas përfundoi në duart e autoriteteve franceze dhe prej aty në prokuroritë e vendeve të ndryshëm. Po në Francë shpërtheu skandali i Liliane Bettencourt, trashëgimtare dhe pronare e kolosit të kozmetikës L'Oreal. Akuza është se ka eksportuar kapitale me vlerë miliarda euro në bashkëpunim me Eric Woerth, një ministër që konsiderohet ndër njerëzit më të afërt të Presidentit Sarkozy. Janë ngjarje që mjaftojnë për të dhënë një ide për rezistencën që has çdo iniciativë për luftë kundër parajsave fiskale.

Google+ Followers