A është dëbuar njeriu nga Edeni?

Miliarda vite më parë, në një pikë të panjohur të hiçit zanafillor, shpërtheu procesi evolutiv që ka arritur deri në ditët tona. Por, Toka fsheh që atëherë shumë sekrete aq sa janë dhe galaktikat që vërtiten nëpër Univers.
Shumë prej tyre sfidojnë mendjen njerëzore, duke lëshuar sinjale nga prania e tyre e heshtur. Të tjera prehen të pashqetësuara në pafundësinë e padukshme që na rrethon dhe kushtëzojnë ekzistencën tonë me forca të pakonceptueshme e të stërmëdha.
Kur do të na mundësohet vetëdija për origjinën tonë? Qysh nga origjinat e tij të largëta, njeriu nuk u mjaftua me të jetuarët, por ndjeu nevojën që të kthehej për të bërë pjesë në projektin e pafundëm prej të cilit ishte i bindur se e kishin dëbuar.
Po përse kaq siguri? Në të gjitha kulturat që kanë gjalluar në këtë planet, ekziston ideja e një atdheu të largët, e një Parajse Tokësore, në të cilën njeriu ishte gjithçka, e gjithçka rrotullohej rreth tij. Nuk kishte nevojë të dëshironte asgjë, e prapë kërkonte më shumë, e guxoi t'i afrohej së vërtetës, dijes, frutit të ndaluar.
Qe ai çasti kur Zoti ndëshkoi etjen për ambicje të njeriut dhe e dënoi atë me një jetë mundimesh dhe vuajtjesh, në një botë të egër e të panjohur. Ç'është njeriu? Çfarë fshihet në 95% të trurit të tij, funksionet e të cilit mbeten ende të fshehta? Nga Big Bengu deri më sot, ende shtrohet pyetja, nga e si u krijua njeriu? Ajo që na çudit me njeriun e lashtë, por që ende lëngon brënda secilit prej nesh, është aftësia e jashtëzakonshme për të jetuar në simbiozë me kozmosin, duke i njohur plotësisht shqisat e tij e duke ditur t'i kontrollonte e t'i orientonte kah e në mes të pafundësisë. Rreth kësaj aftësie të jashtëzakonshme, njeriu i zakonshëm nuk di sesi të përfitojë më, i mësuar siç është për të derdhur në teknologji funksionet natyrale të shqisave të tij, duke harruar kështu përmasën e tij shpirtërore. Në origjinën e dijes e të kulturës së çdo qenieje njerëzore, ka një element që vjen para elementëve alkimikë apo themelorë, uji, toka, ajri, zjarri, hapësira, e ky është tingulli.
Gjoni, në prologun e Ungjillit sipas atij vetë, thotë: "Në fillim ishte Ai që është Fjala". Ai ishte me Zotin; Ai ishte Zot. Ai ishte në fillim me Zotin. Përmes tij Zoti ka krijuar gjithçka?
Zanafilla thotë: "Zoti tha: bëhu, e u bë". Në themel të filozofisë më të lashtë greke ishte marrëdhënia: mendim-fjalë-realitet. Por filozofia greke ka marrë nga ajo e Egjiptit.
E në fakt, zanafilla egjiptiane e Menfit thotë: "Ptah, i madhi është zemra (truri) dhe gjuha (fjala) e Enneade-s së zotave, ai krijoi zotat, lindi në zemër dhe lindi në gjuhë diçka në formën e Atum".
Tashti, Atum është krijuesi, por kuptohet se ai është i krijuar, falë zemrës (fronit të mendimit, sipas egjiptianëve) e falë zërit (gjuhës). Edhe egjiptianët kanë marrë nga filozofia e Lindjes së Afërme, e kështu me radhë derisa arrijmë atje ku adresohet filozofia më e lashtë: India. Brahma është gjithçkaja, është Zot, shpirt universal.
Në themelin e zanafillës Indu, e kotë ta themi, është tingulli.
Tingulli i heshtur i Spiritualitetit. Kushdo që ka njohje rreth doktrinave shpirtërore indiane, do të ketë dëgjuar për Mantra-n. Është një disiplinë meditative, e cila nëpërmjet shqiptimit zëulët të rrokjeve të shenjta sanskrite, mundëson të dërguarët-për ta thënë me terma profane- në "rikumbim" të mëndjes, e cila është armikja më e betuar e Atman, Unit, shpirtit individual që duhet të realizohet për t'u kthyer e bërë pjesë në gjithçkanë.
Mendja prihet ta largojë individin nga pafundësia, duke i dhënë iluzionin e të qenit i vetëmjaftueshëm e duke e shtyrë kah egoizmi. Vetëm duke arritur të asgjësosh e të kontrollosh mendjen, Atman ngjitet në perceptimin më të lartë prej ku ndjehet përkatësia në gjithçkanë që është Shpirt hyjnor?
Ajo që njeriu ka harruar përgjatë udhëtimit të tij të pasigurtë historik, është pikërisht fakti i të qenit njeri, një Zot i rrëzuar që ëndërron të vezullojë prej dritës hyjnore.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers