Dinastia Mubarak




Me Mubarakun është si me "ftohësit" e Andropovit dhe të nomenklaturës sovjetike, kur distanca ishte edhe thelb i një pushteti ku hipokrizia qe një përbërës i domosdoshëm. Gërvishten shenjat e sigurta për të mbërritur në konkluzione të pasigurtë. Po vdes, është shumë sëmurë, e ka rimarrë veten. Ka dezertuar samitiin e Unionit Afrikan, ku në kalendar ishte një diskutim shumë i rëndësishëm për Egjiptin, siç është ai i ndarjes së ujërave të Nilit. Eshtë shfaqur në televizion i dobësuar dhe i zbehtë, por në gjendje të mirë dhe qëndroi në këmbë për dhjetë minuta. Burime amerikanë thonë, se është drejt fundit, ndërsa ai në mënyrë jodirekte shpërndan mesazhe që japin siguri. Ndërhyrja kirurgjike, të cilës iu nënshtrua në Gjermani përkthehet në mënyrë të drejtpërdrejtë: është shenjë që ka tumor në mëlçi.

Kaq shumë fjalë për një njeri të vetëm justifikohen vetëm me rolin e tij shumë të rëndësishëm. Ka një botë me Hosni Mubarakun dhe një botë pa Hosni Mubarakun. Prej 29 vitesh, që kur është në komandë, ka garantuar ekuilibrin e brishtë në Lindjen e Mesme: paqja e ftohtë me Izraelin, armiqësia e nxehtë me Iranin, afërsia me Perëndimin dhe bashkëjetesa e alternuar, mes represioneve dhe hapjeve të vogla, me fondamentalizmin në vend. Stabilitetin, nën grushtin e hekurt, i një vendi qendror si Egjipti ka bërë të mundur marrjen e një pozicioni për të cilin i është falur gjithçka: mungesë demokracie, varfëri, korrupsion. Cilado qoftë e vërteta mbi kushtet e shëndetit të tij, ka ardhur gjithsesi koha për t'u përgatitur për pasardhësin. Eshtë 82 vjeç, i ka jetuar në mënyrë të rrezikshme mes atentatesh kundër jetës së tij, luftërash dhe terrorizmi dhe në 2011 janë parashikuar zgjedhjet presidenciale.

Kanceleritë gjurmojnë skenarë dhe, të shqetësuara kërkojnë vazhdimësi, një fjalë magjike për çdo lloj stafete delikate. Dhe çfarë vazhdimësie më të mirë, në kuptimin edhe biologjik, mund të ketë se sa një tjetër Mubarak? Vetë Hosni, i pyetur për këtë temë, ka bërë Sfinksin: "Pas meje? Vetëm Perëndia e di".

Që nga Pallati i tij dalin fjalë, që një dinasti e modelit sirian (nga Hafez tek Bashar assad) do të ishte kundër drejtësisë institucionale. Po sikur të mos ketë rrugë të tjera të praktikueshme? Gamal, djali më i vogël, 47-vjeçar po studion si delfin. Ngjitja e tij në brendësi të Partisë Nacional Demokratike, zemra e shtetit, ka qenë brilante. Eshtë në krye të komitetit politik, ku vendosen strategjitë e mëdha për të ardhmen. Shpesh herë i shfaqur në krah të të atit në ceremonitë zyrtare, ka mësuar nga prindi që të zhduket nga blicët e aparateve, atëherë kur nuk është e domosdoshme për të ushqyer aureolën misterioze të pushtetit. Në Kajro nuk dihet as se ku banon. Flitet për shtëpinë e tij në Zamalek, një prej lagjeve të vjetra të banimit. Apo në Heliopolis, ku ka ngritur zyrën e tij në brendësi të një klubi për zyrtarë të aviacionit, në një ndërtesë, sipas atyre që e kanë vizituar, "të boshatisur dhe si varr faraoni". Shihet shumë pak në restorantet e modës. I sapo bërë baba me Faridan, me bashkëshorten Khadija el Gammal, 27 vjeçe, bijë e një ndërtuesi, i kalon fundjavat e verës në Hacienda, një rezort i tipit amerikan shumë i mbikqyrur dhe i mbushur me lule në afërsi të El-Alamein. Atje pret miqtë e përhershëm, del me varkë, luan golf. "Një tip introvers", e përshkruajnë. "Një që ka kuptuar se për të qenë i lumtur duhet të jetosh i shkëputur", thonë nga grupi i shoqërimit të tij.

Nëse politika është vokacion, për të ka qenë e vonuar. Në fëmijëri, Gamal, i thirrur Jimmy, kish një pasion për futbollin, aq sa arriti të jetë titullar në kombëtaren e të rinjve. Ka gjithmonë një moment kur duhet të zgjedhësh nëse do ta bësh punën një hobi. Ai e la futbollin për studimet. I diplomuar në Ekonomi në Kajro, i specializuar në administrimin e sipërmarrjeve. Punon fillimisht në një bankë në vendin e tij, më pas në Londër dhe në fund tek Bank of America.

Me një biznesmen shumë të pasur themelon një shoqëri financiare, Medinvest. Kur e thërrasin në universitete për të folur për veten kështu, u thotë studentëve, duke harruar mbiemrin: "Jam nisur nga shkalla më e ulët sociale dhe e kam ngjitur të tërën". Liberal dhe liberist i bindur, ndoshta do të kish mbetur në Londër nëse (e njëjta rrugë e përshkuar si Assad) një ngjarje nuk do ta kish rikthyer në shtëpi: atentati i vitit 1995 ndaj të atit, gjatë një udhëtimi zyrtar në Adis Abeba. Ishte pika e kthesës.

Kajro u bë horizonti i tij, ndërsa modernizimi i partisë u shndërrua në misionin e tij. Modeli ishte Toni Bler, që e simpatizonte dhe që i mësoi rudimente të politikës të ndryshëm nga ata që kish mësuar në familje. Galaksia e tij: 200 manjatët që bëjnë të xhirojë ekonominë egjiptiane. Ajo elitë është baseni i tij i ngushtë i konsensusit. Duke lëvizur me kujdes në mjedisin institucional, arrin megjithatë të vendosë ndonjë njeriun e tij në drejtimin e ministrive. Kanë të gjithë të njëjtën karakteristikë: janë reformistë dhe kanë diplomë nga universitetet e huaj.

Hosnit i duhet herë pas here të përdorë për të pedalin e frenave dhe të gazit. E bllokon kur bën shumë para dhe kërkon ndryshime, që vendi nuk është gati ti tresë. E inkurajon në ngjitjen e heshtur në hijen e tij, i nxitur edhe nga ambiciet e bashkëshortes Suzanne, 69 vjeçe, sociologe dhe me shumë influencë, e cila nuk humbet rast për të vënë në dukje që, emri Mubarak nuk duhet të jetë as avantazh, por as edhe diskriminim.

Samer Suleiman, profesor i Shkencave Politike pranon: "Të jesh një Mubarak është njëkohësisht një avantazh dhe një handikap". Më shumë i pari. Në fakt, faraoni po përgatit terrenin për trashëgimtarin, duke u betuar për të kundërtën.

Trashëgimtar natyral mund të jetë edhe një tjetër, djali i madh Alaa, një që gjithmonë ka qëndruar prapa kuintave, i kujdesur për të bërë para me hotelet e Sharm el Sheikh dhe që kurrë nuk është konsideruar në familje për ngjitjen në fronin më të lartë të vendit. Askush nuk do ta kish menduar po të mos kishin qenë dy ngjarje, që e katapultuan në arenën publike. Në 18 maj të vitit që kaloi, vdekja e të birit, Mohamed, nga një sëmundje. Pamjet e babait që qante dhe falej para arkivolit tronditën gjithë Egjiptin. Ndërkohë që, pamje të tjera të tij e ndezën flakë vendin, vetëm 18 muaj më vonë. Në 18 nëntor, Egjipti luan dhe humbet në fushën neutrale të Sudanit play-offin me Algjerinë për kualifikimin në Botërorin e Futbollit. Alaa, i zemëruar, zbret në dhomat e zhveshjes së futbollistëve. I quan algjerianët "hajdutë, mercenarë dhe terroristë" para mikrofonëve. Më pas, vijojnë trazirat në sheshe, të vdekur, tensione të mëdha mes dy shteteve, por në këtë mënyrë lind një hero. Alaan e ftojnë, dhe këtë herë nuk tërhiqet, në të gjithë emisionet kur përdor ndjenjat kombëtare. "Duhet të ngrihemi dhe të themi mjaft". "Ne egjiptianët nuk mund të durojmë gjithë këtë". "Duhet ti përgjigjemi terrorit dhe armiqësisë". "Nëse fyeni dinjitetin tim, jua bëj kokën shoshë". Një sukses.

Në rrjetet sociale në internet hapen grupe "Alaa for President", që kanë dhjetëra mijëra fansa. Gazeta e opozitës "Al Destour" rendit në një editorial "12 arsyet për të dashur Alaan" dhe nuk mungon përballja me të vëllanë: "E duan shumë më tepër se sa Gamalin, flet me gjuhën e rrugës, ka një impakt mediatik shumë të fortë". I përfshirë nga një popullaritet kaq i madh, ai detyrohet të tërhiqet disi: "Ishte një shfryrje e montuar nga Al Jazeera, nuk kam fare ndërmend të hidhem në politikë".

Pushteti një çështje e familjes? Më shumë një lojë rolesh dhe spondesh. Simpatia e Alaa, ushtria teknokrate e Gamal, i preferuar nga elitat ushtarake, "pleqësia që vendos" siç thonë në Kajro. Mbetet vetëm të kuptohet, nëse hierarkët me grada bashkë me Hosnin nuk do të zgjedhin, pas një sezoni kaq të gjatë, për një zgjidhje kalimtare, një presidencë-urë për disa vite për ta menaxhuar më butë kalimin e pushtetit. Në atë rast, kandidati unik quhet Omar Suleiman, 75 vjeç, shefi i fuqishëm i Shërbimit të Fshehtë dhe i ngritur në rangun e ministrit pa portofol, pavarëssht ekzistencës prapa kuintave. Hosni i ka borxh asgjë më pak se sa jetën. Ishte ai që këmbënguli që të ishte e blinduar limuzina me të cilën duhej të lëvizte në udhëtimin e famshëm të Adis Abebës në 1995: zgjedhje që do të rezultonte vendimtare. Eshtë i vetmi që mund ti lejojë vetes ti thotë Presidentit "gjërat siç janë dhe jo ashtu si do të donte ai të ishin". Eshtë këshilltari më i besuar dhe i vetmi që ka njohuri për të gjithë dosjet delikate.

Dhe është njëkohësisht një njeri negociatash.

Eshtë ai që vendos represionin e ashpër ndaj lëvizjeve fondamentaliste pa e baltosur imazhin e tij publik. Dhe është gjithnjë, ai që ulet në tryezën e bisedimeve me Izraelin, vendet e tjera arabe, SHBA, Europë, që përpiqet të ribashkojë fraksionet palestineze, një njeri me një kredibilitet që e bën të pranueshëm edhe për kundërshtarët.

Për jetën e tij private nuk dihet pothuajse asgjë, as nëse është një laik i bindur apo një fetar i devotshëm, siç përshkruhet. Do të ishte garanti i Gamalit po të mendohej që këtij nuk i ka ardhur ende koha. Në fund, në fushë është edhe Mohamed El Baradei, fitues i Çmimit Nobel, ish-drejtues i ANEA-s, agjencisë bërthamore. Do të ishte kampioni i asaj shoqërie civile, që kërkon ndryshim radikal, fillimin e një demokracie të vërtetë.

Ai është rikthyer në atdhe për të qenë i dobishëm dhe në Facebook shumëfishohen fansa, që "kërkojnë një tjetër Egjipt". Mjafton të mos ngatërrohen shpresat me realitetin. Për këtë të fundit, duket se ai në Egjipt ka mbërritur shumë para kohe.

Google+ Followers