DARFUR Lufta, çfarë biznesi!




Këpucë me lëkurë gjarpëri. Këpucarët i qepin dhe i ngjisin në mesin e lagjes së baltosur që është sot qendra e Nyalas, kryeqyteti i shtetit të Darfurit të Jugut, afro 1 milion e 200 mijë banorë, që bashkë me migrantët e brendshëm është bërë qyteti i dytë i Sudanit pas Khartoumit. Ato këpucë, ndonjë shportë e thurur, mbetjet e traditës së punimit të leshit dhe hekurit si dhe pak bujqësi, janë gjithçka që Darfuri mund të prodhojë. Pjesa tjetër, prej më shumë se një dekade është asistencë humanitare, ndihma ndërkombëtare, bamirësi. Ose është ekonomia e paligjshme: alkooli i distiluar nga frutat e palmave në 11 kampet e refugjatëve në Nyala, armët dhe Land Cruiser-at e grabitura nga banditët e fraksioneve të ndryshëm apo qentë e vërsulur kaskave blu të Unamid, 20 mijë vetë që ndodhen këtu prej vitit 2006, një mision që sapo është zgjatur sërish dhe rifinancuar nga Këshilli i Sigurimit.

Po, të grabitur. Ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Rregullat e angazhimit të Unamid nuk lejojnë që të mbrohen me armë, mjafton një trung peme në mes të rrugës dhe një grusht njerëzish me kallashnikovë dhe atyre u duhet të lënë menjëherë mjetin dhe gjithçka kanë. Gjë që të bën të kuptosh përse njerëzit këtu nuk e quajnë United Nations, por United Nothing, asgjë: si dhe përse nuk flasin përveçse mirë pikërisht njerëzit e qeverisë së National Congress të Presidentit Omar Hassan al Bashir, i cili për vite të tërë i ishte kundërvënë një pushtimi ushtarak me pretekstin e emergjencës humanitare: "Me Unamid kemi marrëdhënie të shkëlqyera, por ata duhet të ndjekin rregullat, për të cilat është rënë dakord, përndryshe për ne do të bëhet e vështirë që t'i mbrojmë", thotë me ironi që kushedi nëse është e vullnetshme Musa Kasha, i sapozgjedhur Veli, domethënë guvernator i Darfurit të Jugut. Katër ushtarët e përgjumur në hyrje të rezidencës së tij si dhe një numër trupash nëpër qytet nuk të lënë përshtypjen e një skenari lufte dhe sulmesh të afërt. Këtu ka ndalim qarkullimi, që nga ora 19 për të bardhët, nga ora 22 për makinat, nga ora 23 për të gjithë: por po të bredhësh në mesnatë, kupton që ndalimi është letër e vdekur. Eshtë në fuqi sharia, ligji i fortë kur'anor i vendosur në vitet '80: por vajzat e reja dalin me veshje shumëngjyrëshe, me bluza e fustane që tregojnë format, me vellon që është thjeshtë një aksesor më shumë; dhe në inaugurimin e Spitalit të ri Pediatrik të Emergency (një prani shumë e rëndësishme në Sudan) këndojnë dhe kërcejnë me muzikë krejt të shfrenuara. Të rrëfejnë për patrulla rebelësh që edhe një muaj më parë e kaluan Nyalan, por pa qëlluar as edhe një herë me armë.

Po ku është policia e ashpër të rekrutuara nga tributë arabe nomade, që prej 2004 sollën e kthyen fatin e luftës në Dafur në favor të qeverisë qëndrore, duke shkatërruar fshatra, duke vrarë (në Onu) 200 mijë persona në përgjithësi bujq, jo arabë, por gjithsesi të fesë myslimane?

Të tregojnë grupe të vogla që lëvizin në shtëpitë me llaç e tulla të pjekura në diell të gjitha një katëshe me hapësira gjigande ndarëse mes tyre. Kjo pra është Nyala, jashtë lagjes, janë trupat e janjawid, shpjegojnë, armët i kanë lënë në shtëpi, por vazhdojnë të bëjnë bastisje në fshatra. Duket që asnjë nuk i njeh më, këta "djajtë me kuaj dhe pushkë", sipas përkufizimit letrar. "E vështirë për t'i përkufizuar, unë nuk e di. Për mediat perëndimore do të ishin qeveria e tyre, do të isha edhe unë janjawid-i", qesh Wali, dhe tërhiqet e thotë: "Janë të jashtëligjshëm të çdo lloji, por jo domosdoshmërisht të tribuve arabe. Edhe nëse janë arabë, jo arabë, ju dini t'i ndanit? Por fakti që janë të organizuar, i bën pjesë të problemit dhe natyrisht duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes: për këtë po diskutojmë edhe me ta".

Kjo e Darfurit është një luftë me përleshje, dërrmuese, e pafund sepse është e pakonstrukt, gjithnjë në pikën e mbarimit (marrëveshja e Abuja e vitit 2006 me Ushtrinë për Çlirimin e Sudanit, deklarata e fundit të luftimeve në shkurt 2010 pas marrëveshjes së Dohas me Lëvizjen për Drejtësi dhe Barazi), dhe gjithmonë e gatshme të rishpërthejë: mes një tribuje dhe një tjetre, sepse një grup ushtarak firmos një marrëveshje dhe më pas një fraksion i tij nuk e njeh, sepse grupe të tjerë dalin krejt papritur, me dyshimin që, nëse lufta përfundon, shumë prej tyre do të humbisnin pagat e pozicionit: "Në Abuja negociuam me dy lëvizje rebele", na thotë në Khartoum ish-ministri federal i Shëndetësisë, Ahmed Bilal, këshilltar i Presidentit Bashir, "sot janë 29, nesër kushedi. Shteteve të Bashkuara u kërkojmë që të ushtrojnë presion që të bëjnë marrëveshje, në vend që ti rifurnizojnë me armë, para dhe automjete".

Por, kryeqyteti Khartoum, dy orë larg me avion nga Nyala është një tjetër botë. Eshtë i pasur dhe i varfër, modern dhe i prapambetur. Kalon nga veza gjigande e Ghedaffi tower, hotel me restorante dhe zyra, investim privat i udhëheqësit libian pranë ishullit ku takohen Nili i bardhë dhe Nili i kaltër, për në zonën e varfër të xhamisë dhe varrezës Hamed al Nil, atje ku të premteve vallëzojnë për orë të tëra dervishët.

Në zonën e Sobas (në vitet tetëdhjetë këtu qëndronte Bin Ladeni) atje ku dikur ka qenë një kamp refugjatësh tashmë është një fushë shumë luksoze golfi, është më luksozi i të gjithë Afrikës, i ndriçuar edhe natën, 2 mijë stërlina për familje. Megjithatë, këtu mijëra thasë plastike të gjithfarësoj ngjyrash të sjellë nga stuhia e shkretëtirës qëndrojnë të paprekur në zonën përreth, një lloj land art-i i pavullnetshëm.

Më pas është Mayo. Kampi i refugjatëve. Njerëzit jetojnë këtu prej 15 apo njëzetë vitesh, të larguar nga zonat e luftës dhe nga sulmet në Sudanin e Jugut apo nga Malet Nuba ("erdhën arabët, vranë të krishterë e myslimanë, therën bagëtitë, delet e dhitë", rrëfen një "sulltan", një kryetar fisi dhe polic), më pas nga Darfuri, pak prej tyre, si dhe nga Kordofani.

Thonë se, janë pesëqind mijë vetë, po kush i ka numëruar ndonjëherë? Një përzierje e paparë gjuhësh bantu dhe jo, një përzierje etnish, feshë, tribush. Copëza thasësh të vendosur në shtylla, bare të vegjël, ujë që sillet brenda cilindrave të vegjël që transportohen me karro që tërhiqen prej gomerëve, të cilët ngecin shpesh në baltë. Të ndjek pas një aromë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht. "Alkool. E distilojnë nga frutat e palmës. Kështu jetojmë ne, përveç se me ndihmat", thotë duke qeshur një grua e rrethuar nga një turmë fëmijësh të vegjël. Të tjerë fëmijë kanë "ndërtuar", në baltë e me baltë, një fshat të përsosur, kudo me vija të drejta, me mure, mobilje, njerëz, automjete: është ekzaktësisht e kundërta e asaj që i rrethon, e vendit ku kanë lindur dhe ku jetojnë.

Qeveria ka nisur të bëjë përpjekjet e para, ka ndërtuar shtëpi, po sjell energjinë elektrike: nga kampi i refugjatëve në bidonville deri në lagjet e reja të Khartoumit. "Nuk janë më refugjatë", thotë Bilali, këshilltari i Bashirit, "shumë prej tyre shkojnë në shkollë dhe në universitet, apo punojnë diku. Jetojnë më mirë se në shumë zona të tjera të varfëra".

Disave prej tyre u kalon nëpër mendje mendimi, që të rikthehen në Sudanin e Jugut, autonom, animist dhe i krishterë, Presidenti i të cilit Salva Kiir Mayardit, është zëvendës president federal: në pritje të referendumit që në janar mund të sanksionojë ndarjen, pritje një rritje e dhunës, që në këto momente ka nisur.

Bilal tërheq ujë në mullirin e tij: thotë se, "të vdekurit në Darfur nuk kanë qenë më shumë se 30-40 mijë", dhe akuzon Gjykatën e Hagës që ka dënuar Bashirin për genocid, duke thënë se, "po ndjek vetëm qëllimet politikë në shërbim të trye që duan paqëndrueshmërinë e Sudanit": fqinjët, Adi, Libia, Eritrea, "Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara për lobin sionist", Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar "që ndoshta ëndërrojnë të rikthehen në një situatë neokoloniale, në të cilën ata apo amerikania Shell shfrytëzojnë puset e naftës, dhe jo siç bëjnë sot kinezët, që janë partneri ynë më i rëndësishëm tregtar".

E vërtetë: tre të katërtat e fuçive që nxirren në Sudan (70 përqind në jug, por që eksportohen nga Port Sudan në veri) e blen China National Petroleum Corporation: "Ata sjellin këtu paratë e tyre dhe nuk të thonë. se si duhet të sillesh, nuk e lajnë gojën me të drejtat e njeriut siç bëjnë amerikanët". E ka marrë dozën Bilali.

Por nafta është vetëm gjysma e historisë. Nga Kina vjen pothuajse gjithçka. Veshje të ndryshme: nuk ka mbetur as edhe një industri konfeksionesh. Autobusë: ata blutë, e mëdhenj, shtetërorë, të injoruar për shkak se bileta kushton dy herë më shumë se te privatët. Shishka për mjekësinë: dhe shpesh herë thyhen...

Perëndimi ofron miliarda në ndihma, Kina thur rrjete biznesi të vetët, solidë, të fortë. Mauro Ghirotti, përgjegjës i Kooperacionit italian në Darfur ngre pyetjen se, mos "pas pesë vitesh të ndërhyrjes më masive të mundshme në Darfur dhe për emergjencën, ndoshta ka ardhur koha që të rimendohen kriteret: duke synuar në rindërtimin dhe në zona që në Lindje dhe në veri nuk janë më mirë, edhe pse atje nuk ka luftë". E vërteta e pathënë është e thjeshtë: pa sulme dhe pa të vdekur e të vrarë nuk vijnë as mediat dhe as George Clooney apo Angelina Jolie, as ndihmat dhe as paratë. Lufta e pambarimtë është një biznes për shumëkënd.

Google+ Followers