Bankat e sëmura, i ka kapur paniku


Imagjinoni skenën. Një gazetar financiar vendos që ka ardhur momenti të blejë shtëpi në Nju Jork dhe shkon në bankë të marrë një hua. Pas kontrolleve të zakonshëm (paga, taksat, prona të tjera), zonjusha kthehet me një buzëqeshje dhe oferta që i bën gazetarit, një tip fjalëshumë zakonisht, këtë herë e lë atë pa fjalë. "Lajme të mirë", i thotë. "Mund t'ju ofrojmë një produkt shumë të mirë: një kredi option ARM".
Pauzë për përkthimin: option ARM kanë qenë bombat me napalm të krizës financiare: shkaktuan të djegur kudo ku mbërritën. ARM do të thotë adjustable rate mortgage: një hua, interesi i të cilës ndryshon me kohë. Tipari i option ARM ishte që klienti kishte opsionin të paguante minimumin e domosdoshëm në fillim të kontratës me kushtin që më vonë të paguante këste shumë të mëdhenj në vitet e mëvonshëm. Në SHBA e Depresionit të madh 2007-2009, kjo lloj kredie u bë famëkeqe për arsye se detyroi miliona amerikanë të braktisin shtëpitë e tyre. Problemi i Arm ishte që kishin një interes shumë të ulët për 18 muajt e parë, që më pas rritej shumë në vitet e mëvonshëm: një lojë që funksiononte nëse çmimet e shtëpive dhe tregu i punës vazhdonin të ecnin përpara, por që çon drejt e në shkatërrim sapo ekonomia ndalet.
Opinionistë të çdo lloji (përfshirë mua) kanë kritikuar imoralitetin e një huaje që ka joshur konsumatorët më pak ekspertë me interesin fillestar shumë të ulët për t'i plaçkitur ata pas një viti e gjysmë. 'Zonjusha sigurisht që nuk lexon gazeta, nuk sheh televizor dhe as që nuk e ka vënë re kartvizitën time", mendon gazetari gjithnjë e më i zemëruar. Por, ndërkohë që vajza përpiqet ti shpjegojë avantazhet e option ARM, duke lexuar broshurën e shkarkuar në kompjuterin e saj, kronisti më në fund e kupton: banka ofron një kredi të tillë, sepse e di mirë që do të refuzohet.
Pasi e mbushën tregun me hua me kosto të ulët - dhe pasi paguan me humbje shumë të mëdha kur fluska shpërtheu - bankat amerikane nuk duan të ofrojnë më para për konsumatorë dhe shoqëri nga frika, se mos nuk i shohin më këto para. Frika e bankierëve të mëdhenj po ka një efekt shpërthyes në ekonominë amerikane. Nuk janë vetëm gazetarët, që nuk mund të blejnë apartamente. Kompanitë as mund të investojnë në të tashmen dhe as në të ardhmen, duke blerë makineri të reja. Dhe konsumatorët qëndrojnë në shtëpi, me më pak karta krediti dhe akoma më pak dëshirë për të blerë.
Një sipërmarrës që unë njoh - një i Silicon Valley që ka lançuar dhe shitur katër kompani falë huave nga bankat - e ka krahasuar ekonominë amerikane me një motor të ngecur: pa huatë për t'i lubrifikuar, pistonët e konsumit dhe prodhimit nuk mund të rifillojnë punën.
Shifrat nuk lënë dyshime. Keefe Bruyette & Woods, një shoqëri analizash ka përllogaritur që në tre muajt e fundit institucionet e mëdhenj financiarë amerikanë kanë reduktuar vëllimin e huadhënies me 5% krahasuar me 2009: një rënie e pabesueshme po të mendosh që zakonisht bankat i rrisin huadhëniet nga viti në vit. Sondazhi tremujor i Federal Reserve ishte edhe më dekurajues: kur autoritetet monetare pyetën të gjithë bankat e Amerikës, nëse kishin shtrënguar apo ngadalësuar kriteret për dhënien e një huaje, shumica pranoi që ka kufizuar dhënien e kredive. Numrat zbulojnë një reagim të natyrshëm dhe human nga ana e bankierëve. Pas babëzisë që solli humbje të mëdha si dhe rënie ekonomike, vjen boshllëku në stomak i paskrizës. Parabola biblika e shtatë viteve me lopë të shëndetshme dhe shtatë vite me lopë të dobëta është aktuale në këtë rast. Dhe është e vërtetë, që një pjesë e konsumatorëve dhe e botës së biznesit është ende në gjendje shoku, dhe nuk ka fare ndërmend të kërkojë para tek bankat.
Miku im Mike Mayo, një prej veteranëve të analizës financiare në SHBA llogarit që vetëm 30 përqind e huave të dhëna nga bankat përdoret për momentin. Shumë më pak se mesatarja historike e 40-45 përqind. Ky është një realitet që bën lojën e bankierëve, sidomos kur politikanët i akuzojnë se nuk po bëjnë sa duhet për të rimëkëmbur ekonominë.
Përgjigja e menjëhershme e një ujku të vjetër si John Gerspach, drejtor finance i Citigroup ndaj pyetjes sime mbi rënien e huadhënies ishte kjo: "Askush nuk dëshiron të luajë. Të gjithë janë të ulur në bankinë", më tha. "Nuk do të ketë shumë kërkesë për hua deri kur të jetë davaritur pasiguria mbi të ardhmen e ekonomisë".
Mund të jetë e vërtetë, megjithatë është shumë e kollajtë për bankat që të kthejnë krahët dhe të thonë, që nuk është faji i tyre. Realiteti është që kriza e huave dhe dobësimi i ekonomisë kanë të njëjtin raport që ekziston mes vezës dhe pulës: pa njërën nuk mund të jetë tjetra, dhe e anasjellta.
Fakti që mentaliteti i rrëmujës i viteve të fundit është zëvendësuar me maturinë nga ana si e bankave, ashtu edhe konsumatorëve, është padyshim një zhvillim pozitiv. Por, pa para nuk mund të fitohen para dhe spektri i një stagflacioni i llojit japonez bëhet gjithnjë e më i vërtetë për ekonominë amerikane. Nuk është rastësi që Ben Bernanke, kreu i Federal Reserve ka pushuar së bëri optimistin dhe ka filluar të flasë për një seri të re stimujsh monetarë për të rigjallëruar vendin.
Dhe, me zgjedhjet për Kongresin në nëntor, nuk ka asnjë dyshim që Barak Obama është duke përgatitur një dozë të re stimujsh qeveritarë. Nëse edhe sektori privat nuk bën të tijën, do t'i takojë Uashingtonit që të mbushë boshllëkun, nën rebeshin e kritikave të atyre që shqetësohen për deficitin e madh dhe taksat e larta.
Hezitimi i bankave për të dhënë hua para, që nga ana tjetër nuk janë as të tyret, por të kursimtarëve, ka nxjerrë zbuluar paradoksin që ka jetuar Amerika që nga fundi i krizës. Një vend që, për traditë dhe histori, urren ndërhyrjen e qeverisë dhe të autoriteteve qendrore; një klasë sipërmarrësish që e ka bazuar suksesin e vet ekonomik mbi individualitetin dhe një ambient social që e ka bërë shpirtin e aventurës një simbol kulturor të eksportuar në të gjithë botën (falë Hollywoodit), janë detyruar që të shkojnë dhe të luten në shkallët e Shtëpisë së Bardhë.
Pa qeverinë ("Big Government"-in aq shumë të urryer nga republikanët dhe mbështetësit e tregut të lirë), sot Wall Street do të ishte i falimentuar, sektori i automobilizmit do të ishte zhdukur dhe ekonomia do të ishte në rënie të lirë.
Pa të ardhurat e taksave (një tjetër makth i armiqve të ndërhyrjeve të qeverisë), papunësia do të ishte në tridhjetë përqind dhe kompanitë do të kishin humbur një pjesë të madhe të tregut të brendshëm për produkte dhe shërbime.
Në fund, një gazetar financiar mund të qëndrojë me qera në Nju Jork pa shumë probleme, por ëndrra amerikane e një kapitalizmi "të pastër" dhe të izoluar nga problemet sociale nuk është më e shtëpisë në Amerikën e 2010.
G20, PËRSE SHËRBEU?
Edhe një herë, pavarësisht të gjithë deklaratave hipokrite, Samiti i G20 nuk shërbeu për asgjë. Mendohej që në Toronto do të trajtoheshin dy probleme të rëndësishëm: rregullat e sistemit financiar dhe reduktimi i borxhit publik. Në fakt nuk u vendos asgjë.
Mbi bankat nuk u arrit asnjë marrëveshje: as për rregullimin, as për taksimin, as për rezervat dhe llogaridhënien. Sa i përket deficitit, arritën vetëm të përsërisin një angazhim që disa shtete e kanë ndërmarrë tashmë (reduktimi përgjysmë i deficitit të bilancit) që gjithsesi do të jetë i pamjaftueshëm.
Nuk mund të pritej më shumë: G20 nuk ka fuqi, nuk mund të imponojë asnjë rregull botëror dhe nuk është as dakord për mënyrën e marrjes së vendimeve. Ashtu si në çdo samit që nuk ndjek rregullat, janë më të fortët ata që kanë avantazhin. Në këtë rast, më të fortët janë SHBA dhe Kina, që ranë dakord për mospranimin e masave të propozuara.
Amerikanët arritën atë që dollari të mbetet monedha parësore e referimit për të marrë hua nga bota pa i rimbursuar. Kinezët arritën atë që askush të mos kritikojë taksën e tyre mbi këmbimin e valutës, politikën e tyre të eksportit si dhe dobësinë e konsumit të brendshëm. Dhe që askush të mos kontrollojë sheshet e tyre financiare dhe as parajsat e tyre fiskale. Ndërsa europianët, të ndarë dhe pa strategji, lanë që t'u jepeshin leksione për administratë të mirë, lejuan që t'u thuhet që euro është në hall si dhe lejuan që bankave të tyre t'u vendosen rregulla shumë më të rrepta se sa u janë dhënë bankave në Amerikë.
Pra, bankat amerikane janë fitueset e mëdha të kësaj fiaskoje, për të cilën janë kryesisht përgjegjëse. Nuk u duhet as të zbatojnë në pjesën tjetër të botës legjislacionin e ri që po diskutohet në kongresin e SHBA. Eshtë sikur qeveritë kanë vendosur të heqin dorë nga kontrolli i sistemeve të tyre financiare dhe t'ia kenë kaluar komandën bankave qendrore.
Pra, asgjë nuk ndryshoi prej G20. Ditë pas dite, demokracia sprapset para tregut. Dhe përgatitet kështu një krizë e re financiare, që mund të hedhë në erë të gjithë përpjekjet për reduktim të deficitit të bilancit. Pastaj? Çfarë do të bëjmë? Asgjë, natyrisht. Në të kaluarën, për shumë më pak se kaq kanë shpërthyer revolucione.

Google+ Followers