Achtung Mafia


Kaarst fle ende. Në qytezën e Renianias pushimi i të dielës është i shenjtë: çdo lloj veprimtarie, përveç blerjes së gazetës, konsiderohet sakrilegj. Kopshtet përrallorë, me barin e prerë në perfeksion dhe puset falsë me shumë rrotulla, shtëpitë me tulla të kuqe, dyqani i kaskave të çiklistëve, restoranti "Bollerwagen": gjithçka është mbështjellë nga heshtja. Nuk lëviz asgjë: asnjë makinë, asnjë autobus, asnjë copë letre. Asgjë, përveç një flamuri gjerman që nis e valëvitet sapo fryn pak erë. Ish-piceria e të akuzuarit si killer i mafias, Giovani Strangio, sot quhet "O sole mio" dhe gjendet pothuajse në të njëjtën distancë nga flamuri, nga restoranti dhe dyqani i estetistit Ladiseba. Në krah të hyrjes është shkruajtur: "Lass die Seele baumeln", - "Lër të përkundet shpirti".
Nën qiellin e kaltërt të gushtit, edhe emri i picerisë, "O sole mio", të duket si një ftesë për të shijuar jetën. Megjithatë, në brendësi të lokalit nuk ka gjurmë të gëzimit tipik italian për jetën: ka vetëm një sallë të madhe të shkretë, mbushur me tavolina të bardha dhe me dritaret e kuqe. Prapa banakut, një pirg me kartonë picash. Deri dy vjet më parë, kuzhinieri ishte Giovanni Strangio, një djalosh i pashëm 28-vjeçar. Sot, Strangio dyshohet se është pjesë e një prej klaneve më të fuqishëm të krimit të organizuar italian dhe që ka qenë ai vrasësi i ngjarjes së 3 vjetëve më parë në Duisburg. Në masakrën më të rëndë të kryer nga mafia italiane në Gjermani u vranë 6 të rinj kalabrezë të moshës nga 16 deri në 38 vjeç. Vrasësit i goditën befasisht në makinat e tyre mëngjesin e 15 gushtit 2007, përpara restorantit "Da Bruno": pesë vdiqën menjëherë, i gjashti gjatë transportit për në spital. Masakra tronditi Gjermaninë dhe u kujtoi të gjithëve që mafia nuk është një problem vetëm italian. Këtyre anëve kishte mbërritur prej pak kohësh. Prapa banjës së gjakut të Duisburgut fshihet një luftë disavjeçare mes dy klaneve të qytetit kalabrez të San Luca-s, PelleRomeu dhe NirtaStrangio. Një luftë që e pati kulmin pikërisht me vrasjet e 15 gushtit.
Emigrantë apo kriminelë
Giovani Strangio ishte kushëriri i gruas së bosit kalabrez, Giovanni Nirta, i vrarë në San Luca ditën e Krishtlindjeve të 2006, kur ishte 33 vjeç. Mendohet që vrasësi i tij të ketë vdekur në masakrën e Duisburgut. Ishte ndoshta një hakmarrje. Për më shumë se një vit, Giovanni Strangio kishte qenë një prej kriminelëve më të kërkuar në Europë, deri kur në mars 2009 një patrullë policësh italianë, holandezë dhe gjermanë e kapi në periferi të Amsterdamit bashkë me kunatin, Francesco Romeo, i cili kishte punuar për pak kohë në një tjetër restorant në Duisburg, "La Gioconda". Në apartamentin e tyre u gjetën armë dhe 575 mijë euro. Në maj, Strangio u ekstradua në Itali. Në fillim të këtij viti ka nisur procesi kundër tij dhe 40 personave të tjerë, pjesë e klanit. Policia gjermane dhe ajo italiane e shpallën kapjen e tij me dy konferenca shtypi, në Duisburg dhe Reggio Calabria. Prokurori antimafia Pietro Grasso përshëndeti hetuesit, ndërkohë që ministri i Brendshëm i landit të Nord RenVestfalisë, Ingo Wolf, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Mafia në Gjermani: histori e një suksesi. Mbi të gjitha për mafiozët. Deri në ngjarjen e Duisburgut, në Gjermani mafia kishte mbetur e padukshme. Nëse në San Luca, mafiozët qëllojnë me automatikë kundër tabelave rrugore për të shprehur të gjithë përbuzjen e tyre ndaj shtetit, në Kaarst, Giovanni Strangio dhe Francesco Romeo ndoshta mbanin kaskën edhe kur lëviznin me biçikletë. Kishte vetëm pak kohë që ishin varrosur të vdekurit e Duisburgut, kur shërbimi i fshehtë italian zbuloi se dy klanet rivale, Pelle Romeo dhe Nirta Strangio kishin bërë një pakt armëpushimi. Pas marrëveshjes, dy familjet nisën të bashkëpunojnë, duke u marrë me marrëdhënie publike: për të bërë të mundur që bizneset të vazhdonin pa probleme, ishte urgjente ribërja e imazhit. Kështu, gjatë qëndrimit në fshehje, Giovanni Strangio nisi të japë intervista, në të cilat fliste për vetveten si për një italian të persekutuar padrejtësisht nga drejtësia dhe faji i vetëm i të cilit ishte që kishte lindur në San Luca. Një bashkëpunëtor i Kurier, një e përditshme e Berlinit, kishte thënë se e kishte intervistuar me e-mail. Megjithatë, me sa duket Kurier nuk ka qenë i vetmi megafon i përdorur nga mafia. Edhe gazeta "Rheinische Post" ka botuar lajme për punonjës të shkretë picerie të përndjekur padrejtësisht dhe disa gazetarë kanë shkruajtur madje për histori plot lotë të rrëfyer nga bosët.
U fol për paragjykime kundër italianëve dhe për racizëm të gjermanëve, por jo për 229 klanet dhe 900 personat që sipas një raporti të Bundeskriminalamt (BKA, Policia e Gjermanisë Federale), akuzohen se janë një zgjatim i ndragheta-s në Gjermani.
Me një shumë të ardhurash të vlerësuar 44 miliardë euro, ndragheta kalabreze nuk është vetëm organizata më e pasur mafioze në Itali, por edhe më fleksibël. Në Gjermani është stabilizuar që në vitet '60, në zonat ku imigrantët italiano-jugorë gjenin punë në linjat e montimit, në uzinat e çelikut apo në miniera. Bastionet e mafias në Gjermani kanë qenë gjithmonë Nord Rhein Vestfalia, Baviera, Assia dhe Baden-Württemberg, dhe në mënyrë të veçantë qyteti i Duisburgut, Bochumit, Oberhausenit, Shtutgartit dhe Mynihut, përveç - nga fillimi i viteve '90 - Erfurtit, Laipcigut dhe Eisenach. Spas raportit të BKA, afro 200 pjesëtarë të klaneve të San Lucas banojnë në Gjermani. Dy vitet e fundit, BKA në bashkëpunim me hetuesit italianë, policinë, karabinierët dhe Guardia di Finanza, si dhe policinë gjyqësore të landeve gjermanë, ka hartuar një raport mbi veprimtarinë e ndragheta-s në Gjermani. Familjet Pelle-Romeo dhe Nirta-Strangio kanë rezultuar më të fuqishmet në të gjithë Gjermaninë. Në 396 faqet e dokumentit flitet për trafik armësh, vrasje, riciklime, trafik droge, biznes me mbetjet toksike dhe zhvatje. Ka informacione edhe për familjet mafioze, për krerët e klaneve dhe vartësit e tyre, për njerëzit e tyre të besuar gjermanë etj: që nga avokatët deri tek fiskalistët, që nga konsulentët bankarë deri tek bashkëshortet gjermane të bosëve. Por, raporti i BKA është edhe një lloj guide e krimit të organizuar: ai ka në fakt një listë me qindra restorante të menaxhuar nga ndragheta. 61 i përkasin klanit të Pelle-Romeo dhe vetëm 9 atij të Nirta-Strangio. Një minimum zilie ishte i pashmangshëm.
Një lulishtar i qendrës së Duisburgut që nuk dëshiron të bëjë publik emrin, flet mirë për menaxherin e ndjerë të restororantit de Bruno, ai Sebastian Strangio për të cilin flitet në raportin e BKA. Ishte një fqinj shumë i mirë, thotë, një njeri që merrej në mënyrë skrupuloze me lokalin e tij dhe që çdo mëngjes në orën 11, kur dilte nga shtëpia, e përshëndeste gjithmonë me mirësjellje. Pastaj, që Sebastiano Strangio (asnjë lidhje me të akuzuarin për vrasës të tij, Giovanni Strangio) i përkiste mafias, lulishtari në të vërtetë e dyshonte që kur restoranti ndodhej ende në Tonhallenstrasse, atje ku ndërkohë është inauguruar një librari me tekste juridikë. Përpara Krishtlindjeve, kur qëndronte e punonte deri vonë për të realizuar kurorat tipike të traditës gjermane, lulishtari kishte vënë re që herë pas here restoranti rrethohej nga policë. Një herë, kishin mbërritur 60 të tillë dhe kishin urdhëruar klilentët të dilnin për të bërë një kontroll. Megjithatë, këto episode të pakëndshme nuk e dekurajonin klientelën: shpesh herë përjashta kishte radhë për të zënë një tavolinë. Pas zhvendosjes nga Tonhallenstrasse për në Klöcknerhaus, një pallat i madh modern prapa stacionit të trenit, mafiozi i sjellshëm Sebastiano Strangio e kishte ftuar shpesh lulishtarin në lokalin e tij të ri. Dhe një herë, lulishtari kishte pranuar. Por, siç tregon, kur ishte ulur në tavolinë ishte gjendur shumë në siklet, mbi të gjitha sepse nuk e kishin lejuar të paguante faturën.
Në raportin e BKA janë plot 17 Sebastiano Strangio, dhjetë Antonio Romeo dhe 13 Domenico Giorgi. Shpesh herë kanë lindur në të njëjtin fshat dhe në të njëjtin vit. Për këtë arsye, hetuesve u është dashur që të ballafaqojnë emrat, vendet dhe datat e lindjes me ata të nënave. Si të mos mjaftonte kjo, gjërat i ngatërronte edhe më shumë fakti që disa pjesëtarë të një klani kanë mbiemrin e një klani rival. Në të kaluarën ka patur madje pjesëtarë të një familjeje që kanë kaluar në anën e armiqve. Pra, klanet e San Lucas janë të gjithë të lidhur. Edhe për këtë arsye ndragheta është e papenetrueshme, si triadat kineze.
Sfida
Nicola Gratteri, i lindur në Kalabri, është prokurori i dërguar pranë gjykatës së Reggio Calabrias. Në zyrën e tij - një sallë e ndriçuar me një pamje të bukur të gjirit të Mesinës - janë grumbulluar dhjetëra dosje dhe një mal me urdhëra ndalimi dhe shoqërimi, madje edhe në dyshemenë në hyrje. Vendimi për ta promovuar në pozicionin që ka nuk është marrë në unanimitet: një detaj i cili nuk e shqetëson magjistratin. Në këtë ambient, më thotë, unanimiteti e ka gjithmonë një çmim.
Pasdite, nga dritarja deti shkëlqen si një diamanti, por Gratteri i ka sytë vetëm tek dosjet e tij. Ndoshta mendon se sa arrestime nuk do të kryejë dot për shkak të bisedës sonë. Prokurori nuk po heton vetëm për autorët e ngjarjes së Duisburgut, por edhe mbi dy klanet e San Lucas. Ka arrestuar deri tani më shumë se 40 vetë. Në qershor 2009 arriti të kapë kreun e klanit, Antonio Pelle. Një vit më herët, në shtëpinë e tij ishin sekuestruar 150 milionë euro: një pjesë e vogël e pasurisë së tij, që konsistone dhe nga prona të paluajtshme, makina dhe troje. "Por në fund nuk ishte ndonjë fitore kaq e rëndësishme", komenton ai.
Mafiozët riprodhohen si qeliza tumorale. San Luca ka 4 mijë banorë dhe 39 klane mafiozë. As edhe kapja e Giovanni Strangios nuk ka ndryshuar asgjë. Megjithatë, ka qenë një tregues i rëndësishëm i peshës së mafias në Gjermani. Në Republikën Federale nuk ekziston në ligj akuza për lidhje me mafian dhe riciklimi i parave të pista është më i kollajtë se në Itali. Deri sa ligjet nuk ndryshojnë, thotë Gratteri, në Gjermani do të jetë e pamundur të luftohet mafia në mënyrë efikase.
Në Itali, mallrat që dyshohet se i përkasin mafias mund të konfiskohen. Ndërsa në Gjermani policia duhet të demonstrojë që paratë e investuara kanë burime të paligjshme. Veç kësaj, interceptimet telefonike janë të ndaluar, si në vende publike edhe në banesa private. Neni 129 i kodit penal gjerman, që e bën të ndjekshëm penalisht krijimin e organizatave kriminale, nuk përmend lidhjet me mafian: në çdo rast duhet që të demonstrohet që organizata është duke përgatitur konkretisht një plan kriminal. Në Itali është e ndëshkueshme edhe vetëm pjesëmarrja në një klan.
"Kush jeton në Duisburg, Frankfurt apo Kopenhagë, nuk duhet të shqetësohet: atje mafiozët nuk vrasin, nuk qëllojnë, nuk kërkojnë para për të mbrojtur dhe nuk djegin makinat", thotë Gratteri. Për të ricikluar paratë duhet të veprojnë me qetësi e të mos bien në sy. Për këtë arsye, vazhdon ai, në Vendet e Ulëta dhe Gjermani hetuesit duhet t'i hyjnë menjëherë punës: atje ku kapet një mafioz i fshehur ka gjithmonë një celulë mafioze. Sipas asaj që u mësua pas arrestimit, Giovanni Strangio ndodhej në Amsterdam prej një viti. Kishte konsoliduar marrëdhënie të reja kriminale dhe merrej me shpërndarjen e drogës, pa rënë në sy të askujt.
Që nga viti 2001, kur u hoqën kontrollet kufitarë në bazë të marrëveshjes së Shengenit, krimi i organizuar njohu një ekspansion të fortë në të gjithë Europën, nga Gjermania në Vendet e Ulëta, nga Belgjika në Francë, nga Spanja në Portugali: të gjithë vende ku opinioni publik është i bindur se nuk ekziston një mafie lokale. Të paktën deri kur nuk ka shkëmbime zjarri dhe larje hesapesh.
"Mafiozët veprojnë sikur të ndodhen nën një këmbanë qelqi", thotë Gratteri. "Pa krime, mafia nuk ekziston. Dhe nëse mafia nuk ekziston, nuk ekziston as edhe riciklimi. Megjithatë, nuk bëhen hetime. Dhe nëse nuk bëhen hetime nuk zbulohet ekzistenca e kriminalitetit. Eshtë një qen që lëpin bishtin e tij".
Prokurori merr frymë: denoncime të ngjashme duhet të ketë bërë me qindra herë. A do të gjejë Europa kurajën që të shpallë të ndëshkueshme penalisht përkitjen në klane mafiozë? Dhe a do të kuptojnë më në fund gjermanët që edhe në Gjermani, ndragheta ka infiltruar në administratën publike dhe qeveritë lokale për të kontrolluar shpërndarjen e kontratave? Apo besojnë ende se mafiozët janë ende tipa heronjsh romantikë alla Robin Hood?
Nëse lexon raportin e BKA, aty nuk mungojnë detaje të tmerrshëm. Për shembull, rasti i Giuseppina Cariati, bashkëshorte e një bosi të klanit Farao. Ndërkohë që i shoqi ishte në burg, ajo u vra nga kunati për arsye se kishte tradhëtuar bashkëshortin me një mafioz të një klani rival. Vrasësit e qëlluan në fillim me plumb në gojë, sepse kishte folur shumë; më pas i kishin prerë organet gjenitalë sepse kishte qenë jobesnike; dhe në fund e kishin varrosur me një këmbë jashtë. Vrasja ishte porositur nga klani Farao, familje aktive që nga fillimi i viteve '80 në Kassel, Shtutgart, Mynih, Frankfurt dhe Dortmund. Por u krye në Itali: në Gjermani do të kishte shkaktuar shumë bujë.
Zhvatje dhe trafik droge
Hiltrup është një qytezë pranë Mynsterit. Vend i një universiteti antik, me shtëpiza me tulla të kuqe dhe pemë gështenje shekullore: në pamje të parë, rreziku më i madh që vjen vërdallë në këto anë është të përplasesh nga ndonjë çiklist i pakujdesshëm. Një grup agjentësh drejtohet për nga Piccolo Mondo, i vetmi restorant në qytet ku mund të shkohet në këmbë që nga instituti i policisë, aty ku sapo ka nisur një seminar mbi krimin e organizuar. Në menu ka sardele të marinuara, patëllxhanë zgare, makarona me asparagë dhe verë të bardhë siçiliane.
Tavolinat mbushen shpesh me burra me një vështrim të papenetrueshëm, tipik i policëve që nuk duan të lënë të kuptohet se çfarë dinë. Për shembull, që në Mynster klani hegjemonist është ai i Grande-Aracri, me origjinë nga provinca e Krotones dhe që merret me veprimtari tradicionale si trafiku i drogës, zhvatja dhe riciklimi i parave.
Në 2005, gjatë një hetimi ndërkombëtar në portin e Rostokut u gjetën 126 kilogramë kokainë. Ishin fshehur në tre thasë marinarësh të sistemuar në jesën e timonit të një anije venezueliane që transportonte qymyr. Në po ato ditë, policia kishte kapur edhe 600 gramë kokainë në aeroportin e Frankfurtit. Ndryshe nga hetimet e kryer deri atëherë nga policia gjermane, që nuk kishin sjellë asgjë, këtë herë bashkëpunimi edhe me agjentë të huaj solli arrestimin e 100 mafiozëve. Një prej tyre jetonte në Mynster.
Në tavolinat e Piccolo Mondo, komisarë, agjentë dhe drejtues policie janë ende të përqendruar në pjatat e tyre me makarona. Secili nuk është dakord me të tjerët. Disa mendojnë që gjëja më e rëndësishme është parandalimi, të tjerë mendojnë që shërben më shumë represioni. "Kush është prapa hekurave nuk kryen krime", thotë një polic. "E megjithatë këtu tek ne, gjykatësit dhe prokurorët nuk përfundojnë të vrarë. Po të ishte kështu, ligjet do të ishin ndryshe". Në Gjermani, pohon një tjetër hetues, mafia nuk perceptohet si një rrezik konkret, sepse ajo merret me veprimtari kriminale në dukje të pastra: për qytetarët e zakonshëm, hyrja me dhunë në një apartament është shumë më e rëndë se sa riciklimi i dhjetë milionë eurove. Ashtu si të tjerët me të cilët kam folur, bashkëbiseduesi im nuk dëshiron që emri i tij të përfundojë në gazeta: jo për shkak të frikës nga mafia, por nga Ministria e Brendshme.
Biznesmenë të dyshuar
Në Mynih, hetimi i fundit mbi pagesën për mbrojtje tek klani i përket vitit 1993. Siç shpjegon një hetues që punon në kryeqendrën bavareze, nga kjo kuptohet që tashmë qyteti është pushtuar dhe ndarë mes klaneve. Në Mynih, mafiozët nuk merren më me zhvatje, por i dedikohen bizneseve të pastër, pa rënë në sy, "jo si ata idiotët rusë që vazhdojnë të nxjerrin sheshit rivalitetet mes tyre". Si sillet politika para gjithë kësaj? Për momentin, thotë polici, është më shumë e shqetësuar me terrorizmin islamik. Kur transferohet një hetues që merret me strukturat mafioze nuk e merr vesh askush. Përveç mafiozëve, sigurisht.
Shumë faqe të raportit të BKA të ngjajnë me mrekulli suksesesh biznesi. Si rasti i atij biznesmenit të copërave që u vendos në Mynih në vitin 1981 dhe sot deklaron një xhiro prej 665 milionë dollarësh në vit dhe që është pronar i shumë pronave dhe shtëpive në të gjithë vendin. Prej pak kohësh, ai dyshohet se pastron para të pista për llogari të Sacra Corona Unita, organizata mafioze e Pulias. "Nuk është e lehtë të përcaktosh se si ky italian është bërë multimiliarder brenda 15 vitesh", thuhet në raport. "Shumat e parave që ka investuar në Laipcig janë kolosale dhe nuk mund të vijnë nga veprimtaria e biznesit të tij, as edhe po të imagjinojnë që ika ecur shkëlqyeshëm. Ky njeri ka edhe kontakte me influencë në botën politike dhe ekonomike. Për këtë arsye, do të jetë e vështirë të ndiqet veprimtaria e tij në Gjermani".
Më tej është historia e një bosi të Kamorrës që kërkohet nga policia e shumë vendeve. Fillimisht ai u fsheh tek një kamerier në Laipcig, më pas mori dokumentet e tij (të dy ngjanin shumë) dhe u largua për në Mongoli, atje ku investoi dhjetë milionë dollarë në sektorin minerar. Përveç këtyre rasteve, në Gjermani është aktiv një rrjet mafiozësh më pak të rëndësishëm dhe në dukje të padëmshëm. Si rasti i atij personit të lidhur me ndraghetan që punonte në një uzinë çeliku në Herne dhe që më pas mori licencë për të bërë pica dhe për t'u marrë më mirë me punët e klanit. Autoritetet gjermane e zbuluan gjatë një kontrolli të policisë rrugore, sepse makina e tij nuk kishte siguracion. Kundër tij u bë denoncim: jo për lidhje me mafian, por për shkelje të ligjit për detyrimin e sigurimit të automjetit.
Të dhëna që s'përputhen
Berlin, Universiteti Humboldt. Zhvillohet një debat me temë "LUFTA KUNDER MAFIAS". Mes organizatave të ftuara që marrin pjesë është edhe Viva, e para shoqatë antimafia e krijuar në Gjermani. E krijuar në Berlin, pak kohë pas ngjarjes së Duisburgut, drejtohet nga Bernd Finger, drejtor i departamentit të krimit të organizuar në Landeskriminalamt dhe nga Laura Garavini, një deputete italiane që në Parlamentin e Romës përfaqëson bashkëkombësit e saj me banim në Gjermani dhe është pjesë e komisionit parlamentar antimafia. Finger tregon se pak kohë pas ngjarjes së Duisburgut, 53 restorante italiane në Berlin morën kërkesa për të pagua para për mbrojtje. Në atë rast, shpjegon, zhvatësit u arresuan dhe gjykuan sepse më shumë se gjysma e pronarëve vendosën të denoncojnë në polici. E gjithë kjo qe e mundur falë një marrëveshjeje, përfunduar pak ditë pas ngjarjeve të Duisburgut, mes policisë së Berlinit dhe pronarëve italianë të restoranteve. Laura Garavini thotë se legjislacioni europian antimafia duhet të unifikohet.
Ajo përmend statistikat e pasurive të mafias të sekuestruara në Itali - një miliard euro vetëm në Palermo në periudhën 2005-2007 - dhe thotë se duhet bërë kujdes për infiltrimin e krimit të organizuar në ekonominë e ligjshme. Njeriu që është ulur krah saj, deputeti i PSD, Uëe Benneter, sheh orën. Shifrat që ai ka për dimensionet e krimit të organizuar në Gjermani nuk korrespondojnë me ato të sapopërmendura, thotë me një buzëqeshje, a thua sapo ka dëgjuar idetë e komplotuesve simpatikë. Benneter është pjesë e komisionit të punëve të brendshme të Bundestagut. Ashtu si ai mendojnë edhe shumë funksionarë të tjerë.
Pas 2001, shpjegon ai, është e qartë që lufta kundër terrorizmit islamik u bë prioritet. Megjithatë, pranon, duket se edhe në Gjermani dikush po përpiqet të riciklojë para. "Duket", përsërit ai dhe largohet, me sa duket në një aktivitet më të rëndësishëm.
Drejtoria kombëtare antimafia në itali e ka qendrën në Romë, në një pallat që të kujton një fortesë baroke. Prokurori është Vincenzo Macri. Në zyrën e tij, në televizorin që rri gjithnjë ndezur shfaqen pa fund lajme. Macri e njeh më mirë se kushdo tjetër ndragheta-n. Më thotë se investimet e klaneve kalabrezë në Gjermani kanë patur një hop cilësor. Pasi ka investuar në restorante, hotele, prona të paluajtshme, kohët e fundit mafia ka forcuar praninë e saj në sektorin e ndërtimit dhe sot është specializuar në kontrollin e kontratave publike. Biznesi i saj më i mirë është gjithnjë korrupsioni.
Macri më shpjegon se bashkëpunimi ndërkombëtar funksionon dhe që, duke parë ligjet, policia gjermane nuk mund të bëjë më shumë. Rreziku më i madh për Gjermaninë, thotë ai, qëndron në faktin që opinioni publik nuk është në gjendje të lexojë sinjalet që vijnë nga bota mafioze. Shpesh mafiozët konsiderohen sipërmarrës që kufizohen të menaxhojnë restorante, hotele apo biznese. Macri thotë se ka vërejtur të njëjtin fenomen në Lombardi. Në italinë veriore, shumë biznesmenë pohojnë që nuk e njohin fjalën ndragheta. Kur prokuroria e Milanos denoncoi infiltrime mafioze në qytet, kryebashkiakja Leticia Morati protestoi, duke thënë se kështu njolloset emri i mirë i Milanos.
Shikimi i Macrit rikthehet tek televizori: Parlamenti italian ka votuar një ligj që ndalon përgjimet telefonike. Në të ardhmen mund të përgjohen telefonët e të dyshuarve për të cilët ka prova të tjera.
Që kur numri i të penduarve të mafias ka rënë dramatikisht, përgjimet telefonike u bënë arma kryesore e hetuesve. Giovanni Strangio do të ishte ende i lirë në Amsterdam nëse nuk do të regjistroheshin telefonatat mes bashkëshortes dhe motrës së tij. Në ekran shfaqet teksti i një deklarate të ministrit të Drejtësisë: me ligjin e ri për përgjimet, më në fund edhe Italia respekton Konventën europiane të të drejtave të njerit. "Eh, tamam", komenton Macri.
Bastioni i ndragheta-s
Nëse në Erfurt nuk do të kishte rrugë me emra Juri Gagarin dhe Klara Zetkin, mund të mendohej që qyteti e ka kaluar shekullin e fundit i mbyllur në një shishe prej nga sapo ka dalë. Ndërtesa, rrugë e sheshe, fasada historike: gjithçka shkëlqen si e re. Në qendër të Erfurtit, pothuajse në çdo rrugë ka dyqane akulloresh, piceri apo restorante italianë. Tavolinat e sistemuara jashtë në qoshet më të bukura të qytetit janë plot me klientë të cilëve u shërbejnë kamerierë me veshje të bardha. Makaronat alla Norma kushtojnë 8 euro, si ëmbëlsirë ka Gondola veneziana, një tas me akullore dhe kush lë diçka në pjatë mund ta mbështjellë e ta marrë me vete në shtëpi.
Sipas raportit të BKA, në tre vitet e fundit 65 djem nga San Luca kanë ardhur në Erfurt për të punuar në restorante italianë. Të gjithë e kanë të pastër dosjen penale, por janë bij, nipër apo vëllezër bosësh mafiozë që janë dënuar tashmë për zhvatje, rrëmbime, trafik droge apo armësh. Kanë zgjedhur të transferohen në qytete ku pjesëtarë të klaneve të tyre kanë aktivitete tregtarë apo restorante. Dhe tani zhvendosen mes Erfurtit, Duisburgut, Vaimarit dhe Mynihut. Erfurti është shndërruar në një bastion të ndragheta-s kalabreze në mesin e viteve '90, kur klani i Pelle-Romeo dërgoi këtu nga Duisburgu dy nga pjesëtarët e vet për të blerë prona dhe restorante. Në bazë të investimeve të mafias në Duisburg, thotë raporti i BKA, është një sistem kompleks: "tratativat kryhen nga persona besnikë të klanit. Për shitblerjet ndonjëherë krijohen kompani ad hoc. Zakonisht aksionerët janë thjeshtë emra të huazuar, që punojnë në nivelet më të ulët të hierarkisë mafioze. Prapa tyre janë bosët, që rrijnë të fshehur. Edhe burimi i kapitalit të investuar është i paqartë".
Sa i përket veprimtarisë së klaneve Romeo dhe Pelle, duhet të kihet parasysh nëndarja mes sektorëve të ndryshëm operativë, tipike e mafias. Në Gjermani, me drogë mund të merret një pjesëtar që menaxhon restorante dhe dyqane delikatessen pranë kufirit me Vendet e Ulëta, ndërkohë që koordinatori i të gjithë bizneseve të familjes mund të jetë kushëriri i tij. Të tjerë pjesëtarë të klanit merren me investimin e parave që burojnë nga trafiku i drogës. Ngjarja e Duisburgut, thuhet në raport, vetëm sa thekson "lidhjet e ngushta mes klaneve të San Lucas dhe njerëzve të tyre në Gjermani".
Çafkat e Sprenger
Heinz Sprenger është kreu i departamentit të krimeve në policinë e Duisburgut. Qëndron ulur mes jeshillëkut të kopshtit të tij dhe vështron ngultas peshqit e kuq. Në krah të një pamjeje të madhe ndodhet një pellg i vogël kur herë pas here vjen e qëndron një çafkë. Prej dy vitesh Sprenger punon për hetimin e ngjarjes së Duisburgut. Një mijë herë ka dëgjuar të njëjtën histori nga të dënuarit, të dyshuarit dhe dëshmitarët: djemtë e përfshirë janë thjeshtë punëtorë, të braktisur nga shteti, të ardhur në Gjermani për të rindërtuar jetën dhe të ndjekur nga drejtësia. Askush nuk ka dëgjuar asnjëherë të flitet për ndrangheta-n. Pastaj kur gjenden para, si 575 mijë eurot në shtëpinë e Giovanni Strangios, ka gjithmonë një justifikim: janë fitimet e picerisë së familjes, apo dhuratë e ndonjë të afërmi. Ndonjëherë paraqitet një akt dhurimi me burim nga Italia.
Në tre vitet e fundit, komisari Sprenger ka qenë shumë herë në Reggio Calabria. Takimet me kolegët italianë, shpjegon, e kanë forcuar bashkëpunimin dhe kanë bërë të lindin miqësi të vërteta. Nuk dëshiron të rrëfejë më shumë. Sheh një hije në qiell: "Duhet t'i mbaj sytë hapur!", thotë duke u ngritur në këmbë. Por ndërkohë, çafka ka kaluar përtej.

Google+ Followers