Të fshehtat e Kongresit XX të Bashkimit Sovjetik


Të gjithë me gisht të drejtuar nga Stalini

Fjalimi sekret

Kongresi XX i shkurtit 1956 formalisht kishte ardhur në fund, kur delegatëve iu tha që të ktheheshin në Sallën e Madhe të Kremlinit për një sesion të "mbyllur" shtesë, me fletëhyrje të veçanta të shpërndara atyre që kishin të drejtë të merrnin pjesë. Gazetarë dhe të ftuar nga Partitë Komuniste simotra qenë të përjashtuar nga pjesëmarrja. Hrushovi e miratoi personalisht listën e pothuajse 100 ish-aktivistëve të partisë, kohët e fundit të rehabilituar dhe të liruar, që qenë ftuar të merrnin pjesë. Kryetari i Këshillit të Ministrave, Nikolai Bulganin hapi sesionin dhe më pas ia dha menjëherë fjalën Hrushovit. Për pothuajse të gjithë delegatët në sallë, edhe titulli i raportit të Hrushovit u duk i jashtëzakonshëm dhe tërësisht i papritur: "Për Kultin e Personalitetit dhe Pasojat e tij". Delegatët e shtangur dhe sidomos veteranët e partisë të ftuar e dëgjuan Hrushovin me një heshtje të akullt, vetëm duke e ndërprerë rastësisht folësin me shpërthime habie apo indinjate. Shumë njerëz u ndjenë keq dhe u desh që të mbaheshin apo shoqëroheshin jashtë sallës.
Hrushovi deklaroi menjëherë se nuk kishte ndërmend të diskutonte meritat apo arritjet e Stalinit, rreth të cilave tashmë ishte shkruar shumë. Ai do të përqendrohej mbi fenomenin e zbuluar vetëm kohët e fundit nga Presidiumi dhe, për pasojë, i panjohur për partinë. Ai e filloi me një rrëfim të konfliktit midis Leninit dhe Stalinit gjatë muajve të fundit të jetës së Leninit, që kishte çuar në propozimin e Leninit që Stalini, të cilin ai e akuzonte se ishte shumë arrogant, kapriçoz dhe jobesnik, të hiqej nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Hrushovi foli për rrethanat e dyshimta që rrethonin vrasjen e Kirovit dhe dha dëshmi që linin të kuptohej në mënyrë të qartë në përshirjen e mundshme të Stalinit në të. Fjalimi vazhdoi më tej duke përshkruar represionet masive e të paligjshme, të sanksionuara nga Stalini, torturat mizore e përjetuara nga të burgosurit, përfshi njerëz që pak kohë më parë kishin qenë anëtarë të Byrosë Politike; teksa ndodheshin afër vdekjes, ata i shkruanin Stalinit, i cili i lexonte letrat e tyre, por u injoronte kërkesat. Midis shprehjeve të forta indinjuese, Hrushovi raportoi se Stalini kishte shfarosur më shumë se gjysmën e delegatëve të Kongresit XVII, për ironi të fatit i njohur me emrin "Kongresi i Fitimtarëve"; më shumë se dy të tretat e anëtarëve të Komitetit Qendror, të zgjedhur nga Kongresi, gjithashtu u eliminuan. Hrushovi akuzoi Stalinin për gabime flagrante në vitet përpara lufte dhe e sulmoi atë për shfarosjen e komandantëve më të mirë në Ushtri dhe Marinë. Stalini ishte përgjegjës për humbjet e Ushtrisë së Kuqe në periudhën 1941-1942 që rezultuan në pushtimin e pjesëve të mëdha të territorit sovjetik. Gjatë viteve të luftës, qe Stalini ai që urdhëroi që kalmukët, karaçajt, çeçenët, ingushët dhe popuj të tjerë të përziheshin nga trojet e tyre. Pas lufte, aktivistët e partisë në Leningrad u bënë viktima represioni ilegal dhe mjaft anëtarë të Komitetit Qendror të qytetit u pushkatuan. Në fillimin e viteve '50, Stalini po përgatiste masa të reja represive, ndërsa figura të tilla si Molotov, Mikojan, Kaganoviç dhe Voroshillov praktikisht qenë mënjanuar dhe ndaluar nga pjesëmarrja në lidership. Hrushovi e deklaroi Stalinin se qe në pjesën më të madhe përgjegjës për gjendjen kritike të bujqësisë sovjetike dhe për gabime serioze në drejtimin e politikës së jashtme. Ai kishte inkurajuar zhvillimin e kultit të personalitetit të tij, duke falsifikuar historinë e partisë dhe duke futur personalisht faqe të tëra lavdërimi të tepruar në vetë biografinë e tij. Nuk pati as regjistrim stenografik të këtij sesioni të mbyllur të Kongresit, as nuk u lejua debat pas raportit të Hrushovit.
Delegatët e lanë sallën në një gjendje konfuzioni, rezoluta finale e Kongresit XX, e ratifikuar unanimisht, por e botuar vetëm disa muaj më vonë, deklaronte se Kongresi kishte miratuar raportin e Hrushovit dhe autorizuar Komitetin Qendror "që në mënyrë të vendosur të merrte masa për të siguruar heqjen e plotë të kultit të individit, i huaj për marksizëm-leninizmin, dhe likuidimin e pasojave të tij në çdo aspekt të partisë, qeverisë dhe aktiviteti ideologjik". Mbrëmjen e 25 shkurtit 1956 delegatët nga Partitë Komuniste simotra më së fundi u ftuan në Kremlin dhe iu dha mundësia që ta këqyrnin raportin e Hrushovit, duke u paralajmëruar më përpara se dokumenti ishte top sekret.
Megjithëse Kongresi XX nuk pati asnjë efekt në ritualet e jashtme të shtetit, partisë apo trupat e tjerë publikë, kjo mund të krijojë një përshtypje të gabuar. Përderisa themelet e shtetit tonë qenë të bazuara tek ideologjia më shumë sesa tradita kombëtare apo historike, forca e shtetit ishte e lidhur ngushtë me forcën e ideologjisë; e gjithë ngrehina kurrë nuk u ruajt vetëm nëpërmjet metodave represive. Por Kongresi XX i dha një goditje të madhe dogmave të marksizëm-leninizmit. Mjaft copëra të mëdha të kësaj ideologjie dolën nga rruga, themelet e ngrehinës u dobësuan dhe filloi menjëherë të epet si Kulla e Pizës. Kongresi XX qe si shpërthimi i një bombe me neutron: i preku njerëzit, duke i lënë strukturat në dukje të paprekura. Një ndryshim i madh ndodhi në vend, por mbi të gjitha ai qe në mendjet e zemrat dhe vetëdijet e individëve që u ndje ky ndryshim. Disa u gëzuan në gjetjen e së vërtetës. Kjo u dha shpresë se jeta e tyre do të përmirësohej, se miqtë dhe të afërmit të tyre që kishin vuajtur do të ktheheshin dhe se ata që kishin vdekur së fundmi mund të rehabilitoheshin. Të tjerë qenë shumë të shqetësuar. Të burgosurit i lumturoheshin mendimit të lirimit të afërt, por kishte shumë njerëz që qenë të shqetësuar dhe të frikësuar se çfarë do të ndodhte më pas.
Përpara Kongresit
Kongresi XX erdhi si një goditje e madhe për delegatët, të gjithë anëtarët e partisë dhe të gjithë qytetarët e vendit që nga fundi i shkurtit apo marsit kishin dëgjuar fjalimin. Vëzhgues të huaj, specialistë dhe politikanë të huaj të habitur qenë në gjendje ta shikonin tekstin e "fjalimit sekret", i cili shpejt e arriti Perëndimin nëpërmjet kanaleve të ndryshme. Sipas shumë rrëfimeve, qe vetëm Hrushovi njeriu përgjegjës për fjalimin, i cili u mendua se ishte pjesë e një lufte për pushtet brenda Presidiumit. Sigurisht që për qytetarët sovjetikë Kongresi XX është ngushtësisht i lidhur me emrin e Hrushovit, por në fakt fjalimi i tij nuk qe inciativë personale apo improvizim i befasishëm. Përpara se të mblidhej Kongresi XX, takime, diskutime dhe debate u zhvilluan në prapaskenë që përfshinë beteja të ashpra politike. Unë mund të merrem vetëm më pak prej incidenteve të rëndësishme.
Nga pikëpamja mjekësore, vdekja e Stalinit me 5 mars të 1953 ka pak të ngjarë të ketë qenë e papritur: simptoma alarmuese rreth përkeqësimit të shëndetit të tij ekzistonin qysh nga fundi i viteve '40, por Stalini pothuajse kurrë nuk kishte bërë analiza mjekësore dhe rrallë kërkoi ndihmë nga doktorët. Megjithatë, asnjë përgatitje nuk qe bërë dhe nuk kishte pasur asnjë diskutim rreth masave për ndonjë gjë të pazakontë; nuk kishte asnjë mekanizëm për t'u përballur me situatën dhe asnjë trashëgimtar i caktuar i dukshëm. Stalini i ndryshonte favoritët e tij dhe dëshmi sugjerojnë se në vjeshtën e 1952 ai kishte filluar të mendonte për Suslovin si pasuesin e mundshëm të tij, gjë që sigurisht nuk do t'u kishte ardhur për shtat anëtarëve të vjetër të Byrosë Politike. Ndërsa Stalini ishte gjallë, nuk kishte asnjë mundësi për ta diskutuar çështjen, përderisa anëtarët e Presidiumit pothuajse asnjëherë nuk mblidheshin përveçse në darkat dhe drekat e Stalinit, pas të cilave ata drejtoheshin për në zyra apo për në shtëpi. Më së fundi ata qenë në gjendje të flisnin me njëri-tjetrin sapo Stalini ishte zhdukur nga skena dhe triumvirati i parë hyri në fuqi, siç u përshkrua më parë.
Sistemi totalitar evoluoi gradualisht, duke e arritur apogjeun e tij pas lufte dhe bazohej në pushtetin total dhe absolut të një njeriu: Stalinit. Një numër i madh pikëpyetjesh lidhur me ushtrinë apo industrinë ushtarake, organet ndërshkuese apo sistemi gulag qenë vendosur vetëm nga Stalini, me asnjë prej kolegëve të tij të lejuar që të ndërhynte.
Në mënyrë më pak të dukshme, ai mori gjithashtu vendime unilaterale rreth ndërmarrjeve gjigante të caktuara pas lufte, ashtu si dhe të gjithë sistemit të prodhimit të armëve bërthamore. Shumë çështje të politikës së jashtme zgjidheshin personalisht nga Stalini. Ai nuk i konsultonte ministrat e rëndësishëm rreth tregtisë së jashtme, financave shtetërore dhe valutës së huaj, por asnjë anëtar i Byrosë Politikë apo zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave nuk kishte të drejtë që të ndërhynte në ndonjë zonë të jetës së vendit të kontrolluar nga vetë bosi. Megjithatë, të tri njerëzit që morën drejtimin e vendit pas vdekjes së Stalinit u ndeshën me probleme dhe çështje që erdhën si surprizë e plotë për ta.
Në sistem nuk kishte pasur asnjë transparencë, edhe për lojtarët më të vjetër të tij, dhe ky qe po aq shumë burim i pushtetit absolut të Stalinit sa përdorimi i terrorit apo kulti i personalitetit.
I gjithë sistemi i diktaturës totalitare mbështetej në një lider të vetëm që nuk kishte asnjë zëvendësues. Kjo i lejoi Stalinit që të ruante një dorë të fortë në pushtetin absolut nga një prej rezidencave jugore të tij në Soçi apo në Abkhazi, ku kaloi pjesën më të madhe të kohës të periudhës së fundit të jetës së tij. Një luftë për pushtet brenda triumviratit qe kështu e pashmangshme dhe secili anëtar i lidershipit të ri me aleatët e tij i kushtonte vëmendjen më të madhe çdo lëvizjeje apo prononcimi të bërë nga çdo anëtar tjetër. Është domethënëse që asnjë nga trioja nuk e ngriti flamurin e Stalinit apo premtoi se do të ndiqte politikat e tij. Brenda një rrethi të ngushtë, Malenkovi dhe Beria ngritën problemin e nevojës për të kapërcyer "kultin e personalitetit". Ka dokumente të reja të deklasifikuara që tregojnë se aktualisht qe Beria ai që foli i pari kundër kultit të Stalinit më me forcë dhe më me vendosmëri se Malenkovi apo Hrushovi.
Rehabilitime të matura u bënë menjëherë pas funeralit të Stalinit dhe ndoshta personi i parë që u lirua qe gruaja e Molotovit, Polina Zhemçuzhina. Shumë anëtarë të lidershipit kishin të afërm apo miq që qenë të burgosur dhe Beria nuk kishte aspak synim që të vazhdonte t'i mbante këta njerëz në burg, as nuk do të kish qenë e mundur një gjë e tillë. Midis atyre që u rehabilituan dhe u liruan qe e reja e Hrushovit, vejusha e djalit të madh të tij, një pilot që kishte vdekur duke u kthyer nga një mision në territorin e pushtuar. Për shkak se avioni i tij nuk u gjet kurrë, Leonid Hrushovi ishte regjistruar si person i humbur, që në ato kohëra konsiderohej si i barabartë me tradhtinë dhe familjet e tradhtarëve arrestoheshin dhe internoheshin në lindje.
Nga fundi i prillit më shumë se 1000 njerëz qenë liruar nga burgu, pothuajse të gjithë prej tyre vetëm kohët e fundit kishin zënë poste të larta në hierarkinë qeveritare apo partiake. Midis tyre qe një grup i madh gjeneralësh dhe admiralësh të cilët qenë arrestuar dhe dënuar për krime të ndryshme pas lufte dhe tani qenë rehabilituar pas këmbënguljes së Marshall Zhukovit. Me mbështetjen e Hrushovit, ai ishte bërë kohët e fundit zëvendësministër i Parë i Mbrojtjes dhe në fakt ishte në kontroll të forcave të armatosura sovjetike. Pas arrestimit të Berias në verën e 1953 dhe më pas gjykimit dhe ekzekutimit të tij së bashku me "bandën" e tij, procesi i rehabilitimit u përshpejtua dhe u aplikua për mijëra anëtarët e partisë dhe nëpunësve shtetërore që kishin rënë viktimë e represioneve të Pasluftës. Dënimet e para për t'u abroguar qenë ata të "aferës së Leningradit": në periudhën 1949-1950 mijëra anëtarë partie dhe nëpunës shtetërorë u arrestuan në Lelingrad e Moskë dhe u akuzuan për "separatizëm" e "nacionalizëm", përfshi anëtarin e Byrosë Politike, Nikolai Voznesenski dhe Sekretarin e Komitetit Qendror, Aleksei Kuznecov; shumë prej të akuzuarve kishin punuar në Leningrad gjatë viteve të luftës dhe e kishin dalluar veten gjatë rrethimit. Të mbijetuar që qenë dërguar në kampe gjatë viteve '30 filluan që të shfaqeshin në Moskë.
Pothuajse asnjë informacion rreth këtyre rehabilitimeve apo rreth njerëzve që riktheheshin pranë familjeve të tyre nuk doli në shtyp, por ata që u liruan ua përshkruan përvojat e tyre miqve dhe të afërmve të tyre. Gjatë periudhës 1953-1954 vendimet në secilin rast merreshin nga borde të ndryshme në mënyrë kolegjiale pas shqyrtimit të detajuar të provave. Nga marsi i 1953 deri në 1954 pati mbledhje në Komitetin Qendror, në Prokurori, në Gjykatën e Lartë dhe bile në nivele të ndryshme të organeve të Sigurimit Shtetëror për të shqyrtuar dokumentat dhe dëgjuar gjithashtu dëshmi nga ana e dëshmitarëve dhe të burgosurit që kërkonin rehabilitim.
Nganjëherë paditësit ftoheshin në Prokurori për të justifikuar denoncimet fillestare të tyre. Apelimet e çështjeve procedonin me ngadalë, por nga fundi i 1954 më shumë se 10000 të burgosur të vonshëm, pjesa më e madhe ish-zyrtarë të lartë shtetërorë, qenë rehabilituar. Po rritej presioni ndaj lidershipit të partisë për ta përshpejtuar procesin; në të gjitha nivelet e partisë dhe të shtetit kishte qindra mijëra aplikime për rehabilitim dhe po bëhej gjithnjë e më shumë e vështirë për t'u injoruar ky fluks dokumentesh. Pothuajse çdo rehabilitim dhe në mënyrë të veçantë çdo çështje të burgosuri të liruar nga kampet e kishte një efekt tek ata që mbeteshin. Administratorët e kampeve që më parë kishin pushtet të pakufizuar ndaj të burgosurve të tyre po bëheshin jashtëzakonisht të shqetësuar. Kishte akoma mijëra kampe në vend dhe Hrushovi e anëtarë të tjerë të lidershipit të partisë duhej të merrnin një vendim për të burgosurit. Ishte e rrezikshme ta shtyje, teksa grevat dhe protestat po përhapeshin nëpër kampet veriore jo më vonë se 1954. Në vitin 1955 pati revolta të veçanta në një pjesë kampesh më të mëdhenj, përfshi atë më të mirënjohurën në Kengir, e përshkruar nga Solzhenicini dhe e shtypur egërsisht nga njësitë e tankeve. Megjithatë, në atë kohë ishte e pamundur që të ndalohej përhapja e mërisë midis të burgosurve dhe e tensionit në rritje brenda kampeve. Asgjë nuk u mësua për këto ngjarje brenda Bashkimit Sovjetik apo jashtë tij, por në nivelet më të larta të lidershipit sovjetik qenë goxha të vetëdijshëm rreth situatës së paqëndrueshme dhe po bëheshin gjithnjë e më shumë të preokupuar.
Ndërkohë kongresi i radhës i partisë (ai i XX-të) ishte caktuar që të mbahej në shkurt të 1956. Dukej që do të ishte e vështirë të mbahej Kongresi pa thënë asgjë rreth represioneve të viteve '30, '40 dhe '50. Nga mesi i vitit 1955, një numër i madh anëtarësh të Komitetit Qendror qenë rehabilituar dhe po ashtu edhe disa ish-komisarë, gjeneralë dhe marshallë. Turma heronjsh të Luftës Civile dhe qindra shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të shquar gjithashtu u rehabilituan. A ishte e mundur të qëndroje thjesht në heshtje apo të flisje për "gabime"? Presidiumi vendosi që të krijojë një komision special për të studiuar represionin masiv të anëtarëve dhe kandidatëve për anëtar të Komitetit Qendror të zgjedhur në Kongresin XVII në vitin 1934, ashtu si dhe qytetarë të tjerë sovjetikë të arrestuar në periudhën midis viteve 1935 dhe 1940. Komisioni e bëri punën e tij me shpejtësi dhe nga fillimi i 1956 kryesuesi i tij, Sekretari i Komitetit Qendror Piotër Pospjellov, u paraqit në Presidium me një raport prej 70 faqesh të daktilografuara.
Raporti jo vetëm pranonte ekzistencën e represioneve masive të paligjshme, por e drejtonte gjithashtu gishtin në përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Stalinit. Anëtarët e Presidiumit qenë veçanërisht të shokuar kur mësuan se më shumë se dy të tretat e anëtarëve të Komitetit Qendror të zgjedhur në Kongresin XVII qenë asgjësuar pas urdhrave të Stalinit, ashtu si dhe më shumë se gjysma e delegatëve në këtë "Kongres Fitimtarësh", midis të cilëve nuk kishte pothuajse asnjë nga ish-opozitarët apo të ashtuquajturit "trockistë" apo "buharinistë". Do të ishte pothuajse e vështirë për t'i injoruar këto shifra; diskutimi brenda Presidiumit ishte tani rreth faktit se çfarë forme duhet nxjerrë lakuriq e së vërtetës dhe sa më mirë të paraqitej informacioni rreth represioneve të paligjshme.
Në shkurt të 1956 kjo çështje u debatua përtej kufijve të ngushtë të Presidiumit brenda grupeve të caktuar të Komitetit Qendror dhe Gjykatës së Lartë. U shprehën opinione të ndryshme. Siç mund të shpresohej, më ngurruesit e lidershipit qenë Molotov, Voroshillov dhe Kaganoviç. Për shumë vite ata kishin qenë të implikuar thellësisht në represione dhe dokumente të shumta përmbanin instruksionet e tyre për të akuzuarit që të pushkatoheshin. Hrushovi qe më këmbëngulës dhe u mbështet nga Mikojani, Bulganini, Zhukovi, Aristovi, Saburovi dhe Shepillovi. Shefi i KGB-së, Ivan Serov, qe gjithashtu në anën e Hrushovit, pavarësisht faktit që kishte marrë pjesë drejtpërsëdrejti në shumë akte represioni. Por, ai kishte punuar me Hrushovin për një kohë shumë të gjatë dhe qe pjesë e ngushtë e ekipit të tij. Si ushtarak, ai mund të shfajësohej se thjesht kishte zbatuar urdhrat. Në fund nuk pati asnjë diskutim të madh rreth raportit që duhej të bëhej.
Midis legjendave që janë ngritur rreth gjithë këtij episodi është pretendimi se Hrushovi e kishte përgatitur raportin e tij në fshehtësi absolute, pa i informuar anëtarët e tjerë të Presidiumit. Në fakt, fjalimi i tij bazohej në materialin e Pospjellovit dhe më pas, me ndihmën e Dmitri Shepillovit, ai e zgjeroi subjektin në mënyrë të konsiderueshme për të përfshirë represionet e viteve të luftës dhe të Pasluftës. Ishte vendosur që raporti i tij do të lexohej në një sesion të mbyllur të Kongresit, pas zgjedhjeve që do të mbaheshin për Komitetin Qendror të ri. Të gjithë anëtarët e Presidiumit dhe Sekretarët e Komitetit Qendror e morën tekstin mëngjesin e 23 shkurtit, por vetëm pak reaguan disi apo sugjeruan ndryshimet. Ndërsa delegatët e thjeshtë e dëgjuan Hrushovin më 25 shkurt në një gjendje tmerri dhe alarmi apo të shushatur dhe të frikësuar, anëtarët e Presidiumit që qëndronin të ulur në sallë me fytyra pas asnjë shprehje tashmë e dinin saktësisht se çfarë përmbante fjalimi.
Pas Kongresit
Fjalimi i Hrushovit pati një efekt të jashtëzakonshëm, në një kuptim kontradiktor, ndaj lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Disa parti e mirëpritën fjalimin (si për shembull ajo e Italisë), ndërsa të tjerët e përshëndetën me një mosmiratim të fshehur me vështirësi. Më të pakënaqurit qenë liderët e Partisë Komuniste të Kinës. Në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe disa vende të tjera ku materialet e Kongresit XX qenë diskutuar publikisht, një numër i madh anëtarësh të thjeshtë u larguan nga Partia Komuniste. Siç e dimë, Kongresi XX shërbeu si një moment nxitës për trazirat në Poloni në vjeshtën e 1956 dhe gjithashtu revoltën në Budapest të tetor-nëntorit të po atij viti, megjithëse edhe një numër faktorësh të tjerë luajtën gjithashtu rol.
Gjatë mbledhjeve të anëtarëve dhe aktivistëve të partisë që u zhvilluan në mars nuk qe në asnjë e mundur të shmangej një diskutim për fjalimin e Hrushovit apo përpjekje për ta zgjeruar kritikën e kultit të personalitetit dhe krimeve të epokës së Stalinit.
Vetë Hrushovi foli në shumë prej mbledhjeve me aktivistët e partisë në Moskë dhe në Leningrad. Ai dukej sikur nuk kishte turp të pranonte se kishte pasur dijeni për shumë prej procedimeve jo të rregullta që e kryen nën Stalinin, por se kishte qenë i frikësuar për të shfaqur ndonjë kundërshtim apo për të protestuar.
Në një prej këtyre mbledhjeve dikush në sallë i dërgoi Hrushovit letrën që lexonte kështu: "Si ka mundësi që ju, një anëtar i Byrosë Politike, lejuat që krime të tilla të tmerrshme të ndodhin në vendin tonë?". Hrushovi e lexoi letrën me zë të lartë dhe më pas tha: "Kjo letër nuk ka emër. Ai që e ka shkruar, të ngrihet në këmbë!". Asnjë njeri në sallë nuk e ngrit. "Njeriu që e ka shkruar këtë letër", tha Hrushovi, "ka frikë. Kështu qe edhe për ne të tjerët me Stalinin". Kjo qe vetëm një përgjigje e pjesshme, por gjithsesi një përgjigje e ndershme. Anëtarët e tjerë të Presidiumit e gjetën shumë të vështirë të përballeshin me pyetje të tilla, sidomos ata që kishin qenë pjesë e rrethit të ngushtë të Stalinit nga mesi i viteve '20, shumë përpara Hrushovit. Qe mbështetja e tyre ajo që e mundësoi Stalinin që të grumbullonte pushtetin e tij. Për pasojë, larg nga të qenit në gjendje të pretendonin se kishin qenë vetëm dëshmitarë të heshtur, ata dukshëm që qenë bashkëpunëtorë në shumë krime të regjimit. Sigurisht, Hrushovi vështirë se kishte qenë dëshmitar i heshtur në Moskë apo në Ukrainë, por ai tani ishte në pushtet, në kontroll të partisë e të organeve të sigurimit dhe shpresonte që do ta kishte të mundur ta fuqizonte pushtetin e tij menjëherë pas Kongresit XX. Kjo nuk qe një shpresë që mund të ndahej nga Molotovi, Voroshilovi, Kaganoviçi apo Malenkovi. Vështirësi të dhimbshme politike dhe psikologjike po përjetoheshin gjithashtu nga njerëzit në nivelet e mesme dhe të ulëta të partisë në kontakt të drejtpërdrejtë me anëtarët e thjeshtë të partisë. Ata që punonin në aparatin ideologjik të partisë apo shtypin e saj shpesh nuk kishin asnjë ide se çfarë të bënin, çfarë të thonin, si t'i shpjegonin ngjarjet e së kaluarës.
Në prill dhe maj të 1956 shumë përpjekje për ta zgjeruar shqyrtimin e kultit të Stalinit u ndërprenë. Një prej bolshevikëve të vjetër që i dënoi ashpër krimet e Stalinit në një konferencë partie u përjashtua prej saj vetëm disa ditë më pas. Kur një mësues i marksizëm-leninizmit në një prej instituteve teknike u përpoq të trajtonte disa prej shkaqeve që i dhanë jetë kultit të personalitetit, ai u thirr në Komitetin e Partisë të qytetit të Moskës dhe u kritikua ashpër. Lajmi për këtë incident arriti të gjitha komitetet e partive të distrikteve. "Pravda" e ribotoi pa koment një artikull nga gazeta kryesore e Partisë Komuniste Kineze, i cili nënvizonte se arritjet e Stalinit qenë shumë më të mëdha se gabimet e tij dhe se bile shumë prej gabimeve të tij qenë të dobishme për shkak se e kishin pasuruar "përvojën historike të diktaturës së proletariatit". Në qarqet partiake u tha se autori i këtij artikulli qe vetë Mao Ce Duni. Më 30 qershor të 1956 Komiteti Qendror miratoi një rezolutë "Në shpartallimin e kultit të personalitetit dhe të pasojave të tij", e cila u botua në të gjitha gazetat. Kjo rezolutë si në formë, ashtu dhe në përmbajtje, qe një tërheqje prapa nga fjalimi i Hrushovit në Kongres. Nga ana tjetër, ajo përfaqësonte progres përderisa aktualisht qe botuar dhe, për pasojë, qe bërë një dokument që ishte detyrues për partinë.
Raporti i Hrushovit nuk u qarkullua asnjëherë në formë të botuar; në të gjitha mbledhjet e partisë teksti merrej menjëherë sapo të ishte lexuar me zë të lartë dhe deri aktivistët e partisë që nuk kishin mundur të ishin të pranishëm atë mbledhje nuk kishin asnjë mënyrë sesi të kishin më akses në këtë libërth me kapakë të kuq. Për më tepër, gjatë verës së 1956, edhe vetë Hrushovi iu referua Stalinit në një numër fjalimesh publike si "revolucionar i madh" dhe "marksist-leninist i madh". Partia, tha ai, "nuk do ta lejonte që emri i Stalinit t'u dorëzohej armiqve të komunizmit". Nga vera e 1956 u duk sikur jeta e vendit qe e ndarë në dy rrjedha shumë të ndryshme, njëra prej të cilave pasqyrohej në shtyp, ndërsa tjetra, shpesh me një domethënie akoma më të madhe, injorohej nga të gjitha organet e komunikimit masiv. Procesi jashtëzakonisht i rëndësishëm socio-politik që filloi në gjysmën e dytë të 1956 - lirimi i pothuajse të gjithë të burgosurve politike nga kampet dhe vendet e internimit - nuk përmend kurrë publikisht.
Njëkohësisht, një rishikim në shkallë të gjerë dhe i shpejtë i çështjeve ishte në zhvillim, pasuar nga rehabilitimi pasvdekjes i pjesës më të madhe të të burgosurve që humbën jetën midis viteve 1935 dhe 1955. Muret e gulagëve filluan të shemben në Kolima, Vorkuta, Kareli, Siberi, Kazakistan, Moldavi, Urale dhe Primorie. U krijua një sistem i ri rehabilitimi. Siç u propozua nga Hrushovi, më shumë se 90 komisione speciale u krijuan dhe u dërguan në kampet apo vendet e "vendbanimit përjetë" për të shqyrtuar çështjet e të gjithë të burgosurve. Çdo komision përfshinte një anëtar nga stafi i Prokurorisë, një përfaqësues nga aparati i Komitetit Qendror dhe një anëtar partie të saporehabilituar. Këto "trojka" qenë përkohësisht të veshura me pushtetet e Presidiumit të Sovjetit Suprem dhe mund të jepnin rehabilitime, falje apo reduktime të vendimeve. Vendimet e tyre nuk duhet të miratoheshin nga autoritete më të larta dhe hynin në fuqi menjëherë. Edhe përpara se këto komisione të fillonin punën, njerëzit që qenë burgosur për komente kritike rreth Stalinit, që kishin thënë anekdota rreth tij apo shkelje të tilla të parëndësishme, u rehabilituan dhe u liruan sipas udhëzimeve të dërguara me telegraf nga Moska.
Për një numër arsyesh, procesi i rehabilitimit jo vetëm që u dëmtua nga defekte burokratike, por gjithashtu dhe nga padrejtësi themelore. Të burgosurit që qenë pushkatuar apo që kishin vdekur nëpër kampe rehabilitoheshin vetëm nëqoftëse bëhej aplikimi nga familjarë apo miq. Kur njerëzit rehabilitoheshin si pjesë grupi, asnjë përpjekje nuk bëhej për të informuar të afërmit apo fëmijët e të ndjerit që do të kishin të drejtën e marrjes së një kompensimi të vogël. Asnjë rehabilitim formal nuk u bë për opozitarët e viteve '20, megjithëse çdo i mbijetuar prej tyre u lirua. Po kështu nuk pati ndonjë rishikim për gjyqet e hapura publike të viteve '30.
Asnjë nuk doli përpara drejtësisë - as hetuesit e NKVD-së që i torturonin viktimat e tyre, as drejtuesit apo gardianët e kampeve dhe burgjeve. Emrat e atyre që bënë denoncime të pastra fallse nuk u vunë asnjëherë në dispozicion. Sidoqoftë, sa më shpejt ish-të burgosurit filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre, shumë prej spiunëve dhe hetuesve u kapën nga paniku. Pati raste njerëzish të tillë që humbën mendjen apo që kryen vetëvrasje. Aktivistja e shquar e Komsomolit, Olga Mishakova, denoncimet fallse të së cilës çuan në arrestimin e shumë figurave drejtuese të Komsomolit të periudhën 1937-1938, përfundoi në një spital psikiatrik. Pas rehabilitimit pasvdekjes së viktimave të saj, Mishakova u shkarkua nga pozicionet e saj dhe u përjashtua nga aparati qendror i Komsomolit. Megjithatë, në atë kohë ajo nuk ishte më në gjendje ta kuptonte atë që kishte ndodhur dhe vazhdonte të shkonte në zyrën e saj çdo mëngjes si zakonisht. Kur fletëhyrja për në ndërtesë iu mor, ajo u bë e dhunshme dhe u desh që të dërgohej në spital. Një-ish hetues që u bë Kolonel në trupat e MVD-së, pasi njohu një prej viktimave të tij në rrugë, i ra në gjunjë dhe iu lut që ta falte. Një ish-hetues tjetër, duke e gjetur veten në të njëjtin pavion si një i burgosur të cilin e kish marrë në pyetje, i ra infarkt dhe vdiq. Pati shumë situata të tjera të ngjashme. Kur drejtori i një shkolle në Oshecinë e Veriut pas shumë vitesh burgimi dhe rehabilitimi vizitoi ministrinë e tij dhe njohur ministrin e Arsimit të vendit si njeriun që kishte qenë hetuesi i tij, qe ai të cilit i ra infarkt dhe jo ministrit. Në Kiev një oficer i rehabilituar që u kthye në ushtri, takoi torturuesin e tij dhe e qëlloi menjëherë në vend. Por ky lloj incidenti qe i rrallë dhe oficerët e NKVD-së që kishin marrë pjesë si në represione, ashtu si dhe pjesëmarrës të tjerë aktivë në paligjshmërinë e kohërave staliniane, shpejt u qetësuan dhe pushuan së pasuri frikë. Shoqëria u zgjua shumë ngadalë nga mpirja totalitare e saj. Dhe në atë kohë shumica e të burgosurve në kampet e Stalinit prej shumë kohësh ndodheshin në varre të përbashkëta.
Qe gjithashtu e vërtetë se autoritetet qenë më pak entuziastë rreth ripunësimit të ish-të burgosurve. Vetëm një numër i papërfillshëm të burgosurish në kampe u rikthyen me punë në parti apo në aparatin shtetëror. Por disa ish-të burgosur filluan të shkruajnë kujtimet apo romanet e tyre rreth kampeve dhe represioneve. Të parët qenë Solzhenicini në Riazan, Shalamovi në Moskë dhe Jevgenia Ginzburg në Lvov. Duke e mbajtur të fshehtë deri nga vetë familja e tij, ish-çekisti nga Tbilisi, Suren Gazarjan, filloi të shkruante kujtimet e tij. Ish-filozofi dhe punëtori i partisë P.I. Shabalkin filloi të analizojë represionet staliniste në ditarin e tij. Aleksandr Todorskij, i mbijetuari i vetëm midis gjeneralëve që qenë dërguar nëpër kampe në fillimin e viteve '30, i hyri punës për rivendosjen e emrit të mirë të shumë komandantëve ushtarakë të cilët nuk qenë rehabilituar akoma.
Megjithatë, këto përpjekje u ndeshëm me një kundërshtim të fortë brenda partisë dhe aparatit ideologjik. At do t'i referoheshin një thënieje, e atribuar Hrushovit, se partia nuk mund dhe nuk duhet të përgatiste kurrë një "Natë Shën Bartolomeu". Në fund të viteve '50, Hrushovi deklaroi publikisht në shumë raste se populli sovjetik dhe partia e tij do ta kujtonin Stalinin, do t'i jepnin drejtësi atij dhe se termi "stalinizëm" ishte shpikur nga armiqtë e socializmit. Trupi i Stalinit vazhdoi të qëndrojë në mauzoleum në krah të Leninit. Në Kongresin XXI në vitin 1959 nuk pati asnjë përmendje të krimeve të Stalinit. Gjithçka ndryshoi me shpejtësi dhe papritur në Kongresin XXII në fundin e vitit 1961, por ky është fillimi i një historie tjetër.
(Marrë me shkurtime nga libri "The Unknown Stalin")
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers