Si ndodh koordinimi perfekt i botës së kafshëve?

"Si mund të shpjegohen këto fenemone të lëvizjes kaq të menjëhershme dhe praktikisht të mendimit kolektiv mekanik, përveç se me anë të transferimit të mendimit?", thoshte Selous

Transferimi i mendimit (apo diçka e tillë) tek zogjtë, i publikuar në vitin 1931, ka qenë titulli i artikullit më të bujshëm të asaj kohe. Më e rëndësishmja ishte se në këtë artikull, ornitologjisti Edward Selous kishte dokumentuar një mister të thellë. Një vëzhgues i vëmendshëm i apasionuar pas zogjve për shumë vite, qe dëshmitari i parë i shumë rasteve kur zogjtë silleshin në një lloj mënyre që mund të shpjegohej vetëm me anë të fuqive psiqike. Ai përshkruajti me detaje të frikshme, lëvizjen e koordinuar ndërmjet sorrave, pulëbardhave, gargujve, mjelmave etj. Sorrat ngriheshin në fluturim nga një fushë dhe ngritja bëhej në një mënyrë aq unanime dhe të menjëhershme saqë dukej sikur "po ngrihej një flakë e madhe e zezë". Nëse nuk bëhet fjalë për një lloj transferimi të mendimit, atëherë është një mendim i "injektuar". Çfarë mund të jetë tjetër?
Gurgujt mblidhen të gjithë bashkë në një tufë prej mijëra zogjsh (siç ndodh të shihet shpesh në Danimarkë), duke dhënë përshtypjen e një reje të hirtë gjigante dhe lëvizja e tyre është e koordinuar në mënyrën më perfekte: "Si mund të shpjegohen këto fenomene të lëvizjes kaq të menjëhershme dhe praktikisht të mendimit kolektiv mekanik, përveç se me anë të transferimit të mendimit?", thoshte Selous. Të njëjtën gjë vërejti edhe me gardelinat që silleshin në të njëjtën mënyrë identike: "Mendja e tyre e vogël duket se punon në grup… më duket sikur mendojnë kolektivisht, të gjitha të njëtin mendim, në të njëjtën kohë".
Selous ka qenë një vëzhgues mjaft i përpiktë dhe që në atë kohë i tregonte botës rreth "tendencës hyjnore që kanë kafshët për të bërë vetëm atë që duhet të bëjnë" dhe insistonte se kjo dukuri duhej regjistruar minutë pas minuti për të zbulur "mendjen e madhe drejtuese". Pavarësisht punës së tij gjeniale, teoria e Selousit u injorua tërësisht nga bashkëkohësit e tij. Transferimi i mendimit ishte diçka e vakët në vitet '30 dhe shkencëtarët i trembeshin çdo gjëje që dilte jashtë kornizave të librave të tyre. Askush nuk ka arritur të japë një shpjegim më të mirë për aftësinë që kanë gurgujt për të lëvizur në mënyrë kaq të koordinuar.
Një mister i ngjashëm me atë të zogjve është zbuluar edhe në sjelljen e termiteve. Si mundet të jetë një insekt aq i vogël, pa tru dhe me një shikim aq të shkurtër, i aftë për të ndërtuar diçka aq komplekse sa foleja e termiteve? Bëhej fjalë për një lidership të koordinuar? Në vitin 1937, një biolog i Afrikës së Jugut, Eugène Marais publikoi "Shpirti i Milingonës së Bardhë", një krahasim kompleks i vizatuar ndërmjet një foleje milingonash dhe një trupi njerëzor në të cilin, punëtorët ishin ekuivalentët e qelizave të kuqe të gjakut, ndërsa ushtarët si qelizat e bardha të gjakut. Duhet të kishte patjetër një tru.
"Mbretëresha është qendra psikologjike e komunitetit. Ajo është truri i organizmit të cilin e quajmë fole termitesh", shkroi Marais. "Nga ky objekt i çrregullt i palëvizshëm, ku ajo rri e mbyllur, çlirohet një lloj fuqie që drejton aktivitetin e të gjithë vartësve të saj".
Njëzet vjet më pas, me evolimin e teknologjisë, një biolog tjetër, Pierre-Paul Grassé, vëzhgoi milingonat gjatë fazave të para të ndërtimit të folesë. Ai vuri re se ato ndiqnin tre rregulla të vetme të thjeshta: "Hapi i parë: Gjej pak dhe fillo ta përtypësh me pështymë për të krijuar një topth. Hapi i dytë: Sillu rreth e qark në mënyrë të çrregullt. Hapi i tretë: Kur të gjesh një zonë të ngritur, hidhe aty topthin dhe riktheu tek hapi i parë".
Nuk ka asnjë lloj rëndësie numri, çdo milingonë mund t'i bashkohet punës dhe rezultati do të jetë i njëjtë. Çdo zonë e ngritur fillon të bëhet gjithnjë e më e lartë teksa grumbullohen të gjithë topthat e rërës të mbledhura nga milingonat. Sa më shumë të zmadhohet foleja, aq më shumë mundësi kanë milingonat për ta parë atë dhe aq më shumë do të rritet pasi puna e tyre përshpejtohet. E gjithë procedura e ndërtimit të folesë përqendrohet tek krijimi i disa kolonave me këto toptha dheu. Kur ato arrijnë një lartësi të caktuar, fillon të manifestohet një sjellje tjetër dhe të gjitha milingonat fillojnë të ndërtojnë harkore ndërmjet këtyre kolonave. E gjithë foleja e ndërlikuar e milingonave bashkë me dhomat dhe tunelet e saj të pajisura me një sistem të sofistikuar të qarkullimit të ajrit, ndërtohet nga hiçi vetëm me anë të punës së qindra milingonave pa ndihmën e asnjë koordinatori qendror. E vetmja detyrë e tyre është që të ndjekin disa rregulla të dhjeshta. Grasse ishte pikërisht ai që krijoi termin e këtij efekti të jashtëzakonshëm të natyrës: "Bashkëpunimi pa Komunikim".
Çdo biolog ka llogaritur se truri i një milingone nuk përmban madje as sasinë më minimale të neuroneve që duhen vetëm për të përshkruar ose për të vlerësuar përfundimin e një foleje të përfunduar. Ata në fakt, gjatë gjithë ekzistencës së tyre ndërtojnë diçka të cilën nuk mund ta perceptojnë. Ky është një shembull konkret dhe i denjë i "emergjencës", e cila është një kompleksitet që rritet vetëm me anë të disa rregullave të thjeshta të sistemit vetëorganizues. Në fakt, do të ishte e gabuar të mendoje se kjo lloj sjelljeje e koordinuar ndodh tërësisht pa praninë e trurit. Një degë e re e shkencave kompjuterike shfrytëzon agjentët kompjuterikë, të cilët simulojnë sjellje të ngjashme me ato të insekteve, me qëllimin për t'i zgjidhur këto probleme shumë herë më shpejt në krahasim të teknikave natyrore. Në këtë mënyrë, Marais i ka përshkruar në një farë mënyre këto milingona si qeliza individuale të tërësisë së një truri gjigant.
Në vitin 1980, shkencëtari dhe studiuesi Craig Reynolds shpiku "Boids", një simulim kompjuterik i tafave të zogjve. Me anë të këtij eksperimenti është vërtetuar se çdo anëtar i kësaj tufe ndjek tre rregulla të thjeshta. Hapi i parë: mos iu largo tufës. Hapi i dytë: ruaj largësinë. Hapi i tretë: ruaj shpejtësinë konstante. Simulimet që vënë në përdorim këto tre rregulla të thjeshta përputhen në mënyrë perfekte me rregullat e përdorura nga zogjtë që fluturojnë bashkë me tufën në jetën reale. Për më tepër, ky simulim kompjuterik tashmë përdoret edhe nga Hollywood për të krijuar efekte të ndryshme në filma fantastiko-shkencor, si për shembull për të krijuar tufën e lakuriqëve të natës që fluturojnë në një skenë të filmit "Batman Begins".
Përgjigjja e dhimbjes së kokës së Sekousit rreth dilemës se si këta zogj arrijnë të komunikojnë me njëri-tjetrin në mënyë që të jenë të aftë të kryejnë këto veprime të koordinuara, duket se është shumë herë më e lehtë seç mund të imagjinohet. Një zog mjafton vetëm t'i përgjigjet dhe të përputhet me lëvizjen e zogut që qëndron para tij dhe në këtë mënyrë çdo njëri prej tyre sigurohet që e gjitha tufa e përbërë prej mijëra zogjsh të jetë shumë herë më i koordinuar. Edhe pse Selous është tashmë i njohur si një pionier i etologjisë, shkenca e sjelljes, ai ka gabuar rëndë në hamendësimin se sjellja në tufë kishte nevojë patjetër për një inteligjencë organizative. Kjo hipotezë më pas të çon drejt pyetjes se ndoshta mund të ketë një fenomen tjetër të pashpjegueshëm që nxit rezultatin e "emergjencës".
Nëse konsideron rastin klasik të dikujt që iu telefonon pikërisht në momentin e caktuar kur ju po mendoni për të pas kaq e kaq kohësh. A mund të ndodhë kjo si rezultat i një procesi të transferimit të mendimit midis dy njerëzve? Mos kjo do të thotë se të dy këta njerëz ndjekin në mënyrë të pavullnetshme një model të pashprehur të njëjtë? Ndoshta të gjithë ne jemi, ashtu si milingonat, pjesë e një mendjeje universale pa e vënë re.
Të gjitha llojet e dyshimeve apo aludimeve të ndryshme që nga fuqitë psiqike deri tek misteri i koincidencave të pashpjegueshme, mund të mos jenë aq shumë të pamundura sa i shpjegon sot shkenca. Ndoshta, ashtu si telepatia e mundshme e vërejtur ose më saktë e hamendësuar nga Selous, ne dhe veprimet tona janë thjesht rezultati i një modeli të "emergjencave", shkaqet e së cilave mund të jenë tepër të thjeshta për t'u vënë re nga ne.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers