Shtetet evropiane që do të braktisin euron


Shkëputja monetare? Skenarët e mundshëm

Pavarësisht përpjekjeve më të mira të europianëve për ta mbajtur të bashkuar bashkimin monetar, vazhdojnë të qarkullojnë zëra për një kolaps të afërm të eurozonës. Disa në botën financiare arrijnë sa të hipotezojnë se frustrimi gjerman mund ta shtyjë Berlinin që të dalë nga eurozona; ndërsa në takimin e fundit të liderëve europianë Presidenti francez Nicolas Sarkozy ishte parë të kërcënonte që të shtrëngonte radhët në rast se Berlini nuk do ta ndihmonte Greqinë. Ndërkohë, shumë në Gjermani, përfshi Kancelaren Angela Merkel, kanë propozuar të krijojnë një mekanizëm me të cilin Greqia ose ekonomi të tjerë ultra të debituara dhe jokonkurruese të zonës euro mund të përjashtohet në të ardhmen, në rast se nuk do të jetë e aftë që të heqë dorë nga zakoni për të shpenzuar në mënyrë të papërgjegjshme. Zëra, shenja, kërcënime, propozime apo pëshpërima "nga burime të mirëvendosura" duket se synojnë të gjithë drejtë temës së nxehtë në Europë për momentin, domethënë rithemelimin e zonës euro nëpërmjet daljës së Gjermanisë apo përzënies së Greqisë. Le ta shqyrtojmë këtë temë, duke kërkuar parasëgjithash nëse ekziston ky opsion.
Gjeografia e bashkimit monetar europian
Kur përballohet çështja e së ardhmes së euros, është e rëndësishme të kujtohet se bazat ekonomike të monedhës nuk janë aq të rëndësishme sa bazat politike. Pa një vendim politik kundërrrymë që e bën monedhën-letër formën e pagesës zyrtare në tregti, ajo do të ishte pa vlerë. Kjo do të thotë se një qeveri duhet të ketë vullnetin dhe aftësinë për ta imponuar monedhën si formë pagese të borxhit dhe se refuzimi për ta pranuar është i ndëshkueshëm, pa kurrfarë limiti, nga ligji. Problemi i euros është se ajo kërkon të mbivendosë një dinamikë monetare, një gjeografi që jo domosdoshmërisht ofrohet si një "hapësirë" ekonomike apo politike e përbashkët. Eurozona ka një bankë qendrore, BQE-në dhe ka kështu një politikë monetare unike, që aplikohet sa ndaj kujt qëndron në veri, sa dhe ndaj kujt qëndron në jug të Europës. Ja pra dilema gjeografike themelore e euros. Europa është kontinenti i dytë më i vogël, por ka numrin më të madh të shteteve të grumbulluar në territorin e saj. Nuk është koinçidencë. Bollëku e gadishujve, i ishujve të mëdhenj dhe i vargmaleve krijon kushtet morfologjike që shpesh u mundësojnë realiteteve politike më të vogla që të qëndrojnë. Kështu, Mali i Zi i ka shpëtuar darës osmane pikërisht ashtu siç kanë bërë irlandezët me anglezët. Pavarësisht këtij mozaiku politik, bollëku i lumenjve të lundrueshëm, gjijve të mëdhenj dhe brigjet e thyera kanë lehtësuar lëvizjet e mallrave dhe të ideve në kontinent, duke inkurajuar akumulimin e kapitaleve falë kostove të ulëta të transportit, duke promovuar njëkohësisht atë përhapje të shpejtë progresive teknologjike që u ka mundësuar shteteve të ndryshme evropiane që të bëhen çuditërisht të pasur. 5 prej 10 ekonomive të para botërore janë në Europë, pavarësisht popullsive relativisht të vogla. Ama rrjeti lumor dhe detet e Europës nuk janë të integruara nga një lum i vetëm dominues apo nga një drejtuese detare, gjë që implikon se gjenerimi i kapitaleve verifikohet në qendra ekonomike të vogla dhe të lokalizuara. Në ditët e sotme, pavarësisht një integrimi të madh politik dhe ekonomik, Europa nuk e ka New York-un e saj. Këtu Danubi ka Vjenën, Poja ka Milanon, Deti Balltik ka Stokholmin, Renania si Amsterdamin, ashtu dhe Frankfurtin, dhe Tamizi ka Londrën. Një pluralitet qendrash, kapitali që i mbivendoset pastaj atij të shteteve europiane, që e mbrojnë me xhelozi kapitalin dhe, për pasojë, sistemin bankar të tyre. Pavarësisht këtij pluraliteti qendrash pushteti ekonomik dhe, për pasojë, politik, ka shtete që për shkak të gjeografisë së tyre nuk kanë akses në një qendër kapitaliste të tyren. Pjesërisht luginës së lumit Po në veriun e Italisë dhe deridiku Rodanit, Europa jugore nuk e ka një lumë të madh të dobishëm për mallrat. Për pasojë, Europa veriore është më e urbanizuar, më industriale dhe më teknokratike, ndërsa ajo jugore vazhdon të jetë më rurale, më bujqësore dhe më e varfër në kapitale.
Futja e euros
Duke parë valën e volatilitetit ekonomik që ka prekur eurozonën gjatë tremujorëve të fundit dhe sfidave të përfaqësuara nga vendosja e një sistemi monetar unik ndaj një gjeografie dhe një historie kaq të artikuluar, është e lehtë sot të harrohet motivi i vetëm për të cilin eurozona është krijuar në fillim. Lufta e Ftohtë ka bërë të mundur Bashkimin Europian. Për shekuj të tërë, Europa ka qenë seli perandorish feudale dhe shtetesh. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo është bërë atdheu i nacionaliteteve të gjymtuara, siguria e së cilës u ishte besuar Shteteve të Bashkuara. Me marrëveshjen e Bretton Woods, Shtetet e Bashkuara ndërtuan një sistem ekonomik rajonal të aftë që të rilançonte fatet e Europës Perëndimore nën egjidën ushtarake të Washington. Të çliruar nga pesha e konkurrencës luftarake, europianët jo vetëm qenë të lirë që të ndiqnin rritjen, por edhe të shfrytëzonin eksesin e pakufizuar në tregun amerikan që ta ushqenin këtë rritje. Integrimi ekonomik evropian për t'i maksimalizuar këto mundësi ishte një opsion absolutisht i kuptimtë. Shtetet e Bashkuara e inkurajuan integrimin politik dhe ekonomik, sepse i jepte një bazë politike aleancës ushtarake të imponuar Europës, domethënë NATO-s. Ja sesi lindi Komuniteti Ekonomik Europian - pararendësi i Bashkimit Europian aktual. Kur Shtetet e Bashkuara e braktisën barazinë e floririt me dollarin në vitin 1971 (për motive në pjesën më të madhe të tyre jo të lidhura me ngjarjet europiane), Washington në thelb e abrogoi regjimin e shkëmbimeve fikse të Bretton Woods që ishte i lidhur me standardin e floririt. Një pasojë qe paniku në Europë. Monedhat që luhateshin e bënë të pashmangshëm konkurrencën midis valutave në Europë, vetë atë konkurrencë që kish kontribuar në Depresionin e Madh 40 vjet më parë. Pothuajse menjëherë u imponua nevoja për ta kufizuar këtë konkurrencë, fillimisht me koordinimin e monedhave fillimisht të përqendruara mbi dollarin dhe qysh nga viti 1979 mbi dojçmarkën. Spektri i një Gjermanie të ribashkuar në vitin 1989 i dha vrull të ri integrimit ekonomik. Euro ishte në masë të madhe një tentativë për t'i dhënë Berlinit stimuluesin e nevojshëm për të mos u shkëputur nga projekti i Bashkimit Europian. Por, për ta shtyrë Berlinin që të ndante monedhën e tij me pjesën tjetër të Europës, eurozona u modelua sipas Bundesbankut dhe dojçmarkës. Për të hyrë në zonë, një vend duhet të respektojë "kritere konvergjence" rigoroze të projektuar për ta sinkronizuar ekonominë e vendit kandidat me atë të Gjermanisë. Parametrat përfshijnë një deficit të bilancit të barabartë me 3 përqind të GDP-së; një nivel të deficitit publik nën 60 përqind të GDP-së; një inflacion vjetor jo më të lartë se 1.5 pikë përqindjeje nën mesataren e inflacionit vjetor të të tri vendeve të vogla dhe një periudhë prove prej 2 vjetësh, gjatë së cilës valuta kombëtare e vendeve kandidate do të duhet të luhatet brenda një shtrese oscilacioni me euron prej 15 përqindësh. Ndërsa fillojnë të manifestohen krisjet në mbështetjen politike dhe ekonomike ndaj euros, është megjithatë e qartë se kriteret e konvergjencës nuk kanë arritur të tejkalojnë identitetet e ndryshme gjeografike dhe historike. Shkelja greke e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes është dukshëm më e bujshmja, por praktikisht të gjitha vendet - përfshi Francën dhe Gjermaninë, të cilat kanë kontribuar në hartimin e Paktit - i kanë shkelur rregullat e tij qysh nga fillimi.
Mekanika e daljes nga euro
Traktatet evropiane për momentin e detyrojnë çdo shtet anëtar - përjashto Danimarkën dhe Britaninë e Madhe, që e kanë negociuar opt-out e tyre - të bëhen pjesë e eurozonës. Përjashtimi i detyruar apo i vetëimponuar është teorikisht i paligjshëm ose, për më tepër, do të kërkonte miratimin e të 27 vendeve anëtare (pak rëndësi ka motivi për të cilin një shtet anëtar duhet ta miratojë vetë përjashtimin e tij). Edhe sikur të ishte e mundur, është e sigurtë se ka anëtarë dhe kandidatë aktualë që do të ishin të matur për ta vendosur një precedent të tillë, veçanërisht nëse situata fiskale e tyre mund t'i ngjante asaj të Athinës. Një opsion krijues mund t'i lejonte Bashkimit Europian që të përjashtojë teknikisht pa i shkelur traktatet. Do të bëhej fjalë për të krijuar një Bashkim Europian pa shtetin fajtor (në rastin tonë Greqinë) dhe të përcaktohet një eurozonë e re në brendësi të perimetrit të ri institucional. Bëhet fjalë për manipulime që jo domosdoshmërisht do ta shkatërronin Bashkimin Europian; anëtarët e tij "thjesht" do të rikrijonin format e tij pa partnerin për të cilin nuk preokupohen më. Edhe pse krijuese, është një zgjidhje akoma plot me të panjohura. Në një eurozonë kaq të ridimensionuar, Gjermania do të ishte fuqi pa rivalë, diçka për të cilin nga ana tjetër Europa nuk mund të jetë tamam entuziaste. Nëqoftëse Franca dhe Benelux do ta riformonin zonën me Berlinin, atëherë ekonomia gjermane do të rritej nga 26.8 përqind e prodhimit në versionin eurozonë 1.0, në 45.6 përqind në versionin 2.0. Edhe shtete të përjashtuar në mënyrë eksplicite do të ishin subjekte kundërgoditjesh shkatërrimtare: ekonomitë jug - evropiane thjesht do të viheshin në gjendje falimentimi për çdo nivel të deficitit të mbajtur nga institucione të eurozonës së re.
Duke mbajtur parasysh këto dy komplikime politike, u drejtohemi tani dy skenarëve të rithemelimit të eurozonës të diskutuara më shumë sot.
Skenari 1: Gjermania rilançon dojçmarkën
Dalja nga euro për Gjermaninë i detyrohet pasiviteteve potenciale që do të pësonte Berlini në rast se Portugalia, Spanja, Italia dhe Irlanda do të ndiqnin Greqinë në rrugën e falimentimit. Ndërsa përgatitet për t'u votuar kontributi prej 123 miliardë eurosh në brendësi të diapozitivit prej 750 miliardësh - që do t'u shtohej kështu 23 miliardëve tashmë të miratuara për Athinën - çështja "nëse ia vlen barra qiranë" duhet të jetë në qendër të mendimeve të çdo politikani gjerman dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në momentin në të cilin rritet kundërshtimi politik ndaj planit të shpëtimit, si ndaj votuesve gjermanë, ashtu dhe midis partnerëve dhe aleatëve të koalicionit Merkel. Në zbulimet e fundit, 47 përqind e gjermanëve është shprehur në favor të adoptimit të markës. Veç kësaj, koalicioni qeveritar ka humbur një zgjedhje lokale vendimtare 9 majin e kaluar, një shenjë e pakënaqësisë në rritje ndaj CDU-së dhe aleatit të saj, FDP-së. Edhe pse ka arritur të qëndrojë në këmbë gjatë pasazheve të shpëtimit grek, tani ka dyshime serioze se Merkel është në gjendje të bëjë të njëjtën gjë muajt e ardhshëm.
Gjermania nuk do ta linte eurozonën për të shpëtuar ekonominë apo për t'u çliruar nga borxhet e saj, por më shumë për të shmangur peshën financiare të mbështetjes së ekonomive të Club Med dhe të aftësisë së tyre për të riparuar malin e borxheve (3 trilionë euro). Në një moment të caktuar, Gjermania mund të vendosë që të shkurtojë humbjet - deri në 500 miliardë euro, që është rreth ekspozimi i bankave ndaj borxhit të Club Med - dhe të përcaktojë se shpëtimet e mëtejshme do të ishin humbje parash në një pus pa fund. Veç kësaj, Gjermania mund t'i besojë BQE-së për të shkelur rregullat e saj dhe të nisë politikën e blerjes së borxheve nga qeveritë në vështirësi të eurozonës me para të sapokrijuara ("quantitative easing"), por kjo në vetvete do të përbënte një avantazh. Pjesa tjetër e zonës, përfshi Gjermaninë, do ta paguante me dobësimin e euros. Nëqoftëse rrjedha do të duhej të mbizotëronte, kjo do të nënkuptonte se situata është përkeqësuar shumë. Eurozona i ofron Gjermanisë përfitime ekonomike të konsiderueshme. Fqinjët e saj nuk janë në gjendje që të kundërshtojnë eksportimet gjermane me zhvlerësimin konkurrues dhe eksportimet gjermane nga ana e tyre kanë fituar kuota eksporti në eurozonë, si në brendësi të saj, ashtu dhe kundrejt pjesës tjetër të botës. Nga adoptimi i euros, kostoja unitare e punës në Club Med është rritur respektivisht asaj gjermane me rreth 25 përqind, duke konsoliduar më tej avantazhin konkurrues të Gjermanisë. Përpara se Gjermania të mund ta ripërdorë dojçmarkën, ajo duhet të ndërtojë sërish bankën qendrore të saj, të tërheqë rezervat nga BQE-ja, të shtypë monedhën kombëtare dhe të riemërtojë aktivitete dhe pasivitete kombëtare në dojçmarka. Mund të mos jetë një proces i lehtë dhe pa pengesa, por sigurisht për Gjermaninë do të ishte shumë më e lehtë se për shtete të tjera anëtare. Dojçmarka kishte reputacion shumë të qëndrueshëm prej valute të fortë kur Bundesbanku i famshëm drejtonte politikën monetare gjermane. Nëse Gjermania do të ishte në gjendje ta rifuste monedhën e saj kombëtare, vështirë që europianët do të mund të besonin se gjermanët kanë harruar sesi drejtohet një bankë qendrore - kujtesa kombëtare do të rishfaqej me shpejtësi, duke rivendosur kredibilitetin si të Bundesbankut, ashtu dhe, në kuptimin më të gjerë, të dojçmarkës. Nga momenti që kështu do të zëvendësohej një monedhë më e dobët dhe në fazë rënieje me një më të fortë e më të qëndrueshme, pavarësisht se tregjet financiare nuk do ta mirëprisnin symbyllazi ndryshimin, sigurisht që do të ishin më pak ngurrues për ta pranuar nga Gjermania sesa nga vendet e tjera anëtare. Kështu, Berlini nuk do të detyrohej domosdoshmërisht që t'u drejtohej kufizimeve të rënda ndaj flukseve të kapitalit, për të bllokuar pasuri në arrati nga konvertimi. Probabilisht, do të ishte në gjendje ta riemërtonte të gjithë borxhin e saj në dojçmarka nëpërmjet bond swap. Tregjet do ta pranonin ndryshimin, sepse ndoshta do të kishin më shumë besim në dojçmarkën e mbështetur nga Gjermania sesa nga euro e mbështetur nga vendet e tjera të eurozonës. Risjellja në qarkullim e dojçmarkës do të ishte megjithatë një proces i komplikuar dhe ka mundësi me dëme anësore, sidomos në sektorin financiar. Bankat gjermane mbajnë një pjesë të madhe të borxhit të emetuar nga Club Med, që ka mundësi se do të shkonin në falimentin në rast se Gjermania do ta braktiste euron. Nëqoftëse do të arrihej afër pikës së shkëputjes midis Gjermanisë dhe eurozonës, atëhere këto humbje ka mundësi që do të ishin pakogjë ndaj kostove - ekonomike dhe politike - për të mbetur brenda zonës dhe për t'ia mbështetur financiarisht ekzistencën.
Skenari 2: Greqia lë euron
Nëqoftëse Athina do të ishte në gjendje ta kontrollonte politikën monetare të saj, do të ishte në mënyrë të dukshme edhe në gjendje të "zgjidhte" dy problemet e mëdha që prekin sot ekonominë greke. Në radhë të parë, mund ta lehtësonte ndjeshëm situatën financiare të saj. Banka Qendrore greke mund të presë para dhe të blejë borxh sovran, duke e anashkaluar ndërmjetësimin e tregut kredidhënës. Në radhë të dytë, rifutja e monedhës kombëtare do t'i mundësonte Athinës që ta zhvlerësonte më tej, gjë që do të stimulonte kërkesën e jashtme për eksportimet greke dhe do të promovonte rritjen ekonomike. Kështu, nuk do të kishte më nevojë që t'i nënshtrohej procesit të dhimbshëm të "zhvlerësimit të brendshëm" me masa rreptësie që u janë imponuar grekëve si kusht për shpëtimin nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Shteteve të Bashkuara. Nëqoftëse Athina do të duhej ta rifuste monedhën kombëtare me qëllim që të kontrollojë politikën monetare, qeveria fillimisht duhet të arrijë ta qarkullojë (një kusht i nevojshëm për zhvlerësimin). Problemi i parë praktik është që asnjë nuk do ta donte këtë monedhë të re, kryesisht sepse do të ishte e qartë se qeveria e nxjerr në qarkullim për ta zhvlerësuar më pas. Në ndryshim nga kapja pas euros - ku pjesëmarrja motivohej nga benefice efektive dhe të perceptuara për të adoptuar një monedhë të fortë e të qëndrueshme dhe për të përfituar përqindje interesi më të ulëta, flukse të reja dhe mundësinë për të bërë transaksione në shumë tregje të rinj - "shkëputja nga euro" nuk ofron stimulues të tillë ndaj tregjeve:
a) dhrahmia nuk do të ishte monedhë e fortë, duke qenë se qëllimi i rifutjes së saj është zhvlerësimi;
b) dhrahmia ka mundësi që do të pranohej vetëm në brendësi të Greqisë, por edhe aty jo kudo - një kusht që ka mundësi se do të zgjaste për disa kohë;
c) rifutja unilaterale e dhrahmisë ka mundësi që do ta shikonte Greqinë të përjashtuar nga eurozona dhe ndoshta edhe nga Bashkimi Europian në bazë të rregullave të sipërpërmendura.
Në thelb, qeveria duhet t'u kërkojë investitorëve dhe votuesve që të nënshkruajnë një kontratë sociale që njëlloj më pas, patjetër, ka ndërmend ta abrogojë në të ardhmen, në mos menjëherë, sapo të jetë në gjendje. Kështu, mënyra e vetme për të përhapur dhrahminë do të ishte me përdorimin e forcës. Qëllimi nuk do të ishte të konvertohej çdo aset nga ku të niset për të transmetuar tundjen e nevojshme për përhapjen e dhrahmisë. Që të jetë i bërë në mënyrë efikase, qeveria do të duhej të minimizonte kuotën e kapitaleve që përgatiten të largohen me tërheqje apo transformimin në mallra lehtësisht të shpëtueshëm fiskut. Për ta bërë këtë, do të ishin të nevojshme kufizime mbi lëvizjet e kapitalit dhe mbylljen e disa bankave dhe ka mundësi edhe përdorimi i forcës për të parandaluar trazira akoma më të zgjeruara se ato të para deri më tani. Sapo paraja të jetë vënë nën çelës, qeveria do t'i konvertonte pastaj domosdoshmërisht pasuritë bankare tekstualisht duke i zëvendësuar me shuma të ngjashme në monedhë kombëtare. Grekërve do t'u lejohej që të kryenin tërheqje vetëm në dhrahmi të reja, të transferuara kinse nga qeveria tek bankat për shërbimet e klientelës. Në të njëjtën kohë, të gjitha shpenzimet dhe pagesat e sektorit publik do të kryheshin në monedhë kombëtare, për t'i stimuluar qarkullimin. Qeveria pastaj do të duhej të transmetonte vendosmërinë e saj për të përndjekur këdo që do këmbente euro në tregun e zi, dënim humbjen totale të vlerës të monedhës së re. Duke qenë se asnjeri, përveç qeverisë, nuk do të donte të vepronte kurrë në këtë mënyrë, ndjesisë se ajo mund të lëvizë në këtë drejtim, gjëja e parë që grekët do të donin të bënin është që t'i tërhiqnin të gjitha depozitat nga çdo sportel, ku pasuria e tyre do të ishte në rrezik. Në mënyrë të ngjashme, gjëja e parë që do të bënin investitorët - dhe kujtojmë që Greqia është një vend aq i varfër për kapitale aq sa Gjermania është e pasur - është që të shkurtojë çdo ekspozim. Kështu, konvertimi i detyruar duhet të jetë i koordinuar e definitiv dhe - gjëja më e rëndësishme e të gjithave - duhet të jetë i papritur sa më shumë të jetë e mundur. Duke folur në mënyrë realiste, mënyra e vetme për ta kryer këtë tranzicion pa e çmendur ekonominë greke, duke ia gjymtuar teksturën sociale, do të ishte që ta koordinonte me organizata në gjendje që të japin asistencë dhe mbikëqyrje. Nëqoftëse FMN-ja, BQE-ja apo shtetet anëtare të eurozonës do ta koordinonin periudhën e tranzicionit dhe ndoshta ndërkohë do t'i ofronin ndonjë mbështetje vlerës së monedhës kombëtare, do të rriteshin mundësitë e një tranzicioni jo krejtësisht destruktiv. Është e vështirë të imagjinoheshin rrethanat në të cilat kjo ndihmë të manifestohet, nëpërmjet një pakete që do të bënte të zbeheshin për nga dimensionet 110 miliardë eurot aktualisht në tryezë. Pse popullsitë e Europës janë kaq ngurruese tani për ta ndihmuar Greqinë, çfarë do të mendonin nëse qeveritë e tyre do të merrnin mbi vete akoma më shumë risqe boll që të mbështesnin të gjithë sistemin financiar të një ish-anëtari të eurozonës, duke e ndihmuar kështu që t'i shpëtonte përgjegjësive të tij prej debitori ndaj pjesës tjetër të zonës?
Dilemë europiane
Europa gjendet kështu përpara një nyjeje gordiane. Nga njëra anë, gjeografia e kontinentit paraqet një numër mopërputhjesh që nuk mund të tejkalohen pa një përpjekje herkuliane (dhe politikisht jopopullore) nga ana e Europës jugore dhe nga një kompromis (njëlloj pak tërheqës) nga ana e Europës veriore. Nga ana tjetër, kostoja e daljes nga eurozona - në mënyrë të veçantë në një moment katastrofe financiare, kur kjo lëvizje mund të bëjë të percipitohet në një krizë akoma më të madhe - është, pak ta thuash, e frikshme. Rezulton një enigmë që në një moment të caktuar mund të parashikojë një zgjidhje, nëpërmjet rindërtimit të zonës euro. Por rrjeti i marrëdhënieve ekonomike, politike, ligjore dhe institucionale e bën pothuajse të pamundur. Pastë ose jo kuptim, kostoja e daljes është e ndaluar.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers