Shembje idhujsh


Statuja e Stalinit është larguar nga sheshi qendror në vendlindjen e tij në Gjeorgji dhe pritet të vendoset në një muze në qytet. Ai nuk është udhëheqësi i parë që rrëzohet në vendin e lindjes. Cilët janë disa prej të tjerëve?
Irak
Nuk kishte asgjë sekrete në shembjen e statujës së Sadam Huseinit në Bagdad në prill 2003. Ajo u bë imazhi emblematik i fazës së parë të luftës në Irak. Një turmë irakenësh u mblodhën në Sheshin "Parajsa" dhe u përpoqën të shembin statujën. Tanket amerikanë kishin hyrë në Bagdad më herët atë ditë. Trupat e SHBA mbërritën në Sheshin "Parajsa" dhe përdorën një autoblindë për të ndihmuar në shembjen e statujës. Pak përpara se të rrëzohej, një ushtar amerikan hipi dhe ia mbështolli fytyrën me një flamur amerikan. Turma e pa këtë si triumfalizëm amerikan dhe flamuri u hoq shpejt. Por, brenda pak muajsh kishte nisur revolta. Pati gjithashtu konflikte mes sunitëve dhe shiitëve. Rrëzimi i statujës së Sadam Huseinit ishte fillimi i një epoke të re, por një epokë që kushtoi mijëra jetë njerëzish, shumica irakenë.
Taivan
Në vitin 2007, qeveria taivaneze hoqi statujat e liderit të ndjerë nacionalist, Chiang Kai-shek, nga repartet ushtarake. Vendimi shkaktoi zemërim tek opozita në Partinë Kuomintang, të cilën Chiang e kishte udhëhequr deri në vdekjen e tij në 1975. KMT kishte qenë në pushtet për 51 vite deri në 2000, kur u zëvendësua nga DPP. KMT bëri të ditur se kjo ishte një lëvizje në përpjekjet për të zhdukur trashëgiminë kineze nga Taivani. DPP tha se statujat përfaqësonin sundimin autoritar të Chiang. Ata shtuan se statujat ishin hequr për t'u mbrojtur nga moti i keq.
Republika Demokratike e Kongos
Një statujë përkujtimore e Mbretit Leopold II të Belgjikës u shfaq në disa vende në kryeqytetin e Kongos, Kinshasa. Ajo u vendos fillimisht në shekullin XIX, por u hoq në vitin 1967 nga Presidenti i atëhershëm, Mobutu Sese Seko. Leopoldi II krijoi shtetin e lirë të Kongos në 1885 si koloni të tijën private dhe bëri goxha pasuri nga tregtia e gomës atje. Ai la pas trashëgiminë më të keqe të të gjithë regjimeve kolonialë të Europës në Afrikë. Pas 38 vitesh në një magazinë, statuja gjashtë metërshe u rikthye në 2005. Ministri kongolez i Kulturës, Christophe Muzungu tha se personalisht kishte marrë vendimin për të rivendosur statujën, duke thënë se njerëzit duhet të shohin aspektet pozitive si dhe ato negative të mbretit. Por pas vetëm pak orësh, ajo u hoq sërish, këtë herë një herë e mirë.
Spanjë
Udhëheqësi ushtarak i Spanjës, Gjenerali Franko vdiq në 1975, por statuja e fundit e tij në tokë spanjolle u hoq vetëm 33 vjet më pas. Në dhjetor 2008, një statujë e Frankos u hoq nga qyteti Santander. Statuja e fundit në Madrid ishte hequr më shumë se 2 vjet më herët, në mars 2005. Përpara agimit të një mëngjesi, mes thirrjeve dhe brohoritjeve të mbështetësve fashistë dhe antifashistë, një vinç e ngriti statujën e gjeneralit dhe e largoi. Nuk kishte patur asnjë lajmërim se statuja e vendosur aty në vitin 1959 do të hiqej.
Rusia
Në vitin 1991, një statujë në nderim të themeluesit të policisë së fshehtë, Felix Dzerhinsky u hoq nga Moska. KGB, siç do të njihej më vonë, ishte krahu më i frikshëm i aparatit sovjetik, ku u rrëmbyen, torturuan dhe vranë mijëra vetë. Në dhjetor 1991, pas grushtit të dështuar të shtetit kundër Mikhail Gorbachevit, statuja e Dzerzhinskyt u hoq. Trembëdhjetë vjet më vonë, në një qytet që mban emrin e tij, një statujë e re e Dzerzhinskyt u zbulua pranë pallatit të kulturës.
Taxhikistan
Ndërkohë që Bashkimi Sovjetik ekzistonte ende, pothuajse çdo qytet kishte një statujë të Leninit. Shumica e tyre u zhdukën bashkë me BRSS në fillim të viteve '90. Kryeqyteti taxhik, Dushanbe, kishte statujën më të madhe të Leninit në Azinë Qendrore. Në vitin 1999, autoritetet taxhike ngritën një monument edhe më të madh. Statuja e Heroit Kombëtar të shekullit X, Ismail Somoni, është 40 metra e gjatë.
Bosnja
Deri në luftën e viteve '90, Sarajeva njihej më së shumti si vendi ku ishte ndezur fitili i Luftës së Parë Botërore. Në një qoshe rruge të Sarajevës, në vitin 1914, Franz Ferdinand, trashëgimtar i fronit austro-hungarez, u qëllua për vdekje bashkë me bashkëshorten e tij shtatzënë, Sofphie. Vrasësi i tyre ishte një nacionalist serbo-boshnjak, Gavrilo Princip. Në 1930, mbretëria e atëhershme e Jugosllavisë vendosi një pllakë në vendin ku kishte qëlluar Princip. Ajo u largua nga nazistët dhe më vonë nga kroatët kur pushtuan Sarajevën në 1941. Pas luftës, kur u shfaq sërish Jugosllavia, po kështu u ngrit edhe një memorial për Princip, këtë herë në formë shkallësh. "Rinia e Bosnjes dhe Hercegovinës ia dedikon këtë pllakë si simbol të mirënjohjes së përjetshme për Gavrilo Princip dhe shokët e tij, për luftëtarët kundër pushtuesve gjermanë", thuhej në pllakë. Por kur u shpërbë Jugosllavia dhe Bosnja u përfshi nga lufta në 1992, shkallët u shkulën. Sarajeva ishte nën rrethim nga forcat e nacionalistëve serbo-boshnjakë. Për shumëkënd në qytet, një pllakë që përkujtonte një akt të dhunshëm nga një nacionalist serb ishte thjeshtë e papranueshme. Në vitin 2004, pothuajse një dekadë pas fundit të luftës, u ngrit një memorial i ri për Princip. Në të shkruhej thjeshtë: "Në këtë vend në 28 qershor 1914, Gavrilo Princip vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij, Sophie".

Google+ Followers