Sheh syri apo truri?


Trurit i përçohen gjatë gjithë kohës një lumë me pamje dhe imazhe vizuale në formë shtysash elektrike. Pamjet analizohen në qendrën e përpunimit të pamjeve në tru. Të dhënat e parëndësishme përzgjidhen dhe fshihen nga kujtesa, ndërsa ajo pakicë pamjesh thelbësore që janë të rëndësishme për rrethanën futen në vetëdijen tonë.
"Vetëm në sajë të këtyre përthithjeve të përzgjedhura njeriu arrin të orientohet në këtë botë", thotë filozofi Daniel Sennett në librin e tij "Shpjegim i vetëdijes" (Erklärung des Beëußtseins). Nëse truri jonë do të ruante dhe përpunonte të gjitha pamjet dhe imazhet që na shfaqen para syve çdo moment, do të duhej një punë kolosale nga ana e tij dhe gjithashtu një kohë shumë e gjatë përpunuese. Në këtë mënyrë, ne regjistrojmë vetëm atë që ndryshon dhe pjesën tjetër e marrim si të pandryshueshme.
Truri përkufizon çdo hollësi të së vërtetës, që e merr në mënyrë të vetëdijshme, me shumë elementë nga thesari i përvojës dhe përfytyrimit në një gjurmë të vetme të tërësisë. Rrallë herë qëllon që të na vërtetohet se nuk jemi duke pasur një shikim të vërtetë të botës.
Shkencëtari Stephen Kosslyn thotë se njeriu e ka të vështirë të dallojë të vërtetën nga përfytyrimi sepse kujtesa e tij është një përzierje e të dyjave.
Edhe ngjyrat janë një lloj përthithje e jona, të cilat në të vërtetë nuk gjenden. Këtë e ka zbuluar që në fund të shekullit XVIII Isaac Newton, i cili thoshte se sendet apo drita nuk kanë ndonjë ngjyrë, por është truri ynë që u jep atyre një të tillë. Daniel Simons, psikolog në Universitetin "Harvard", bëri një eksperiment të tillë: Dikush pyet një kalimtar se cilën rrugë duhet të marrë për të arritur në filan vend. Gjatë kohës që kalimtari është duke dhënë shpjegime kalojnë dy vetë me një derë të madhe të cilën e ulin përkohësisht mes bashkëbiseduesve në fjalë. Njëri prej tyre që po mbante derën ndërron vend me atë që kishte pyetur kalimtarin. Në 50 përqind të rasteve kalimtarët nuk e dalluan që personi që i kishte pyetur ishte larguar tashmë, por vazhduan t'i përgjigjeshin personit të ri që kishin përballë, ndonëse ai nuk kishte as veshje apo zë të ngjashëm me personin që i kishte bërë pyetjen.
Ky eksperiment dhe shumë të tjerë të ngjashëm kanë bërë të pandehet ajo që kur u bë publike në fillim të viteve '90-të hasi në shumë kundërshtime: Ne shikojmë shumë më pak sesa na duket se shikojmë.
Simon sqaron: "Kur vëzhgojmë një rrethanë, përthithim vetëm disa hollësira. Këto hollësira kufizohen nëpërmjet kujtesës dhe fuqisë së përfytyrimit. Vetëm pas kësaj krijohet në tru një gjurmë mbetëse e tërësisë".
Një eksperiment tjetër i bërë nga Daniel Simons dhe që tregon sesi disa hollësira na kalojnë pa u parë është ky: Iu kërkua disa njerëzve të numëronin pasimet e bëra nga një skuadër në një ndeshje basketbolli, e cila iu shfaq në video. Ndërsa ata janë të përqendruar në numërim pas disa minutash futet në mes të fushës së lojës dikush i veshur si gorillë dhe qëndron aty për plot pesë sekonda e megjithatë më tepër se 40% e shikuesve ngritën supet në shenjë mohimi kur Simons i pyeti nëse e kishin parë gorillën.
Ndonjëherë kalimi pa u parë i disa gjërave çon drejt pasojash fatale, si në rastin e trafikut, p.sh. kur ndodh që të jesh aq i përqendruar në ngarjen e makinën dhe nuk shikon dikë që të përshëndet nga jashtë.
Buzëqeshja e Mona Lisa-s
Kur shikon Mona Lisa-n në sy të duket se ajo është duke buzëqeshur, por kur e hedh vështrimin tek goja e saj të duket sikur ajo ka një shprehje serioze të fytyrës. Shkencëtarja neurologe Margaret Livingstone shpjegon se kur ne e përqendrojmë shikimin në sytë e Mona Lisa-s, nuk e shohim qartë pjesën tjetër të fytyrës. Toni i paqartësisë bie në hijen që lëshon nofulla e saj duke bërë që buzët të duken më të përkulura. Nëse e çon shikimin tek goja e saj, efekti zhduket bashkë me buzëqeshjen. Kjo është një hile që Leonardo Da Vinçi ka ditur ta përdorë me mjeshtëri.
Syri i mendjes
Trupa e Itzhak Fried i Universitetit të California-s iu bëri matje të rrymës së trurit disa njerëzve, të cilëve iu tregua një herë piktura e Mona Lisa-s, ndërsa një herë të dytë iu tha vetëm ta përfytyronin atë. Masa e rrymës doli në të dy rastet e njëjtë dhe u vu re se ishin vënë në punë po të njëjtat qeliza nervore. Fried shpjegon se syrit të mendjes sonë i duken disa pamje si krejt të vërteta. Truri nuk do t'ia dijë nëse jemi duke i parë drejtpërdrejtë këto pamje apo jo. Shkencëtarët janë të mendimit se bota jonë e pasur e shikimit është e përbërë nga disa fakte mbi botën, të cilat janë të përziera në formën e pamjeve të ruajtura dhe shumëpërfytyrimi në një tërësi funksionuese. Meqenëse çdo njeri ka përfytyrimet e tij, atëherë secili jeton në botën e tij të shikimit. Richard Gregory, psikolog dhe autor i shumë librave mbi përthithjen nëpërmjet shikimit, e përkufizon kështu: "Bota e përfytyruar në të cilën secili prej nesh jeton është një strukturë e tij vetiake. Ndonjëherë ai gënjehet sikur po e ndan këtë botë me dikë tjetër, por në të vërtetë secili është i vetëm në botën e tij".
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers