Politikanë të ndjekur nga skandalet seksuale


Lufta ndërmjet karrierës dhe pasionit
Nëse ata nuk do të kishin qenë figura shteti, veprimet e tyre mund të shkatërronin familjen, por zor se do kishin të bënin me karrierën e tyre. Por në momentin që bëhet fjalë për njerëz që kanë marrë përsipër një post publik që mbart përgjegjësi politike, edhe flirti më i pafajshëm kthehet në fatalitet. Të rralla janë rastet kur një politikan mund të shpëtojë i padëmtuar në këto lloj situatash. Një ndër skandalet më të hershme në historinë moderne të SHBA është ai i quajtur "Çështja Petticoat" në vitin 1831, kur sekretari i Luftës së qeverisë amerikane, John Henry Eaton u martua me Margaret O'Neill Eaton. Mendjet konservatore të kohës të kryesuara nga bashkëshortja e zv/presidentit amerikan, Floride Calhoun, ndërmorën një fushatë përjashtimi ndaj çiftit të ri, pasi pretendohej se ish-bashkëshorti i Margaret kishte vrarë veten pikërisht për shkak të marrëdhënies së saj me sekretarin e Luftës së Shtetit. Lista vijon me emra të tjerë politikanësh të përfshirë në skandale të ndryshme, siç është Bill Clinton, David Lloyd George, etj
"Çështja Petticoat", 1831 - Martesa e Margaret O'Neale me sekretarin e Luftës së kabinetit amerikan, John Henry Eaton. "Petticoat Affair", e njohur gjithashtu si "Eaton Affair" apo "Eaton Malaria", është një skandal seksual i vitit 1831 që përfshinte anëtarë të kabinetit të Presidentit amerikan Andrew Jackson. Margaret "Peggy" O'Neale, më vonë Margaret O'Neill Eaton, ishte vajza e një pronari pensioni, bashkëshorti i parë i së cilës, marinari John B. Timberlake, kishte kryer vetëvrasje. Peggy shquhej për temperamentin e saj të gjallë, çka nënkuptonte se ajo ishte tip flirtues dhe seksuale në një kohë kur gratë "e respektuara" nuk duhet të ishin të tilla. Supozohej se bashkëshorti i saj kishte kryer vetëvrasje për shkak të marrëdhënies së saj me sekretarin e Luftës së qeverisë, John Henry Eaton. Peggy dhe Eaton u martuan menjëherë pas vdekjes së Timberlake, duke skandalizuar gratë "e respektuara" të kryeqytetit amerikan. Pas kësaj lindën reagime të forta pro dhe kundra një veprimi të tillë. Koalicioni anti-Peggy udhëhiqej nga Floride Calhoun, bashkëshortja e zv.presidentit amerikan John C. Calhoun dhe një grup grash të tjera të kabinetit. I vetmi anëtar i pamartuar i kabinetit të qeverisë amerikane, Martin Van Buren, mbajti anën e çiftit Eaton. Ndërsa Zonja e Parë, Rachel Jackson u vu në radhë të grupit kundër çiftit. Skandali ishte aq intensiv saqë shumë anëtarë të qeverisë dhanë dorëheqjen. Si pasojë edhe Eaton dha dorëheqjen.
David Blunkett, 2004 - Sekretari i Shtetit jep dorëheqjen pasi zbulohet se kishte një marrëdhënie me një grua të martuar, Kimberly Quinn dhe supozohej se në atë kohë po përpiqej të lehtësonte procedurat e vizës për dadon filipinase të fëmijëve të saj.
Gjatë kohës së tij si Sekretar Shteti në kabinetin britanik, Blunkett kishte marrëdhënie me Kimberly Fortier, botuesja me kombësi amerikane e revistës së krahut të majtë "The Spectator". Marrëdhënia trevjeçare përfundoi në gusht të vitit 2004 kur Fortier vendosi të kthehej tek bashkëshorti i saj. Kryeministri Tony Blair në atë kohë e konsideroi si të arsyeshme që Blunkett të qëndronte në postin e tij, pasi çështja nuk kishte të bënte me pozicionin e tij ministror. Sidoqoftë, në fund të nëntorit 2004, dolën pretendime se Blunkett kishte abuzuar me postin, duke përdorur influencën e tij për të përshpejtuar procedurat e aplikimit të leje-qëndrimit në Angli të dados filipinase së të dashurës së tij. Kësaj akuze iu shtua dhe fakti se ai gjithashtu kishte përdorur influencën e tij që po e njëjta dado të merrte një vizë turistike austriake. Pas kësaj u hap një hetim për këtë çështje, i udhëhequr nga Sir Alan Budd. Blunkett vendosi të jepte dorëheqjen më 15 dhjetor 2004, duke u shprehur se çështja në fjalë ndaj tij po dëmtonte qeverinë. Blunkett ishte divorcuar prej bashkëshortes së tij, me të cilën kishte tre djem, që në vitin 1990.
John E. Brownlee - Ish-kryeministri i provincës së Albertas në Kanada, jep dorëheqjen në vitin 1934, pas akuzave se ai kishte joshur një grua të re. Partia e tij pothuajse u zbeh në zgjedhjet pas skandalit.
John Edward Broënlee ka qenë një politikan kanadez, i cili ishte kryeministri Albertas nga 1925 deri më 1934. Qeveria e Brownlee ishte e suksesshme pasi arriti të negocionte mbi një shkallë të kontrollit të burimeve natyrore të Albertas me qeverinë federale, një arritje kjo që u kthye në historike kur në Leduc u zbulua naftë në vitin 1947. Kjo qeveri u përball me sfidat më serioze gjatë Depresionit të Madh, kur provinca ishte e përbërë kryesisht nga popullsi agrare. Ndërkohë, reputacioni personal i Brownlee u shkatërrua nga një skandal seksual, në të cilin një grua e re e denoncoi atë për ngacmim seksual. Ai u shpall fajtor dhe në korrik të vitit 1934 dha dorëheqjen. Për shkak të popullatës konservative, e cila u skandalizua nga një akt i tillë, partia e Brownlee pësoi një rënie dramatike dhe në zgjedhjet e vitit 1935 nuk arriti të fitonte as edhe një vend në legjislaturë. I shkatërruar nga humbja dramatike elektorale, Brownlee iu rikthye praktikave ligjore në Edmonton. Kultivuesit e Bashkuar të Misrit, për të cilët ai kishte qenë këshilltar përpara se të niste karrierën politike e ripunësuan atë sërish. Në vitin 1948 ai u bë president i firmës dhe menaxher i përgjithshëm.
Chris Bryant, 2003 - Deputeti britanik zbulohet se kishte postuar foto të tijat me të mbathura në faqe interneti për homoseksualë, ku kërkonte partner. Skandali dëmtoi karrierën e tij në vazhdim.
Christopher John Bryant është deputet laburist i parlamentit britanik, post të cilin e mban që prej vitit 2001. Bryant ishte homoseksual i deklaruar, por ai është bërë objekt i shtypit kur u zbulua se kishte kërkuar partnere seksuale në një faqe interneti për homoseksualë "Gaydar", duke pozuar vetëm me të brendshme, gjatë kohës që ishte deputet. Pasi fotot u publikuan nga një sërë gazetash britanike, deputeti Bryant bëri publike një deklaratë për shtyp ku kërkonte ndjesë. Në deklaratë shkruhej: "Më vjen keq që një gjë e tillë ka ndodhur. Unë kam qenë gjithnjë i hapur rreth jetës time private, por nuk kam synuar që ta kthej atë në një çështje primare. Më vjen shumë keq që të tjerët janë përpjekur të bëjnë një gjë të tillë. Gjëja më e rëndësishme për mua është puna që bëj për zgjedhësit e mi si deputet dhe nuk do të lejoj që të shkëputem nga përfaqësimi i duhur i këtyre njerëzve". Cristopher John Bryant, një ish-klerik, pranoi me atë rast që fotografitë dhe mesazhet ishin autentike. Sekretari i zonës elektorale të Bryan deklaroi se deputeti laburist nuk e kishte fshehur asnjëherë faktin se ishte gei dhe se kjo ishte çështje private e tij.
Chu Mei-feng, 2001 - Politikania nga Tajvani preu çdo lidhje me vendin e saj, pasi një gazetë vendase publikon një CD ku ajo kishte marrëdhënie seksuale me biznesmenin e martuar Tsen Chung-ming.
Chu Mei-feng ka qenë gazetare televizive, ish-këshilltare e bashkisë së Taipeit dhe ish-drejtoreshë e Byrosë së Çështjeve Kulturore të qytetit Hsinchu. Më 17 dhjetor 2001 një gazetë vendase "Scoop Ëeekly" publikoi një histori në lidhje me imoralitetin e diskutuar të Chu dhe bashkangjitur me këtë histori kishte dhe një CD me video 47-minutëshe e regjistruar fshehurazi teksa Chu kishte marrëdhënie seksuale me një person, i cili më pas rezultoi se ishte një biznesmen i martuar, Tseng Chung-ming. Kjo video shkaktoi reagime të menjëhershme dhe u shpërnda në gjithë botën nëpërmjet internetit, pavarësisht se autoritetet u përpoqën që të hiqnin gjithë revistat në fjalë nga tregu. Chu hodhi në gjyq "Scoop Ëeekly" për shpifje dhe shkelje të privatësisë, si dhe shpërndarjeve të akteve të turpshme pavarësisht se kjo nënkuptonte se ajo pranonte marrëdhëniet seksuale me Tseng Chung-ming. Dy vite para se një gjë e tillë të ndodhte, në vitin 1999, sipas një sondazhi, Chu ishte ndër tri femrat politikane që meshkujt e Tajvanit do të dëshironin t'i shihnin nudo. Që prej vitit 2003 qëndron në Britaninë e Madhe dhe ka prerë pothuajse çdo lloj lidhjeje me Tajvanin.
Edwina Currie, 2002 - Ish-deputetja britanike zbulohet se kishte pasur një lidhje katërvjeçare me John Major, ish-kryeministrin britanik, i cili ishte i martuar në atë kohë.
Edwina Currie ka qenë deputete e Partisë Konservatore në Parlamentin britanik prej vitit 1983-1997. Currie është autore e gjashtë librave, duke përfshirë këtu dhe "Ditaret" (1987-'92), në të cilin u bë publik marrëdhënia e saj me ish-kryeministrin John Major. Ajo mbetet një figurë publike e konsideruar e sinqertë dhe shumë kokëfortë. Ajo ka një karrierë të rëndësishme si shkrimtare dhe si figurë mediatike. Zbulimi i marrëdhënies katërvjeçare me ish-kryeministrin britanik, e cila fillonte në vitin 1984 dhe mbaronte në 1988, shkaktoi shumë bujë. Marrëdhënia kishte filluar kur ajo ishte deputete e thjeshtë, ndërsa Major ishte kryetari i grupit parlamentar të qeverisë nën drejtimin e Margaret Thatcer. Currie pretendonte se ajo i dha fund lidhjes kur vuri re se ajo po bëhej jopraktike dhe e rrezikshme, për shkak të prezencës së vazhdueshme të badigardëve. Në atë kohë u raportua se Major ndihej i turpëruar nga kjo lidhje dhe se ia kishte rrëfyer bashkëshortes së tij privatisht. Disa javë pasi Currie bëri publike këtë lidhje, ajo kritikoi publikisht Major, duke e akuzuar atë si "një nga kryeministrat më të paaftë".
Gary Hart, 1988 - politikani amerikan që la në mes fushatën presidenciale pas publikimit të marrëdhënies së tij me Dona Rice.
Gary Warren Hart është politikan dhe avokat nga Kolorado. Ka kandiduar në vitin 1988 për president, por u detyrua të ndërpriste fushatën për shkak të një skandali. Në janar të vitit 1987 ai ishte kandidati kryesor i demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 1988. Pas kandidimit të vitit 1984 Gary Hart kishte arritur të përftonte një mënyrë të rafinuar të të bërit fushatë. Ai deklaroi zyrtarisht kandidaturën më 13 prill, 1987. Mirëpo menjëherë filluan të qarkullonin zëra se Hart kishte një marrëdhënie jashtëmartesore. Në një intervistë që u shfaq në gazetën "New York Times", Hart u përgjigjej këtyre zërave: "Më ndiqni nga pas. Nuk më bëhet vonë fare, por iu siguroj se do të mërziteni për vdekje". Një dite më parë, dy reporterë nga "Miami Herald", ndërsa mbikëqyrnin pandërprerje banesën e tij në Uashington D.C. fotografuan një femër tërheqëse, duke dalë nga banesa e tij më 2 maj. "Miami Herald" e publikoi foton menjëherë të nesërmen në të njëjtën ditë që në "New York Times" doli përgjigjja e Hart se s'kishte asgjë për të fshehur. Ndërkohë që Hart thoshte me zë të lartë se s'kishte asgjë në këtë mes "Herald Miami" arriti të siguronte disa foto, ku modelja 29-vjeçare Donna Rice qëndronte e ulur në prehërin e Hart, 50 vjeç.
Lord Lambton, 1973 - deputeti dhe politikani britanik jep dorëheqjen pasi u zbulua se përdorte marijuanë dhe frekuentonte prostituta. Antony Claud Frederick Lambton, i cili u nda nga jeta para disa vitesh ishte Konti i 6-të i Durhamit. Ai ishte deputet në Parlamentin e Britanisë dhe kishte dhe detyra të tjera ministrore, të cilat u detyrua t'i linte të gjitha pas përfshirjes së tij në një skandal me prostituta dhe marijuhanë. Në vitin 1973, tabloidet "The Sunday" dhe "News of the World", bënë publike marrëdhënien e Lambton me prostituta. Bashkëshorti i njërës prej prostitutave, Norma Levy, kishte fotografuar në mënyrë sekrete Lambton në shtrat me gruan e tij. Gjithashtu, gjatë një kërkimi të policisë në shtëpinë e Lambton u gjet një sasi e vogël kanabis. Më 22 maj, Lambton u detyrua të jepte dorëheqjen. Pas kësaj, një hetim mbi skandalin e prostitucionit doli në përfundimin se nuk kishte asgjë në këtë çështje që mund të komprometonte Lambton. Ai vetë deklaroi se s'kishte marrë asnjëherë dokumente shtetërore me vete gjatë takimeve me Norma Levy. Kjo për arsye sepse hetuesit i trembeshin faktit se skandali i prostitucionit mund të kishte qenë në qendër të ndonjë synimi për të përftuar të dhëna që rrezikonin sigurinë kombëtare.
David Mellor, 1992 - deputeti britanik jep dorëheqjen pas zbulimit të marrëdhënies jashtëmartesore me një aktore. David John Mellor është një politikan dhe avokat britanik i Partisë Konservatore. Në vitin 1992, atëherë ministër i Trashëgimisë në kabinetin e John Major, u përfshi në një skandal me aktoren Antonia deSancha. Aktorja e shiti historinë me politikanin për 30 mijë stërlina. Bisedat e tyre ishin regjistruar pa dijeninë e tij, por më pas ky akt nuk rezultoi i paligjshëm. Mellor arriti të mbesë në detyrë pas këtij skandali, por tabloidet filluan të merren gjerësisht me të duke publikuar dhe një histori se si ai kishte kaluar pushime falas në gushtin e vitit 2000 si i ftuar i vajzës së një zyrtari të Organizatës Palestineze të Çlirimit. Pas tre javësh Mellor mori njoftimin se ai ishte kthyer në turp të qeverisë John Major, me anë të një telefonate. Mellor dha dorëheqjen më 24 shtator 1992. Më vonë ai deklaroi se ishte vënë në qendër të kësaj stuhie mediatike me synimin për ta larguar nga detyra, por redaktorët e tabloideve e mohuan menjëherë një gjë të tillë. Bill Hagerty, redaktor i "People" u shpreh ne atë kohë: "Kjo është hera e parë që David Mellor ka bërë atë që duhej".
Mark Oaten, 2006 - deputeti liberal demokrat u zbulua në vitin 2006 se kishte patur marrëdhënie me një prostitutë mashkull. Mark Oaten, një politikan liberal demokrat britanik dha dorëheqjen në vitin 2006 pas një skandali seksual. Tabolidi i njohur britanik "News of the World" zbuloi skandalin ku Oaten kishte marrëdhënie seksuale me një mashkull që ushtronte prostitucionin. Menjëherë pas këtij skandali, bashkëshortja prej 13 vitesh e Oaten u zhvendos në shtëpinë e fqinjëve dhe më pas u largua nga vendi, duke marrë me vete dy vajzat për ski në Austri. Ndërkohë që fillimisht "Daily Mirror" raportoi se ajo planifikonte të divorcohej me të, më vonë BBC raportoi se marrëdhënia e tyre po përmirësohej pas seancave të vazhdueshme të këshillimit. Në janar të atij viti tabloidi "News of the World" publikoi faktin se njëri prej dy meshkujve që ishin të përfshirë në skandalin seksual ishte një 25-vjeçar ish-balerin polak. Bashkëshortja e Oaten, Belinda u intervistua nga revista "Hello" në prill të vitit 2006, ndërkohë që vetë Oaten shpjegoi arsyen e veprimeve të tij në "The Sunday Times", ku pretendonte se krizat e moshës së mesme dhe stresi i rënies së flokëve ishin pjesërisht përgjegjës për sjelljen e tij.
Mark Foley, 2006 - Ish-kongresmen amerikan, i cili u dërgonte mesazhe adoleshenteve që kishin punuar si ndihmesë në Kongres. Mark Adam Foley është një politikan, i cili ka shërbyer si anëtar i Kongresit Amerikan nga viti 1995-2006, duke përfaqësuar Floridan. Më parë një nismëtar fushatash kundër abuzimit të fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre, Foley dha dorëheqjen nga kongresi më 29 shtator 2006, pas akuzave se ai u kishte dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje seksuale, adoleshenteve që kishin shërbyer si ndihmëse apo korierë në kongres. Pas këtyre akuzave, FBI nisi hetimet. Dy prej vajzave kanë deklaruar se kanë pasur marrëdhënie seksuale me Foley-n, por vetëm pasi kishin arritur moshën e pjekurisë.
David Lloyd George - pas vdekjes së bashkëshortes së ish-kryeministrit britanik doli në pah fakti se ai kishte pasur marrëdhënie me sekretaren e tij me të cilën më pas u martua.
Ish-kryeministri britanik ka qëndruar në detyrë prej vitit 1916-1922. Në janar të vitit 1941 bashkëshortja e tij, Dame Margaret u nda nga jeta. Ndërkohë, në tetor të vitit 1943, në moshën 80-vjeçare ai u martua me sekretaren dhe të dashurën e tij, Frances Stevenson, e cila kishte 30 vite me të. Ajo mbahet mend si një grua e bukur, e kulturuar, e cila u bë e famshme sidomos për ditaret e saj që trajtonin çështje të ndryshme rreth burrave të ndryshëm të shtetit që ishin pjesë e jetës së të dashurit të saj. Kjo shkaktoi mjaft tension ndërmjet saj dhe pjesës tjetër të familjes së David Lloyd George.
Skandali Lewinsky, 1998 - Skandali "Lewinsky" e vuri ish-presidentin amerikan Bill Clinton në qendër të një skandali seksual më praktikanten Monica Lewinsky. Mohimi i lidhjes nën betim nga ana e Clinton e përkeqësoi akoma më shumë problemin duke krijuar kështu përveç turpërimit dhe një problem ligjor çka shkaktoi vënien e tij para gjyqit. Sidoqoftë, ai mbeti në detyrë deri në përfundim të mandatit të tij. Lajmi i marrëdhënies jashtëmartesore të ish-presidentit u përhap në të gjithë shtypin duke dhënë detaje të marrëdhënieve seksuale me praktikanten 22-vjeçare. Në dëshminë e tij Clinton kishte mohuar faktin se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Monica Lewinsky-n.
Cecil Parkinson, 1983 - ministri dhe deputeti britanik dha dorëheqjen nga kabineti i Margaret Thatcher pasi u zbulua se kishte lënë sekretaren e tij shtatzënë duke i premtuar se do martohej me të.
Cecil Edward Parkinson u zgjodh deputet në vitin 1970. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1979 ai u bë zv/ministër i Tregtisë. Karriera e tij politike do të tronditej rëndë në tetor të vitit 1983, pasi u zbulua se ish-sekretarja e tij, Sara Keays ishte shtatzënë me fëmijën e tij. Keays e bëri publik një fakt të tillë pas një debati në lidhje me pagesën për mbajtjen e fëmijës. Në vitin 1993 Parkinson arriti të fitonte një vendim gjyqësor, sipas të cilit, media britanike ndalohej t'i referohej vajzës së tij. Ky urdhër do të skadonte në vitin 2001, kur Flora, vajza arriti në moshë madhore. Kur ajo u bë 18 vjeçe, shtypi britanik shkruajti se Parkinson nuk e kishte takuar asnjëherë vajzën e tij.
Rob Oudkerk, 2004 - Politikani holandez humbi votëbesimin në vitin 2004 në Amsterdam pas zbulimit se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me prostitutë të paligjshme. Rob Oudkerk ishte deputet i Parlamentit holandez dhe anëtar i asamblesë së bashkisë së Amsterdamit për partinë laburiste. Në vitin 2004 ai u detyrua të hiqte dorë nga postet e tij pas zbulimit se kishte pasur marrëdhënie me punonjëse ilegale të seksit. Prostitucioni në Holandë është i legalizuar kryesisht për mbrojtjen e punonjësve të seksit. Ndërkohë, Oudkerk tentoi të fitonte pozicionin e tij brenda partisë në vitin 2005, por ishte e pamundur. Që prej skandalit të Oudkerk, çështja e prostitucionit në Holandë është ndër më të diskutuarat.
James Strom Thurmond, 2003 - pas vdekjes së ish-senatorit amerikan zbulohet vajza e tij afro-amerikane. James Strom Thurmond ishte një politikan amerikan, i cili shërbeu si senator i Karolinës së Jugut dhe i SHBA. Ai gjithashtu ka qenë kandidat për president në vitin 1948. Menjëherë pas vdekjes së tij në vitin 2003, Essie MaeWashington deklaroi publikisht se ajo ishte vajza e paligjshme e Thurmond. Ajo kishte lindur nga shërbyesja afro-amerikane Carrie Butler më 12 tetor 1925, kur Butler ishte 16 vjeçe dhe Thurmond 22. Ai kishte paguar gjithë jetën e saj shkollën dhe nëpërmjet nipit të tij i kishte dhënë asaj para ose çeqe. Ajo u shpreh se sa ishte gjallë ai nuk kishte folur asnjë fjalë për hir të dashurisë për të atin. Pas deklaratës së saj, familja Thurmond e pranoi publikisht një fakt të tillë .
James McGreevey, 2004 - ish-guvernatori i Nju Xhersit pranon se është gey. James Edward McGreevey ka shërbyer si guvernator i 52-të i Nju Xhersit derisa u detyra të linte detyrën. Kjo ndodhi për arsye se ai pranoi se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një koleg të seksit mashkull. Kështu, duke deklaruar publikisht homoseksualitetin e tij, më 12 gusht 2004, ai u bë senatori i parë dhe i vetëm homoseksual i deklaruar në SHBA. Në librin e tij të kujtimeve "The Confession", McGreevey përshkruan dyzimin e jetës së tij personale përpara se ai të deklaronte hapur se ishte gey. "E dija se duhet të zbehja lumturinë time duke ndjekur një karrierë publike", shprehet ai në libër.
"Munsinger Affair", 1960 - skandal ku ministrat kanadezë u përfshinë me Gerda Munsinger, spiune sovjetike. Skandali "Munsinger" ishte skandali i parë kombëtar politik seksual në Kanada. Në fokus ishte Gerda Munsinger, një prostitutë nga Gjermania Lindore dhe spiune sovjetike, e cila kishte pasur marrëdhënie me disa prej ministrave të kabinetit kanadez të qeverisë së John Difenbaker. Më i shquari nga ta ishte ministri i Mbrojtjes, Pierre Sevigny, i cili kishte rreth dy vite që frekuentohej me Munisnger, madje e kishte ndihmuar atë të aplikonte për nënshtetësinë kanadeze. Por sfondi i saj i dyshimtë u mor vesh shpejt dhe ajo u debua menjëherë për në Gjermaninë Lindore. Çështja u diskutua pas dyerve të mbyllura dhe Sevigny dha dorëheqjen në vitin 1963.
Skandali "Profumo", 1963 - Sekretari i Shtetit për Luftën, John Profumo dhe marrëdhënia e tij me vajzën që kishte lidhje me spiunin sovjetik. Skandali "Profumo" është një skandal politik që ka ndodhur në vitin 1963 në Britaninë e Madhe dhe e ka marrë emrin nga Sekretari i Luftës, John Profumo, i cili në atë kohë ishte i martuar me aktoren Valerie Hobson. Skandali mori përmasa të mëdha, pasi Profumo pati një lidhje të shkurtër me vajzë në spektaklit, Christine Keeler dhe më pas gënjeu kur u mor në pyetje. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen pas këtij skandali, i cili dëmtoi rëndë edhe reputacionin e kryeministrit Harold MacMillan. Fakti që kjo ngjarje mori përmasa të mëdha ishte se në të njëjtën kohë Keeler kishte qenë e përfshirë dhe në një lidhje me Yevgeny Ivanov, një atashe i ambasadës sovjetike në Londër.
Uno Sosuke, 1989 - ish-kryeministri japonez dha dorëheqjen pasi një geisha tregoi se kishte pasur një lidhje me të. Uno Sosuke ka qenë kryeministri i 75-të i Japonisë, por mundi ta mbante këtë post vetëm tre muaj pasi një skandal seksual e detyroi të jepte dorëheqjen. Ishte një geisha, e cila deklaroi publikisht se kishte pasur marrëdhënie me kryeministrin. Rrethanat e këtij skandali nuk kishin të bënin aq me faktin se ai kishte pasur një lidhje jashtëmartesore, se sa mungesën e përgjegjshmërisë. Kjo për arsye se sipas pretendimeve të geishës ai nuk i kishte paguar asaj shumën e duhur, çka e kishte detyruar atë të ankohej publikisht. Kjo histori nuk u bë shumë publike në vend derisa një reporter i "Washinton Post" arriti të merrte historinë dhe t'i jepte ngjarjes vëmendje ndërkombëtare.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers