Përse njerëzit joshen nga fundi apokaliptik


Tashmë e gjithë bota është fiksuar pas vitit 2012 dhe teorisë së famshme të fundit apokaliptik të botës. Në çdo cep dëgjohen e lexohen vetëm teori të ndryshme të këtij fundit të frikshëm të njerëzimit. Revista "Foreign Policy" në një analizë speciale shpjegon pse ideja e apokalipsit i tremb njerëzit, por dhe i emocionon njëkohësisht, gjithashtu, edhe se sa shanse ka që fundi i botës të vijë në vitin 2012. Revista analizon gjithashtu edhe parashikimet se çfarë mund të ndodhë në dhjetor 2012, muaj ku sipas profecive, bota do të marrë fund. Miliona besimtarë fetarë nëpër gjithë botën ndajnë të njëjtin besim pasionant të mbërritjes së fundit të botës, çka do të thotë se fundi i botës do të mbetet faktor në politike të paktën deri në fundin e njerëzimit. Teksa një vit dhe një dekadë mbërritën në fund duket se është moment i përshtatshëm të zhytemi në fundin e kohës.
Por sërish, mbase është vetëm Hollivudi ai që fokusohet në gjërat e fundit. Vitin që lamë pas filmi i Roland Emmerich "2012" na shfaqi fundin e botës të mbytur në ujë. Këto lloj filmash apokaliptikë enden prej një farë kohë vërdallë. Në dekadat e kaluara apokalipsi u ka dhënë regjisorëve një mundësi perfekte për t'u zhytur në aspektet më të errëta të karakterit njerëzor. Sa keq që nuk mbetet vetëm aty. Ngjarjet aktuale sugjerojnë se popullariteti i vazhdueshëm i skenarëve të apokalipsit shkon thellë në psikikën tonë dhe se interesat tanë në fundin e botës janë më shumë se të shumëfishtë. Le të marrim Iranin e ditëve të sotme, ku Presidenti Mahmoud Ahmadinejad është një besimtar i vendosur në ardhjen e dytë të Mahdit, versioni mysliman i Mesisë.
Ahmedinejad-i dhe pasuesit e tij kanë shpërndarë miliona dollarë nga buxheti i qeverisë iraniane për rinovimin e qytetit Jamkaran. Aty, Muhamed al-Mahdi, Imami i Dymbëdhjetë është njëherë përpara se të zhdukej në mbretërinë mbinatyrore, nga ku një ditë do rikthehet kur t'i vijë fundi botës. Islami, Judaizmi dhe Krishtërimi ndajnë idenë se një figurë profetike do të shfaqet në fundin e botës për të larguar dhunën dhe padrejtësinë nga toka, ku jetojmë tani dhe për ta çuar drejt një epoke të re pastërtie utopike. Si rezultat, joshja e ditës së Gjykimit duket se është më e përhapur në grupet ku shkumëzon ndjenja e viktimizimit. Sigurisht që kjo ide është veçanërisht tërheqëse për politikanët dhe liderët fetarë, të cilët janë të lumtur të luajnë me një përzierje të tillë potente frike dhe padurimi. Si rezultat, edhe parashikimet më të çmendura kanë efekte të vërteta e specifike.
Liderët e kulteve kanë përdorur vazhdimisht këndvështrimet apokaliptike për të nxitur pasuesit e tyre në ngjarje të dhunshme. Terroristi amerikan, Timothy McVeigh, i cili vrau 168 njerëz kur bombardoi një ndërtesë qeveritare në Oklahoma në vitin 1995 pretendoi se ishte shtyrë nga një roman racist me temë të fundit të botës. Studiuesi francez, Jean-Pierre Filiu, autori i një libri mbi teoritë islamike, thotë se skenaret e fundit të botës kanë pasur tendencën të shfaqen në botën myslimane në momente krizash të veçanta. Shumë irakenë që i kanë rezistuar sulmeve amerikane të vitit 2003 kanë bërë kështu për arsye që dihen. Lufta kundër prezencës së koalicionit frymëzoi një ringjallje dramatike të ideve apokaliptike, zakonisht me SHBA-në në versionin e "Antikrishtit".
Gjithsesi, nga gjithë vendet ku politikanët përdorin idetë e apokalipsit, Irani ofron një shembull jashtëzakonisht të gjallë të përfitimit të atyre që do të përfshihen në ardhjen e dytë. Entuziasmi i Ahmedinejad-it në këtë drejtim ndërthuret me pretendimin e tij populist për sundimin e Iranit. Ai është akuzuar se ka manipuluar besimin për qëllime politike. Disa shkencëtarë politikë si Michael Desch, argumentojnë se dhe lideri iranian, i cili beson në mënyrë të sinqertë në rikthime profetike gjithsesi mund të gjejë arsye të tjera për të aderuar diktatin e politikës së vërtetë, e një prej këtyre janë me siguri armët bërthamore.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers