Paqja e ftohtë


Atentati që i mori jetën presidentit egjiptian, Anvar Sadat në 6 tetor 1981, tashmë duket se është bërë një tjetër shënim anësor i përgjakur në kronikën e gjatë të dhunës dhe dëshpërimit të Lindjes së Mesme.
Megjithatë, ne e dimë se ai tregoi formën e gjërave që do të vinin. Atentatorët u kapën dhe u ekzekutuan. Por shumë prej islamikëve egjiptianë që kishin marrë pjesë në organizimin e vrasjes, duke përfshirë Aiman al Zavahirin, do të vazhdonin e do të bëheshin figura kyçe të al Kaedas. Dhe radikalët në të gjithë krahët zbuluan fuqinë për të prishur planet e paqes nëpërmjet një akti të vetëm spektakolar terrorizmi. (Vrasja e Kryeministrit izraelit, Jitzhak Rabin nga duart e një ekstremisti hebre do të vinte në 1995). Sot, thuajse tre dekada pasi Presidenti Xhimi Karter negocioi marrëveshjen e Kemp Dejvid si dhe traktatin final të firmosur nga Sadati dhe Kryeministri izraelit, Menakem Begin në 1979, paqja që mbetet është - më e mira që mund të thuhet - "e ftohtë". Dhe mund të jetë në telashe serioze.
Egjiptianët dhe izraelitët e zakonshëm, shumica e të cilëve nuk i kanë njohur direkt luftërat e tmerrshme ndërmjet Kairos dhe Tel Avivit, e gjejnë trashëgiminë e Sadati një burim jo për shpresë, por për zemërim. Për Hosni Mubarakun, President i Egjiptit në çerekshekullin e fundit, paqja është bërë sinonim i stabilitetit politik dhe një status-kuoje të përfaqësuar nga... ai vetë. Praktikisht, pasardhësi i Sadatit u thotë atyre egjiptianëve që e sfidojnë - dhe amerikanëve që e kritikojnë - "Zgjidhni: Paqe ose demokraci; nuk mund t'i kesh të dyja". Wshtë një lojë e rrezikshme sinjalesh të përzier, dhe ajo nisi pothuajse në momentin kur vdiq Sadati.
Fabris Mousus, një kameraman francez që punon për televizionin ABC e kujton atë ditë. "Atmosfera ishte shumë e tendosur", thotë ai. Sadat kishte kultivuar islamikët e Egjiptit, por kur ata u kthyen kundër marrëveshjes së tij, ai iu kundërpërgjigj brutalisht. Tani ata po hakmerreshin. Mousus dëgjoi breshëritë e armëve dhe e ktheu fokusin andej, teksa vrasësit hidhnin granata dhe bënin shoshë me plumba tribunën. Shumica e të pranishmëve në tribunë ishin shpërfytyruar; disa po vdisnin. "Njerëzit rënkonin", kujton Mousus, "si të plagosurit në një fushëbetejë". Hosni Mubarak, atëherë zëvendëspresident, qëndronte ulur në krahun e Sadat, me një uniformë të re plot ngjyra, të përgatitur enkas për këtë aktivitet. Ai nuk u dëmtua. Sadat, që u largua prej rojeve të cilët nuk arritën ta mbrojnë, nuk dukej gjëkundi.
Sadat kishte qenë guximtar. Ai kishte nisur një luftë kundër Izraelit në 1973 dhe hapi rrugën për një paqe të befasishme me udhëtimin e tij në Jeruzalem në 1977. Duket se që atëherë, Mubaraku mësoi se çfarë nuk duhet të bëjë. Ai ka qenë shumë më i ndruajtur se Sadat. Megjithatë, marrëveshja e paqes Izrael-Egjipt e vitit 1979 ka mbajtur. Ky është lajmi i mirë. I keqi: kredibiliteti me publikun, që nuk ka qenë asnjëherë i lartë, po gërryhet dramatikisht. "Që në fillim, popujt nuk u përfshinë", thotë aktivisti egjiptian dhe ish-deputet Mona Makram Ebeid. "Njerëzit ishin të lumtur që lufta kishte marrë fund, por ata nuk e dinin se çfarë ishte paqja". Mubarak nuk ka bërë shumë për t'i mësuar. Deri sot, e vetmja vizitë e tij në Izrael ka qenë në funeralin e Itzhak Rabin.
Fërkimet serioze nisën të ndihen gjashtë vet më parë, me intifadën e dytë palestineze. Mubaraku zgjodhi një lloj strategjie të dyfishtë ku në një anë ofronte shërbime në skenën botërore për t'u përpjekur që të qetësojë konfliktin dhe në anën tjetër radio shtetërore izraelite luante melodi marciale dhe media e kontrolluar nga shteti shfrynte kundër sionistëve. "Marrëdhënia mes Izraelit dhe Egjiptit ishte në nivelin më të ulët që ka qenë ndonjëherë", kujton Shalom Kohen, ambasadori veteran i Izraelit në Egjipt. "Ishte praktikisht e ngrirë". Edhe sot? Pavarësisht luftës brutale në Liban këtë verë, që rriti edhe me urrejtjen popullore ndaj Izraelit mes egjiptianëve dhe arabëve të tjerë, historiani izraelit Majkëll Oren e përshkruan marrëdhënien me Kairon "si më e mira, që nga viti 1981".
Mund të thuash, edhe po edhe jo. E vërteta është se marrëdhëniet vazhdojnë të përmirësohen në krye, ndonëse gërryhen nga poshtë. Që nga fillimi i 2005, kur administrata e SHBA rriti trysninë ndaj Egjiptit që të demokratizohet, Mubarak ka bërë lëvizje të mëdha për të ngrohur marrëdhëniet me izraelitët. Qeveria e tij ka intensifikuar bashkëpunim politik, ekonomik, diplomatik, të sigurisë dhe shërbimeve të fshehtë, duke ndërmjetësuar një krizë izraelito-palestineze. E gjithë kjo e ka paraqitur Egjiptin si një ndërmjetës në kërkim të ndërtimti të paqes. Audienca e kërkuar është, sigurisht, SHBA. "Kam parë zyrtarë të lartë egjiptianë në diskutime aspak komode me SHBA në lidhje me reformat politike në Egjipt, dhe ata i shmangin këto kritika pikërisht duke folur në lidhje me çështjet izraelito-palestineze", thotë Xhon Alterman, drejtor i programit për Lindjen e Mesme në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington. "Ata ndiejnë që, nëse amerikanëve do t'u duhej të zgjidhnin mes paqes arabo-izraelite dhe demokracisë në Egjipt, këta do të zgjedhin paqen".
Lista e iniciativave të reja është mbresëlënëse: Egjipti riktheu ambasadorin e tij në Izrael pas një zbrazëtie 4-vjeçare; ministrat nisën të venë e vijnë mes Kairos dhe Tel Avivit për të iniciuar partneritetet në projekte ushtarake, ekonomike, turistike dhe bujqësore. Pas tërheqjes së Izraelit nga Gaza, Egjipti vendosi 2500 policë dhe 750 ushtarë përgjatë kufirit për të mos lejuar kontrabandën e armëve. Dhe këtë verë, qeveria Mubarak befasoi shumë prej fqinjëve të vet duke deklaruar mbështetjen për Izraelin gjatë fazave të para të luftës në Liban. Në sferën ekonomike, pas vitesh ngecje, Egjipti është pranuar në Zonat e Kualifikuara Industriale të mbështetura nga SHBA, një grup ku hiqen tarifat për produktet e prodhuar bashkërisht prej izraelitëve dhe egjiptianëve. Egjipti përmbylli gjithashtu një marrëveshje për të eksportuar 1.5 miliardë dollarë gaz natyror në drejtim të Izraelit dhe deklaroi muajin e kaluar se do të furnizonte me energji elektrike palestinezët që jetojnë në Gaza.
Por e gjithë kjo mbetet paqe me dekret. Gjendja shpirtërore mes popujve është disi e ndryshme. Vëllazëria Myslimane Egjiptiane, e lidhur ngushtë me Hamasin në territoret palestineze, është sot partia më e fuqishme opozitare në Egjipt. Në zgjedhjet e 4 viteve më parë, ajo fitoi 88 vende në Parlament dhe do të kishte marrë më shumë nëse qeveria nuk do të kishte ndërhyrë në procesin zgjedhor. Vëllazëria ka çështje të tjera për të shfrytëzuar përveç urrejtjes së saj për Izraelin - por ajo është një prej më të fortave. Deputetët e saj tashmë iniciojnë rregullisht thirrje në Parlament për të përzënë ambasadorin izraelit nga Kairo dhe për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.
Edhe më befasuese për avokatët e demokracisë perëndimore është linja anti-Izrael e shitur me këmbëngulje nga grupet majtiste në Egjipt, përfshirë lëvizjen reformuese "Mjaft". Ndonëse grupi, i themeluar në 2000 ka qenë gjithmonë armiqësor ndaj Izraelit, në gusht ai nxorri një peticion për të anuluar marrëveshjen e paqes. "Ne jemi lëvizje pro demokracisë në Egjipt, por ne jemi anti-Bush dhe anti-Izrael dhe kjo iniciativë e bën të qartë", thotë Vael Khalil, një prej udhëheqësve të "Mjaft". Grupi pretendon se ka tashmë 100 000 firma dhe shpreson të arrijë shifrën një milion.
Marrëveshja nuk do të shfuqizohet nesër, ose ndoshta kurrë, por forcat që janë vënë në lëvizje duke vënë demokracinë përballë paqes me shumë gjasa do t'i hedhin në erë të dyja. Mubarak është i moshuar. Dhe ndërkohë që diskutohet shpesh problemi se kush do ta pasojë (kandidati më i mundshëm: i biri, Gamal), pyetja e vërtetë për Egjiptin është sa gjatë do të vazhdojë kjo lojë delikate kontradiktash.
Sadat ishte i guximshëm. "Sadat ishte i gatshëm të rrezikonte gjithçka, ta ndryshonte rrënjësisht modelin", thotë Alterman. Dhe Sadat u vra. Mubarak, fatlum që shpëtoi i gjallë, është i matur dhe përllogaritës - dhe ka mbijetuar. Megjithatë, forcat e dhunshme të fanatizmit që u shfaqën në paradën egjiptiane 28 vjet më parë janë përhapur që atëherë. Kundërvënia ndaj tyre - në Egjipt, rajon dhe botë - kërkon një paqe në Lindjen e Mesme. Duhet të jetë më e ndershme nga ajo që Mubaraku apo homologët e tij izraelitë kanë ofruar dhe duhet të shkojë më thellë, për të prekur njerëzit e zakonshëm, arabë apo izraelitë qofshin.

Google+ Followers