NAPOLEONI/LEGJENDA në 360 gradë


A.D. Harvey

Napoleoni ka dominuar imagjinatën e shekullit XIX në një masë edhe më të madhe se sa Hitleri ka dominuar atë të shekullit XX. "A nuk është ai i pashembullt në historinë e botës, edhe si ushtarak, edhe si burrë shteti?", pyeste George Ponsonby, kreu i opozitës liberale në Dhomën e Ulët, pesë vjet para Betejës së Vaterlosë: Unë them se ai është njeriu më i madh që është shfaqur ndonjëherë mbi faqen e tokës. Unë nuk flas për karakterin e tij. Unë flas për forcën e aftësive të tij dhe energjinë e mendjes së tij.

Në 1817, juristi dhe politikani danez Tage Algreen Ussing, më vonë kryetar i Bashkisë së Kopenhagenit, shkroi: "Për sa kohë sa zgjat bota nuk mund të ketë më shumë se një Napoleon mbi tokë". Për Gëten, "jeta e tij ishte rendja e një gjysmëperëndie".

Thuhet se gjatë periudhës kur ushtria e Napoleonit ishte në Boulogne, duke u përgatitur për pushtimin e Anglisë, nënat angleze i qetësonin fëmijët kokëfortë, duke kërcënuar se "Boney do t'iu marrë me vete, në qoftë se nuk silleni mirë, por, në kulmin e pushtetit të tij, Napoleon u konsiderua si një forcë e mirë edhe nga shumë prej atyre që luftuan kundër politikave të tij. Publicisti gjerman Fridrih Gentz, për shembull, e kishte përshkruar Bonapartin në 1798 si "diktatorin e përgjakshëm të republikave italiane", por shumë shpejt ai pyeste nëse ky mund të ishte njeriu që do t'i jepte Francës qeverinë e qëndrueshme që i nevojitej. Deri në 1813, Gentz kishte konstatuar se Napoleoni duhet të mbahej mbi fron, si një kundërpeshë e nevojshme për ambiciet hegjemoniste të Prusisë dhe Rusisë.

Edhe ata që denonconin më me forcë i njihnin meritat e jashtëzakonshme të Napoleonit. Për poetin Robert Southey ai ishte "jashtëzakonisht i keq në mes të më të këqinjve", por edhe Southey, kur shkruante se "ata krime që kanë ngjyer shpirtin e tij me një ngjyrë edhe më të thellë se ajo e gjakut në momentin kur i ka kryer - ato akte pabesie, vrasje në mesnatë, uzurpime dhe tiranie të pamëshirshme, të cilat i kanë shkaktuar emrit të tij një urrejtje universale, tani dhe përgjithmonë", pranonte lirshëm se para vitit 1798, "karriera e tij kish qenë e lavdishme ... [dhe] ishte dalluar nga një seri suksesesh, të pashembullt në kohët moderne".

Sir Walter Scott, pothuajse po aq armiqësor ndaj Napoleonit sa dhe Southey, shkroi pas vdekjes së perandorit francez se gabimet e tij ishin "më shumë gabime të një sovrani dhe politikani, se sa të një individi": Ishte forca tepër e madhe e ambicies që e bëri atë mallkimin e Evropës; ishin përpjekjet e tij për të fshehur atë parim egoist, që e bënte të kombinonte mashtrimin me forcën dhe të krijonte një sistem të rregullt, sipas të cilit duhej të mashtronte ata që nuk i mposhtte dot. Sikur prirja e tij natyrore të kishte qenë ftohtësisht mizore, për shembull si ajo e Octavius (perandorit romak Augustus), apo nëse do t'u kishtet dhënë më shumë hapësirë temperamentit, si kishin bërë despotë të tjerë, historia e tij private, ashtu si edhe ajo e fushatave të tij, duhet të ishte shkruajtur me gërma gjaku...

Historia zyrtare e luftës gadishullore, kërkuar nga Mbreti i Spanjës, tregon me elokuencë tiparet e kundërta të karrierës së "... një njeriu, i cili ishte në të njëjtën kohë i pasionuar për lavdi dhe një tirani, një monarkisti, një republikani dhe një perandori, i cili pa dallim mbante çallmën e myslimanëve, kapelën e jakobinëve, kurorën e Charlemagne dhe kurorën e Cezarëve".

Por kur u mund përfundimisht dhe u dëbua në Shën Helenë - me "oqeanin e paanë si burg dhe të gjithë mbretërit si gardianë", si u shpreh një poet anonim italian - Napoleoni natyrisht që përbënte shumë pak interes për zëdhënësit zyrtarë: nga ana tjetër, sapo ai nuk përfaqësonte më autoritarizmin energjik, u shndërrua në një hero për ata që ishin kundër rendit politik që u rivendos pas Vaterlosë.

Shkrimtari venecian Ugo Foscolo e përshkruante Napoleonin në 1814, "si një tiran të pakorrigjueshëm ... me ide sublime, por vulgar në shpirt; një gënjeshtar pa motiv... një sharlatan edhe kur ishte i gjithëpushtetshëm". Por edhe Foscolo kishte shpresuar që "veprimet e tij mund t'i hapnin rrugën në mos pavarësisë së Italisë, së paku përpjekjeve zemërgjera për t'u bërë nder italianëve".

Polakët janë përjetësisht mirënjohës për krijimin nga Napoleoni të Dukatit të Madh të Varshavës, pavarësisht se ishte një shtet kukull, thuhej në një broshurë të publikuar për njëqindvjetorin e vdekjes së tij: Ai ishte i pari, pas ndarjes së Republikës tonë [ndarja e Polonisë 1772-1795], që lëshoi rrufetë e tij kundër pushtuesve tanë, për të shpërthyer derën e burgut tonë, për të na hapur ne derën drejt lirisë.

Adam Mickiewicz, më i madhi i poetëve të Polonisë, e ka konsideruar atë si themeluesin e një epoke të re dhe si një model për të gjithë ata që janë të gatshëm të luftojnë dhe vuajnë për liri. Ndihmësi i Mickiewicz-së, mistiku Andrzej Towia'nski, i cili besonte se së shpejti një njeri me forcë dhe pastërti unike shpirti do të dilte në mesin e sllavëve, për të ruajtur sllavët dhe nëpërmjet tyre të gjithë njerëzimin, e konsideronte Napoleonin si një lloj pararendësi të këtij shpëtimtari.

Në librin e tij "Jeta e Napoleon Buonaparte (1828)", shkrimtari anglez Hazlitt shkruante se si Napoleoni "vuri këmbën e tij mbi qafën e mbretërve, të cilët do të kishin vënë çizmet e tyre mbi qafën e popullit". Hazlitt nuk e mohon se Napoleoni ishte një tiran, por pohon se kishte një lloj virtyti në tiraninë e tij: Në qoftë se ai ishte ambicioz, madhështia e tij nuk e kishte themelin në dorëzimin pa kushte të të drejtave të natyrës njerëzore. Por, me të, u ekzaltua shumë edhe gjendja e njeriut. Në qoftë se ai ishte arbitrar dhe tiran ... ai nuk ishte, as mund të bëhej një tiran me të drejtë hyjnore. Tirania tek ai nuk ishte e shenjtë: ajo nuk ishte e përjetshme: nuk ishte i lidhur instiktivisht në miqësi me tirani të tjera: ajo nuk ishte e sanksionuar nga të gjitha ligjet e fesë dhe moralit.

Në pikëpamjen e Hazlitt-së, Napoleoni "mendonte se nuk ishte vjedhje që të ishte i barabartë me mbretër dhe cezarë": ai u rrit në atë lartësi nga niveli i njerëzve dhe kështu provoi se nuk kishte inferioritet natyror në njërën anë, as edhe superioritet natyror në anën tjetër. Sir William Napier, i cili luftoi kundër ushtrive të Napoleonit në Luftën e Gadishullit dhe më vonë shkroi atë që u bë rrëfimi klasik i fushatave në Spanjë dhe Portugali, pohoi se: "Ndërkohë që ai sakrifikoi lirinë politike, e cila në pjesën më të madhe të njerëzimit nuk kishte qenë kurrë më shumë se një zë i kënaqshëm, ai mbrojti me kujdesin më të madh barazinë, një ndjesi që rrit kënaqësinë teksa zbret në shkallën e shoqërisë. Ky pra, parimi i vërtetë i qeverisjes së tij dhe sekreti i popullaritetit të tij, e bëri atë monark të njerëzve dhe jo sovran të aristokracisë".

Po kështu, eseisti amerikan William Emerson mendonte se, "instikti i njerëzve aktivistë, të guximshëm, të zotë në klasën e mesme kudo, e ka veçuar Napoleonin si mishërimin e demokratit".

Sipas Sir Walter Scott, "Napoleoni u bë kundërshtari i fuqive të krijuara ... jo sepse ai vuri në diskutim karakterin e qeverisjes së tyre, por për shkak se ata nuk do ta pranonin atë në rrethin e tyre" dhe një numër i madh vëzhguesish ishin të mendimit se ana pozitive e arritjeve politike të Napoleonit ishte thjesht një nënprodukt aksidental i ambicies së tij shkatërruese. Edward John Trelawny, një mik i Shelley dhe Bajronit, shkruante në 1831: "Ai ka tronditur me të vërtetë disa matufë të vjetër, të cilët qëndrojnë në frone që po ua hanë krimbat... Megjithatë, duke e bërë këtë, ai me mburrje mendoi të përjetësojë tiraninë duke zëvendësuar despotët ushtarakë... ne nuk i kemi asnjë borxh atij, pasi ai nuk projektoi asgjë, përveçse ligësi".

Shkrimtari gjerman Gustav Graf von Schlabrendorf e krahasonte atë me perandorin romak, Tiberin, i cili thirri teksa hynte në Senat, "O homines paratos servitum ad!" - O burra, të përshtatshëm për skllavëri - "Kështu, ai i cili nuk e dëshironte lirinë publike kishte zët nga durimi poshtërues i skllevërve".

Më shumë se dy shekuj pas fitoreve të tij të para kundër ushtrisë austriake në Itali, një gjë që gjithkush e mban mend për Napoleonin është se ai ishte një gjeneral i madh; megjithatë siç tregojnë këto citate, ishte Napoleoni si figurë politike dhe jo Napoleoni si gjeni ushtarake, që kishte mbërthyer imagjinatën e bashkëkohësve të tij. Thomas Jefferson, i cili ishte President i Shteteve të Bashkuara, kur Napoleoni u bë perandor, mendonte se ky ishte një këndvështrim krejt i gabuar: "Bonaparti ishte një luan vetëm në fushë. Në jetën civile, ishte një uzurpator gjakftohtë dhe përllogaritës i paprinciptë, pa asnjë virtyt, nuk ishte burrë shteti, nuk dinte asgjë për tregtinë, ekonominë politike apo qeverisjen civile dhe kështu furnizonte injorancën me supozime të guximshme".

Ky vendim nuk është krejtësisht i pajustifikuar. Sipas burrit austriak të shtetit Metternich, i cili kishte shërbyer si ambasador në oborrin e Napoleonit: "Ai u bë një ligjvënës dhe administrator, në të njëjtën kohë që u bë ushtar, duke ndjekur instinktet e tij... ai nuk pëlqente idetë e paqarta dhe urrente njësoj, si ëndrrat e vizionarëve, edhe abstraksionet e idealistëve dhe trajtonte si marrëzi çdo gjë që nuk i prezantohej qartë dhe në mënyrë praktike".

Një rezultat i kësaj ishte që politikat e tij në lidhje me financat publike për shembull dhe ekonominë ishin reaksionare dhe të vetëhumbura, dhe dy arritjet e tij më të qëndrueshme në qeverisjen civile, sistemi metrik dhe kodi napoleonik, ishin vepër e njerëzve të tjerë, të cilat filluan ndërsa ai ishte ende një vartës i panjohur artilerie. Edhe pse një gjeneral i shquar, ai nuk ishte domosdoshmërisht gjenerali më i madh i kohës së tij. Wellington kurrë nuk ishte mundur, edhe pse ai kurrë nuk kishte luftuar kundër një ushtrie që ishte më e fortë se e tija; Napoleoni ishte mposhtur në tri beteja të mëdha (në Aspern në 1809, në Leipzig në 1813 dhe nga Wellington në Waterloo në 1815) dhe dy prej fitoreve të tij ishin praktikisht tërheqje (në Eylau në 1807 dhe Wagram në 1809).

As edhe ardhja e tij si diktator i Francës nuk ishte krejtësisht për shkak të suksesit të tij në fushën e betejës. Megjithëse Sir William Napier shkroi në 1828 se republika franceze u shpëtua nga kolapsi ushtarak për shkak "të gjenisë së mrekullueshme të Napoleonit, që sfidoi të gjithë logjikën e deriatëhershme", dy fitoret më të madhe të fituara nga armët e francezëve gjatë gjysmës së parë të karrierës së tij aktive ishte mposhtja e rusëve në Massena në Zyrih në 1799 dhe triumfi i Moreaut kundër austriakëve në Hohenlinden në 1800. Napoleoni megjithatë kishte aftësi politike dhe një oreks për pushtet politik që Massena dhe Moreau nuk e kishin.

Nuk e kupton dot domethënien dhe rëndësinë e Napoleonit për bashkëkohësit e tij, por edhe historikisht, nëse e sheh pozitën e tij politike si një lloj transferimi nga fama e tij ushtarake. Napoleoni ishte një lloj i ri udhëheqësi. (Kromuelli kishte qenë aty më parë, por ai kishte qenë shumë më pak i vetëdijshëm për rolin e tij). Ai i bënte gjërat të ndodhnin. Ai bëri jetën publike dhe mundësitë e veprimeve të përbashkët, të dukeshin ndryshe: Gëte ekzagjeronte fare pak në vitin 1824, kur thoshte se "çdokush që ka shërbyer nën Napoleonin e ka shkundur botën, asgjë nuk duket e pamundur tashmë".

Në retrospektivë mund të mendohet se suksesi në fushëbetejë ishte një mënyrë për të arritur një pushtet të tillë: por nuk ishte i vetmi. Në shekullin XX, Ataturku dhe Mao u ngjitën e u bënë udhëheqës të kombeve të tyre (me një status pothuajse napoleonik) si rezultat i suksesit të tyre në luftë, por Musolini dhe Hitleri e morën kontrollin e qeverisë duke shfrytëzuar dështimet e kohës së paqes. Triumfet e Napoleonit si gjeneral mund të jenë tipari më i njohur dhe më mbresëlënës i karrierës së tij, por nëse do të kuptosh historinë e diktaturave moderne duhet që ta shohësh atë jo si gjenerali që u bë diktator, por si diktatorin që ishte edhe gjeneral. Ndërsa për bashkëkohësit e tij, padyshim që gjenia ushtarake që zotëronte ishte cilësia e tij më e jashtëzakonshme.

Google+ Followers