LUFTA E DYTE/Cili ishte momenti i kthesës?



Laurence Rees


 Cili ishte momenti i kthesës i Luftës së Dytë Botërore? A është e mundur të gjesh një ngjarje të vetme - e madhe apo e vogël - në këtë konflikt shumë të madh e të thuash: "Ky ishte momenti vendimtar?" Kjo është pyetja që u bëra kohët e fundit disa prej historianëve më në zë.

Sigurisht, nuk ka një përgjigje "të saktë". Të arrish në një vendim se cili mund të ketë qenë momenti i kthesës do të thotë të gjykosh se çfarë do të kishte ndodhur nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe dhe dihet mirë që historia me kundërfakte është e pamundur të zgjidhet. Por në fund të fundit, kjo ishte pikësëpari sfida e ngritjes së kësaj pyetjeje. Historia është në fund të fundit, diskutim dhe problemi se cila ka qenë pika e kthesës e luftës nxiti një debat mbi rëndësinë relative të momenteve kyçe në konflikt.

Në këndvështrimin tim, pika e kthesës e konfliktit erdhi në 16 tetor 1941. Dhe në fund të këtij shkrimi do të shpjegoj përse kjo datë ishte kritike, jo vetëm për rezultatin e luftës, por edhe për të gjithë kursin që ndoqi shekulli XX.

Por më parë të shohim çfarë kishin për të thënë historianët që pyeta, duke filluar nga Adam Tooze, profesor i historisë në Yale. Tooze - libri i të cilit "Pasojat e shkatërrimit: një histori ekonomike e Rajhut të Tretë", ka bërë vërtetë bujë - është i bindur se pika e kthesës ndodhi më pak se një vit pasi nisi lufta. "Nuk ka asnjë dyshim", më tha ai, "se e gjithë historia e luftës është e përcaktuar në një farë mënyre nga fitorja e Gjermanisë në Francë në maj të vitit 1940".

Tooze ishte i vetmi historian nga ata që fola, i cili tha se maji 1940 ishte momenti kur ndryshoi gjithçka dhe ka një argument të fuqishëm. Gabimi që bëjnë shumë njerëz, thotë ai, është se mendojnë që fitorja e gjermanëve ndaj britanikëve dhe francezëve në pranverën e 1940 ishte në një farë mënyre e parathënë. Është legjendë, thotë, që gjermanët kishin pajisje superiore në luftime. Në fakt, sa i përket numrit dhe sasisë së mjeteve motorike, aleatët ishin në avantazh të qartë. Tooze argumenton se gjermanët e fituan këtë betejë për shkak të lidershipit superior dhe, mbi të gjitha, sepse ishin me fat.

Është e vështirë të nënvlerësosh, thotë ai, rrezikun e madh që ndërmori Hitleri kur kreu këtë sulm. Mësymja e armatosur gjermane në pyjet e Ardeneve (që mendohej se ishin të pakalueshëm për tanke) dhe më pas rendja drejt brigjeve franceze në Gjirin e Sommes ishte një bast gjigant. Nëse aleatët do të kishin qenë në gjendje të izolonin apo të pengonin përparimin e gjermanëve, atëherë jo vetëm që nazistët do të kishin humbur betejën për Francën, por do të kishin humbur edhe të gjithë luftën. Në thelb, ajo që ai ka mësuar nga një studim i hollësishëm i historisë është se nëse britanikët dhe francezët do të kishin qenë më të vendosur në këtë betejë, atëherë Lufta e Dytë do të kishte përfunduar në verën e vitit 1940 me një humbje poshtëruese për gjermanët.

Por, për shkak të paaftësisë së aleatëve dhe shkëlqimit të gjeneralëve gjermanë si Erich von Manstein, Heinz Guderian dhe Erwin Rommel, nazistët dolën fitues dhe statusi i Hitlerit si udhëheqës lufte u rrit në nivele stratosferike. Këtë e bënte më të jashtëzakonshme fakti që vetëm pak muaj më herët, ai ishte konsideruar një strateg ushtarak i paaftë vetëm edhe për faktin që propozonte pushtimin e Francës.

Në vjeshtën e 1939, ushtarakë të lartë gjermanë si Franz Halder, shefi i shtabit i ushtrisë gjermane, kishte menduar se Hitleri qe pothuajse i marrë që i drejtonte forcat gjermane në një sulm në perëndim.

Lufta e Parë Botërore hidhte një hije të gjatë dyshimi mbi lidershipin gjerman. Dhe në Komandën e Lartë Gjermane frikësoheshin për një përsëritje të luftës së përgjakshme të transheve në Francë mes viteve 1914 dhe 1918. Por në vend të përsëriste atë luftë të përgjakshme dhe aspak konkrete, Hitleri udhëhoqi gjermanët drejt fitores totale në gjashtë javë.

Atë kohë dukej sikur ishte triumfi më i madh ushtarak i historisë. Por sigurisht, kjo bëri që, kur Hitleri kërkoi më vonë të pushtohej Bashkimi Sovjetik, gjeneralët ishin më të relaksuar. Në fund të fundit, çfarë problemesh mund t'i hapte ushtria e kuqe atyre që kishin pushtuar me aq shpejtësi Francën?

Asnjë prej historianëve të tjerë me të cilët fola nuk përzgjodhën një ngjarje kaq të hershme si vendimtare. Conrad C. Crane, për shembull, drejtor i Institutit të Historisë Ushtarake në SHBA si dhe ish-profesor i historisë në West Point, zgjodhi si pikë kthese pikërisht momentin kur kjo përplasje u shndërrua në një luftë të vërtetë botërore. "Sulmi i japonezëve në Pearl Harbour i futi SHBA në luftë në një mënyrë të tillë që ata u mobilizuan tërësisht, pra në një mënyrë që do të kishte një ndikim të madh në të dy teatrot e luftës", thotë ai.

Një tjetër historian ushtarak i spikatur në Amerikë, Profesor Geoffrey Wawro i universitetit të Teksasit verior, është dakord me Crane - të paktën në kontekstin e luftës së Paqësorit.

Edhe Akira Iriye, një studiues që ka lindur në Japoni dhe që më vonë do të bëhej profesor në Universitetin e Harvardit, mendon gjithashtu që Pearl Harbour ishte pika e kthesës për luftën - pjesërisht sepse sulmi ndaj flotës amerikane rezultoi një "gabim monumental".

Por ata ishin të vetmit historianë që kam biseduar, të cilët besonin se Pearl Harbour ishte momenti kyç i konfliktit. Të tjerë, si historiani presidencial Robert Dallek, mendon se Pearl Harbour - sado i rëndësishëm - nuk mund të konsiderohet si pikë kthese, sepse Amerika ishte futur tashmë në rrugën për në luftë.

"Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të kishin marrë pjesë në luftë, gjithsesi", më tha Dallek, "sepse japonezët kishin si qëllim t'i jepnin një goditje fuqisë amerikane në Paqësor, duke na larguar që atje".

Në fakt, Dalleck ishte njëri prej jo më pak se 6 historianëve që mendojnë se pika e kthesës erdhi në Lumin Vollga në jug të Rusisë, në një qytet që mbante emrin e udhëheqësit sovjetik - Stalingrad. "Ishte humbja vendimtare e ushtrisë naziste në Rusi që më në fund u lejoi njerëzve të mendojnë se kjo nuk ishte një forcë që nuk mundej dhe se mund të fitohej kundër saj", thotë Dalleck. "Stalingradi ndryshon gjithçka", pranon historiani i njohur britanik Max Hastings. "Kur gjermanët u sprapsën nga Stalingradi, kur ata humbën atë betejë, gjërat nuk do të ishin më kurrë si më parë".

"Beteja e Stalingradit nuk është domosdoshmërisht pikë kthese nga pikëpamja strategjike, sepse shumë më tepër duhej të bëhej përpara se sovjetikët mund të ishin të sigurtë se mposhtnin Gjermaninë", thotë Richard Overy, historian i njohur i Luftës së Dytë. "Perëndimit i duhej ende shumë për të bërë për të mbledhur. Por gjithçka lidhet me fuqinë e jashtëzakonshme simbolike që ka Stalingradi. Krejt papritur, njerëzit nisën të besojnë tek vetvetja. Krejt papritur gjermanët janë të dobët. Dhe ky është mesazhi që u përcoll përreth botës".

Në një nivel praktik është e vështirë të mos pajtohesh me këtë analizë. Gjermanët kishin luftuar gati një mijë milje në brendësi të Bashkimit Sovjetik për të marrë Stalingradin. Por deri këtu mund të shkonin ata në territorin e armikut të tyre. 27 muajt e ardhshëm do t'i kalonin duke u tërhequr mes luftimeve deri në qendër të Berlinit. Pra, kjo ishte një pikë kthese.

Por, ofensiva e Stalingradit shënoi momentin kur Stalini pushoi së menduari që ai gjithmonë dinte më shumë se gjeneralët e tij. Fitorja qe e mundur vetëm për shkak se udhëheqësi sovjetik u dha dy komandantëve të tij më të mirë, Georgi Zhukov dhe Aleksandër Vasilevsky, kohë dhe hapësirë në vjeshtën e vitit 1942 për të planifikuar rrethimin e madh, Operacionin Uran, që do të fuste në kurth Armatën e Gjashtë Gjermane në Stalingrad.

Një milion ushtarë të Ushtrisë së Kuqe morën pjesë në Operacionin Urani, i cili ka filluar në orën 06:00 të 19 nëntorit, 1942. Vetëm katër ditë më vonë, më 23 nëntor, njësitë e Ushtrisë së Kuqe u takuan në Kalach, në perëndim të Stalingradit dhe rrethimi i gjermanëve ishte i plotë. Pavarësisht përpjekjeve të Erich von Manstein në Operacionin Stuhi Dimërore ishte e pamundur për ushtrinë e gjashtë që të shpëtohej dhe Stalingradi ra në duart e Ushtrisë së Kuqe në fund të janarit 1943.

"Ushtarakisht, është momenti kur ekuilibri zhvendoset shumë", më tha profesor William I. Hitchcock i Temple University.

"Fitorja nuk ishte e pashmangshme, por kishte më shumë gjasa të ndodhte pas Stalingradit se sa para tij për fuqitë aleate. Është gjithashtu e rëndësishme të përzgjidhet Stalingradi sepse na kujton rëndësinë e luftimeve në Lindje, ku do të vendosej vërtetë fati i Luftës së Dytë Botërore".

Të tjerë ekspertë me të cilët kam biseduar, si historiani ushtarak britanik Antony Beevor, ranë dakord se Stalingradi ishte pikë kthese e luftës për shkak të këtij kombinimi arsyesh ushtarake, politike dhe psikologjike. Si rezultat, thotë Beevor, "Stalingradi u bë një simbol i madh". Stalingradit ishte, siç e ka pranuar Max Hastings, "përgjigjja më e mërzitshme" për pyetjen. Por, tha ai, "duhet të jetë e drejta".

Por a është? Sigurisht jo, në pikëpamjen e historianit të shkëlqyer gjerman, Norbert Frei, të cilin unë e intervistova kur po vizitonte një mikun e tij në Institutin për Studime të Përparuara në Princeton. Ai thotë se ishte vendimi i Forcave Aleate të mos bombardonin Aushvicin, që shënoi pikën e kthesës.

Nëse Aushvici do të ishte bombarduar, atëherë, tha ai, ne do të mendonim edhe më me shumë "nderim" në lidhje me aleatët "nga sa mendojmë". Verdikti i Frei ishte më i paprituri nga të gjithë pikat e mundshme të kthesës që janë propozuar. Dhe, sigurisht, duke qenë se vendimi për të mos bombarduar Aushvicin u mor në 1944 - aleatët nuk kishin absolutisht informacion për funksionin e kampit para kësaj date - kjo nuk mund të shihet si një pikë kthese e luftës nga ana ushtarake. Realiteti është se nga 1944 ishte vetëm një çështje kohe përpara se nazistët të humbnin. Por, ajo që është intriguese në lidhje me gjykimin e Freit është se ai e sheh këtë si një pikë kthese morale të luftës dhe, sipas tij, kjo e bën këtë një moment tepër të rëndësishëm.

Një pikë kthese më konvencionale ishte zgjedhur nga disa historianë të tjerë që intervistova. Ata kanë zgjedhur, si momentin më vendimtar të luftës, zbarkimin më të madh në historinë e botës - Operacionin Barbarossa - pushtimi nazist i Bashkimit Sovjetik, që filloi më 22 qershor, 1941.

"Pasi Hitleri pushtoi Rusinë, lufta ndryshoi plotësisht", thotë profesor Omer Bartov i Brown University. "Është gjithashtu fillimi i gjenocidit në masë. I vrasjeve masive në një shkallë krejtësisht të paparë. Diçka e ngjashme s'kish ndodhur as edhe në Poloni. Kështu që unë mendoj se kjo është pikë kthese".

David Reynolds, profesor i historisë ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit, pajtohet. "Unë mendoj se është Barbarossa", tha ai. "Është ky sulm shumë vite më herët nga sa duhej të bëhej nga ana përgatitore dhe në një kohë kur Wehrmacht ishte pa përgatitje për një fushatë të gjatë. Në qoftë se rusët mund të mbaheshin, atëherë do të ndryshonte tërësisht karakteri i luftës. Unë mendoj se [Barbarossa] nuk do të kishte ndodhur në 1941, por për shkak të marramendjes prej fitores që ishte prodhuar prej ngjarjeve të 1940, rënies së Francës dhe kështu me radhë, Wehrmacht nisi të ndihej i pathyeshëm dhe se Hitleri ishte një udhëheqës i madh".

Historianë të tjerë argumentojnë se problemi me përzgjedhjen Barbarossa-s si pikë kthese e luftës është gjykimi që humbja ishte e pashmangshme për Hitlerin dhe nazistët nga ai moment e tutje. Por, thonë ata, kjo nuk ishte domosdoshmërisht kështu. Vetëm me mend pas kuvendit ne shohim që vendimi për të pushtuar Bashkimin Sovjetik ishte një akt i çmendur. Në fakt, opinioni i të "mençurve" në atë kohë ishte krejt i kundërt.

"Opinioni më i mirë që mund të kem", shkruante William F. Knox, sekretar i Marinës, i Presidentit Roosevelt më 23 qershor 1941, "është se do të duhen nga gjashtë javë në dy muaj për Hitlerin që të pastrojë Rusinë". Ndërsa në Britani, Zyra e Luftës i tha BBC se nuk mendonin që sovjetikët mund të rezistonin për më shumë se gjashtë javë. Urtësi mbizotëruese u përmblodh nga Hugh Dalton, një anëtar i kabinetit britanik, i cili shkroi në ditarin e tij më 22 qershor 1941: "Unë po përgatitem mendërisht për kolapsin e forcave ajrore të Ushtrisë së Kuqe".

Shumica e historianëve me të cilët kam biseduar - duke përfshirë akademikë amerikane, britanike, gjermane, japoneze - u pajtuan se pika e kthesës e luftës duhet të gjendet në konfliktin e Bashkimit Sovjetik. Ata vetëm nuk u pajtuan për momentin kur ndodhi. Shumë mendonin se Stalingradi ishte tepër vonë si çasti kur ndryshoi rrënjësisht lufta në lindje dhe se fillimi i Operacionit Barbarossa ishte shumë herët.

Por është domethënëse që, pavarësisht nga interesi shovinist në ngjarje të veçanta në këtë histori, që ekziston në kulturën popullore - si magjepsja britanike me Betejën e Britanisë dhe fokusi amerikan tek D-Day - shumë prej këtyre historianëve profesionistë shohin luftën në Frontin Lindor si vendi që ofron pikën e kthesës për të gjithë konfliktin.

Nuk ka pasur filma të mëdhenj për Barbarossan apo Stalingradin, por megjithatë shumica e studiuesve me të cilët fola mendojnë që këtu u vendos lufta. Dhe nuk është e vështirë për të kuptuar përse mendojnë kështu. Nga pikëpamja e numrave, lufta në Bashkimin Sovjetik ishte tronditëse. Merrni për shembullin numrin e të vdekurve në Perëndim dhe në Lindje. Britanikët dhe amerikanët humbën jo më shumë se 800.000 vetë gjatë luftës, sovjetikët 27 milionë.

Megjithatë, siç kemi parë, nuk ka asnjë marrëveshje për momentin kur lufta në Bashkimin Sovjetik u kthye në favor të Stalinit. Disa historianë, si profesor Robert M. Citino i Universitetit të Teksasit të Veriut, e vendos momentin kyç të ndryshimit aty nga fundi i 1941. Ndërsa pranonte se ishte "shumë i shqetësuar dhe i nervozuar për termin 'pikë kthese'. Citino më tha se po të ishte detyruar për të treguar me një pikë kthese për Luftën e Dytë Botërore, unë mund të sugjeroj shkatërrimin e formacioneve të Wehrmachtit para Moskës në dhjetor 1941".

Historianë të tjerë të shquar që pyeta dolën me të njëjtën përgjigje, duke përfshirë edhe profesorin e Historisë Moderne në Universitetin e Kembrixhit, Richard Evans: "Dhjetori 1941 ishte hera e parë kur gjermanët u ndalën dhe nuk dinin ç'të bënin". Ian Kershaw, historiani ekspert i figurës së Adolf Hitlerit, pajtohet: "Në dhjetor 1941 gjermanët hasën pengesë e tyre të parë të madhe me fillimin e kundërsulmit sovjetik në frontin e Moskës. Pengesa e parë e madhe, që do të thotë se lufta do të zgjatej pa fund".

Kershaw gjithashtu theksoi rëndësinë e tërë muajit dhjetor 1941 në kontekstin e luftës, sepse edhe pasi sovjetikët ishin duke luftuar gjermanët në dëborë jashtë Moskës, japonezët po bombardonin Pearl Harborin, një ngjarje që çoi në mënyrë të pashmangshme në shpalljen e luftës nga Gjermania ndaj Amerikës më 11 dhjetor.

"Kështu, brenda pak ditësh", thotë Kershaw, "sulmi gjerman në Bashkimin Sovjetik u ndal dhe papritur u pa që lufta që ishte menduar si vetëm një sulm i shpejtë fitimtar në BS do të vazhdonte pafundësisht, u pa që Japonia kishte hyrë në luftë, që amerikanët kishin hyrë në luftë dhe tashmë gjermanët luftonin kundër SHBA. Unë mendoj se ishte fillimi i fundit. Sigurisht lufta kishte ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe gjermanët e rimorën deri në një farë mase veten në 1942, por nëse kërkoni një pikë kthese, iu them se pikërisht ajo ishte. Hitleri vetë në një apo dy komente që bëri në atë periudhë dukej se pranonte që dhjetori 1941 ishte një pikë kritike e luftës".

Në fakt, Hitleri u referohej në mënyrë kontradiktore ngjarjeve në fund të 1941, pavarësisht se cilin moment epik kyç po diskutonte. Ndërsa privatisht ai shprehu dyshime në lidhje me mënyrën si po shkonte fushata kundër sovjetikëve, duke thënë se Gjermania meritonte të shkatërrohej nëse Ushtria e Kuqe në fund të fundit kishte rezultuar shumë e fortë për Wehrmacht, ai në të njëjtën kohë e quajti hyrjen e japonezëve në luftë në dhjetor 1941 si provë se nazistët tani nuk mund të "humbisnin luftën", përderisa kishin "një aleat që nuk ishte pushtuar asnjëherë në 3 mijë vite".

Ideja që ngjarjet e dhjetorit 1941 ishin pika e kthesës e luftës, përforcohet edhe më shumë nga fakti se ky ishte edhe muaji kur Adolf Hitleri bëri një seri deklaratash në lidhje me hebrenjtë. Siç shkruante Joseph Goebbels, ministri i propagandës naziste, në ditarin e tij më 13 dhjetor 1941, pasi mori pjesë në një takim me Hitlerin në Berlin një ditë më parë: "Në lidhje me çështjen çifute, Führer është i vendosur të bëjë një spastrim të plotë. Ai tha se, në qoftë se ata shkaktojnë një luftë tjetër botërore, atëherë do të shohin shfarosjen e tyre. Nuk ishin fjalë në ajër. Lufta botërore kishte ardhur këtu. Shfarosja e çifutëve duhet të ishte pasoja e pashmangshme. Kjo çështje duhet parë pa sentimentalizëm".

Hans Frank, sundimtari nazist i Qeverisë së Përgjithshme (pjesa lindore e Polonisë së pushtuar), kishte marrë pjesë në një takim të rëndësishëm me Hitlerin më 12 dhjetor. Dhe katër ditë më vonë ai foli me zyrtarët nazistë në Krakovë. Frank u tha atyre që në Berlin ai kishte qenë i udhëzuar se ai dhe shokët e tij duhet të "likuidonin hebrenjtë". Dhe ai gjithashtu dha arsyet pse kjo vrasje në masë duhet të ndodhë: "Si një nacional-socialist i vjetër, unë duhet të deklaroj se në qoftë se klani çifut do t'i mbijetojë luftës në Evropë, ndërsa ne sakrifikuam gjakun tonë më të mirë në mbrojtje të Evropës, atëherë kjo luftë do të përbënte vetëm një sukses të pjesshëm. Sa i përket hebrenjve, pra, unë do të veproj vetëm me supozimin që ata do të zhduken... Ne duhet t'i shfarosim hebrenjtë kudo që t'i gjejmë".

Nëse dhjetori 1941 është me të vërtetë pika e vetme e kthesës në zhvillimin e Holokaustit, kjo vazhdon të debatohet. Çfarë është e sigurtë është se ngjarjet e atij muaji janë një hap i rëndësishëm në përparimin e "Zgjidhjes përfundimtare" të nazistëve - shfarosja e hebrenjve.

Me rëndësi të veçantë është përmendja nga Goebbels "e profecisë së Hitlerit" në ditarin e tij në 12 dhjetor, për shkak se në janar 1939, në një fjalim në Reichstagun gjerman, Hitleri kishte njoftuar se ai do "të ishte një profet".

Kjo ishte profecia e tij e frikshme: "Nëse financuesit ndërkombëtarë hebrenj brenda dhe jashtë Evropës do t'ia dalin të zhysin edhe një herë kombet në një luftë botërore, atëherë rezultati nuk do të jetë bolshevizimi i tokës, pra fitorja e hebrenjve, por shfarosja e racës së tyre në Evropë!".

Pra, nuk është rastësi që Goebbels i pa ngjarjet e dhjetorit si shkaktare në përmbushjen e profecisë së Hitlerit. Megjithëse Goebbels kishte përmendur më parë këtë profeci në ditarin e tij, ishte hyrja e Japonisë dhe Amerikës në luftë që e bënë atë një luftë të vërtetë botërore.

Unë me siguri pajtohem se pika e kthesës e luftës në Frontin Lindor gjithashtu duhet të merret si pikë kthese e konfliktit në tërësi, por unë nuk e vendos atë moment aq vonë sa dhjetori 1941. Unë pajtohem me historianin britanik Andrew Roberts se pikë kthese ka qenë rreth dy muaj më parë, në tetor 1941. Por unë nuk kam të njëjtën arsye për zgjedhjen e atij muaji. Roberts më tha se ai beson që tetori është thelbësore për shkak "se nisin shirat" dhe ky qe momenti kur "balta pengoi përparimin gjerman në Moskë dhe i lejoi Moskës të qëndrojë në duar të rusëve".

Megjithatë, nuk ishte domosdoshmërisht balta që shpëtoi sovjetikët. Në mes të tetorit, në Moskë kishte një atmosferë terrori në kryeqytetin sovjetik, sepse mendohej që ishte çështje ditësh para se gjermanët të mbërrinin në Moskë, në mos orësh. "Kishte panik", thotë Maya Berzina, atëherë një nënë 30-vjeçare që jetonte në Moskë. "Drejtorët hapën dyqanet e tyre dhe u thanë njerëzve të merrnin ç'të donin. Nuk duam t'i marrin gjermanët këto gjëra".

Dhe një dokument sekret. Numri 34 i Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes i nxjerrë vetëm pas rënies së komunizmit, tregon se më 15 tetor 1941, kishte qenë vendosur "të evakuohej Presidiumit i lartë Sovjetik dhe nivelet e lartë të qeverisë (shoku Stalin do të largohet nesër ose më vonë, në varësi të situatës)". Ditën tjetër, 16 tetor 1941, Stalini ka pritur në stacionin e Moskës për ta çuar 400 kilometra larg në lindje.

Dhjetë vjet më parë kam takuar telegrafistin personal të Stalinit, i cili më tha se kishin ardhur dhe e kishin marrë një natë të ftohtë me shi në Moskë, gati për t'u larguar me shefin. "Ne u drejtuam për në stacionin hekurudhor. Pashë trenin e blinduar dhe rojet e Stalinit që bënin ecejake në platformë. M'u bë e qartë se do të prisja Stalinin dhe do të evakuohesha bashkë me të". Por as atë natë, as ditën tjetër Stalini nuk erdhi të hipë në tren. Pjesa tjetër është histori. Ushtria e Kuqe u mbajt edhe për disa javë, përpara se të niste kundërofensivën në dhjetor. Gjë që na lë t'i përgjigjemi pyetjes kryesore - çfarë do të kish ndodhur nëse Stalini do të kish hipur në atë tren në 16 tetor 1941 dhe do të ishte larguar? Pasi kam parë dokumentat dhe kam folur me veteranët që luftuan në mbrojtje të Moskës, jam i bindur se në qoftë se Stalini do të ishte larguar nga Moska, kryeqyteti do të kish rënë. Stalini do të ishte poshtëruar, autoriteti do t'i kish rënë përtokë. Si pasojë, sovjetikët do të kishin bërë paqe me gjermanët. Në fund të fundit, ekzistonte një precedent. Në mars 1918, qeveria në largim kishte firmosur Traktatin e Brest-Litovsk, që u kish dhënë gjermanëve sasi të mëdha territori, përfshirë Ukrainën, Bjellorusinë dhe shtetet balltike.

Sidoqoftë, nuk mund të presësh që të gjithë të jenë dakord. Aspak. Sepse, debati është një prej kënaqësive më të mëdha të historisë.

Google+ Followers