Kush e ka vrarë Malcolm X? Çfarë përfaqëson vrasja e Malcolm X?


Lajmi që vjen nga New York dhe shtyn që të shpluhuroset kjo ngjarje e vjetër 45-vjeçare është se 69-vjeçari Thomas Hagan, ish-militant i Kombit të Islamit, i dënuar si një prej tri vrasësve të Malcolm X dhe i vetmi që e ka treguar krimin, ka përfituar më 28 prill nga liria me kusht e mohuar në 16 apelimet e mëparshme.
Hagan u plagos menjëherë pas të shtënave në Audubon Ballroom të Washington Heights, më 21 shkurt të vitit 1965, në të cilën Malcolm "X" Little u qëllua dhe u vra nga 16 plumba të shtëna nga armë të ndryshme, përpara syve të bashkëshortes dhe të katër fëmijëve të tij.
Hagan iu hoq nga policët turmës së egërsuar dhe në seli procesuale e pranoi përgjegjësinë e tij në krim, duke i shfajësuar të dy të akuzuarit e tjerë (Muhammad Abdul Aziz, alias Norman 3X Butler dhe Khalil Islam, alias Thomas 15X Johnson), megjithatë të dënuar edhe ata me burgim të përjetshëm, por shpejt të liruar (Islam në vitin 1987 dhe Aziz dy vjet më parë). Në vitin 1998 Louis Farrakhan, kreu i Kombit të Islamit, e emëroi Aziz shefin e sigurisë në xhaminë numër 7 të Harlem, e njëjta në të cilën predikonte Malcolm. Qysh nga viti 1988 edhe Hagan është autorizuar që të punojë jashtë burgut, me detyrimin që të kalojë 2 ditë në javë në një burg të Manhattan, për pjesën tjetër duke e fituar jetesën në një fast food. Në epokën e procesit, Hagan shpalli se e kishte vrarë liderin e luftës për të drejtat e zezakëve sepse e mendonte "hipokrit", një tradhtar i liderit shpirtëror të Kombit të Islamit, Elijah Muhammed. Por historia, si të gjitha misteret e mëdha amerikane, është shumë më e komplikuar. Këtu kërkojmë që t'ia kapim të gjitha fijet dhe të shtojmë ndonjë veçanti pak të njohur.
Një dokument i domosdoshëm për të kuptuar atmosferën e pasigurisë që mbretëronte në enturazhin e Malcolm X në ditët e vrasjes së tij është dëshmia e bërë pranë jurisë së madhe nga bashkëshortja e tij, Betty Shabazz. Ja transkriptimi i deponimit të saj:
Pyetje: Zonja Shabazz, keni qenë e martuar me Malcolm X, tamam?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Më 21 shkurt 1965 ju keni shkuar në Audubon Ballroom të New York?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Ju kujtohet sesa ka qenë ora?
Përgjigjë: Jo me saktësi, por përpara orës 15.
Pyetje: Keni shkuar me bashkëshortin tuaj, vetëm apo me ndonjë tjetër?
Përgjigje: Me dikë tjetër.
Pyetje: Doni të na e thoni se me kë?
Përgjigje: Do të preferoja që të mos e thosha.
Pyetje: Megjithatë qetë e shoqëruar edhe nga fëmijët tuaj?
Përgjigje: Po, që të katërt.
Pyetje: Jeni ulur brenda në sallë?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Ku?
Përgjigje: Përpara, në një podium.
Pyetje: Duke shikuar podiumin, nga cila anë?
Përgjigje: Nga e djathta.
Pyetje: Podiumi i parë përkrah kryesorit?
Përgjigje: I dyti.
Pyetje: Kush ishte me ju në podium?
Përgjigje: Vetëm unë dhe fëmijët.
Pyetje: Kur jeni ulur, kush ishte duke folur?
Përgjigje: Benjamin Goodman.
Pyetje: Kujtoni ta keni dëgjuar fundin e diskutimit të tij?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Çfarë ndodhi kur ai mbaroi së foluri?
Përgjigje: Hyri im shoq.
Pyetje: Ju afrua podiumit?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Dhe tha diçka?
Përgjigje: Po, nuk e kujtoj se çfarë, përshëndetjet e zakonshme.
Pyetje: Pastaj çfarë ndodhi?
Përgjigje: Pak çaste më vonë, dikush nga e ana e majtë, jo shumë prapa, u ngrit në këmbë dhe me një zë të fortë e të eksituar tha diçka të kësaj natyre: "Hiqmi duart nga xhepat", "mos i prek xhepat e mi", apo diçka të kësaj natyre.
Pyetje: Kur i keni dëgjuar ato ulërima, jeni rrotulluar drejt tyre?
Përgjigje: Po, jam rrotulluar dhe kam shikuar.
Pyetje: Çfarë keni parë?
Përgjigje: Kam parë një burrë të ngritur në këmbë, me kurriz, me një xhaketë ngjyrë ndryshku. Shikonte nga e majta e tij.
Pyetje: Pastaj?
Përgjigje: Kam dëgjuar tim shoq që të thotë: "Është gjithçka në rregull, është gjithçka në rregull". Ata të truprojës së tij po afroheshin për të parë se çfarë po ndodhte.
Pyetje: Flisni për njerëzit e ngarkuar me mbrojtjen e burrit tuaj, tamam?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Ata që qëndronin në këmbë përpara podiumit kryesor?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Thatë që u drejtuan për nga rrëmujat, për nga publiku?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Dhe pasi lëvizën, çfarë ka ndodhur?
Përgjigje: Kam dëgjuar një seri të shtënash.
Pyetje: Çfarë keni bërë?
Përgjigje: Kam besuar se qenë ata njerëzit atje në mes dhe kam parë që të gjithë shtriheshin përdhe dhe atëhere jam përkulur edhe unë dhe kam mbajtur fëmijët poshtë, duke i shtyrë nën karrige dhe duke i mbrojtur me trupin tim.
Pyetje: Kështu që keni pushuar së shikuari dhe jeni preokupuar me mbrojtjen e fëmijëve, tamam?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Kur jeni tërhequr dhe keni rifilluar të shikoni, të shtënat vazhdonin?
Përgjigje: Jo.
Pyetje: Dhe keni parë në fytyrë njeriun me xhaketë ngjyrë ndryshku?
Përgjigje: Jo, e kam parë vetëm nga prapa.
Pyetje: Tani po iu tregoj fotografitë e tri njerëzve dhe po iu pyes nëse e njihni në to këtë njeri.
Përgjigje: Nuk jam në gjendje t'ua them.
Pyetje: Domethënë nuk mund të na e thoni nëse njëri prej këtyre njerëzve është ai me xhaketë ngjyrë ndryshku?
Përgjigje: Nuk mundem, por nuk ishte njeri shumë i ngjeshur dhe, për pasojë, këtë këtu do ta përjashtoja.
Pyetje: Ju e përjashtoni që njeriu i kësaj fotografie mund të jetë personi për të cilin po flasim.
Përgjigje: Po, nuk është ai. Ai njeri nuk ishte kaq i shëndoshë.
Pyetje: Kështu, konfirmoni se nuk mund ta identifikoni këtë person në një prej fotografive që iu kam treguar?
Përgjigje: Kështu është.
Pyetje: Të paktën njihni ndonjë prej tri njerëzve në fotografitë që iu kam treguar?
Përgjigje: Nuk i njoh emrat, por i kam parë vërdallë. Njoh këtë këtu. Kur isha Black Muslim, e kam takuar. Prej dy vjetësh nuk jam më Black Muslim.
Pyetje: Dhe e keni parë në xhaminë numër 7?
Përgjigje: Po.
"Është koha e martirëve dhe unë do të jem njëri prej tyre, për kauzën e vëllazërisë: gjëja e vetme që mund ta shpëtojë kombin". Kjo shprehje domethënëse u shqiptua nga Malcolm "X" Little dy ditë përpara se të qëllohej për vdekje në skenën e sallës së vallëzimit Audobon.
Malcolm është vetëm 39 vjeç, është lindur në Omaha të shtetit Nebraska në vitin 1925, djali i Reverendo Earl Little, prift baptist dhe aktivist i Marcus Garvey dhe i UNIA-s (Universal Negro Improvement Association). Familja Little transferohet shpejt në Lensing të shtetit Michigan, ku shtëpia e Reverendos digjet, ka mundësi nga Ku Klux Klan. Ai ndërton një të re në East Lensing. Në vitin 1931, pas një grindjeje me të shoqen, Earl largohet nga shtëpia. Do ta gjejnë të vdekur disa orë më vonë, afër hekurudhës urbane, me trupin e copëtuar nga rrotat e trenit. Autoritetet flasin për vetëvrasje, por në komunitetin zezak janë të sigurtë për përgjegjësinë e racistëve të bardhë. Nëna e Malcolm disa vjet më vonë përfundon në çmendinë dhe djaloshi fillon që të vagabondojnë midis jetimoreve dhe shkollave të korrektimit. Pasi ka bërë punë të ndryshme të rëndomta dhe pasi është ndeshur shpesh me ligjin për një seri krimesh të vogla, Malcolm së fundmi arrestohet për posedim arme zjarri. Në burg konvertohet në islam dhe aderon në lëvizjen e myslimanëve të zinj të Kombit të Islamit. Fillon legjenda, aktivi final i së cilës konsiston në vrasjen në vitin 1965 dhe në reperkusionet e mëpasme komplekse sociopolitike.
Edhe shtëpia e Malcolm shkatërrohet nga një bombë djegëse, një javë përpara vrasjes së tij. Po pse atë ditë në Audubon Ballroom policët realisht zhduken nga salla? Pse dështimi i plotë në mbrojtjen e Malcolm X? Pse nuk ka patur kontrolle në hyrje? Deri dhe truprojat e tij nuk mbajnë armë. Manning Marable, Docent i Studimeve Afroamerikane në Columbia University, autor i biografisë së re "Malcolm X. A Life of Reinvention", e pritur në muajin nëntor dhe e lajmëruar si plot me zbulime të reja, të habit kur deklaron se në fund do të demonstrohet sesi nuk ka pasur një konspiracion në kuptimin e vërtetë të fjalës për ta vrarë Malcolm sesa më shumë një konvergjencë interesash në eliminimin e tij.
Duke e dëgjuar kuptohet besueshmëria e tezës së tij. I pari që përfiton nga intriga vdekjeprurëse, sipas Marable, është Departamenti i Policisë të New York dhe seksioni politik i tij, BOSS-i (Bureau Of Special Services), një zyrë që ka të infiltruar si në organizatën e Malcolm, ashtu dhe tek Kombi i Islamit. Edhe FBI është është e interesuar në eliminimin e Malcolm X Little: donte ta hiqte nga këmbët sa më shpejt që të ishte e mundur dhe e markonte nga afër. Mjafton të thuhet se Gene Roberts, një prej përgjegjësve të sigurisë të Malcolm X, ishte një polic nën koperturë, i përshkruar atë ditë teksa i bënte frymëmarrjen gojë më gojë liderit që po jepte shpirt.
Sipas prokurorit distriktual, në Audubon Ballroom në rastin në fjalë janë të pranishëm të paktën 3 policë të tjerë në incognito. Kush janë dy të tjerët? Nuk është kurrë një përgjigje.
Edhe Kombi i Islamit e shikon me favor vdekjen e liderit zezak. Lynwood X, një prej liderëve të shtetit New Jersey të Kombit të islamit, qëndron i ulur në radhën e parë në Audubon Ballroom. Mbërrin shpejt, për të asistuar në manifestim dhe merret menjanë nga Benjamin 2X, bashkëpunëtor i ngushtë i Malcolm, dhe nga Ruben X Francis, kreu i sigurisë. Lynwood do të thotë se ka folur vetëm për diskutimin e afërt të Malcolm, por Marable thekson se roli i tij atë ditë është shumë më i rëndësishëm se ai i një spektatori të thjeshtë. Thomas Hagan, njeriu që është liruar nga burgu, goditet me një një të shtënë pistolete nga Ruben X, teksa ikën me vrap pasi ka qëlluar Malcolm X: vite më vonë do t'i rrëfejë imamit të tij në burg se takimi fatal në Audubon Ballroom u parapri nga një përgatitje e hollësishme prej 1 jave. Disa anëtarë të Kombit të Islamit i njohin në detajet më të hollësishme përgatitjet e bëra nga dy organizatat e Malcolm për manifestimin. Së fundi, ekziston edhe një "pol" i tretë i interesuar për vdekjen e Malcolm: disa anëtarë të vetë organizatave i të cilave është në krye. Ekzistojnë tensione midis OAAU-t (Organization of Afro-American Unity) dhe Muslim Mosque Incorporated.
Shumë burra e gra e kanë lënë Kombin e Islamit për të ndjekur Malcolm, evolucioni politik i të cilit është në një përshpejtim vështirë të pranueshëm. Në krah të temave të vetëvendosjes dhe të nacionalizmit zezak, Malcolm adopton një perspektivë panafrikane, internacionaliste dhe të larguar nga pozicionet e seksizmit patriarkal radikal që ka mbështetur si anëtar i Kombit të Islamit, duke promovuar tani avancimin e grave në lidershipin e OAAU-t. Vëllezërit e Muslim Mosque Incorporated nuk mund ta lejojnë një gjë të tillë: nuk i pëlqejnë gratë në nivelet drejtuese të OAAU-t. Nga ana tjetër, Malcolm është tashmë figura më e rëndësishme e prodhuar nga kultura afroamerikane në shekullin XX. Është simboli i Amerikës zezake urbane, i indinjatës së saj kundër racizmit strukturor të shoqërisë. Ndan me Garvey impenjimin për ndërtimin e institucioneve zezake të qëndrueshme dhe me Martin Luther King Jr. impenjimin për paqen dhe lirinë e minorancave raciale. Është personazhi i parë i rëndësishëm që sulmon rolin e Shteteve të Bashkuara në Juglindjen aziatike dhe i kundërvihet luftës së Vietnamit qysh në vitin 1964, më përpara se pjesa më e madhe e amerikanëve.
Në thelb, biografi Marable shprehet i bindur se Norman Butler dhe Robert Johnson, të arrestuar atë ditë së bashku me Hagan, nuk qëndrojnë aspak. Se vrasësit e vërtetë të Malcolm X as nuk janë individualizuar, as nuk janë dënuar dhe se është e domosdoshme që të bëhen publike dokumentet qeveritare akoma sot të sekretuara lidhur me çështjen.
Po bashkëpunimi midis Alex Haley dhe Malcolm X për të realizuar autobiografinë e famshme të tij, e destinuar që të bëhej një i shumëshitur i përhershëm? Si ecin gjërat? Si ka mundësi që Malcolm X zgjedh këtë gazetar free lance, në atë kohë me sukses të pakët, por që nga "Autobiografia e Malcolm X" do të ngrihet për suksesin planetar te "Rrënjët"? Është gjithmonë profesor Marable ai që na jep interpretime lidhur me to, sipas të cilave, marrëveshja e bashkëpunimit midis Malcolm dhe Haley mbulon rreth 1 vit e gjysëm. Përgjithësisht takohen në shtëpinë e Haley apo në ndonjë hotel dhe Haley e interviston. Malcolm flet, Haley mban shënime. Malcolm jep shënime dhe Haley i grumbullon në fund të diskutimeve. Në idenë që krijon Haley, objektivi i Malcolm është ai i hyrjes në Kombin e Islamit dhe mundësisht që t'i marrë drejtimin. Mendon se mund të fillojë dike përpunuar ndonjë deklarim publik besnikërie ndaj Elijah Mohammad, duke u futur kështu në falënderimet e organizatës.
Objektivi i Haley është i ndryshëm. Ai është një zezak republikan, në favor të integrimit. Është kundër nacionalizimit zezak. Do të demonstrojë sesi separatizmi racial i Kombit të Islamit është diçka patologjike, ekstremizmi i një gjendjeje përjashtimi dhe izolacionizmi. Dëshiron të demonstrojë negativitetin e Kombit të Islamit dhe se Malcolm, megjithëse me karizmin e tij, i përmbledh në vetvete këto tipare negative. Haley beson se mund të krijojë një argument të fortë në favor të integrimit racial, duke i treguar Amerikës së bardhë pasojat e separatizmit, që përfundon për të prodhuar vetëm urrejtje. Kështu, të dy njerëzit bashkëpunojnë, ama me motivacione tejet të ndryshme. Qysh nga fillimi Haley këshillohet më botuesin dhe me avokatin e tij përsa u përket gjërave që i thotë Malcolm. Është i preokupuar, po të përdorim fjalorin e tij, për antisemitizmin e supozuar të Malcolm X. Fillon që të rishkruajë pasazhe të librit, pa dijeninë e Malcolm. Dëshiron të pilotojë biografinë, për të arritur objektivat e veta politike. Duke provuar që të respektojë ato të Malcolm.
Pas vrasjes së Malcolm X, një grup aktivistesh të pasura, midis të cilave ndodhet Juanita Poitier (bashkëshortja e aktorit të famshëm Sidney Poitier), themelon Komitetin Nënat e Preokupuara, duke grumbulluar fonde për t'u blerë një shtëpi dhe paguar shpenzimet fëmijëve të Malcolm dhe Betty, që ndërkohë ka nxjerrë në jetë dy binjakë me të cilët ishte shtatzënë në momentin e atentatit. Blihet një shtëpi e madhe në Mount Vernon dhe Betty përkushtohet që t'u garantojë fëmijëve adoleshencën më të mirë të mundur. Fëmijët vijnë në një mjedis të pasur e komod dhe frekuentojnë shkolla dhe rrethe ekskluzive, për më tepër të bardha. Në vitin 1994, për herë të parë, Betty sulmon hapur Kombin e Islamit për vrasjen e të shoqit. Louis Farrakhan i hedh poshtë akuzat dhe u kërkon amerikanëve që ta konsiderojnë atmosferën e armiqësisë raciale si shkakun kryesor të vdekjes së Malcolm X. Në janarin e vitit të ardhshëm, vajza e Betty dhe e Malcolm, Qubilah Shabazz, akuzohet nga autoritetet e Minneapolis se ka tentuar që të rekrutojë një vrasës për të vrarë Farrakhan, si hakmarrje për vrasjen e të jatit. Vrasësi rezulton se është informator i federalëve, por, për çudinë e të gjithë, Farrakhan merr në mbrojtje Qubilah, duke theksuar se gruaja është manipuluar nga federalët për të mbjellë tension në Kombin e Islamit dhe në përgjithësi në komunitetin afroamerikan. Në maj të vitit 1995 Betty Shabazz pranon një pajtim publik me Farrakhan, duke i shtrënguar dorën në skenën e Apollo Theater në Harlem, gjatë një evenimenti të organizuar nga Kombi i Islamit si grumbullim fondesh për mbrojtjen ligjore të Qubilah.
Atë natë Farrakhan pranoi për herë të parë përfshirjen e organizatës së tij në vrasjen e Malcolm X, duke thirrur në bashkëpërgjegjësi qeverinë dhe duke e akuzuar se kishte instrumentalizuar "injorancën dhe fanatizmin në radhët e Kombit të Islamit dhe të vetë ndjekësve të Malcolm" dhe se kishte krijuar kështu "një klimë që ka mundësuar që të vritej". Një tentativë për të minimizuar rolin e tij në vrasje, por që përputhet pak me sulmet e frikshme që Kombi i Islamit i kishte drejtuar Malcolm, atëherë që ishte shkëputur për të themeluar OAAU-n dhe Mulsim Mosque Incorporated, në tentativën për të sensibilizuar zezakët lidhur me përgjegjësitë e qeverisë në sabotimin e luftës së tyre çlirimtare. Më shumë se pranimet e vonuara të Farrakhan, meriton vëmendje ajo që vetë ai shkroi në gazetën e Kombit të Islamit 10 javë përpara vrasjes së Malcolm X: "Vetëm njerëz që duan të përfundojnë në Ferr apo që të shkojnë drejt shkatërrimit mund t'i japin të drejtë Malcolm". Farrakhan dhe liderët e tjerë të Kombit të Islamit e sulmuan Malcolm në diskutimet e tyre. Në javët përpara vrasjes, komponentë të ndryshëm të ekipit të tij pësuan agresione dhe disa u vranë. Malcolm doli nga Kombi i Islamit pasi ishte vënë në dijeni të zakoneve seksuale të korruptuara dhe të interesave personale të kultivuara nga Elijah Muhammad, kreu i Kombit të Islamit. Menjëherë pas vdekjes së Malcolm, Muhammad e damkos si një hipokrit që ka marrë atë që meritonte. Kështu që deklarimet e Farrakhan të vitit 1995 duhen lexuar si tentativa të vonuara për t'u kapur pas aureolës që prej vitesh rrethon Malcolm X, në veçanti midis të rinjve. Motivacionet janë të qarta: në diskutimet e tij, Malcolm shkonte përtej temave të rivendikimit racial të avancuara nga Kombi i Islamit, fliste për popujt e shtypur brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara dhe ftonte në atë pjesëmarrje në politikën aktive nga e cila Kombi i Islamit abstenonte, në shenjë refuzimi social. Një tërheqje shqetësuese ajo e Farrakhan, në provë të pafuqishmërisë së tij për të shmangur që albatrosi - kufoma e Malcolm X - të mbysë obskurantizmin në rritje të Kombit të Islamit.
Megjithatë, në tetor të vitit 1995, Betty Shabazz është midis oratorëve të Marshimit prej 1 milion njerëzish të organizuar nga Farrakhan. Me qëllim që të shmangë burgun, Qubilah pranon që t'i nënshtrohet një trajtimi psikologjik dhe riedukimit për tepritë e drogave dhe alkoolit. Gjatë shërimit, djali i Qubilah, 12-vjeçari që mban emrin e gjyshit Malcolm, shkon të banojë në apartamentin e Betty në Yonkers. Finalja e kësaj ndodhie është fatale dhe mbresëlënëse: ai që e shkruan, edhe njëherë akoma, është zjarri. Më 1 qershor të vitit 1997, djaloshi Malcolm Shabazz i vë zjarrin apartamentit të gjyshes. Betty vuan djegie për 80 përqind të trupit. Operohet në mënyrë të përsëritur në tentativën për t'i shpëtuar jetës. Vdes nga plagët më 23 qershor të po atij viti.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers